Voal.ch – Ministri Federal i Zvicrës, Alain Berset, nënshkroi në Tiranë në 18 shkurt 2022 një marrëveshje për sigurimet shoqërore me ministren shqiptare të Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj. Që të hyjë në fuqi, një marrëveshje duhet të ratifikohet nga dy parlementet. Zvicra ka bërë një ratifikim në dhjetor 2022, i cili kaloi me 129 vota pro. Kjo marrëveshje u ratifikua edhe nga Parlamenti i Shqipërisë më 18 shkurt 2023, nga ku pritet të përfitojnë rreth 2 mijë shqiptarë nga Republika e Shqipërisë, që jetojnë në Zvicër, pjesa më e madhe të natyralizuar. Shqipëria është shteti i fundit në Ballkan me të cilin Konfederata Helvetike ka nënshkruar këtë lloj marrëveshje.
Për të ndjekur rrjedhën e procedurave Voal.ch kontaktoi me zyrën e shtypit të Departamentit Federal të Punëve të Brendëshme (EDI) dhe Zyrën Federale të Sigurimeve Shoqërore (BSV) dhe mori njoftimin e mëposhtëm:
“Marrëveshja (e sigurimeve shoqërore – shpjegimi i redaksisë voal.ch) ende nuk është ratifikuar nga parlamenti zviceran. Është miratuar nga Këshilli Kombëtar (Nationalrat), dhoma e parë, dhjetorin e kaluar. Këshilli i Shteteve (Ständerat), dhoma e dytë, pritet të diskutojë marrëveshjen të martën e ardhshme, më 14 mars. Marrëveshja nuk mund të hyjë në fuqi derisa të ketë përfunduar procedura e miratimit parlamentar në të dy shtetet kontraktuese dhe të jetë lëshuar një njoftim reciprok për shtetin tjetër kontraktues. Supozojmë se marrëveshja e sigurimeve shoqërore me Shqipërinë do të hyjë në fuqi në gjysmën e dytë të vitit 2023.”
Voal.ch do t’ju mbajë të përditësuar.
