Ajo çfarë ngjau më pas ishte heshtja ose viti i largët 2030 në BE si pjese e premtimit, por jo e përgjegjësive sepse diçka tjetër ishte e gatshme të hidhej për opinionin publik.
U shpik riorganizimi i pushtetit vendor dhe lirimi i hapësirave publike duke goditur në zemër pikun e kohës së ngarkesës turistike në një kohë suksesi kur paraelektoral matej me vendosjen e një rekordi të ri me 15 milion vizitorë. Një numër që sikur vetëm me tregëtimin e tre shisheve ujë në ditë do të ishte me një vlerë të ardhurash prej 45 milion euro.
Pyetja tani pas shkatërrimit që ka ndodhur mund të shtrohet se: -kush e thau turizmin?
Me një vështrim të shkurtër në median zyrtare që nuk i numëron më hyrje-daljet në aeroport, në pikat kufitare dhe portet detare si një vit më parë, vëmendja ka zbritur përmes propagandës deri në zbardhjet e shkrimeve dhe reportazheve televizive ku çuditërisht pas 35 vitesh në Shqipëri shijohen më shumë relikat komuniste e së shkuarës dhe kontrasti i ndërtimeve se sa vlerat e lirisë e të drejtat apo edhe ekonomia e tregut që po humbasin në një shoqëri demokratike që synon të bëhet pjesë e familjes evropiane.
Kështu kanë vijuar qeverisjet Rama në 12 vite dhe mashtrimi është ngritur në profesionin e te marrëve.
Shumë kujt mund t’i kujtohen edhe shprehjet në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë që herët në 2014 me thënien:-“Hedh një i marrë një gurë në lumë dhe njëqind të mençur s’e nxjerrin dot!”, pra dikur nga Rama sikurse edhe është përforcuar në raste të ngjashme nga Taulant Balla në po atë foltore. Një rast si ky i bën të dy këta politikanë me rastin që po e marrim si shembull është se a do t’i shpëtojnë dot ata ndëshkimit nga Kodi i Ri Penal për fyerje apo tek e fundit kjo thënie është një fjalë e urtë popullore shqiptare dhe se justifikimi me absurdin i bie që të dënosh tërë popullin. Por me Kodin e Ri Penal largqoftë me aprovimin e tij, për një fjalë goje mund të biesh brenda në burg.
Po ta shohësh me këtë këndvështrim, e kupton mirë se për kë bëhen ligjet dhe se kur dikush që është në pushtet është edhe i paprekshëm. Ndërsa po të thuash se qeverinë e zgjedhin qytetarët dhe se shtetarët janë shërbëtorët e tyre në një shtet demokratik, dihet mirë se kush është sovrani. Kjo do t’i jepte plot kuptim lirive dhe të drejtave të shoqërisë. Sovrani, pra populli e ka të drejtën të zgjedhë e për t’u përfaqësuar. E ka të drejtën të zemërohet për keq qeverisjen dhe mos mbajtjen e premtimeve. E ka të drejtën të kritikojë dhe të kërkojë përgjegjësitë, e ka të drejtën të protestojë dhe e ka të drejtën e ligjshme që qeverisjen e korruptuar ta rrëzojë duke mos e zgjedhur. Por fatkeqësisht korrupsioni në pushtet mbetet një plagë që e mposht përkohësisht sovranin deri atëherë kur ai ta kuptojë se i ka humbur një e nga një liritë dhe të drejtat dhe kështu vendi do të bjerë në diktaturë sepse sovrani nuk e ndëshkoi me zgjedhje dhe me votë atëherë kur duhej. Tani i frikësuar nga korrupsioni që është shndërruar në një kulturë vetë sovrani e ka më të vështirë përballjen me pushtetin.
Ndaj le t’i kthehemi temës.
Përse u mbajt i fshehur e i heshtur dhe nuk u diskutua më parë në auditorët akademike dhe studimeve ligjore universitare një “Draft Kodi i Ri Penal në Republikën e Shqipërisë”, por ai u hodh si një i tërë në publik ditën e 25 Korrikut, 2025 ndërkohë kur pritet rezultati i zgjedhjeve të 11 Majit të këtij viti?
