Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të përballet me një votë mosbesimi të enjten, më 10 korrik, në Parlamentin Evropian, një zhvillim i rrallë që ndodh për herë të parë që nga viti 2014.
Nisma është ndërmarrë nga eurodeputeti rumun i djathtë, Gheorghe Piperea, në përgjigje të mesazheve të fshehta të shkëmbyera ndërmjet Von der Leyen dhe CEO-së së Pfizer, Albert Bourla, lidhur me blerjet e vaksinave kundër COVID-19 nga Bashkimi Evropian.
Pavarësisht tërheqjes së disa eurodeputetëve nga Partia Popullore Evropiane (EPP) dhe grupi konservator ECR pas presioneve të brendshme, iniciativa arriti të sigurojë 72 firmat e nevojshme për të kaluar në fazën e votimit.
Sipas burimeve nga Politico, vota konsiderohet më shumë simbolike, pasi shumica e grupeve parlamentare kanë shprehur paraprakisht kundërshtimin ndaj mocionit. Megjithatë, kjo lëvizje nxjerr në pah rritjen e pakënaqësisë ndaj udhëheqjes së Von der Leyen pas një sërë vendimesh të diskutueshme dhe akuzash për mungesë transparence.
Debati për mocionin e mosbesimit do të zhvillohet të hënën, më 8 korrik, ku pritet që Von der Leyen të japë shpjegime publike, ndërsa grupet parlamentare do të paraqesin qëndrimet e tyre.
Në rast se mocioni miratohet – një skenar shumë i pamundur sipas vlerësimeve aktuale, pasojat do të ishin serioze, dorëheqja e të gjithë Komisionit Evropian dhe nisja e një procesi të ri për emërimin e 27 komisionerëve.gsh