TIRANE – Kryeministri Edi Rama gjatë emisionit “Dritare” të Rudina Xhungës komentoi edhe qendrimet e deputetit socialist Ben Blushi. Kryeministri e cilëson farsë gjykimin e PS-së nga persona që e shajnë së jashtmi dhe më pas thonë se iu dhimbset.
“Nuk merrem me Blushin se i kam duart të zëna me punë. Nëse kam apo jo kohë të merrem me PS-në, këtë e gjykon PS-ja, jo një person nga jashtë dhe ata që shajnë PS nga pozicione të ndryshme. Dhe që gjoja iu dhimbset PS-ja. Kjo është një farsë”, tha Rama.
Sa i përket zgjedhjeve në Kongresin e 19 marsit, Rama nga ana tjetër pranoi se në statut nuk parashikohet në mënyrë eksplicite çfarë ndodhë kur kryetari i partisë zgjidhet Kryeministër, por
parashikohet vetëm dorëheqje në rast se humb zgjedhjet. Ai shtoi se nuk i shmanget asnjë sfidanti, por se kohën për lodra ia ka lënë të birit, Zaho.
“Është non sens të bësh zgjedhje për kryeministrin brenda partisë, ka lidhje me respektin për qytetarët dhe votën e tyre. Votën e qytetarëve e kam garantuar unë dhe s’mund t’ju themi kishim një program, ju e votuat dhe t’ju themi tani do e rishikojmë ne programin. Unë e kam pikëpamjen time. Nuk kam asnjë arsye vetjake personale t’i shmangem çfarëdolloj sfide dhe sfidanti, por kam respekt ndaj njerëzve që na kanë votuar. Detyra që kam mbi shpatulla nuk më lejon të luaj. Atë kohën që kam për lodra ja kam rezervuar Zahos, nuk mund ta kthej në një lodër këtë përgjegjësi të madhe që kemi”.
Komentet