VOAL

VOAL

Vritet një udhëheqës i lartë i ISIS-it

December 29, 2015

Komentet

Rafineria e naftës në Moskë goditet përsëri nga dronët

Re të dendura tymi dhe flakë ngrihen nga një rafineri nafte në Moskë më 18 qershor.

 

Radio Evropa e Lirë

Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, ka thënë të enjten në mëngjes se Rafineria e Naftës e Moskës, e cila është furnizuesi më i madh me naftë në rajonin e kryeqytetit rus, është goditur nga dronët.

Sobyanin e përshkroi incidentin si sulm të madh me dronë ndaj kryeqytetit rus, duke pretenduar se 180 dronë ishin “rrëzuar teksa po i afroheshin Moskës”.

Megjithatë, ai tha se disa dronë kishin arritur ta godisnin rafinerinë në qarkun juglindor Kapotnja dhe se po merreshin masa për t’i përballuar pasojat.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore kishin vërejtur dhe shkatërruar 555 dronë ukrainas gjatë natës në rajone të ndryshme, përfshirë rajonin e Moskës, Krimenë dhe Detin e Azovit.

Gjithashtu u raportua se mbetjet e dronëve të rrëzuar ranë në territorin e tregut Sadovod, një nga tregjet më të mëdha me shumicë dhe pakicë në Moskë.

Kanalet ruse në Telegram, duke cituar dëshmitarë, raportuan për zjarre pas sulmit dhe re të dendura tymi mbi qytet. Sulme u raportuan gjithashtu në rajonet ruse të Rostovit dhe Belgorodit.

Kanali rus në Telegram Astra raportoi se një sulm shkaktoi zjarr në një rafineri nafte në Gukovo, në rajonin e Rostovit, ndërsa një magazinë me materiale të ndezshme po digjej në Shebekino, në rajonin e Belgorodit.

Autoritetet në këto rajone nuk kanë dhënë hollësi mbi objektet që u goditën.

Ushtria ukrainase ende nuk ka komentuar mbi sulmet.

Rafineria e Naftës së Moskës në Kapotnja u godit gjithashtu më herët këtë javë, më 16 qershor.

Pas atij sulmi, Reuters, duke cituar dy burime anonime nga industria, raportoi se rafineria kishte pezulluar operacionet.

Sipas burimeve të Reuters, sulmi ndaj rafinerisë, e cila është në pronësi të Gazpromneft, degës së naftës së gjigantit shtetëror energjetik Gazprom dhe ndodhet në juglindje të Moskës, dëmtoi njësinë kryesore të përpunimit, e cila përfaqëson 53 për qind të kapacitetit të uzinës.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha më 16 qershor se rafineria e Moskës luan rol në furnizimin e ushtrisë ruse.

Sipas tij, objekti përbën më shumë se 38 për qind të konsumit të karburantit në rajonin e Moskës dhe furnizon me karburant aviacioni aeroportet Domodedovo, Vnukovo, Sheremetyevo dhe Zhukovsky.

Rafineria zakonisht ka një kapacitet vjetor përpunimi prej më shumë se 12 milionë tonësh naftë.

Më herët, Shërbimi rus i Radios Evropa e Lirë, i cili ka gjurmuar vendosjen e sistemeve të reja të mbrojtjes ajrore në Moskë dhe rajonin përreth, raportoi se pranë rafinerisë ishte instaluar rishtazi një kullë për sistemin e mbrojtjes ajrore Pantsir, por ajo ende nuk ishte pajisur me sistemin raketor.

Forcat ukrainase kanë goditur rregullisht objektet e industrisë së naftës në Rusi.

Në fund të majit, Reuters raportoi se sulmet ukrainase me dronë kishin detyruar pothuajse të gjitha rafineritë kryesore në Rusinë qendrore ta pezullonin ose ta kufizonin prodhimin.

Banorët e rajoneve Belgorod dhe Rjazan, të territorit të Krasnodarit dhe disa pjesëve të tjera të Rusisë, janë ankuar më parë për mungesë të benzinës dhe naftës.

Kufizime në shitjen e karburanteve janë vendosur në një numër rajonesh, përfshirë kufizime të raportuara për blerjen e benzinës në zinxhirët kryesorë të pikave të karburantit në Moskë.

Trumpi dhe Pezeshkiani nënshkruajnë marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Iran

Presidenti amerikan Donald Trump (majtas) dhe ai iranian, Masud Pezeshkian, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes fillestare, 17 qershor.

