(Propaganda nuk ndalon përpunimin e opinionit publik)
Renditja në një faqosje të titujve kryesorë të ATSH-së për datën 24 Qershor, 2025 vjen interesante për mënyrën se si propaganda luan me imazhin një ditë përpara takimit të NATO-s në Hagë krijohet paralelisht përshtypja për forcën dhe transparencën njëkohësisht.
Mes më kryesoreve nuk e di se si Rama e lexon lajmin e ATSH-s; “SHBA-Trump: Nuk dua ndryshim të regjimit në Iran”* .
Kryefaqja e së Martës ishte e faqosur e tillë ose thuajse e pandryshuar në mesazhe gjatë pjesës së dytë të ditës në pritje të mbërritjes në Hagë për Samitin dy ditor të NATO-s, 24-25 Qershor, 2025.
Berisha ne qendër i përqendruar me video-demonstrimin e farsës zgjedhore nuk shmanget nga procesi i rinumërimit dhe në këtë format po aq sa opozita duket sikur e ka hapësirën e vet nën titullin; “Berisha: Zgjedhjet e pjesshme lokale do të jenë farsa e radhës”*, por kjo çështje nuk ishte e vetmja për vërtetësinë e ngjarjes. Përzgjedhja e lajmit nga ATSH nuk është vetëm një rrëfim në të ardhmen për dyshimin e pritshëm për zgjedhjet e pjesshme lokale që do të jenë ose jo një farsë.
Konferenca njëorëshe për shtyp e Berishës ishte një ripërsëritje përforcuese mbi të gjitha problematikat e rëndësishme të procesit zgjedhor në tërësi, brenda vendit si edhe me pjesëmarrjen për herë të parë të shqiptarëve të diasporës. Në vend që ato të ishin model i qytetarisë dhe lirisë së zgjedhjes, shkeljet u bënë pjesa më e dallueshme çka kanë bërë që zgjatja dhe nxjerrja përfundimtare të rezultatit të humbasë interesimin e publikut. Tjetërsimi, intimidimi, blerja, mos fshehtësia e votës e deri tek krimi elektoral shkelje që faktohen dhe janë dokumentuar me dëshmitarë të vendngjarjes si dhe me fondin video që e zotëron Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sot shërbejnë si materiale që ngrenë një çështje ligjore për të cilën drejtësia, institucionet ndërkombëtare dhe mbarë opinioni i shëndoshë nuk nisen nga kompromisi për të përcaktuar të ardhmen demokratike të Shqipërisë në qoftë se ata nuk janë në gjendje të ndajnë të vërtetën nga mashtrimi (farsa), në zgjedhjet e 11 Majit. Për më shumë, deformimi i lajmit të ATSH-s bëhet i cunguar dhe i pjesshëm sepse nuk e ndihmon dot ndryshe propagandën informative dhe ideologjizimin e partisë në pushtet.
Të merresh më tej me arsyetimin dhe të kërkosh të zbulosh mjetet e realizimit të imazhit nga propaganda e partisë-shtet kjo në kaq vite pas përmbysjes së diktaturës komuniste duket disi e kotë sepse prapësimi tek progresistët e majtë socialistë duke kapur e mediat në shërbim të shtetit dhe thurja e lavdisë për kryeministrin, nuk prodhojnë më të vërtetën dhe mendimin kritik apo qëndrimin ndryshe në shoqëri, por ato kanë ngurtësuar servilizmin në gazetari.
Sot lehtësisht dallon se mediat zyrtare dhe publike kanë vrarë profesionalizmin dhe fjalën e lirë e si të tilla ato nuk i shërbejnë së vërtetës.
Renditja dhe përshkallëzimi në një faqe të rëndësishme me ngjarjet e ditës në ATSH vjen si e tillë me tituj dhe foto ilustrime më të freskëta jo thjeshtë falë distancave, por edhe teknologjisë.
