DON SIMON JUBANI
(1927 – 2011)
“Ateizmi xhdukë popuj dhe shtete!”
“Kremlini në teori ia kishte pre kokën komunizmit por, në Shqipni i tundej bishti.”
Ata që kanë kenë të burgosun në burgun e Burrelit tregojnë, se një nga birucat asht quejt “biruca e Don Simonit”. Ishte vrima ku futej “prifti kokfortë”. Lidhej për një ganxhe hekuri që nuk e lejonte as, me u çue me trup drejtë dhe as, me u ulë, ose me u shtri. Lehej me ditë i çveshun, pa mbulojë e shtrojë në temperatura të ulta, ku të ftohtit mërrinte shumë gradë nënzero, pa ushqim, vetëm me pak bukë e ujë me masë, në një pisllëk të pashpjegueshëm mjedis parazitësh, derisa iu mbushte mendja një kapterri kriminel me e “shlodhë” tue e zgjidhë e tue lanë me fjetë në çimento. Këta rreshta lexohën për dy minuta por me kalue 26 vjet me këtë mënyrë jetese asht një gja e pakuptueshme për né që nuk e kemi provue.

PAPA GJON PALI II PERSHËNDETI DON SIMONIN !
Në Shkodër nuk kishte ma asnjë Kishë të hapun dhe as qytetarë që, nuk kanë pa Dritën e Qillës tue shndritë në fëtyrat e tyne nëpërmjet fjalës së Ungjillit. Shkoranët drejtohen kah Rrëmaji dhe me të vërtetë të gjithë besojnë se: “GJAKU I MARTIRËVE TË FESË DHE T’ ATDHEUT ASHT FARA QË SOT KA BIJTË, KATOLIKË E MYSLIMANË, TË VRAMË SËBASHKU NË ZALLIN E KIRIT, TË LIDHUN DORADORËS, SOT THËRRASIN: BASHKOHUNI VËLLAZËN SHKODRANË, SI NA KËTU QË KEMI VDEKË PËR LIRI DHE DEMOKRACI TË VËRTETË!”
Një qytetar që banonte në një prej apartamentëve karrshi vorrëve i quejtun Mark Murana, sjell një tavolinë me mbulesë mushamaje mbi të cilën hante bukë në shtëpinë e tij dhe vrapon në shtëpinë e Don Simon Jubanit, e sjellë ndër vorre priftin e veshun si gjithmonë me kostum të zi, tue lajmërue njerëzit e lagun prej shiut:
“Eni, se tashti do të shohim MESHË prej Don Simonit!” Jo, ma shumë se 300 vetë që nuk u besojnë as syve, as veshëve dhe as kambëve, drejtohën nga Kapela e djegun e pa çati dhe me të vërtetë aty asht edhe Don Simoni. Don Simoni ven Kryqin e mëshefun persa vite mbi tavolinë bashkë me pak gjana të ruajtuna ndër vite, pa i shkue mendja ndonjëherë kur ishte në “birucën e tij” në Burrel, se do të vijë kjo ditë dhe mbasi ban Kryq, u drejtohët të pranishëmve:
“Vëllazën e motra! Dizidenti Mark Murana sot ka shkrue një datë historike, që do të përmendët ndër analet e kronikat historike të qytetit tonë martir të Shkodrës së famëshme, që po vuen për liri e demokraci, por, që sot, po fillon për té dhe gjithë Shqiptarët një Epokë e Re”, dhe përfundon fjalën e tij: “Sot një javë, më 11 nandor 1990 kemi Meshën ora 12.00, këtu ndër vorre!”