 

Radio Evropa e Lirë

Presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe Iranit e kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi si marrëveshje fillestare për paqe, me synim për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme.

Presidenti amerikan, Donald Trump, e nënshkroi memorandumin e mirëkuptimit më 17 qershor gjatë një darke nën dritën e qirinjve në Pallatin e Versajës, pas samitit të G7.

Memorandumi hyn në fuqi menjëherë.

Një video e shpërndarë nga Shtëpia e Bardhë dhe presidenti francez Emmanuel Macron në platformën X shfaq Trumpin duke e nënshkruar dokumentin.

“Kjo nuk ishte e lehtë”, tha Trump teksa nënshkruante marrëveshjen, derisa Macroni, si mikpritës i ngjarjes, dhe të ftuarit e tjerë, duartrokisnin.

“Kjo marrëveshje hap rrugën për një paqe të qëndrueshme dhe lejon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit”, tha Macron në X.

Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve, IRNA, publikoi fotografi që tregojnë presidentin iranian, Masud Pezeshkian, duke e nënshkruar marrëveshjen midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Në fotografi, presidenti iranian shfaq faqet e marrëveshjes para kamerave, ku shihen qartë si firma e tij ashtu edhe ajo e presidentit amerikan.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, Qeveria e të cilit ndihmoi në ndërmjetësimin e marrëveshjes, njoftoi në platformën X se marrëveshja do të hyjë në fuqi menjëherë.

Si masë fillestare për ndërtimin e besimit, Irani do ta rihapë Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Uashingtoni do ta heqë bllokadën e vet detare.

Sipas marrëveshjes, Irani gjithashtu duhet ta lehtësojë kalimin e sigurt të anijeve tregtare në këtë rrugë jetike ujore pa pagesë për 60 ditë, gjatë bisedimeve për një kornizë afatgjate detare me Omanin dhe shtetet arabe të Gjirit.

Shtetet e Bashkuara do të fillojnë menjëherë ta heqin bllokadë e tyre detare dhe do ta ta bëjnë këtë plotësisht brenda 30 ditësh.

Zyrtarët amerikanë thanë se marrëveshja tashmë po jepte fryt.

“Për herë të parë në 100 ditët e këtij konflikti, Irani nuk qëlloi ndaj asnjë anijeje”, tha një zyrtar më 17 qershor.

Memorandumi parashikon gjithashtu heqjen e menjëhershme të sanksioneve amerikane ndaj eksporteve të naftës iraniane, duke ofruar lehtësim të madh për ekonominë e vendit.

Për më tepër, Uashingtoni është zotuar ta lehtësojë themelimin e një fondi rindërtimi prej 300 miliardë dollarësh, të mbështetur nga vendet e rajonit, sapo të arrihet një marrëveshje më e gjerë përfundimtare mbi programin bërthamor të Iranit.

Marrëveshja parashikon gjithashtu heqjen përfundimtare të të gjitha sanksioneve primare dhe sekondare amerikane ndaj Iranit, si dhe lirimin gradual të aseteve të ngrira iraniane, megjithëse zyrtarët theksuan se këto masa do të varen nga përfillja e detyrimeve nga ana e Iranit.

“Ajo që ata e pranuan është se nuk do ta marrin asnjë qindarkë, nëse nuk i përmbushnin detyrimet e veta”, tha një zyrtar.

Rezervat bërthamore

Në qendër të marrëveshjes është angazhimi i Teheranit për t’i holluar rezervat e tij të uraniumit të pasuruar gjatë një periudhe negociuese dymujore.

Sipas zyrtarëve amerikanë, materiali mund të reduktohet përmes “hollimit të tij brenda vendit nën mbikëqyrjen e IAEA-së”, Agjencisë Bërthamore të Kombeve të Bashkuara.

Irani ka riafirmuar gjithashtu se “nuk do të zotërojë apo zhvillojë armë bërthamore”.

Zyrtarët amerikanë thanë se inspektorët ndërkombëtarë dhe ekipet teknike amerikane do të luajnë rol kyç në verifikimin e kësaj. “Ne nuk merremi me besim të verbër”, tha një zyrtar i lartë.

Marrëveshja e përkohshme synon të krijojë hapësirë për negociata mbi një kuadër më gjithëpërfshirës që do të rregullojë aktivitetet bërthamore të Iranit, për të cilat Uashingtoni prej kohësh dyshon se mund të lidhen me zhvillimin e armëve.

