Nga REL
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se takimi me udhëheqësin rus, Vladimir Putin, ishte “shumë produktiv”, por ata nuk arritën një marrëveshje lidhur me përfundimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Gjatë konferencës së përbashkët për media pas takimit në Alaskë, që zgjati gati 3 orë, Trump tha se me Putinin janë pajtuar për shumë pika, por ka çështje ende për të cilat nuk janë pajtuar.
Sipas presidentit amerikan, ka gjasa të mira që palët të arrijnë në të ardhmen një marrëveshje.
“Kanë mbetur edhe disa pika, disa nuk janë të rëndësishme, por një është më e rëndësishmja”, tha ai pa specifikuar se për çfarë bëhet fjalë.
Para samitit, ai deklaroi se shpresonte të arrihej një armëpushim në Ukrainë.
“Por ka shumë gjasa që të arrijmë deri te pajtimi. Nuk arritëm, por ka gjasa që ta bëjmë këtë”, shtoi presidenti amerikan.
Putin, në anën tjetër, e cilësoi takimin me Trumpin si “konstruktiv”.
“Rusia është e interesuar që t’i jepet fund krizës ukrainase. Ne shpresojmë që mirëkuptimi që arritëm me presidentin Trump do të hapë rrugë për paqe në Ukrainë”, tha Putin.
Udhëheqësi rus tha po ashtu se pajtohet me Trumpin se siguria e Ukrainës duhet të garantohet.
Ai po ashtu insistoi në adresimin e atyre që i cilësoi si “shkaqe rrënjësore” të konfliktit – që në retorikën e Kremlinit nënkupton t’i jepet fund aspiratave të Ukrainës për anëtarësim në NATO dhe marrja e hapave për çarmatosjen e ushtrisë ukrainase.
Gjatë konferencës për media, Trump tha se tani do të bisedojë me udhëheqësit e NATO-s, me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe udhëheqës evropianë, për t’i informuar ata lidhur me samitin në Alaskë.
“Do të zhvilloj disa biseda telefonike dhe do t’i informoj se çfarë ndodhi, por ne patëm një takim shumë produktiv dhe për shumë pika u pajtuam”, tha ai.
Në fund të konferencës, Trump theksoi se beson që do ta takojë Putinin sërish shumë shpejt, dhe lideri rus iu përgjigj në anglisht: “Herën tjetër, në Moskë”.