Ne ikëm të gjithë
ne ikëm të gjithë
koka e kthyer pas
mbeti
Dajti aty mbeti
dritarja mbeti
perdja e tërhequr me dorë
mbeti
vështrimi ngulur
në një pikë fikse në murin e natës
mbeti
rruga nga ku vije ti
mbeti
vrapi yt nëpër shkallë
që të shtynte drejt manjetit
mbeti
rinia jonë mbeti
krevati kur çarçafët
djersiteshin
në dimrin gjymtyrëngrirë
mbeti
shija e sanduiçëve
që i hanim
mes pauzave
kur bënim dashuri
mbi shtrat mbeti
ahma e trupave
tanë mbeti
mbetën andej ku lind dielli
ne këndej ku perëndon
(Marrë nga vëllimi poetik Of-shaj, Onufri 2022)
Le të prekemi
Le të prekemi
si dy të ujshëm
të panginjshëm
si dy të etshëm
thekshëm
në mbretërinë
e minutave që presin
rrejshëm
le të prekemi
pa u ndalë
le të prekemi
parreshtshëm
gjymtyrësh
shqisash
buzësh
lëkurë me lëkurë
trup me trup
ngjitë
pa pauza
pa intervale
në vijimësi
vazhdimësisht
duke u prekë
le të ngopemi
kur na merr uja
duke u prekë
le ta shuajme etjen
kur na vjen
duke u prekë
duke u prekë
aq sa për qindra vjet…
le të prekemi
me duar
me këmbë
pëllëmbë me pëllëmbë
duke kryqëzuar gishtrinjtë
duke përzierë
kripën e djersës
në krahë t’i rrotullohemi
njeri-tjetrit
e futur në guvën
e gjoksit tënd
i prehur në limanin
e kraharorit tim
gjithmonë
duke u prekë
pa përgjumje
me dehje
pa prehje
edhe kur ta ëndërrojmë
pafundësinë
duke u mekë
ta bëjmë
pafundësisht
duke u prekë
Gusht,2017
(Marrë nga vëllimi poetik Ujshëm, Onufri, 2019)