Tani vëmendja po përqendrohet te bisedimet teknike në Zvicër këtë fundjavë, ku negociatorët do të përpiqen ta shndërrojnë memorandumin në një plan të hollësishëm zbatimi.

“Takimi i kësaj fundjave në Zvicër do të jetë mjaft vendimtar”, tha zyrtari i lartë amerikan, duke shtuar se çdo dështim i njërës palë për të përmbushur pritshmëritë duhet të bëhet i dukshëm “brenda ditësh ose javësh, jo muajsh”.

Megjithëse marrëveshja u mirëprit nga shumë njerëz si hap drejt stabilitetit rajonal, ajo ka nxitur kritika nga disa ligjvënës amerikanë.

Senatori republikan Bill Cassidy argumentoi se ambiciet bërthamore të Iranit nuk janë kufizuar mjaftueshëm dhe paralajmëroi se Teherani e ka kuptuar se mund të fitojë ndikim strategjik përmes kërcënimeve ndaj rrugëve detare tregtare.

Ndërkohë, zyrtarët iranianë e paraqitën marrëveshjen si provë se trysnia ushtarake amerikan kishte dështuar.

Udhëheqësi i Hezbollahut, Naim Qassem, e përshëndeti marrëveshjen si “fitore të madhe” për Iranin dhe falënderoi Teheranin që siguroi përfshirjen e Libanit në fushën e armëpushimit.

Luftimet në frontin libanez janë zbutur që nga shpallja e marrëveshjes, megjithëse dhuna sporadike ka vazhduar, përfshirë sulme izraelite në jug të Libanit dhe sulme të raportuara me raketa dhe dronë.

Tregjet financiare reaguan pozitivisht ndaj perspektivës së një zgjidhjeje afatgjatë.

Çmimet e naftës vazhduan të bien ndjeshëm më 18 qershor, pasi kishin rënë tashmë dukshëm ndërsa pritshmëritë për një marrëveshje po rriteshin.

Samiti i G7, Macron: Një sukses dhe moment uniteti! Ukraina po përparon, Rusia po tërhiqet

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e ka cilësuar si një “sukses” samitin e G7 të mbajtur në Evian, duke theksuar se takimi shënoi një moment uniteti dhe bashkëpunimi mes liderëve botërorë, pas një periudhe të gjatë mosmarrëveshjesh.

 

Gjatë një konference për shtyp, Macron u shpreh se samiti përfaqësoi “një moment uniteti, diskutimesh cilësore dhe bashkëpunimi të vërtetë mes liderëve”, duke shtuar se kjo ka mundësuar një koordinim më të ngushtë për përballimin e krizave globale dhe sfidave kryesore të kohës.

Në fokus të deklaratës së tij ishte edhe lufta në Ukrainë. Sipas presidentit francez, liderët e G7 ranë dakord se balanca e forcave në konflikt është zhvendosur në favor të Ukrainës.

“Ukraina po përparon, po reziston dhe Rusia po tërhiqet”, deklaroi Macron.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e rritjes së presionit ndaj Moskës, duke nënvizuar se vendet e G7 janë angazhuar për forcimin e mëtejshëm të sanksioneve.

“Jemi të vendosur të rrisim presionin, përfshirë edhe përmes forcimit të sanksioneve tona. Ky riaktivizim i G7 është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, u shpreh ai.

Duke folur për unitetin brenda grupit, Macron nënvizoi se kjo është hera e parë që arrihet një nivel kaq i lartë dakordësie për çështjen e Ukrainës.

“Sot kemi një konvergjencë të paprecedentë brenda G7 dhe kemi arritur në përfundime shumë të qarta”, përfundoi presidenti francez. Panorama

SHBA-ja dhe Irani nënshkruajnë marrëveshjen në mënyrë elektronike para ceremonisë zyrtare

Radio Evropa e Lirë

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë nënshkruar në mënyrë elektronike marrëveshjen kornizë për t’i dhënë fund luftës tremujore dhe për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, thanë zyrtarë të lartë të administratës amerikane më 15 qershor.

Duke folur për gazetarët, zyrtarët thanë se presidenti amerikan, Donald Trump, dhe nënpresidenti JD Vance, nënshkruan virtualisht marrëveshjen, ndërkaq kryeparlamentari iranian, njëherësh kryenegociatori i Teheranit, Mohammad Baqer Qalibaf, e nënshkroi atë në emër të Republikës Islamike.

