Në Shqipëri grupi i ekspertëve të nivelit të lartë mbylli mbrëmë rishikimin e projektit të ndryshimeve kushtetuese mbi bazën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Kostitucionalisti Sokol Sadushi, i shoqëruar nga përfaqësuesit e Euralius (misioni i Bashkimit europian i asistencës për Drejtësi) dhe Opdat (misioni amerikan) njoftoi se “Puna e grupit të ekspertëve është e përfunduar dhe ne e kemi draftin gati për t’ia dorëzuar Komisionit ad hoc”, u shpreh ai. Tani do të jetë ky Komision i cili do të duhet të miratojë për t’ja kaluar më pas Komisionit të Venecias për vlerësimin përfundimtar.
Përfaqësuesit e opozitës nuk morën pjesë dy ditët e fundit në takimet e ekspertëve. Ata u larguan duke akuzuar se nga ana e shumicës nuk u morën parasysh alternativat e propozuara prej tyre, kundër përzgjedhjes me tre të pestat e votave të anëtarëve të disa institucioneve të Drejtësisë nga ana e parlamentit. Opozita i referohet pikëpyetjeve të ngritura nga Komisioni i Venecias për këtë cështje, për të cilën dje u prononcua sërish dhe kryetari demokrat Lulzim Basha: “Në bazë të këtij rekomandimi të qartë, të zezë mbi të bardhë të Venecias, ekspertët tanë bënë propozimet përkatëse dhe me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë u arrit një formulë kompromisi, e pas kësaj ekspertët e Edi Ramës u tërhoqën për t’u konsultuar qartësisht me Edi Ramën. Të nesërmen, me rikthimin e ekspertëve në tryezën e punës ishte e qartë se vullneti i Edi Ramës ishte kapja e drejtësisë dhe jo reforma në drejtësi. U zhbë formula e kompromisit të së shtunës dhe me kokëfortësi u insistua në shumicën prej 3/5 që është shumica që disponohet nga dyshja Rama –Meta”, deklaroi kryetari i opozitës.
“Një pjesë e vërejtjeve të tyre janë përfshirë në materialin tonë, ndërsa pjesa tjetër jo. Ne e konsiderojmë punën të plotë”, shpjegoi zoti Sadushi duke saktësuar se në variantin përfundimtar i cili do t’i shkojë Komisionit ad hoc ekziston vetëm një opsion. “Do jetë me 3 të pestat”. Ndërkohë, ekspertët kanë pranuar disa nga propozimet e paraqitura nga Ministria e Drejtësisë, të cilat janë paraqitur si variante alternative. Zoti Sadushi nuk shpjegoi se cilat ishin konsideruar të vlefshme. Dy ekspertët e përzgjedhur prej Ministrisë kishin dorëzuar të dielën në mbrëmje një paketë me ndërhyrje kushtetuese të cilat në thelb ishin tërësisht të ndryshme nga projekti mbi të cilin po punohej.
Gjatë ditës së djeshme tema e reformës në Drejtësi duket se ka qenë në qendër të një takimi që ambasadori amerikan Donald Lu pati me presidentin Bujar Nishani. Javën e shkuar presidenti kërkoi një tryezë të drejtuesve kryesorë politik të vendit, ndërsa dje, në një intervistë për të përditshmen “Panorama” ai kritikonte me nota të forta procesin e reformës. Sipas tij ai ishte “një proces i mbyllur, aspak profesional, i njëanshëm dhe pa asnjë objektiv të deklaruar qartë”. Presidenti është i mendimit se një vit e gjysëm punë e ekspertëve të huaj dhe vendas të angazhuar nga Komisioni ad hoc i parlamentit shqiptar ishte një kohë e cila “shkoi dëm. Komisioni i Venecias e rrëzoi të gjithë themelin e asaj që ishte shkruar dhe palët u ulën të nisin nga pika zero”, shprehet zoti Nishani, I cili shkon më tej kur hedh dyshime se shumica mund të kërkojë të korruptojë deputetë të opozitës për të garantuar votat e nevojshme për miratimin e reformës.
Mbi takimin mes presidentit Nishani dhe ambasadorit amerikan nuk ka patur asnjë njoftim zyrtar. Ndërkohë që pasditen e djeshme, diplomati amerikan është takuar dhe me kryeministrin Edi Rama. Ambasadori Lu ka qenë një mbështetës i fortë i procesit të reformës, ndërsa në mënyrë të përsëritur ka nënvizuar publikisht se projekti i ndryshimeve kushtetuese mbështetet nga Shtetet e Bashkuara dhe se ekspertët e saj dhe të Bashkimit europian janë pjesë e hartimit të këtyre ndryshimeve. Madje ai është shprehur se Shtetet e Bashkuara bashkëndajnë pronësinë mbi projektin e hartuar.
Komentet