Për pak minuta të pranishmit shpërndahën në katër anët e qytetit. Fjala merr dheun. Të gjithë vrapojnë me shpërnda lajmin “Në Shkodër ka ardhë Mesia!” Si dikur, ndër katakombe njerëzit nuk besojnë, shumica kujtojnë se janë në andërr. Ka shumë që nuk harrojnë fjalët e Shën Tomës: “Unë, pa e pa Don Simonin me sytë e mijë tue thanë Meshë, e pa vue dorën ndër plagët e tija, që i kanë hapë komunistët në trupin e tij, NUK BESOJ!” Të gjithëve u dukët se ndër dyer përgjohen nga xhullinjët e shekullit të elektronikës, të gjithë me lot ndër sy pranojnë: “Kjo asht mbrekullia!” Edhe pse shiu vazhdon me ra, rruga e Ballabanës edhe njëherë u këthye në pjacë. Turma, turma, të rijë, pleq, sakata e qorra që kanë lind mbas datës 19 mars 1967, ditë në të cilën në Shkodër nuk kishte ma asnjë Kishë të hapun Shkodra dukej se flenë por, jo; dukej se heshtë por, jo; dukej se zien, por, jo; asht çue dhe zor se flenë ma, asht çue e nuk besoj se heshtë ma; nuk zien por, vlon, vlon bashkë me gjakun e Martirëve që derdhëj si lum në Zallin e Kirit, aty, aty, brijë çinarëve të Rrëmajit!
11 NANDOR 1990, ora 11.00. Ka disa postbloqe por jo, të rëndësishme. Disa makina gaz të Sigurimit janë në disa këthesa rruge. Mbrenda tyne shihej edhe ndonjë surrat i njohtun spijuni por nuk do ta ndyjë këtë artikull me emnat e flligtë të tyne. Filmojnë dhe shënojnë emna… Karvani i fshatarëve me biçikleta asht i pafund. Të gjithë ecin në punën e vet. Të gjithë drejt vorrëve…, të gjithë të zhytun ndër mendime, të gjithë të duket se, me vete thonë Punën e Pendimit, asnjeni nuk din a këthehët në shtëpi, të gjithë me fëmijë, gra e pleq për dore, të gjithë përshëndetën njeni me tjetrin, të gjithë janë SHQIPTARË, padallim Feje … Të gjithë drejt vendit të Ringjalljës së Përjetëshme…
Një grup i madh myslimanësh asht vendosë mburojë tek dera e vorrëve. Njeni më tregon se, na do të qëndrojmë këtu mbasi po kje se ndodhë gja, na do të përdorim armët që kemi në trup… Ju, rrini të qetë ashtu si jeni me fëmijë e familjet tueja!..Sot jemi ne këtu!
Ndër katët e nalta të apartamentëve shihet ndonjë tytë automatiku e drejtueme nga ne. Në krahun e majtë të vorrëve janë disa vagona të mbushun me sambistë të ardhun me forcat speciale nga Tirana, që presin “urdhën” …
Dhe, Don Simon JUBANI Filloi Meshen: “Vëllazën e motra!
Le ti kujtojmë për një minut në heshtje të gjithë këta të vdekun, që kemi ndër këto vorreza, dhe të gjithë ata vëllazën e motra tona, që kanë ra për një Shqipni Europiane, gjatë këtyne 46 vjetëve të shkueme…”
Mesha vazhdon… derisa ndigjohën fjalët: “Shkoni në Paqë, Mesha mbaroi!”
Duartrokitje, thirrje “Rrnoftë Don Simoni!”, kangë dhe brohoritje për FITOREN! Gëzim e hare në atë vend ku dikur vetëm lotohej…
Si një kor i vetëm populli këndon kangën: “KRISHTI MBRET!”
MESHA E PARË, asht fitore e Lirisë së Fesë mbi Ferrin komunist!
MESHA E PARË, asht fitore e Lirisë së Atdheut, mbi robninë 50 vjeçare!
MESHA E PARË, asht fillimi i Lirisë dhe i Demokracisë në Shqipni!
PA FE NUK KA ATDHE,
PA ATDHE NUK KA LIRI,
PA LIRI NUK KA DEMOKRACI !..
Melbourne, 15 Shtator 2025.