Marrëveshja pritet të nënshkruhet zyrtarisht gjatë një ceremonie në Gjenevë të Zvicrës më 19 qershor.

Teksti i plotë i memorandumit pritet të publikohet brenda 24-48 orëve, thanë zyrtarët, duke insistuar se do të ketë “transparencë të plotë”.

Marrëveshja kornizë i jep Uashingtonit dhe Teheranit 60 ditë kohë për të negociuar një marrëveshje të përhershme, përfshirë edhe për çështje të tjera sikurse rezervat e Iranit me uranium të pasuruar në nivel të lartë.

Ngushtica e Hormuzit

Më herët gjatë 15 qershorit, Uashingtoni dhe Teherani konfirmuan se marrëveshja ishte arritur.

Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve, Mehr, publikoi ato që tha janë hollësitë e memorandumit të mirëkuptimit me 14 pika, duke thënë se ai parashikon 60 ditë bisedime lidhur me çështjet bërthamore dhe heqjen e plotë të sanksioneve ndaj Teheranit.

Trump ka theksuar se thelbi i marrëveshjes gjithëpërfshirëse për paqe do të jetë garantimi se Irani nuk do të zhvillojë kurrë armë bërthamore dhe se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur për qarkullimin e lirë të anijeve.

Ngushtica, një arterie kyç për furnizimet globale me naftë dhe gaz, ka qenë praktikisht i mbyllur nga Irani që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Republikës Islamike më 28 shkurt. Mbyllja e saj tronditi tregjet e energjisë dhe ekonominë globale.

Dy zyrtarë të lartë amerikanë thanë se presin që trafiku detar nëpër ngushticë të rritet ndjeshëm gjatë dy javëve të ardhshme.

“Nëse mendoni se trafiku para konflikti ishte 140 anije në ditë, mendoj se do të na duhen dy javë që të arrijmë në këtë nivel”, tha një zyrtar.

Administrata ka thënë se rreth 25 anije aktualisht po kalojnë në ditë dhe pritet janë që 40 deri në 50 të kalojnë brenda dite deri në fund të javës. Zyrtarët thanë se ngushtica do të jetë e hapur plotësisht deri më 19 qershor.

Uashingtoni insiston se kalimi nëpër Hormuz duhet të jetë pa tarifa për 60 ditë, sipas memorandumit, ndërkaq bisedimet rajonale do të përcaktojnë se si do të veprohet në terma afatgjatë.

Por, paqartësia rreth kalimit me ose pa tarifa ka vazhduar.

Agjencia e lajmeve Fars – e cila është e afërt me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike – tha se “është vendosur që trafiku detar nëpër Gjirin Persik të rregullohet nga Irani në bashkërendim me Omanin”. Kjo bien ndesh me deklaratat e mëparshme të Uashingtonit.

Esmail Baqaei, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, tha në një konferencë për mediamë 15 qershor se “për një periudhë të caktuar kohore, ne do të organizojmë qarkullim të sigurt në Ngushticën e Hormuzit, në përputhje me veprimet e palës tjetër”.

“Ne gjithmonë kemi thënë se nuk synojmë të mbledhim tarifa kalimi, por do të përcaktojmë dhe mbledhim tarifat e nevojshme për shërbimet që do të ofrojmë, si shërbimet e lundrimit, mbrojtja e mjedisit, ndoshta sigurimi i anijeve dhe shërbime të tjera që do të ofrohen nga Irani dhe Omani”, tha ai.

Asetet e ngrira

Agjencia Reuters citoi një zyrtar të lartë iranian të ketë thënë se sipas kushteve të marrëveshjes, SHBA-ja do të lirojë 25 miliardë dollarë asete të ngrira iraniane, ndërsa Teherani do të pajtohet të mos prodhojë ose të mos sigurojë armë bërthamore.

Zyrtarët amerikanë e mohuan kategorikisht se ndonjë shumë parash ishte transferuar, pavarësisht spekulimeve se miliarda dollarë asete iraniane tashmë ishin zhbllokuar.

“Përgjigjja për këtë është zero”, tha një zyrtar kur u pyet nëse ishte zhbllokuar ndonjë pjesë e aseteve të ngrira iraniane.

Zyrtarët amerikanë thanë se lehtësimi i sanksioneve do të ndodhë vetëm në faza dhe do të lidhet me “përparim të verifikueshëm”, veçanërisht sa i përket aktiviteteve bërthamore të Iranit dhe sjelljes së tij në rajon.

