UVIL ZAJMI/ Edhe sot ai film më emocionon, kur në kinema “Partizani”, paradite ora 10.00-12.00 e kam parë për herë të parë. Interesim i madh, nisur nga aktorët, posteri i vendosur te reklamat, ato qendrore tek ish-Komiteti Ekzekutiv, patën krijuar një atmosferë kureshtare. 1 orë e gjysmë me ankthin, frymën e ndalur deri në hapjen e dritave, “Fund”-in tradicional.
Me skenar të Nasho Jorgaqit, regjisor Dhimitër Anagnosti, muzikë Nilkollla Zoraqi, drejtor artistik Teodor Siliqi, kameraman Petraq Lubonja. Me aktorët: Rikard Ljarja (Skënderi), Ndrek Luca (Kapter Rahmiu), Reshat Arbana (Islami), Bujar Kapexhiu (Bepini). Ngjarja ka ndodhur më 1 qershor 1947, në portin e Durrësit kur tre persona, kapteri, marinarët Xhemal Kërrqi, Vlash Bushi, Enver Kruqi, duke marrë anijen, marinarin Spiro Kote, tentojnë të arratisen, por që vriten nga Spiro Kote, asokohe 20- vjeçarm që menjëherë pas ngjarjes do të arrestohet, duke u mbajtur në të tilla rrethana, deri sa gjithçka të sqarohet. Për t’u shpallur “Hero i Popullit”, më 7 qershor 1947, ditën që e nxorën nga burgu.
Bujar Kapexhiu: Si ma besoi Anaganosti rolin e Bepinit
Mënyrën se si të gjithë ne i kemi përjetuar skenat e filmit, më nxit që edhe sot, sa herë që e takoj i them me humor: “Bujar, çfarë fati ke pasur, të luaje një rol të tillë për kohën. Dhe si nuk mundët vërtet të arratiseshit? Ai më vështron, duke qeshur më përgjigjet: “Nuk na la Rikardi”.
Z. Bujar, si nisi ajo aventurë?
Student në vitin 4 në IL Arteve, për aktor, një mik, shok i afërt, Sajmir Kumbaro, student në vitin e tretë, më fton të shkojmë në Kinostudio, sepse Dhimiër Anagnosti po bën konkursin për një film të ri dhe po zgjedh aktorët më thotë. Nuk kam dëshirë ta luaj në film, sepse e ndjej që nuk jam për këtë. Pasioni, dëshira ime është teatri i shprehem Sajmirit.
Edhe për ju një kinoprovë e papritur?
Mirë më tha, mos merr pjesë por ti do më ndihmosh mua kur të bëj dialogun. Sajmiri do konkurronte për rolin e Skënderit të cilin e luan Rikard Lajrja. Për të mos ia prishur mikut, shkuam dhe u bëmë gati për të bërë pjesën që do na jepej. Anagnosti, regjisori, më pa dhe më tha, që ti nuk do e bësh dialogun me Sajmirin, por me Ndrek Lucën në kabinën e anijes të improvoizuar në sallën e madhe të Kinostudios. Filluam të interpretojmë atë që na dhanë, kur Ndreka më kërcënon dhe unë si frikacak, tutem. Kjo ishte pjesa që xhiruam.
Ka një reagim, befasues nga të tjerët?
Në atë kinoprovë, koincidon, të cilën e thotë edhe Robert Ndrenika, që bashkë me Vangjush Furxhi, Gulielm Radojën, sapo kishin bërë kinoprovën e Bepinit. Dhe Ndrenika duke parë interpretimin iu drejtua atyre, eja ikim se na u mori ky rolin. Me sa duket, ai arriti në konkluzionin që e kisha interpretuar më mirë se ata. Në atë rol duhet të ishte një djalë i ri, i një familje të pasur, që kishte pasuri jashtë dhe unë mesa duket nga ana figurative i plotësoja këto kërkesa. Dhe ashtu ndodhi, kur Anagnosti më lajmëroi, që ke fituar.
Çfarë kujtoni në startin e “Duelit?
Janar 1967, u nisëm për në Durrës me një autobus të vjetër të Kinostudios. Në një moment ai ndaloi, se do të kalonte treni. Ndrekë Luca u bë nervoz dhe ashtu siç ishte na tha ne të gjithëve: “Zbrisni se do e marr autobusin ta përplas me trenin, që të heqin dorë nga këto vjetërsira”. Ne qeshëm.
