Kjo që shihni është një kartolinë e vitit 1920, marrë nga koleksioni fotografik i Edward Jacques, katolina nga ato që prezantonin vlerat monumentale dhe historike të vendit tonë në botën e jashtme.
Është pamja ballore e Manastirit të Shën Prodhromit, në Voskopojë të Korçës, një monument kompleks, ku përfshihej veç Kishës dhe godinat që shërbenin dikur si fjetore për murgjit ose për udhëtarët jabanxhinj të rastit.
Shihni se me çfarë ndërtimi kemi të bëjmë! Një strukturë arkitektonike që edhe sot të befason me pamjen e saj të jashtme por edhe me interiorët e brendëshme. Fatkeqësisht manastiri është djegur disa herë gjatë okupimeve të huaja, por edhe keqpërdorimeve të pas luftës.
Sipas një mbishkrimi në një pllakë mermeri në fasadën e tij thuhet se punimet për përfundimin e tij datojnë në vitin 1634 dhe shpenzimet janë mbuluar nga donacionet e individëve të pasur vendas si dhe nga esnafët e qytetit të Voskopojës.
Unë kam kujtime nga vegjëlia (1958-1960), në kohën kur Manastirin e administronte z. Kostë Tërova, një mik i familjes tonë dhe me lejën e tim eti kam fjetur gjatë pushimeve verore disa ditë në dhomat e manastirit për miqtë. Ajri i pastër, ngado i rrethuar nga pyje madhështore pishe, nga një qetësi olimpike, shoqëruar edhe me ekonominë vetjake të Manastirit (bagëtitë, bletët, kuajt, bulmetin) e bënin këtë mjedis një parajsë të vërtetë tokësore, që ende tani që po shkruaj këto rreshta, i kam si të gjalla në kujtesën time fëmijënore.
Janë vlera që duhet t’i ruajmë me fanatizëm dhe t’i bëjmë të njohura përtej atdheut, siç bën e gjithë bota.