Këtë aspekt e ndjen kur e shfleton dhe e studion përmbajtjen voluminoze të “Draft Kodit të Ri Penal në Republikën e Shqipërisë”. Aty vëren një trefishim të neneve dhe ky material të bën përshtypje sepse aty nuk paraqitet indeksi e terminologjisë, burimet ku është mbështetur ky draft, kontributorët e shkencës së drejtësisë. Ndërsa edhe ca më rëndë kur shihet se autorët e grupit të punës mungojnë ose përgjithësohen, niveli për meritat nuk përfaqësohet dhe mbetet anonim. Besueshmëria në publik jo vetëm që bëhet dyshuese, por edhe do ta sugjerojë hedhjen në kosh. Për efekt të transparencës dhe vlerësimit të krijimtarisë së punës intelektuale përse nuk jepet edhe shpenzimi financiar apo kostoja e këtij produkti?
Është dashur kohë që të sillej në publik ky projekt i madh në fushën e ligjit dhe të shtetit të së drejtës për shtetasit, ndaj është e pastër dhe e moralshme që kontributi të na bëjë krenarë për të shkuar në BE, të jetë i dukshëm dhe të mos jetë edhe modern edhe nëndorë.
Pra, kujt t’ia dinë për faleminderit shqiptarët të cilët drejtpërdrejtë do të ndikohen nga ky Kod i Ri Penal?
Kujt t’ia dinë për nder që ky orientues pune në fushën e drejtësisë një ditë do të ballafaqojë me ligjin çdo anëtar të shoqërisë dhe ku qytetarët/shtetasit të ndjehen në pozita të barabarta përpara ligjit.
Kur gjërat ndodhin në pa dijeni dhe si krejt papritur mendimi kritik të shpie në bërjen e një analize. Pa dyshim në çështje të veçanta ato janë prekur dhe njihen si përjetime, por dhënia e një kornize historike dhe e periudhës kohore që është dashur për ta nxjerrë tani në dritë si produkt Kodin e Ri Penal duhet studiuar me imtësi krah zhvillimeve politike brenda dhe jashtë vendit dhe kjo është më se e domosdoshme për të paraqitur të vërtetën. Edhe pa shkuar shumë larg në kohe ky fenomen ka zbuluar atë qëllim që realizon politika përmes një strategjie të njohur destabilizuese për mbajtjen e pushtetit të cilën Rama e ka përvetësuar dhe e zbaton pa kufizim prej pushteteve të kapura.
Në anën tjetër kjo tregon qartë se veprimi i kësaj strategjie është i motivuar me moton “të shkatërrosh dhe të bësh sikur ndërton”, “të turbullosh dhe të bësh sikur po përpiqesh për të vendosur rend dhe rregull”, “të shpopullosh vendin e të bësh sikur kujdesesh për migracionin ndërkombëtar” dhe “të shpronësosh” për të përfunduar largimin e popullsisë, e të gjitha bashkë tregojnë se shoqëria shqiptare ka mbetur pa reaguar ndaj një skeme të njohur të politikave çorientuese progresiste për shkak të presionit ideologjik, propagandës dhe më kryesores varfërisë. Thënë ndryshe shoqëria shqiptare është bërë eksperimenti i projekteve ekonomike dhe sociale që ka ndjekur dhe po investon Rama në Shqipëri e përmes saj në gjithë rajonin.
Ky moment kyç në të cilën jeton shoqëria shqiptare tregon qartazi se formësimi i kësaj strategjie destabilizuese është i frymëzuar jo vetëm nga kapja e të gjitha pushteteve, por ato janë ngritur në një sistem, në një regjim.
Ky regjim u pa që me ardhjen në pushtet të Rilindjes Socialiste në 2013 dhe në historinë e vet të shkurtër çimentimi i tij lidhet me shfrytëzimin që ju bë ngjarjeve ndërkombëtare dhe globale për t’u zbatuar pa rezervë në Shqipëri. Për një vend të varfër, ngjarjet si tërmeti i vitit 2019, dhe një vit më vonë me pandeminë e Covid-19, ato “legjitimuan” pushtetin e elitës që drejtonte vendin. Pra kjo ishte pikërisht koha kur shumë para (euro-dollarë), nuk arritën të viheshin në qarkullim për emergjencat, por për të vajosur korrupsionin. Ishte një periudhë kohe kur individi, familja, biznesi dhe prona private u dorëzuan përpara këtyre forcave madhore që u përdorën mbrapsht dhe ranë në duart e një shteti me një elitë të privilegjuar të uritur për pasurim të shpejtë përmes korrupsionit.
Mjafton të kujtoni kohën “lock-down” dhe faktin se që nga muaji Mars 2020, vetëm në Evrope u izoluan rreth 250 milionë njerëz.
Çfarë peshe mund të kishin rreth 3 milion shqiptarë?
A ka “mbretërim” më të lehtë e më të ligjëruar se sa izolimi i plotë i jetës së qytetarëve të varur nga ndihmat dhe programet për pushtetarët në fuqi?