Uashingtoni tha se prioriteti i tij i parë është të sigurojë që Irani të mos rindërtojë atë që zyrtarët e përshkruan si një program të pasurimit “të shkatërruar në mënyrë sistematike”.

“Sa më shumë që të sillet si një shtet normal në skenën ndërkombëtare, aq më të gatshëm do të jemi për të hapur ekonominë e tij”, tha një zyrtar amerikan.

Zyrtarët amerikanë theksuan se tërheqja e trupave izraelite nga Libani nuk ishte kusht i marrëveshjes, por e paraqitën marrëveshjen me Iranin si pjesë të një përpjekjeje më të gjerë për të ulur tensionet në rajon.

Ata thanë se marrëveshja kornizë “nuk është një armëpushim i njëanshëm”, duke paralajmëruar se Izraeli do të ruajë të drejtën për t’u kundërpërgjigjur nëse vazhdojnë sulmet e mbështetura nga Hezbollahu, që mbështetet nga Irani.

Hezbollahu është grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor. Ai konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka futur në listën e zezë vetëm krahun e tij të armatosur.

Megjithatë, kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, tha më 15 qershor se Teherani dhe Uashingtoni kishin rënë dakord për një ndërprerje “të menjëhershme dhe të përhershme” të operacioneve ushtarake “në të gjitha frontet, përfshirë Libanin”.

Islamabadi ka qenë një ndërmjetës kyç në këtë konflikt.

Administrata amerikane zbuloi gjithashtu se bisedimet e drejtpërdrejta midis Izraelit dhe Libanit janë duke u zhvilluar, duke i cilësuar ato si historike.

Zyrtarët thanë se qëllimi është krijimi i një “kornize të re për rajonin”, e përqendruar te diplomacia dhe bashkëpunimi ekonomik, në vend të luftërave përmes forcave aleate.

Perëndimi mirëpret marrëveshjen

Më herët, liderët perëndimorë përshëndetën marrëveshjen SHBA-Iran dhe deklaruan se Ngushtica e Hormuzit duhet të jetë e hapur për lundrim pa tarifa dhe se Teherani nuk duhet të zotërojë kurrë armë bërthamore.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili do ta mirëpresë samitin e G7 të hënën, tha se marrëveshja “duhet të lejojë rihapjen urgjente dhe pa kushte të Ngushticës së Hormuzit, të cilën misioni ndërkombëtar i krijuar me Mbretërinë e Bashkuar është gati ta mbështesë”.

“Mjetet janë në dispozicion dhe gati për t’u angazhuar. Rikthimi i trafikut detar, pa kufizime ose tarifa, është kusht thelbësor për stabilitetin rajonal dhe ekonominë globale”, shtoi ai.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se “jemi të qartë se liria e lundrimit pa tarifa duhet të rikthehet tani në Ngushticën e Hormuzit”, duke shtuar se “Irani nuk duhet të ketë kurrë armë bërthamore”.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e mirëpriti marrëveshjen si një “hap jetik” drejt zgjidhjes së luftës në Lindjen e Mesme.

Demokratët amerikanë thanë se i mirëpresin përpjekjet diplomatike, por se po presin hollësi konkrete të marrëveshjes para se të vendosin nëse do ta mbështesin atë apo jo.

Përfaqësuesi Gregory W. Meeks, demokrati më i lartë në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, tha në një deklaratë se “kushtet e marrëveshjes, jo njoftimi për shtyp, do të përcaktojnë nëse ajo i shërben interesave amerikane”.

“Çdo marrëveshje përfundimtare duhet të jetë e qëndrueshme, e zbatueshme, transparente dhe subjekt i mbikëqyrjes rigoroze nga Kongresi. Populli amerikan meriton më shumë sesa njoftime të paqarta ose propagandë politike”, tha ai.

Senatori republikan Lindsey Graham, një mbështetës i zëshëm i Trumpit dhe kritik i ashpër i regjimit në Teheran, tha se ishte “i gëzuar” kur dëgjoi për marrëveshjen kornizë, por se po priste hollësitë e plota.

“Jam i lumtur të dëgjoj se memorandumi i mirëkuptimit me Iranin për të lejuar hapjen e Ngushticës së Hormuzit është arritur. Do të ndjek nga afër negociatat pasuese lidhur me programin bërthamor të Iranit dhe çështje të tjera”, shkroi ai në X.