Nisin xhirimet e filmit, Anagnosti ka përgatitur disa mënyra?
U sistemuam te hotel “Durrësi”, ku në një sallë të vogël, të tij, Anagnosti kishte vendosur kabinën e anijes, marrë nga kinostudioja. Një ditë përpara bënim të gjithë pjesën dhe do mëngjes, e përsërisnim para se të niseshim. Kështu, kur shkonim në xhirim në anije, ishim gati dhe e kishim më të lehtë në përvetësimin e roleve, edhe për ta bërë kohën sa më të shkurtër në anije pasi ishte shumë e vështirë. Neve na zinte deti të gjithëve, përveç Rikardit.
Ka një çast alarmi për ju?
Pasi xhiruam disa javë, Dhimitri, si regjisor kishte një praktikë të tillë. Në kinema, mblidhte grupin e xhirimit, aktorët dhe shfaqte të gjitha dublat materialet e xhiruar që ne të shikonim se si kishim ecur dhe ai të bënte vërejtjet e tij. Për herë të parë unë kam parë veten time në film. Nëntë herë vetëm një kokë, që thoshte po, po po. Një tmerr, reagova është e pamundur, unë ju kam thënë që nuk bëj për film, nuk dua filmin, nuk më pëlqen, do të largohem. Mirëpo do të krijonte incident, se si mund të ikësh, të braktisësh filmin kur kishin filluar xhirimet, ishin bërë tëra ato harxhime. Ma mbushën mendjen, qëndrova, se ajo është vetëm një sekuencë, më thanë, etj., etj..
Pëlqeni detin e qetë, pa ditur se…..
Çdo ditë shkonim në det të hapur, që kamera kur të rrotullohej nëpër anije të mos dukej bregu. Gëzoheshim kur deti ishte i qetë, ndërsa në të vërtetë na thanë, atëherë deti është më i rrezikshëm, me dallgët e poshtme, të cilat e tronditin dhe e lëvizin shumë anijen. Për mua, kjo ishte mirë, se e kisha gati rolin për të vjedhë, për të qenë i tronditur dhe si i sëmurë.
Kemi punuar në kushte të vështira
Filmi është realizuar në një sakrificë të madhe, në kondita shumë të vështira, kur në një kabinë aq të vogël, mblidheshin regjisori, operatori, aktorët, grimieri, çak-isti, të gjithë në atë anije ku mezi lëviznim. Në të tilla kushte më kujtohet, kur në një qoshe të kabinës duhet të ishte Reshat Arbana dhe në një moment, kur po xhirohej, u rrotullua, mezi hyri brenda dhe u vendos në vendin e vet.
Një rol negativ edhe për ju?
Fillimi i krijimtarisë sime artistike, kam luajtur vetëm role negative. Them që Anagnosti e pa që në atë rol duhet të ishte një djalë i ri, i një familje të pasur, që kishte pasuri jashtë dhe unë mesa duket nga ana figurative i plotësoja këto kërkesa.
Anija, nga dikasteri jepet një “thithëse” silurash?
Shkuan në Ministrinë e Mbrojtjes për të siguruar anijen. Biseduan me një zyrtar, se na duhet një anije për të xhiruar një film. Sa orë vazhdon filmi pyeti? Dy orë e sqaruan. Mirë tha filmi dy orë merreni katër orë, sepse ai nuk e kishte fare idenë si xhirohej një film, e sa kohë duhej. Anija, ajo në film, njihej, “Silurkapse dhe sapo kishte dalë nga remonti. Nuk e di a ka mbetur ndonjë gjurmë e saj?
Duke festuar, ngrini edhe një dolli, me një shprehje që ka mbetur epike?
Pasi kaluam ujërat ndërkombëtare, skenari kërkonte që unë të bërtisja “Për të bukurat sinjorina, apo fitore”. Na sollën një shishe me konjak. Jo kundërshtova unë, në asnjë mënyrë. Jo vetëm që jam i turbulluar nga deti, nuk mund të pi konjak. Se do e pija me të vërtetë, se në film nuk ka sikur, si në teatër. Atëherë i them merrni Vermuth, i cili ishte i ëmbël dhe kalonte në gërmazin tim të shqetësuar. Dhe do bëjë disa dubla që do të shoqëroheshin me disa gllënjka. Me konjak e kisha të pamundur.
Bepini, një rol që të emocionon, me batuta legjendare?
