telat e pentagramit
janë bosh
pa nota
zogjtë preferojnë
të këputin
fillin e fluturimit
nga rraskapitja
t’i përpijë si kuçedër
oqeani
se të vendosin aty
notat e cicërimave të tyre
mbi telat
e pentagramëve bosh
nderen
monologët e lagur
nga shiu i vetmisë
era var vajet
e kujis pa nota
jo shumë larg
në kohë
në telat e pentagramit
varnin poetët
tani nderin
të linjtat e përditëshme
të zgjyrosura
prej dushit blozë
të ndërgjegjes
telat e pentagramit
tela me gjëmba
që i gjakosin notat
(Poezi nga libri poetik i Elida Buçpapajt Of-shaj, Onufri, 2022)