“Jam disi i shqetësuar se mënyra se si Irani e sheh marrëveshjen duket e ndryshme nga ajo që po pretendon ekipi amerikan”, shtoi ai.

Udhëheqësit e vendeve G7 mblidhen për t’u përballur me luftërat dhe ekonominë globale, Trump premton paqe në Iran

FRANCË- Udhëheqësit nga G7 që mbledh disa nga vendet më të pasura në botë po mblidhen në Evian-les-Baines të Francës të hënën për të filluar një samit tre-ditor që do të dominohet nga luftërat në Ukrainë dhe Iran.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka qenë në axhendë për më shumë se katër vjet tani, pa asnjë fund në horizont, por pasojat e sigurisë dhe ekonomike të asaj lufte janë zëvendësuar nga ato që burojnë nga Irani, të cilin Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli e sulmuan më 28 shkurt.

Lufta gati 15-javore i ka mbajtur tregjet globale në trazirë, ndërsa Irani mban nën kontroll furnizimet botërore me naftë duke bllokuar Ngushticën shumë të rëndësishme të Hormuzit përmes së cilës normalisht rrjedhin afërsisht 20% e furnizimit global.  Situata ka ndërprerë aksesin në naftë, gaz dhe plehra, duke rritur ndjeshëm çmimet e gjithçkaje, nga ushqimet te mallrat shtëpiake, në të gjithë botën.

Përveç udhëheqësve të Kanadasë, Gjermanisë, Italisë, Japonisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së, organizatori Emmanuel Macron ka ftuar edhe krerët e Egjiptit, Katarit, Ukrainës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe të marrin pjesë në seancë.

Trump premtoi t’i jepte fund luftës në Ukrainë që në ditën e tij të parë në detyrë (20 janar 2025), por një zgjidhje e qëndrueshme e konfliktit deri më tani i ka shpëtuar. Ndërsa Irani pritet të kryesojë axhendën të hënën, e marta është caktuar për diskutime mbi situatën në Ukrainë dhe çfarë do të thotë kjo për sigurinë evropiane.

Çështje të tjera që do të diskutohen gjatë këtij eventi përfshijnë furnizimin me minerale kritike , si dhe rritjen e paqëndrueshmërisë ekonomike. Brazilit, Indisë, Kenias dhe Koresë së Jugut u janë bërë ftesa për t’u bashkuar në këto biseda./DW

Trumpi: Marrëveshja me Iranin pritet të nënshkruhet sot, Hormuzi do të rihapet për të gjithë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump ka deklaruar se marrëveshja me Iranin pritet të nënshkruhet gjatë ditës së sotme, duke shtuar se menjëherë pas kësaj, Ngushtica e Hormuzit do të jetë e hapur për të gjitha vendet.

Në një postim në platformën Truth Social, Trumpi u shpreh optimist për të ardhmen e marrëdhënieve me Teheranin dhe me rajonin e Lindjes së Mesme.

“Presim me padurim të punojmë me Iranin dhe me të gjithë Lindjen e Mesme për shumë vite në vijim”, shkroi ai.

Sipas presidentit amerikan, procesi duhet të zhvillohet në mënyrë të shpejtë, të lehtë dhe pa pengesa. Megjithatë, ai paralajmëroi se në rast se nuk arrihet rezultati i dëshiruar, Shtetet e Bashkuara kanë alternativa të tjera në dispozicion.

“Shpresojmë që ky proces të ecë shpejt, lehtë dhe pa probleme. Nëse kjo nuk ndodh, ne kemi alternativën përfundimtare, të cilën shpresojmë të mos na duhet ta përdorim më kurrë”, theksoi Trumpi. gsh

Sulmet më të sakta dhe më të shpeshta të Ukrainës godasin industrinë e naftës së Rusisë

Pasojat e një sulmi me dron ukrainas që shkaktoi zjarr në një rafineri nafte në rajonin Krasnodar të Rusisë më 28 prill.

 

Ray Furlong

Zëvendëskryeministri rus vazhdonte të ecte, por nuk po arrinte t’i shmangej një grupi gazetarësh me pyetje rreth krizës në rritje të karburanteve në vend.

Aleksandr Novak pranoi se prodhimi i naftës kishte rënë për shkak të “mirëmbajtjes së paplanifikuar” në rafineri, por refuzoi të thoshte se pse ishte e nevojshme ajo.

Kjo ndodhi më 4 qershor. Më 9 qershor, Ministria e Energjisë publikoi një deklaratë që e sqaroi çështjen.

“Kompanitë në sektorin e karburanteve dhe energjisë janë përballur me një rritje të sulmeve ajrore armike që kanë çuar në komplikime të përkohshme në furnizime”, thuhej në të.

Kjo ishte hera e parë që autoritetet ruse pranonin se sulmet e intensifikuara të Ukrainës ndaj sektorit të naftës gjatë këtij viti kishin çuar në ulje të prodhimit dhe mungesa. Dhe kjo erdhi me një pranim nga presidenti rus, Vladimir Putin, se Rusia kishte nevojë për mbrojtje më të mira ajrore.

Goditjet në hidrokrakerë

Arsyeja mund të mos jetë vetëm rritja e sulmeve — por edhe shënjestrimi më i saktë.

Nikhil Dubey, analist i lartë kërkimor në Kpler, një kompani e inteligjencës së mallrave, tha se çelësi nuk ishte vetëm goditja e rafinerive, por kalimi në goditjen e pjesëve të caktuara të tyre.

“Ajo rafineri ka njësi të ndryshme. Le të themi se njëra është kolona e distilimit. E thjeshtë, ku ngroh naftën bruto dhe dalin produkte të ndryshme”, i tha ai Radios Evropa e Lirë.

“Është një njësi bazë ose kryesore sepse është ajo që pranon naftën bruto. Çfarëdo rrjedhash që dalin nga ajo njësi, nuk janë të tregtueshme…. Nuk mund ta vendosësh drejtpërdrejt atë rrjedhë në rezervuarin e benzinës.”

Këtu hyjnë njësitë dytësore të rafinerisë, për shembull hidrokrakeri, i cili mund të heqë squfurin nga rrjedha për të prodhuar naftë dizel. Ai përbëhet nga pjesë më të sofistikuara që gjithashtu kërkojnë shumë më tepër kohë për t’u zëvendësuar.

“Këto janë pajisje që nuk janë lehtësisht të disponueshme në vendin e uzinës, apo jo? Pasi ta kesh dëmtuar atë makineri, duhet të bësh porosi… sepse është pajisje e specializuar, kërkon kohë furnizimi”, tha Dubey.

Kohët e furnizimit mund të zgjasin javë ose muaj, dhe sanksionet perëndimore ndaj komponentëve i kanë bërë ato edhe më të gjata.

Të dhënat e Kpler tregojnë se kapaciteti i jashtë funksionit i njësive dytësore të përpunimit në Rusi në maj ishte rreth 1.2 deri 1.3 milionë fuçi në ditë më i lartë se një vit më parë, me “një pjesë të konsiderueshme” të shkaktuar nga sulmet me dronë. Hidrokrakerët përbënin një pjesë të madhe të kësaj: 250.000 fuçi në ditë krahasuar me 50–60.000 vitin e kaluar.

Reuters raportoi më 1 qershor se prodhimi i naftës dizel në Rusi ra me 10 për qind në maj, pas një rënie prej 10 për qind në prill.

“Nëse sulmuesit godasin vazhdimisht pajisje të atij lloji, efekti ekonomik është shumë më i madh sesa nëse godasin vetëm rezervuarë magazinimi ose njësi primare të rafinimit”, i tha Radios Evropa e Lirë Tatiana Mitrova nga Qendra për Politikën Globale të Energjisë (CGEP) në Universitetin Columbia.

“Me fjalë të tjera, jo të gjitha sulmet janë të barabarta: dëmtimi i ngushtimeve të specializuara është shumë më i vështirë për t’u përballuar sesa dëmtimi i aseteve më të thjeshta dhe më lehtësisht të zëvendësueshme”, shtoi ajo.

Sulme të përsëritura

Një tjetër aspekt është se Ukraina ka goditur vazhdimisht të njëjtat rafineri disa herë radhazi, duke vonuar më tej riparimet.

“Kjo është një prirje relativisht e re. Do të thosha se po e shohim gjithnjë e më shumë në vitin 2026 sesa më parë”, tha Isaac Levi, analist për Rusinë në Qendrën për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër (CREA), për Radion Evropa e Lirë.

Më parë, tha ai, sulmet i nxirrnin rafineritë jashtë funksionit për “tre, katër, pesë ditë”, por kjo nuk është më gjithmonë rasti.

Një rast i fundit është Tuapse, një port eksportues nafte dhe kompleks rafinerie në Detin e Zi, i cili u godit tri herë në prill dhe më pas dy herë në maj.