Miq, shokë më thoshin: “Bujar e ke bërë me kaq pasion, dëshirë”. Ne kishim një ndjesi të dyfishtë: Si aktor për rolin që luan dhe si njeri kundra atij regjimi. Edhe sot di ato më pikantet. I mësova nga njerëzit, fëmijët, të rinjtë, që kur kaloja në rrugë m’i përsërisnin: “Për të bukurat sinjorina”, ose batuta “Burrë i pashëm kodoshi, i zgjedhin komisarët”, apo “pse me kolegj do të bëni socializmin?”. Tjetra: “E kishin dashnore kolektive”.
“Dueli” ju ofron edhe një takim të veçantë?
Gjithkujt i pëlqen një tip peshku, krapi, merluci, barbuni dhe po ta pyesësh një njeri se kur e ka ngrënë për herë të parë me siguri nuk e mban mend. Ndërsa unë jam tifoz, e ha shumë barbunin. Dhe e kujtoj se kur e kam provuar për herë të parë. Në shkurt të viti 1967, mbaruam xhirimet, të katërt në këmbë, duke ecur rrugës, në krahun e majtë të shëtitores ishte një restorant peshku, kur Ndreka tha: “Drekë është, a ulemi këtu”? Vjen kamerieri pyet Ndrekën, çfarë doni dhe ai i tha barbun. Te ne është zakon, kur je në grup atë që thotë i pari, aprovojnë edhe të tjerët, kështu edhe ne, barbun, barbun. Kur erdhi peshku, e pashë, i them: “Po ne a porositëm barbun? Po ky është më sqaruan. Ndërsa unë e kujtoja një peshk si bishtajë që ne në shtëpi i thoshim barbunja. Aty e mora vesh, që barbuni ishte peshk i mirë, i shijshëm, me ato pikat e kuqe në kurriz dhe nga ajo ditë preferoj gjithmonë atë. Dhuratë nga “Duel i heshtur”.
Dikush bën thirrje për t’ju “vrarë”?
Ishte piktor i filmit, Llukan Bushi që kur e zinte deti, nga sikleti vetëm ulërinte. Në një moment i mbështetur te hekurat e anijes, po vidhte me britma dhe duke na u drejtuar neve bërtiti me zë të lartë: “Aman, a ka ndonjë burrë si Spiro Kote t’i vrasë të gjithë këta e të kthejë anijen në breg, se vdiqa”.
Dy pyetje: Garderoba, muzika e një kompozitori të njohur?
Përcaktuam veshjet, i bëmë te një rrobaqepës privat, por njerëzve i binin përshtypje këpucët e mia. Shumë të bukura, me thumba, modelin ia dhamë një këpucari të njohur në Tiranë që i bëri si origjinale. Me ato jam në rol. Ndërsa muzika është një uverturë e Nikolla Zoraqit, jo muzikë e kompozuar për filmin. Iu bashkua, duke shoqëruar filmin dhe sot duket sikur është bërë për të. E pa shkëputur me orkestrën e drejtuar nga Ferdinand Deda.
“Dueli” afron edhe dashamirëse?
Në hotel “Durrësi” flinim në një dhomë tre veta, unë, Ndreka dhe Rikardi. Kur në komodinën e Rikardit gjenim nganjëherë ndonjë karafil, që ia sillnin admirueset, fanset, se kishte mjaft të tilla, ne i thoshim me humor: “Paskan ardhur karafilja”. Ai ishte korrekt, serioz dhe i përmbajtur.
Z. Kapexhiu, ka një opinion tjetër për ju?
Kur u shfaq filmi pati sukses dhe u pëlqye. Vite më vonë, kur erdhi 1973-shi me pasoja për mua pas festivalit të 11-të, si njeri modern, në atë shfaqje, estradë, kur Niko Nikolla, kryeredaktor i “Hostenit” më pyeste: “Bujar, a e di ti pse të dënuan? Po e di, i thosha unë. Jo, jo ti nuk di gjë. Ty të kanë dënuar vetëm për filmin ‘Duel i heshtur’, se thanë ky që e luan me kaq shpirt edhe në jetë do të jetë i poshtër”.
