Shtëpia e Libohovitëve ose e Toptanasve në anë të shëtitores në Tiranë do të jetë streha e muzeut “Besa”, kushtuar shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Godina, monument kulture i kategorisë I, do të shndërrohet sipas një projekt-ideje të përzgjedhur me konkurs ndërkombëtar, ku u shpall fituese studioja zvicerane “Oppenheim Architecture”. Ministrja u ndal te nocioni.
“Besa nuk është thjesht një kod, nuk është thjesht një fjalë e dhënë, por një mënyrë jetese, që ka ekzistuar dhe vazhdon ende të gjallojë edhe nën trysnitë e modernitetit.
Ndaj dhe ky është një muze që “shpirtërisht” është i lidhur me një tjetër, që ne po ngremë në Vlorë, Muzeun Hebraik Shqiptar, sepse pa konceptin e Besës nuk do të ekzistonte dhe ajo sakrificë sublime e shqiptarëve gjatë pushtimit nazist. Një muze, që përbën një sfidë si nga ana arkitekturore ashtu edhe në konceptimin muzeal, pasi nga njëra anë bëhet fjalë për një muze që do të ngrihet në një godinë-monument kulture dhe nga ana tjetër duhet të rrokë dimensionin shpirtëror të një kombi”.
Sipas jurisë ndërkombëtare të kryesuar nga vetë ministrja, projekti fitues kap thelbin e Besës dhe e komunikon atë me guxim mbi dhe nën tokë.
Godina dy katëshe parashikohet të restaurohet dhe muzealizohet ndërsa në oborrin e saj do të ketë obelisqe dhe hapësira nëntokësore që do përdoren në funksion të muzeut. Kjo nënkupton edhe gërmime arkeologjike duke qenë se zona shtrihet në kalanë e dikurshme të Tiranës.bw