Në një fjalim të fuqishëm para Parlamentit Evropian, Donald Tusk bëri thirrje për një rritje të konsiderueshme të shpenzimeve ushtarake në Evropë dhe një rishikim kritik të Marrëveshjes së Gjelbër, duke paralajmëruar për sfidat e mëdha të sigurisë dhe energjisë që kërcënojnë kontinentin.
“Europa duhet të armatoset”
Në fjalimin e tij, Tusk tha: “Evropa ishte, është dhe do të jetë gjithmonë e mrekullueshme,” duke theksuar nevojën që kontinenti të mos mbështetet më në ombrellën e sigurisë së Amerikës. Ai argumentoi se vetëm një Evropë e armatosur mund të mbijetojë në një botë të trazuar.
“Kjo nuk është zgjedhja jonë,” tha Tusk, duke shtuar se, si kryeministër i Polonisë, një vend që ka vuajtur rëndë gjatë konflikteve të kaluara, e kupton rëndësinë e forcimit të mbrojtjes. “Për të shmangur përsëritjen tragjike të historisë, ne duhet të jemi të fortë, të armatosur dhe të vendosur.”
Duke iu referuar pushtimit rus në Ukrainë dhe krizave të emigracionit të instrumentalizuara nga Bjellorusia, Tusk i bëri thirrje BE-së të trajtojë sigurinë me seriozitet. Ai propozoi mënyra të reja financimi për rritjen e shpenzimeve ushtarake, përfshirë emetimin e borxhit të përbashkët të BE-së, një propozim që ka ndarë vendet anëtare.
“Ne nuk duhet të na interesojë shumë se çfarë metode do të adoptojmë për të financuar mbrojtjen. Nuk ka alternativë: Evropa duhet të fillojë të mbrohet dhe të shpenzojë paratë e saj për këtë qëllim,” theksoi Tusk.
Trump dhe thirrja për shpenzime më të mëdha në NATO
Tusk iu referua kthimit të mundshëm të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke paralajmëruar se kjo mund të shënojë fundin e kohës së rehatisë për Evropën. Trump ka kërcënuar më parë se do të inkurajonte Rusinë të vepronte kundër vendeve të NATO-s që nuk arrijnë të shpenzojnë 2% të PBB-së për mbrojtje, dhe ka sugjeruar rritjen e objektivit të NATO-s në 5%.
“Mos pyesni Amerikën se çfarë mund të bëjë për sigurinë tonë. Pyesni veten se çfarë mund të bëjmë ne për sigurinë tonë,” tha Tusk, duke perifrazuar John F. Kennedy.
Marrëveshja e Gjelbër dhe çmimet e energjisë
Tusk e zhvendosi vëmendjen në Marrëveshjen e Gjelbër, duke argumentuar se disa rregullore mjedisore të BE-së janë përgjegjëse për çmimet e larta të energjisë që po dëmtojnë konkurrencën e bllokut në raport me SHBA-në dhe Kinën. Ai e cilësoi situatën si një kërcënim për stabilitetin dhe mirëqenien e Evropës.
“Evropa nuk mund të humbasë konkurrencën globale. Nëse falimentojmë, askush nuk do të kujdeset më për mjedisin,” paralajmëroi Tusk. Ai bëri thirrje për një rishikim të thellë të Marrëveshjes së Gjelbër, duke përfshirë një vlerësim të ndikimit të zgjerimit të Sistemit të Tregtimit të Emisioneve, i cili pritet të rrisë çmimet për transportin dhe ndërtesat nga viti 2027.
Paralajmërimi për destabilitet politik
Tusk paralajmëroi se çmimet e larta të energjisë mund të provokojnë pakënaqësi popullore që mund të rrezikojë stabilitetin demokratik në Evropë. “Ne duhet të heqim dorë nga doktrinat dhe të përqendrohemi te arsyeja e përbashkët,” tha ai, duke kërkuar një qasje më pragmatike.
Reagime të ndara
Propozimet e Tusk shkaktuan duartrokitje nga eurodeputetët konservatorë, ndërsa progresistët shprehën mosmiratim. Ndërkohë, Komisioni Evropian dhe OJQ-të mjedisore kundërshtuan idenë se Marrëveshja e Gjelbër është fajtore për çmimet e larta të energjisë, duke theksuar se varësia nga lëndët djegëse fosile është problemi kryesor.
Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, mbrojti Marrëveshjen e Gjelbër dhe tha se objektivat e saj nuk mund të ndryshojnë për shkak të krizës klimatike. “Ne duhet të ulim çmimet e energjisë dhe të largohemi nga karburantet fosile ruse, duke ndjekur të dy objektivat njëkohësisht,” deklaroi ajo.
Fjalimi i Tusk, i cili synonte të përcaktonte prioritetet e Polonisë gjatë presidencës së saj të Këshillit të BE-së, solli në vëmendje ndasitë e mëdha mbi sigurinë dhe klimën në Evropë, duke ofruar një vizion të guximshëm, por të diskutueshëm për të ardhmen e kontinentit./ Euronews – Syri.Net