Në orët e para të mëngjesit të së premtes së kaluar, pediatrja palestineze dr. Alaa al-Najjar u nis drejt punës nga shtëpia e saj në Gazë, duke u përshëndetur me fëmijët – më e vogla, gjashtëmuajshe, Sayden, ende flinte. Ajo nuk e dinte se ishte hera e fundit që do t’i shihte.
Vetëm disa orë më vonë, në spitalin Nasser në Khan Younis, ku punonte, mbërritën trupat e djegur të shtatë prej fëmijëve të saj, të vrarë në një sulm ajror izraelit që kishte shkatërruar shtëpinë e tyre. Trupat e dy fëmijëve të tjerë, përfshirë beben Sayden, mbetën nën rrënoja. Vetëm djali 11-vjeçar, Adam, dhe babai i tyre, mjeku Hamdi al-Najjar, mbijetuan me plagë të rënda.
Ajo humbi gjithsej 9 fëmijë.
“Një nga tragjeditë më të rënda që kemi parë,” tha Mohammed Saqer, teknik i lartë mjekësor në spital. “Një nënë që shëronte fëmijët e të tjerëve, i humbi të sajit në zjarr dhe heshtje.”
Në mesin e trupave të djegur, Alaa e njohu vajzën Revan. E përlotur, kërkoi ta përqafonte për herë të fundit. Spitali konfirmoi se fëmijët e saj quheshin: Jahja, Rakan, Ruslan, Jubran, Eva, Revan, Sayden, Lukman dhe Sidra.
Sipas dëshmive, vetëm Adam u gjet i gjallë, i mbuluar me blozë dhe i plagosur rëndë, ndërsa babai i tij ishte në gjendje kritike, me dëmtime në kokë dhe kraharor, dhe me një dorë të këputur. Nëna e tyre, pasi mori pjesë në varrim, u kthye menjëherë në spital për t’u kujdesur për të mbijetuarit.
Dr. Ahmed al-Farra, drejtor i spitalit Nasser, tha se Alaa ishte një mjeke e qetë, etike dhe e përkushtuar, që çdo ditë trajtonte dhjetëra pacientë dhe kujdesej për familjen e madhe në shtëpi. “Ndjeu menjëherë që diçka kishte ndodhur, sapo dëgjoi për bombardimin në lagjen Qizan al-Najjar.”
Forcat izraelite thanë shkurtimisht se kishin goditur objektiva në një “zonë lufte” dhe se po hetohen raportimet për viktima civile.
Më shumë se 50 mijë palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, kanë humbur jetën nga bombardimet izraelite që nga fillimi i konfliktit pas sulmit të Hamasit në tetor, ndërsa në Gaza po thellohet kriza humanitare për shkak të mungesës së ndihmës.
“Ne nuk jemi thjesht numra,” përfundoi Dr. Farra. “Kemi të drejtë të jetojmë si çdo njeri tjetër.”