Majat e gishtave të saj duket sikur nuk donin të rëndonin mbi tabanin e skenës dhe as të preknin në të. Ndërsa shputat e këmbëve uleshin me lehtësi dhe ngriheshin njëherazi si të ishin krejt pa peshë.
Në 43 vjet art në skenë, eleganca, kultura e lartë muzikore, si njohëse e folklorit të të gjitha trevave, shprehitë dhe emocionet me të cilat i veshi Lili vallet që aq natyrshëm e me origjinalitet i interpretoi, i dhanë mundësi të shprehë shpirtin e saj, si në vallet me përmbajtje lirike dhe epike njëherësh, duke na sjellë të gjitha trevat tona kombëtare në vallet popullore.
Në çdo vend të Evropës, Azisë, Amerikës e Kanadasë ku ka shkuar e është prezantuar Ansambli ka qënë present edhe Lili Cingu, duke marrë pjesë në shumë festivale ndërkombëtare, ku ajo ka shpalosur me interpretimin e saj vlerat e artit koreografik shqiptar. Me duart e saj, si të ishte një stiliste, u qepte valltarëve kostumet e trevave të ndryshme, sidomos në festën e flamurit.
Artistja e madhe, Lili Cingu është vlerësuar nga kritikët e artit botëror si “Perëndesha e valles” dhe është nderuar me çmime, urdhra e medalje të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare.