“Lef Nosi, miku im më i vlefshëm në botë, fali jetën”
Zonja Hasluck, mike e Lef Nosit: përpjekja e saj për shpëtimin e nënshkruesit të pavarësisë së Shqipërisë. Historiani Romeo Gurakuqi me dokumente arkivore mbi një moment të njohur të historisë, kur diktatori Enver Hoxha eliminoi firmëtarët e pavarësisë në gjyqin e famshëm, special të vitit 1945. Konkretisht bëhet fjalë për letrën e Margaret Hasluck, drejtuar diktatorit (PRO.FO.371.58484) për shpëtimin e mikut të saj Lef Nosi, si dhe At Anton Harapit dhe Maliq Bushatit
Një letër e dhjetorit 1945 zbulon përpjekjen që Margaret Hasluck bëri për të shpëtuar Lef Nosin nga pushkatimi. Ajo i drejtohet Enver Hoxhës duke i kërkuar faljen e jetës. Me këtë letër na bën të njohur historiani Romeo Gurakuqi, i cili shpjegon se si në letrën e saj, ish-shefja e “Albania Desk” te SOE, i kërkonte Enverit këtë “favor” për firmëtarin e pavarësisë, po njëkohësisht mikut të saj të çmuar. Lef Nosi pas arrestimit në verën e vitit 1945, hetuesisë në fillim të vitit 1946, ndodhej në një proces gjyqësor komunist, në Tiranë, së bashku me Padër Anton Harapin dhe Maliq Bushatin. Letra e Hasluck shkoi në tryezën e diktatorit përmes Majorit Oakley –Hill, drejtor i UNRRA-së në Shqipëri. Përmbajtja e letrës është si më poshtë vijon:
“Shkëlqesi,
Unë jam ulur me shkrue për t’iu kërkuar Ju të ndihmoni mikun më të vlefshëm që kam në këtë botë, Lef Nosin. Unë e kam njohur atë shumë mirë, për më shumë se 15 vite, dhe Zoti e din që ai asnjëherë nuk ka thënë një fjalë në të mirë të gjermanëve dhe italianëve. Përkundrazi, ai punoi aktivisht, në bashkëpunim me mua, kundër atyre gjatë kësaj lufte. Unë jam e gatshme të vij dhe të jap dëshmi në lidhje me këtë pohim, në çdo gjykatë shqiptare, por unë ende nuk jam ripërtërirë nga një sëmundje serioze që kalova në Kajro, vitin e shkuar dhe doktori nuk do të më japë leje për të udhëtuar. Por pa ardhur unë, ju mund të inspektoni shtëpinë e tij dhe librat e tij. Ju mund të gjeni orenditë e mia dhe librat e mi atje, të cilat ai i ruajti përgjatë gjithë pushtimit armik, një sipërmarrje kjo mjaft e rrezikshme. Dhe unë nuk jam gjermane. Unë mora guximin t’ju shkruaj ju, si një mike e sprovuar e Shqipërisë. Kur unë të vij në Shqipëri, në qoftë se ju do ma lejoni këtë, do t’ju tregoj disa letra nga shqiptarët, të cilët shprehen se isha unë ajo që ju sigurova ju, premtimin zyrtar për pavarësinë e Shqipërisë, në dhjetor të vitit 1942. Pa zotin Lef, unë nuk mund t’i përfundoj librat që jam duke shkruajtur për Shqipërinë. Kështu që, ju lutem kujdesuni për sigurinë e tij. Mua më erdhi shumë keq kur ai u bë Regjent, por pas disa ditësh unë u kujtova se ai u bë kryetar i bashkisë së Elbasanit gjatë trazirave të vitit 1924, për të vetmin qellim: për të ndihmue njerëzit e varfër. Unë besoj se është e vërtetë që e njëjta arsye është edhe për këtë rast. Ashtu sikurse ju Shkëlqesi e dini më mirë se sa unë, ai ka qenë përherë një patriot shqiptar. Dhe në të vërtetë, çfarë do të bënte Shqipëria ka një kryetar? Ju nuk mundeshit të vinit sepse ishit në male. Që prej 6 qershorit 1944, ku unë u ndjeva e sëmurë, nuk kam ndonjë pozicion zyrtar. Për këtë arsye unë po ju shkruaj ju si një person privat”.
