SHTËPIA BOTUESE “NACIONAL” ORGANIZOI MBRËMJEN E SË MERKURES NË SALLËN “ALEKS BUDA” TË AKADEMISË SË SHKENCAVE TË SHQIPËRISË PROMOVIMIN E LIBRIT TË RI ME POEZI TË POETIT TË NJOHUR JAHO MARGJEKA, ME TITULL “LUTJE NË KOHËN E SIZIFIT”.
Shtëpia Botuese “Nacional” organizoi mbrëmjen e së merkurës, 18 qershor 2025, në Sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, promovimin e librit të ri me poezi të poetit të njohur Jaho Margjeka, me titullin “Lutje në kohën e Sizifit”.
Në këtë veprimtari morën pjesë poetë, shkrimtarë, profesorë universiteti, kritikë letrarë dhe miq të poetit, si dhe lexues të përhershëm të krijimtarisë së tij. Moderimi i veprimtarisë u realizua me mjeshtëri nga gazetari i njohur Defrim Methasani.
Në fjalën e tij, poeti dhe studiuesi i letërsisë dr. Mujë Buçpapaj, botues i Shtëpisë Botuese “Nacional” dhe i gazetës letrare me të njëjtin emër, theksoi rëndësinë e këtij botimi brenda kontekstit të letërsisë shqipe bashkëkohore. Ai e cilësoi “Lutje në kohën e Sizifit” si një ngjarje të rëndësishme estetike dhe një kontribut të vyer në diskursin liriko-reflektiv të poezisë shqiptare të dekadave të fundit. Sipas Buçpapajt, Margjeka, me një intuitë të veçantë poetike dhe ndjeshmëri ekzistenciale, ofron një panoramë të qartë të zhvillimit të stilit dhe tematikës së tij, duke ndërtuar një zë poetik të dallueshëm dhe të identifikueshëm në peizazhin letrar kombëtar.
Vëllimi përmban vlera të shumta poetike, kulturore dhe gjuhësore. Strukturimi në cikle konceptuale, qasja estetike e përpiktë dhe poezia e kondensuar dëshmojnë mjeshtërinë e autorit në masë, ritëm dhe përmbajtje. Poezia e Margjekës është më shumë se përjetim emocional; ajo është një reflektim filozofik mbi qenien, kohën, dashurinë dhe mungesën, duke lëvizur ndërmjet baladës dhe tensionit bashkëkohor, mitit dhe realitetit. Kështu krijohet një univers poetik i veçantë, i cili i flet si lexuesit të zakonshëm, ashtu edhe studiuesit të përkushtuar.
Libri përfaqëson një akt poetik të thellë që ndërthur frymën tradicionale ballkanike me përjetimin universal njerëzor. Simbolika e Sizifit shërben si një metaforë e tensionit metafizik dhe moral, duke portretizuar njeriun modern që kërkon kuptim dhe shpëtim në absurditetin e jetës. Ky ciklizëm poetik lidh përvojën individuale me kujtesën kolektive.
Në kohën kur poezia shpesh rrezikon të bëhet sipërfaqësore ose e influencuar nga estetikat e konsumit kulturor, Margjeka mbetet i palëkundur në kërkimin e fjalës me peshë semantike dhe shpirtërore. Ai e njeh fuqinë e fjalës si mjet për të shprehur të pathënën dhe për të shpëtuar nga harresa thelbin e përvojës njerëzore.
Në poezinë e tij, lexuesi ballafaqohet me përjetimet më të thella të njeriut bashkëkohor – nga humbjet intime te pasiguritë kolektive, nga dashuria te vetmia ekzistenciale. Me këtë vepër, Jaho Margjeka konfirmon identitetin e tij letrar dhe ngjitet një shkallë më lart në hierarkinë e poezisë shqipe moderne, duke qenë një zë i fortë dhe i veçantë në rrjedhat shpesh të turbullta të shprehjes poetike bashkëkohore.
Jaho Margjeka i përket traditës së pasur poetike të Tropojës – një qendër me rëndësi të veçantë në letërsinë shqipe. Tradita e Malsisë së Gjakovës dhe e Alpeve, me poezinë dhe poemat epike pagane të Mujit dhe Halilit, përbën një trashëgimi të çmuar kulturore, e cila është krahasuar me epokat më të mëdha të letërsisë botërore. “Shkolla poetike e Tropojës” ka frymëzuar breza poetësh që prej viteve ’70, duke formuar emra të njohur si Anton Papleka, Mehmet Elezi, Hamit Aliaj, Skënder Buçpapaj, dhe të tjerë.
Në promovim u shprehën mendime të ndryshme për vlerat e librit.
Profesoresha e letërsisë dhe kritika letrare, Mimoza Erebara, në fjalën e saj theksoi rëndësinë e strukturës kompozicionale të librit, duke vlerësuar mënyrën se si ciklet poetike ndërthuren për të ndërtuar një narrativë të thellë tematike dhe filozofike. Ajo e vlerësoi poezinë e Jaho Margjekës si një poezi të përmbushur me drejtësi estetike, përmbajtje shpirtërore dhe mendim të thellë, që arrin të bashkojë emocionin me reflektimin intelektual. Erebara nënvizoi se vëllimi i ri shfaq një poezi të pjekur, e cila sfidon lehtësinë dhe sipërfaqësinë e shumë krijimeve bashkëkohore, duke ofruar një zë të qartë dhe të fuqishëm brenda skenës së poezisë shqipe. Përmbledhje e mendimit të Mimoza Erebarës mbi “Lutje në kohën e Sizifit. Në poezinë e Jaho Margjekës, etja për jetë është po aq një kërkim për thelbin e ekzistencës njerëzore, sa edhe një përpjekje për të përballuar misteret e shpirtit dhe betejat e pafundme të jetës, të cilat janë simbolizuar me figurën mitologjike të Sizifit. Sizifi për autorin nuk është thjesht një individ, por një përfaqësues i shoqërisë së sotme, i një sistemi që lufton për të kapërcyer të pamundurën.