Këto pasoja po e shoqërojnë edhe sot botën e Shqipërinë veçanërisht, si një shembull dhe jemi këtu ku jemi. Të pa fuqishëm për të bërë opozitë, lehtësisht të tërhequr për hunde dhe të manipulueshëm nga propaganda dhe informacioni e si rezultat të pafuqishëm në organizim qytetar për të bërë ndryshimin për një të ardhme me të mirë.
A e dini se për një fjalë që nuk i shkon për shtat nga nesër e tutje qeverisë dhe të gjithë atyre pranë saj, një shtetas shqiptar; 1- do të gjobitet, 2- do të bëjë deri në 3 vite burg dhe në rastin e përfaqësimit si person juridik përveç të dyjave, 3- do t’i ndalet veprimtaria për pesë vite?
Fjala…ose për një fjalë goje!
Nuk është i shkruar më si agjitacioni dhe propaganda (neni 55 Kushtetuta e RSSH 1945-1991), e diktaturës komuniste, por është gjithçka se çfarë ka sjellë rezultati i zgjedhjeve jo të lira në shoqërinë shqiptare me një shtet të gërryer nga krimi ekonomik dhe korrupsioni deri me përfaqësimin më të lartë në numër në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Tani përse Rama tërhiqet dhe luan në rol dytësor “guest star” dhe të paditurin?
A do të ketë koka për t’u sakrifikuar apo strategjia e kaosit dhe e spekulimit me korrupsionin do të vazhdoje e sigurt dhe më e gjatë në Shqipëri?
Në se shqetësimi kryesor që del nga prezantimi i “Draft Kodit të Ri Penal në Republikën e Shqipërisë” të cilin ministri i Drejtësisë Ulsi Manja e cilësoi:-“Kodi i Ri Penal është produkt i një procesi gjithëpërfshirës dhe profesional, ku janë angazhuar ekspertët më të mirë të së drejtës penale. Ai synon përafrimin me konventat, direktivat dhe standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare, rekomandimet e institucioneve kryesore të drejtësisë, si dhe kontributet e partnerëve ndërkombëtarë, akademikëve, shoqërisë civile dhe mediave”, a mund të mendohet se kryeministri nuk ka patur dijeni?
Duke vlerësuar ketë deklaratë duhet thëne se e gjithë kjo pjesëmarrje aktorësh vërteton të kundërtën. Elita me rilindës e ka ditur dhe e ka sjellë deri këtu duke e menduar si koha dhe vendi i duhur për ta zgjatur pushtetin
Por a ishte kjo një prapaskenë apo surprizë?
Këtë e vërtetojnë dy daljet episodike të kryeministrit në rol dytësor dhe një “guest star” në dramën shqiptare ku Drafti i Kodit të Ri Penal rivë në skenë/jetë Nenin 55 i Kushtetutës së RSSH 1945-1991 nga trupa amatore e elitës së Rilindjes Socialiste.
Dy daljet e njëpasnjëshme të Ramës si deklarata në ATSH(1 dhe 4 Gusht), pra në javën e parë të Gushtit nuk kanë të bëjnë as me transparencën dhe as informimin pasi kur ky draft u bë publik (në datën 25/07/2025), shpallja e tij në mesin e një konference si “Prezantim i Draft Kodit të Ri Penal në Republikën e Shqipërisë” Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja e quan:- “Një Kod Penal modern për Shqipërinë!” dhe që shpalos të gjitha reklamat e mundshme për shitjen e “produktit”. Manja është shprehur me termin interesant aktorët ku sipas tij përfshihen:-“…përpara aktorëve kryesorë të sistemit të drejtësisë, partnerëve ndërkombëtarë, universiteteve, shoqërisë civile dhe mediave, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të shtetit të së drejtës në vend. Ky draft, që sot hyn në fazën e konsultimit publik, është një dokument themelor për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të çdo qytetari”.
Zëri i profesionistëve dhe reagimi ndërkombëtar erdhën më pas dhe sollën të gjithë shqetësimet duke bërë që kryeministri të mos mbetej më në prapaskenë, por të shfaqej me argumentin e tij në format e një loje shumë të dobët.
Rama në daljen e parë përmes ATSH sqaroi se Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave nuk kanë marrë pjesë në hartimin e draftit të Kodit të ri Penal, por ia kanë besuar një grupi ekspertësh në fund të reagimit të plotë ka lenë të theksuar se:-“ku kush do të kontribuojë për një Kod të Ri Penal për Shqipërinë 2030 në BE i ka rrugët e hapura e të gjithë kohën e nevojshme, ndërsa kush do të bëjë zhurmën e vet mund ta bëjë, se demokracia i ka edhe zhurmuesit e vet, po s’mund të thotë dot që s’na pyeti kush”.