******
Me Reshat Arbanën, ende i ri, në pamje, kujtime, një kafe me të Sheshi i Colit, kështu na vjen mirë ta quajmë, aty ku aktori ka shtëpinë, miq, shokë dhe ku është xhiruar “Debatik”, mbetet një kënaqësi e veçantë. Nga një film te tjetri, aktorë, regjisorë, skenaristë, për të cilët ai flet për gazetën “Panorama” me shumë respekt, vlerësim, konsiderata. Pa harruar edhe sportin.
Z. Reshat, kinoprova, për një rol disa aktorë?
E bëra për rolin e Rikardit. Mbarova provat, ky do jetë Islami jo Skënderi thanë. Nuk ishte dakord Nasho Jorgaqi, skenaristi, duke u shprehur se ky është aktor i ri. Të ri kanë qenë edhe ata që kanë tentuar të arratisen i kishte thënë Anagnosti.
Ju japin një rol negativ, sa preferohej për kohën?
Nuk pyesnim asnjëherë për rolet. Kur pamë materialin e parë, isha kurioz si dukemi. Ndrek Luca më pëlqeu, Rikardi, Bujari gjithashtu, vetja ime jo. Taqo e pa që unë u pezmatova pak, më pyeti, he si të duket? Filmi do dalë i mirë më tha, për të më qetësuar.
E kujtoni kur dhe si filloi xhirimi?
Ka qenë 16 janar 1967, kur nisëm xhirimet. Ishim në një hotel “Durrësi”, flija vetëm në dhomë. Regjisori Anagnosti nga më të mëdhenjtë e kinematografisë shqiptare, në një sallë të hotelit kishte ndërtuar një kabinë anije dhe aty bënim prova, duke zbërthyer skenarin. Mësuam tekstin që ta kishim më kollaj kur të dilnim në xhirim.
Protagoniste është edhe një anije?
Anija me të cilën është xhiruar “Duel i heshtur” nuk është ajo e ngjarjes. Origjinalja ka qenë e vogël, ndryshe nga ajo në film, një motivedetë gjermane, e nxjerrë nga ujërat e Jonit, pranë Sarandës, e riparuar, duke i vënë emrin “Mujo Ulqinaku”. Ndërkohë, asnjë gjurmë e mbetur nga anija që u xhirua filmi. Spiro Koten e kërkuan për kosulent se ai ishte autori i ngjarjes, por nuk pranoi. Erdhi Dashamir Shehu, një burrë i mirë, oficer i flotës ushtarake.
Është dimër, ftohtë, si vepronit?
Qëndruam disa kohë pa mundur të xhironim, deti me shumë dallgë, duke pritur të rregullohej koha. Nuk ishte e lehtë të pamësuar me dal në det të trazuar. Madje një herë dallgë të mëdha 8 ballë na njoftoi sinoptika. Nuk vi u shpreh Ndreka. Eja, vi nuk vi.
Ka pak mosmarrëveshje në stafin drejtues?
Ndodhi një përplasje, ndërmjet skenaristit Nasho Jorgaqit dhe regjisorit Dhimitër Anagnostit. Taqo bëri disa ndryshime, që e bënë atë film, ai që është sot. Me studimet që kishte kryer në Moskë e duke parë filmat amerikanë, kishte zbuluar detaje të rëndësishme, që i zbatoi në film. Filmi do përshtatet dhe do shkojë atje ku dua unë. Vite më vonë Nasho tha që koha i dha të drejtë Dhimitër Anagnostit.
Edhe një tjetër debat për mbylljen?
Anagnosti nuk ishte dakord, edhe kur në momentin që anija me Skënderin, u kthye në port dhe aty ku e priste komandanti me marinarët, Rikardi do të shprehej: “I shërbej Republikës Popullore të Shqipërisë”. Kur mbaruan xhirimet, pamë filmin, vetë Nasho ishte i kënaqur na uroi.
Një film me aksion, i ngjashëm me një hollivudian?
Po dhe nga më të mirët që kemi të këtij zhanri të cilin spektatori e ndjek me tension. Që në çastin që merret anija, deri kur ajo kthehet në port. Dy orë të mbash në ankth shikuesin, me katër vetë, edhe në atë kabinë të vogël nuk është e lehtë. Por duke qenë një film që ka dramaturgji brenda, me ngjarje të bukura, si të ishte një film hollivudian për kohën.
Për një dublim, sa shumë punë?