“Po diktatori tashmë kishte marrë vendimin e tij. Dy ditë pas vendimit të Gjykatës Speciale Ushtarake, në shkurt 1946, të tre shqiptarët e spikatur të elitës së vjetër, u pushkatuan nga skuadronet e vdekjes së diktatorit Hoxha. Zonjës Hasluck nuk i mbetej gjë tjetër veç të bënte raportin nekrologjik për Lef Nosin, Padër Anton Harapin dhe Maliq Bushatin, dhe të përshkruante perspektivën e regjimit tashmë të futur në rrugë pa krye”, komenton Gurakuqi.
Por historiani tregon edhe mbi një raport tjetër të muajit shkurt 1945, ku British Military Mission in Albania e përshkruante Lef Nosin, si një shqiptar të moshuar dhe patriot, i cili nuk arriti të kuptonte prirjen e vërtetë të zhvillimeve në Shqipëri. “Ai sipas të gjitha gjasave e pranoi postin e Regjentit nën presionin gjerman, sepse shpresoi të shpëtonte diçka nga anija që po mbytej dhe sepse ai e konsideroi FNÇ (d.m.th Lëvizjen Çlirimtarë të drejtuar nga komunistët e Enver Hoxhës), si një lëvizje edhe më të rrezikshme se sa gjermanët. Ky konsiderim ishte në fakt krejt i sigurt në rastin e Atë Anton Harapit, shkruhet në këto shënime. (PRO.FO.371.58484, R 6970/470/90)”, – thotë Gurakuqi.
Raporti britanik për gjyqin special të ’46-ës
Historiani ndalon dhe në disa detaje që i përkasin gjyqit të vitit 1946, të bazuara në raportin e shefit të Misionit Ushtarak Britanik në Shqipëri datë 21 shkurt 1946: sipas këtij raporti gjyqi kundër Harapit, Nosit dhe Bushatit u zhvillua kështu:
“ … Gjyqi u zhvillua, në 8 seanca, në një kinema të papastër në Tiranë, para një shtëpie ku ishin mbledhur anëtarë Partie, të cilët vazhdimisht ndërprisnin me tallje ndërsa tre gjyqtare ushtarakë nga skena, lexonin akuzat me zë të lartë dhe abuzonin ndaj të pandehurve, bashkërisht ose veçmas.. Të treve ( Pader Anton Harapit, Lef Nosit dhe Maliq Bushatit) iu hodh përgjegjësia, përveç gjërave të tjera, për të gjitha dëmet e luftës në Shqipëri; “50 000” të vdekur, “47 000” shtëpi të djegura, internimi i 18 800 njerëzve, vjedhja e bagëtive, hedhjen në erë të urave, shkatërrimet, torturat, masakrat…. Avokatët mbrojtës mbyteshin nga britmat si “fashistë” dhe nuk ndodhi asnjëherë që të dëgjoheshin nga Gjykata dhe salla.
Një grua e guximshme u ngrit në këmbë dhe thirri: “Liri popullit! A mund të flas?” Asaj iu tha se mund të fliste. Ajo iu drejtua më pas Padër Anton Harapit, Lef Nosit dhe Maliq Bushatit: “Ju jeni duke vrarë tre patriotët më të mëdhenj të mbetur” (pas pushkatimit të disa qindra të tjerëve më parë. Shënim imi RG). Duke e larguar me nxitim, ajo u godit dhe u rrah me ashpërsi dhe më pas u lirua”. Dy ditë më pas, të tre të akuzuarit u ekzekutuan (sipas G.W.Sich, from Research Departament, Foreign Office, 3rd May, 1946, PRO.FO.371.58484, R 6970/470/90)
Komentet