Ky konfuzion përshkallëzohet edhe me ri reagimin e tij me daljen e dytë ku shprehet:- “hëpërhë problem më serioz që ka liria në Shqipëri nuk është as regjimi, as drafti i kodit të ri jo e jo, po masa domethënëse e atyre që e përdorin lirinë vetëm për të bërë sherr e shamata për mungesën e saj”.
Duke ke arsyetuar me argumentet e kundërshtarëve pushtetin e tij të shtrirë në 12 vite e cilëson dhe e shpreh regjim, pra që nënkupton thelbin e asaj që bie ndesh me lirinë dhe kufizimin e lirisë për të gjithë shtetasit e saj madje dhe e atyre që gëzojnë dyshtetësinë (diaspora shqiptare).
Në Shqipëri pra jo vetëm që po ndodh shpopullimi, por bashkë me të ka nisur edhe përndjekja. Le ta marrim të mirëqenë faktin se njeriu është i përgjegjshëm për veprimet dhe për shkeljet dhe ai i del zot vetes. E mban gjobën apo dënimin pa çka pasojave dhe ky është një proces i gjatë ndërgjegjësimi dhe edukimi me ligjet. Por në rastin e cilësuar të një personi juridik kur ky subjekt mund të jetë një ent mediatik, gazetë, radio, televizion, publikim në rrjetet e internetit që synon informimin, të vërtetën dhe shpreh lirinë e fjalës, atëherë çfarë do të ndodhë me ndëshkimin e tij?
Në qoftë se personi juridik është njëkohësisht është një prodhim mediatik dhe veprimtari private që ligjet e mbrojnë për fjalën e lirë, a mund të mendohet se ky shtet mund të quhet demokratik pasi e ndëshkon personin juridik me heqjen e veprimtarisë deri në pesë vite?
Pesë vite me media të dobësuara dhe me propagandë të investuar nga shteti ju mund të dilnin në anën tjetër të barazimit me rezultatin, se një tjetër mandat qeverisës ose një tjetër mur vazhdon të lartësohet në ngrehinën e shtetit diktatorial.
Në përfundim mund të themi se kemi jo vetëm një shtet të kapur plotësisht, por edhe një censurë të hapur që ndalon fjalën e lirë.
Fjala…ose për një fjalë goje!
Nuk do të jenë më agjitacioni dhe propaganda (Neni 55), i diktaturës komuniste, por gjithçka çfarë ka sjellë rezultati i zgjedhjeve jo të lira në një shtet të gërryer nga krimi ekonomik dhe korrupsioni me përfaqësim më të lartë në numër në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Tani në mbyllje me kuptimin e fjalës së urtë popullore shqiptare:-“Hedh një i marrë një gurë në lumë dhe njëqind të mençur s’e nxjerrin dot!” ose edhe variacioni mbi të që është përdorur shpesh nga rilindësit në Kuvend, na bën të kuptojmë marrëzinë, të marrët dhe të marrin. Por me “Draft Kodin e Ri Penal” kryeministri Rama i ka bërë atë që vrarë që në zanafillë idetë e një shteti modern. Ashtu si me Pasaportën e BE-së edhe me Kodin Penal ai i ka dalë jo rastësisht në mbrojtje kaosit të shkaktuar nga debatet.
Edhe fjalia e përzgjedhur për të zbutur reagimin e mbarë opinionit se “Ky draft, që sot hyn në fazën e konsultimit publik, është një dokument themelor për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të çdo qytetari”, dhe ku më tej Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka theksuar se;–“Në një shtet të së drejtës, Kodi Penal është shtylla themelore e kontratës sonë sociale. Ai përkufizon qartë kufirin ndarës mes sjelljes së lejuar dhe asaj të dënueshme dhe është një instrument i drejtpërdrejtë në mbrojtjen e rendit kushtetues, të drejtave dhe sigurisë juridike të çdo individ” , ky përcaktim i zgjedhur duhet ndarë njëherë e mirë nga propaganda sepse si në teori edhe në realitet kjo kontratë sociale mban një peshë të rëndë në raport me atë që drejtësia nuk zbaton më thelbësoren se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Në këtë rast me plot ndërgjegje dhe para fakteve mos sinqeriteti vlerësohet si komplot ndaj betimit që bëjnë zyrtarët e lartë shtetërorë për mbrojtjen e kushtetutës dhe interesave të shtetasve dhe të atdheut, Shqipërisë.
7 Gusht, 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)