Duke qenë se zëri nuk merrej mirë kur xhironim, se motori i dritave, zhurmat e dëmtonin, bënim edhe një herë dublimin. Puna më e vështirë, se do ta hapësh gojën siç e ke vepruar në xhirim. Më kujtohet se xhironim dy ditë, materialin e dërgonin në Kinostudio, i lanin stamponim në pozitiv dhe na i sillnin për t’i parë. Kjo mirë, kjo jo, duhet bërë kështu thoshte Taqo.
Si qëndron çështja e shishes?
Në një moment Ndreka do të më godiste mua me një shishe. Taqo i them, si do më bjeri në kokë? Morëm një pllakë metalike, e futa poshtë beretës. Pas goditjes, mbeti gryka e shishes. Kërkuam të sajonim një shishe sheqeri, por nuk e gjetën. Italianët ashtu i bënin. Shishe me sheqer, ajo thyhet cifloset.
Problem raporti me detin?
Vetëm Rikardi, një punëtor skene dhe operatori nuk i zinte deti. Të tjerët bëheshim për vdekje. Ne rrinim shtrirë, e kur të thërriste Dhimitri, dil Reshat se të erdhi koha, ishte një tmerr. Bujar Kapexhiu zgjati një kompesatë, bëri një karikaturë shumë të bukur. Të gjithë duke vjellë në anije dhe peshqit që prisnin ta kapnin si ushqim.
Katër aktorë, si te Maria Oktober?
Qëlloi Bujari tamam në karakter, edhe Ndreka aktor shumë i mirë. Rikardi erdhi pikërisht kur e kërkoi koha. Patëm mbaruar bashkë, unë Rikardi, Vaçe Zela, që u largua në vitin e dytë, për t’u bërë një këngëtare e madhe. Djalë simpatik, aktor i mirë, pëlqehej shumë, njeri i qetë, i edukuar, familje e mirë.
Vjen premiera e filmit?
6 muaj kemi qëndruar aty, se nuk xhironim çdo ditë, furtunë, kohë e keqe. Por, filmi duhej bërë, ishte me plan, 14 filma në vit. Premiera e filmit, në kino-veroren e Durrësit.
Një film i bukur. Edhe për faktin me aktorë të mirë dhe një regjisor të madh. Pas “Komisari i dritës”, ai ishte filmi tjetër për Anagnostin me Rozën aktore, sërish me Rikard Ljarjen dhe Ndrek Lucën.
Kote, marinari që flitet se vrau dy dhe plagosi njërin?
Nuk erdhi në premierë. Edhe ai bëri burg deri sa u sqarua puna dhe kur doli nga qelia e shpallën “Hero i Popullit”. Gjatë premierës, në një çast, dikush më vuri dorën, sikur të kishte një revolver. Kthej kokën, kush je ti e pyes, ndonëse e njoha, ishte Gashi prej Rrogozhine. Unë jam ai që ti ke luajtur rolin, por emrin e kam Vlash, jo Islam. Pse ashtu është ngjarja? Përafërsisht, i them me humor. Jo më kundërshtoi duke vijuar: “Sa hypëm në anije, ku po shkoni na pyeti roja marinar, do arratisemi i thamë pa ia zgjatur”. Kishte vite që kishte kryer dënimin.
Garderoba, sa rëndësi kishte dhe ku e gjenit?
Te “Duel i heshtur” shkuam te një rrobaqepës, Faik Këllezi, tiranas, ku i qepëm veshjet. Ndërsa te “Fije që priten”, po Faiku më qepi xhupin, se nuk kishim ku ta gjenim, pasi në rol unë vija nga jashtë. Në hotel “Dajti” kisha dalë përjashta te pishat, kalon një shoku im. Ishte koha që nuk të lejonin të takoje të huaj. Vero, Vero i bërtas. A u kthye, më pa dhe vijoi. O Ver Laci, ai u pa, me mua e ke? Po nuk po më njeh? U afrua u përqafuam, si ke ndryshuar kështu u shpreh.
Keni një arkivë me shumë role, cilët do të veçonit?
Rreth 45 të tilla në karrierë kam. Sigurisht janë disa që më prekin emocionojnë si “Dora e ngrohtë”, e Neshat Tozajt, që shkruante mirë temat sociale. “Duel i heshtur” apo roli i Nikollës, një katundar që i shkonte pas bajrakatarit, aty ku ka nisur jeta ime artistike. I ka treguar Endri Keko, në një libër. Ato që kam peng, se nuk kam ruajtur për kujtim asgjë, as një xhaketë, apo një detaj nga filmat që kam luajtur.
/Gazeta Panorama