Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka pranuar se refuzoi ftesën për pritjen e presidentit amerikan, duke e justifikuar mungesën me “takime të rëndësishme” për NIS-in dhe çështjen e sanksioneve. Ky vendim u pa si një sinjal izolimi politik, në një kohë kur shumica e liderëve botërorë kërkojnë afrim me Shtëpinë e Bardhë.
Vuçiç u shfaq ironik ndaj protokollit amerikan, duke e reduktuar pritjen presidenciale në “tri orë pritje për disa sekonda fotografi”, një deklaratë që analistët e lexuan si përpjekje për të mbuluar faktin se mungesa e tij u vu re në arenën ndërkombëtare.
Në vend të kësaj, ai mbajti takime për NIS-in, kompani e kontrolluar nga interesat ruse, duke konfirmuar se Serbia po kërkon shtyrje të sanksioneve. Presidenti serb pranoi se nuk ka besim se kjo do të ndodhë, duke treguar dobësinë e Beogradit përballë presionit ndërkombëtar.
Vuçiç hodhi poshtë idenë e shtetëzimit të NIS-it, duke thënë se ka frikë nga sekuestrimi i pronës ruse, një qëndrim që sipas kritikëve e vendos Serbinë nën hijen e Kremlinit edhe brenda OKB-së.
Në Nju Jork, mes dhjetëra takimeve të nivelit të lartë të liderëve botërorë, mungesa e Vuçiçit në pritjen e presidentit amerikan shihet si një tjetër dëshmi e izolimit diplomatik të Serbisë.