Robert Redford, aktori karizmatik dhe regjisor i vlerësuar me çmime Oscar, i cili shmangu jetën tipike të një “ylli Hollivudi” për t’u përkushtuar kauzave që i kishte për zemër, ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare. Lajmin e konfirmoi publicistja e tij, Cindi Berger, kryetare dhe CEO e agjencisë Rogers and Cowan PMK.
“Robert Redford u nda nga jeta më 16 shtator 2025, në shtëpinë e tij në Sundance, në malet e Utah, vendi që e donte, i rrethuar nga njerëzit që donte. Do të na mungojë shumë,” thuhet në deklaratën për CNN, ndersa familja ka kërkuar privatësi.
Redford u bë i njohur për rolet kryesore në filma si Butch Cassidy and the Sundance Kid dhe All the President’s Men, ndërsa si regjisor fitoi çmime për filma si Ordinary People dhe A River Runs Through It.
Dashuria e tij për artin e kinemasë e çoi drejt themelimit të Sundance Institute, një organizatë jofitimprurëse që mbështet filmin dhe teatrin e pavarur dhe që sot është e njohur në të gjithë botën për Festivalin e Filmit Sundance, që mbahet çdo vit në Utah.
Por Redford nuk ishte vetëm një figurë e madhe në film. Ai ishte gjithashtu një aktivist i përkushtuar për mbrojtjen e mjedisit, duke u shpërngulur në Utah në vitin 1961 dhe duke udhëhequr përpjekje për të ruajtur natyrën e egër të shtetit dhe të Perëndimit Amerikan.
Redford vazhdoi të aktronte edhe në vitet e tij të fundit, duke u ribashkuar me Jane Fonda në filmin e Netflix Our Souls at Night në vitin 2017. Një vit më pas, në moshën 82-vjeçare, ai luajti në The Old Man & the Gun, film që e quajti të fundit të karrierës së tij, megjithatë, ai kurrë nuk pranoi konceptin e “daljes në pension”.
“Në kuptimin tim, pensioni do të thotë të ndalosh diçka. Unë mendoj se sa kohë që ka jetë, pse të mos e jetojmë sa më shumë që të mundemi?” – tha Redford për CBS Sunday Morning në vitin 2018.
Në tetor të vitit 2020, gjatë zjarreve shkatërruese në Perëndimin Amerikan, Redford shkroi një editorial për CNN, ku kritikoi mungesën e fokusit ndaj ndryshimeve klimatike. Po atë muaj, ai humbi djalin e tij 58-vjeçar, David James Redford, nga një sëmundje e rëndë. David kishte ndjekur gjurmët e të atit si aktivist, regjisor dhe filantrop.

Nga një djalosh i trazuar, në yll ndërkombëtar
Redford lindi në Santa Monica, Kaliforni në vitin 1936. I rritur në Van Nuys, ai rrallë e shihte të atin, i cili punonte gjatë gjithë ditës si qumështor dhe më pas si kontabilist. Shumë kohë e kalonte në bibliotekë, ku u magjeps nga mitologjia greke dhe romake, por nuk ishte një nxënës shembullor.
“Nuk kisha durim, nuk isha i frymëzuar,” thoshte ai. Megjithatë, pasioni për artin dhe sportin e çoi në një bursë për bejsboll në Universitetin e Kolorados në vitin 1955. Po atë vit, nëna e tij ndërroi jetë në moshë të re, një humbje që e tronditi thellë.
Pas kësaj periudhe, Redford humbi bursën, u përjashtua nga universiteti dhe shkoi të punonte për Standard Oil, duke kursyer për të ndjekur studime arti në Evropë. “Jetova me pak, por doja aventurë dhe përvoja të reja,” tha ai.
Pas kthimit në SHBA, filloi studimet për aktrim në American Academy of Dramatic Arts në New York. I rezervuar dhe i mbyllur, Redford nuk përshtatej me studentët e tjerë të dramës. Por një mësuese e pa potencialin e tij dhe e inkurajoi të mos hiqte dorë.
Në vitin 1959, u shfaq për herë të parë në serialin “Perry Mason”. Roli që i hapi dyert e mëdha ishte në 1963 në shfaqjen e Broadway Barefoot in the Park, rol që më pas e interpretoi edhe në film, përballë Jane Fonda.
Në vitin 1961, Redford dhe gruaja e tij Lola Van Wagenen u shpërngulën në Utah, ku blenë tokë për vetëm 500 dollarë dhe ndërtuan një kabinë.
“E kuptova sa e rëndësishme ishte natyra për mua. Doja të isha aty ku ajo është e fortë dhe e përjetshme,” tha ai.
Suksesi i madh erdhi me rolin në Butch Cassidy and the Sundance Kid (1969), përballë Paul Newman, me të cilin krijoi një miqësi të përjetshme dhe më pas u ribashkua në The Sting (1973), fitues i Oscar-it për Filmin më të Mirë.
Në vitet ’70, Redford luajti në disa hite: Jeremiah Johnson, The Way We Were (me Barbra Streisand), The Great Gatsby dhe All the President’s Men (1976), përkrah Dustin Hoffman.
Me Jeremiah Johnson, Redford sfidoi studion për të ruajtur vizionin e tij si artist, duke parashikuar fillimin e rrugës si regjisor dhe mbështetës i filmit të pavarur. Filmi u bë hit, duke fituar mbi 45 milionë dollarë, pavarësisht skepticizmit të studios.
Debutimi i tij si regjisor erdhi në 1980 me Ordinary People, film që fitoi Oscar-in për Filmin më të Mirë dhe për Regjinë më të Mirë. Ai vazhdoi me suksese si The Natural (1984), A River Runs Through It (1992), Quiz Show (1994) dhe The Horse Whisperer (1998).
Edhe pse shpesh i përshkruar si mashkulli romantik i përsosur, Redford ndjehej i kufizuar nga kjo etiketë. “Ishte nder që të quhesha i pashëm, por më kufizonte si aktor,” tha ai.
Trashëgimia që lë pas
Themelimi i Sundance Institute në vitin 1981 shënoi një pikë kthese, një vend për të mbështetur artistë të rinj që rrezikojnë dhe guxojnë.
Festivali Sundance është sot platforma më e madhe për kinemanë e pavarur në SHBA, vendi ku emra si Quentin Tarantino (Reservoir Dogs) dhe Steven Soderbergh (Sex, Lies, and Videotape) nisën rrugën drejt famës.
Në vitin 2002, Robert Redford mori një Oscar Nderi për kontributin e tij jetësor në industrinë e filmit.
Në vitet e fundit, nuk ndaloi së krijuari dhe së foluri për çështje që e preknin mjedisin, drejtësine, kulturën dhe rininë.
“Dua të bëj më të mirën me atë që më është dhënë,” tha Redford në një intervistë për CNN në vitin 2015. “Duhet të shtysh përpara, të provosh gjëra të reja, kjo është gjallëruese.” Panorama