Për shembull me titullin në krye: “Rama takon Rutte: NATO do të angazhohet për terminalin ushtarak në Durrës”*, brenda titullit propagandë nuk ka më rëndësi lajmi. Pjekuria dhe staxhionimi i në samite e kryeministrit shqiptar me këto takime tashmë dihet. Madje ai mund të jetë ndër veteranët në numrin e pjesëmarrjeve, por jo i dalluar për ndonjë koncept ushtarak dhe gjeostrategjik që do t’i bënte mirë popullit shqiptar. Brenda lajmi flet sërish për ndërtimin e njohur të terminalit ushtarak në Porto-Romano të Durrësit sikur të jetë harruar se për objektin në fjalë janë bërë seanca Kuvendi për buxhetin, mjedisin, transportin, etj. etj. sa edhe me dhjetra lajme e emisione televizive për ta shtyrë këtë rrëfim edhe si objektiv elektoral sa herë që i është dashur një rradhe zgjedhjesh. Sa për nismën e 32 vendeve anëtare të NATO-s që shpenzimet për mbrojtjen të arrijnë vlerën 5% të GDP deri në vitin 2035, për këto burime dhe vlera transparenca dhe debati publik janë zbehur vazhdimisht prej burokracisë së shtetit si një çështje. Nga burime të informacionit mësohet se Shqipëria i ka kaluar shpenzimet vjetore për mbrojtjen deri në 2,1% të GDP ose 550 milion euro, por faktori i mplakjes së popullsisë për shkak të largimit të 1/3 së saj në emigracion gjatë dhjetë viteve të fundit tregojnë se çdo përllogaritje nuk shkon në të njëjtën kahje që do t’i duhej seriozitetit të politikave kombëtare. Tre qeveritë socialiste e një pas njëshme dhe me të njëjtin kryeministër Ramën, kanë prodhuar korrupsion, varfëri dhe ulje të shkallës së gatishmërisë dhe sigurisë së Shqipërisë, që preferon ombrellën e NATO-s, megjithëse ende larg prej seriozitetit të përgatitjes ushtarake dhe nivelin e lartë cilësor të saj.
Dy shtylla të tjera ku lajmet përforcojnë kurimin e imazhit në të njëjtën faqe propagande si ATSH, janë lajmet me turistë; “Rreth 1 milion të huaj erdhën në maj, 95% nga Europa”* si dhe jehonat e shtypit ndërkombëtar për arkitekturën ku; “Forbes: Vizioni i guximshëm arkitektonik që riformaton kryeqytetin e Shqipërisë”*. Shkrime dhe lajme të planifikuara me porosi ku me shumë lehtësi dallon peshën që kanë objektet e ndërtimet klienteliste në kryeqytet dhe vetë shijen e kryeministrit në këto “transformime”, pa çka se tregu i Tiranës nuk ka fuqi blerëse dhe në të numërohen rreth 50-60 mijë apartamente të pajetuara. Ndërsa numërimi i turistëve të Majit në shifrën 1 milion na bën tërheqës për shpejtësinë dhe precizonin e INSTAT-it këtë rradhë. Dy vite më parë Cens-it të popullsisë ju desh mbi tetë muaj të nxirrte rezultatin, ku dihet se vonesa, zhurmat dhe konfuzioni kanë sjellë pasoja në hartimin e legjislacionit dhe vendimmarrjet politike të vendit.
Dhe së fundi titulli dyshues, i kujdesshëm dhe përcaktues nga ky imazh propagandë i ATSH-s; “SHBA-Trump: Nuk dua ndryshim të regjimit në Iran”* .
A kemi këtu një diçka të re mbi pozitat e Ramës që ndërkohë ndodhet në samitin dy ditor të NATO-s në Hagë, Hollandë?
A pritet ndonjë foto dhe takim kokë më kokë me presidentin e SHBA-ve Donald J. Trump?
Ky rast sigurisht mund të ndodhë, por për një popull dhe një vend anëtar të NATO-s vlerësohet se si ushtrohet demokracia dhe shteti ligjor i cili del jo nga votime të manipuluara që pengojnë rotacionin politik, shkatërrojnë pluralizmin dhe vendosin autokracinë.
____________
*Tituj lajmesh nga ATSH 24 Qershor 2025
24 Qershor, 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)