Një ish-agjent i KGB-së, ka folur mbi rolin e të majtëve idealistë në strategjitë e destabilizimit politik të përdorura nga regjimet komuniste. Ai i cilëson këta individë si “idiotë të dobishëm”, të shfrytëzuar gjatë fazës së përmbysjes së një sistemi dhe më pas të eliminuar kur nuk u nevojiten më. Bezmenov thekson se zhgënjimi i tyre shpesh i kthen në kundërshtarët më të ashpër të regjimit që dikur e mbështetën.
Yuri Bezmenov: Idiotët e dobishëm, të majtët, që besojnë idealisht në bukurinë e sistemit socialist sovjetik apo komunist, apo çfarëdo sistemi tjetër, kur zhgënjehen, bëhen armiqtë më të këqij. Prandaj instruktorët e mi në KGB theksonin posaçërisht: mos u merrni fare me të majtët. Harrojini këto prostituta politike. Synoni më lart.
Gazetari: Por për të eliminuar të tjerët, për të ekzekutuar të tjerët, a nuk kanë ata ndonjë qëllim? A nuk janë ata njerëzit te të cilët mund të mbështetemi?
Yuri Bezmenov: Jo, ata shërbejnë vetëm gjatë fazës së destabilizimit të një kombi. Për shembull, të majtët tuaj në Shtetet e Bashkuara, të gjithë këta profesorë dhe këta mbrojtës të bukur të të drejtave civile, janë thelbësorë në procesin e shkatërrimit vetëm për të destabilizuar vendin.
Kur puna e tyre përfundon, nuk duhen më. Dinë shumë. Disa prej tyre, kur zhgënjehen, kur shohin që marksist-leninistët vijnë në pushtet, natyrisht që ndihen të fyer.
Ata mendojnë se do të vijnë vetë në pushtet. Por kjo nuk ndodh kurrë, sigurisht. Ata do të rreshtohen përpara murit dhe do të pushkatohen.
Por ata mund të kthehen në armiqtë më të hidhur të marksist-leninistëve kur këta të fundit vijnë në pushtet. Dhe kjo ndodhi në Nikaragua. Shumica e këtyre ish-marksist-leninistëve u futën në burg ose një prej tyre u nda dhe tani punon kundër sandinistëve.
Është e njëjta skemë kudo. Në momentin që e kanë kryer funksionin e tyre, të gjithë idiotët e dobishëm ose ekzekutohen plotësisht, të gjithë marksistët idealistë, ose internohen, ose futen në burgje, si në Kubë. Shumë ish-marksistë janë në Kubë, domethënë, në burg. sn