Kryedemokrati Sali Berisha, nga takimi në Durrës me familjet e prekura nga tërmeti i 2019-ës, ka denoncuar një tjetër rast të korrupsionit dhe abuzimit me pronat publike, duke akuzuar ish kryebashkiakun Vangjush Dako për ndërtimin e një vile 900 metra katrorë në truallin e konvaleshencës së Ushtrisë.
Sipas Berishës, ky veprim është bërë në territorin e administruar nga një drejtues që ka lidhje me grupe të dyshimta kriminale dhe është i njohur për lidhjet e tij me krimin. Po ashtu, Berisha ka theksuar se ky rast është një shembull i qartë i shkeljeve të ligjit dhe abuzimeve, duke e lidhur ngjarjen me lidhjet politike të personave të përfshirë, duke përmendur gjithashtu një lidhje familjare me Taulant Ballën.
Për më tepër, ai ka bërë thirrje që të ndërmerren hapa konkretë për të përmirësuar situatën, duke garantuar se urbanizimi i zonave të reja do të jetë një prioritet i qeverisë së re, por gjithmonë duke respektuar ligjin dhe duke eliminuar praktikat e dëmshme të legalizimit të paautorizuar.
Pjesë nga fjala e kreut të PD:
Pardje po më thoshte një mik i imi se Gjushi ka ndërtuar vilë në truallin publik të konvaleshencës.
900 metër!
E sheh se mafia është e fshehtë.
Mafia është në fshehtësi, ka kodin e heshtjes.
Ai më tha se unë e kam parë me sytë e mi dhe do të sjell dokumentet.
Imagjinoni ju, Gjushi nga biruca, nga qelia, ndërton vilën 2-3 katëshe në territor të konvaleshencës së ushtrisë ku drejtor është një njeri i përlyer në të gjitha llojet e krimit. Ka vetëm një meritë, që është daja i Taulant Ballës.
Po këto me 11 maj marrin fund…
Banorët e Kënetës e dinë se ne ndërmorrëm projekte të mëdha për urbanizimin.
Unë i garantoj këta se urbanizimi i zonave të reja urbane do jetë përparësi absolute e qeverisë.
Sikundër të informoni çdo qytetar të këtyre zonave se për PD nuk do ketë kurrë urbanizim para legalizimit.
Do ketë legalizim të menjëhershëm me leje legalizimi dhe pastaj urbanizim sipas rastit.
Sepse asnjë njeri nuk pengon ndërtimin e rrugës kur sheh se ajo i shërben komunitetit.
Por në këtë rast, shteti dëmshpërblen me çmimin e tregut dhe jo siç bëjnë këta që hajt se ndërtove pa leje, po ta prish dhe nuk të jap asgjë. Kjo merr fund si praktikë.