Rezoluta në mbështetje të Kosovës është miratuar sot në Kuvend me 101 vota pro, dhe 1 abstenim.
Kujtojmë se deputetët shqiptarë, të majtë dhe të djathtë përgatitën dy rezoluta, nga e cila arritën në një dakordësi, një hap ky historik. Dokumenti në fjalë, thekson rëndësinë e mbrojtjes së interesave të përbashkëta dhe integritetit territorial të Kosovës, ndërsa parashtrohen tre pika.
Në këto tre pika kërkohet hetim ndërkombëtar për sulmin e 24 shtatorit, si dhe për faktin që qeveria e Kosovës të punojë me aleatët ndërkombëtarë.
REZOLUTA
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË:
Mbështet plotësisht dhe njëzëri Rezolutën Nr. 08-R-009 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratuar në seancën e tij plenare të datës 28 shtator 2023;
Kërkon nga institucionet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që në të gjitha instancat ndërkombëtare sikurse dhe në kontaktet bilaterale me partnerët tanë të angazhohen fuqimisht dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës;
Inkurajon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj.
K R Y E T A R E
Lindita NIKOLLA