Koha në këtë vëllim nuk është thjesht kronologjike, por kozmike dhe filozofike, duke u shndërruar në një dimension ku lutja merr një rëndësi të thellë dhe mistike. Për Margjekën, lutja është një domosdoshmëri njerëzore, një akt që përmban shpresë, dashuri dhe kërkim për paqe, edhe pse ky rrugëtim duket i pafund dhe shpesh i pafat, si ai i Sizifit.
Libri përmban një reflektim të thellë mbi jetën, ekzistencën dhe ndjeshmëritë njerëzore, ku mitologjia dhe realiteti bashkëjetojnë përmes një stili poetik të fuqishëm, i cili mbart filozofi dhe emocione universale, si dashuria për nënën dhe përpjekjet për të kuptuar vetveten dhe botën.
Në thelb, “Lutje në kohën e Sizifit” është një poezi e përjetimit njerëzor, një dialog me kohën, me vetveten dhe me botën, një lutje e vazhdueshme për kuptim dhe harmoni në një botë të ndërlikuar.”
Shkrimtari dhe kritiku letrar Çerçiz Loloçi, në rolin e recensentit të librit, evidentoi rëndësinë e ndarjes së veprës në tetë cikle, një zgjedhje që sipas tij i jep librit një forcë estetike dhe një strukturë të mirëorganizuara, e cila e bën leximin më të pasur dhe më të thellë. Ai theksoi se Jaho Margjeka përfaqëson me dinjitet “shkollën poetike të Tropojës” – një traditë e njohur dhe e respektuar në nivel kombëtar dhe më gjerë, e cila ka dhënë poetë me ndikim të madh në letërsinë shqipe. Loloç theksoi se poezia e Margjekës mban gjallë këtë traditë duke e pasuruar atë me një ndjeshmëri bashkëkohore dhe një stil të spikatur personal.
Poeti dhe studiuesi Pandeli Koçi, në fjalën e tij, analizoi vlerat autentike të krijimtarisë së Jaho Margjekës, duke vënë në pah stilin e tij të veçantë krijues dhe figuracionin poetik që e karakterizon. Koçi u ndal në veçoritë stilistike dhe tematike të vëllimit, si dhe në simbolikën e pasur që përdor autori për të ndërtuar një botë poetike me dimensione të thella shpirtërore dhe filozofike. Ai gjithashtu e rikonfirmoi rëndësinë e “shkollës poetike të Tropojës” në kontekstin e letërsisë shqipe, duke përmendur emrat e mëdhenj të kësaj tradite që e kanë formuar dhe frymëzuar poezinë shqipe bashkëkohore. Në këtë kuadër, Pandeli Koçi vlerësoi se Jaho Margjeka është një prej zërave më të fortë dhe më të respektuar që vijon këtë trashëgimi me përkushtim dhe krijimtari të lartë artistike.
Në vijim, gazetarja Kozeta Hoxha lexoi me mjeshtëri disa poezi të zgjedhura nga libri, shoqëruar nga interpretimi muzikor i instrumentistit Edmon Manacaku nga RTSH.
Shkrimtari Kliton Nesturi lexoi një mesazh për veprimtarinë, të dërguar nga poeti dhe studiuesi i njohur Skënder Buçpapaj nga Zvicra, ku përshëndet arritjet e librit dhe kontributin e Jaho Margjekës në poezinë shqipe.
Mjeshtri i madh Halil Rama foli për vlerat e librit dhe për përkushtimin profesional të Shtëpisë Botuese “Nacional” në promovimin e autorëve shqiptarë.Ai ngriti lart lirbin dhe autorin e tij.
Shkrimtari Shefki Hysa vlerësoi rëndësinë e poezisë së Jaho Margjekës në traditën e Tropojës dhe në poezinë kombëtare, duke e cilësuar atë si një personalitet të spikatur të letërsisë bashkëkohore.
Poetesha dhe përkthyesja Bujana Malaj ndau mbresat e saj personale për poetin, duke folur për rrugëtimin e tij poetik dhe vlerat njerëzore dhe letrare, si dhe duke falënderuar Shtëpinë Botuese “Nacional” për përkushtimin e treguar në promovimin e shkrimtarëve shqiptarë.
Në përmbyllje, autori Jaho Margjeka falënderoi të pranishmit për mbështetjen dhe përfshirjen, Shtëpinë Botuese “Nacional” për botimin cilësor, botuesin Mujë Buçpapaj, recensentët Çerçiz Loloçi dhe Mimoza Erebara, poetin dhe studiuesin e mirenjohur Skender Buçpapaj, per parathenien e librit, si dhe autoren e kopertinës nga Nacional, Xhina Palko. Mbrëmja përfundoi me nënshkrimin e autografëve për lexuesit e shumtë që kishin mbushur sallën e madhe të Akademisë së Shkencave. Veprimtaria u ndoq nga disa televizione kryesore te Tiranes.
ELDA KECI
*Fotot u realizuan nga mjeshtri Kristaq Janushi