Videot e publikuara nga Radio Evropa e Lirë kanë treguar re të mëdha tymi të zi që ngriheshin mbi qytet dhe llumra të trasha nafte që depërtonin në det. Para këtyre sulmeve, njësia e tij qendrore e distilimit të naftës bruto u godit në natën e Vitit të Ri 2025, ndërsa një terminal nafte u godit në nëntor 2025.

Të dhënat e CREA tregojnë se ngarkesat e naftës në Tuapse në maj ishin 91 për qind më të ulëta se një vit më parë.

Tuapse është gjithashtu një shembull se si Ukraina ka vazhduar fushatën e saj kundër objekteve të porteve eksportuese të naftës së Rusisë. Por kjo duket të ketë qenë më pak efektive — me kohë shumë më të shpejta riparimi.

Një rast i tillë është Ust-Luga, në bregun baltik të Rusisë. Ajo u godit gjatë një fushate masive sulmesh në fund të marsit që u vlerësuan se kishin nxjerrë jashtë funksionit rreth 40 për qind të kapacitetit të eksportit të naftës së vendit.

Por efektet duket se kanë qenë afatshkurtra. Të dhënat e CREA sugjerojnë se ngarkesat e naftës bruto në Ust-Luga, porti i katërt më i madh eksportues i Rusisë, u rritën me 49 për qind nga muaji në muaj në maj, ndërsa objekti u rikthye në funksion — duke pastruar një radhë anijesh cisternë që ishte krijuar në Gjirin e Finlandës.

“Ust-Luga u rikuperua vërtet”, tha Levi. “Me portet, do të thosha se ato kanë qenë pak më rezistente.”

Krizë — apo pikë kthese?

Fushata ajrore e Ukrainës kundër instalimeve të naftës ruse nuk është e re. Në vitin 2025, mungesa të karburanteve u raportuan gjithashtu si pasojë e sulmeve ukrainase.

Por shkalla e sulmeve është rritur këtë vit.

Media britanike The Economist citoi të dhëna të përpiluara nga projekti ACLED (Armed Conflict Location and Event Data), një grup monitorimi, për objektiva që ndodheshin të paktën 100 kilometra larg kufijve të Ukrainës.

“Nga viti 2022 deri në fund të vitit 2024, 335 sulme përmbushnin këtë përkufizim. Në vitin 2025, Ukraina kreu 658 sulme të tilla — pothuajse dy herë më shumë në një vit sesa në tre vitet e mëparshme së bashku. Këtë vit, me ritmin aktual, Ukraina është në rrugë për të kryer mbi 800 sulme të thella”, thuhej në raport, duke shtuar se modelimi i vetë medias sugjeronte se shifrat e vitit 2025 mund të kishin qenë tri herë më të larta.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka pretenduar numra gjithnjë e në rritje të ndërprerjeve të dronëve, ndërsa Bloomberg raportoi një numër rekord sulmesh ndaj objekteve të naftës në maj, pas një rekordi të mëparshëm në prill.

Radhë të gjata makinash në pikat e karburantit në Krimenë e pushtuar nga Rusia janë një tregues tjetër i ndikimit të kësaj situate.

Media ruse 7×7 ka raportuar kufizime në shitjen e karburanteve në 14 rajone të Rusisë, nga Moska deri në Kamçatka. Në disa zona të Rusisë, si dhe në Krimenë e pushtuar, është shfaqur panik për blerje të karburanteve.

Moska ndaloi eksportin e benzinës më 1 prill, dhe një ndalim i ngjashëm për karburantin e aviacionit është në fuqi që nga 1 qershori.

Fushata me dronë e Ukrainës po shënon suksese, por Mitrova tha se do të ishte “e kujdesshme në përdorimin e mungesave të karburanteve ose racionimit si provë se është arritur një pikë kthese”, duke theksuar se Rusia ka përjetuar mungesa karburantesh edhe më parë, përfshirë në kohë paqeje.

“Sulmet ukrainase janë bërë më domethënëse në vitin 2026 jo sepse kanë thyer tashmë sistemin e naftës së Rusisë, por sepse po e lodhin gjithnjë e më shumë aftësinë e sistemit për të mbetur i përshtatshëm dhe elastik nën presion”, shtoi ajo.

SHBA-ja dhe Irani i afrohen një marrëveshjeje, ndërsa rajoni pret përparim diplomatik

Presidenti amerikan, Donald Trump: Në prag të një marrëveshjeje me Iranin?

 

Alex Raufoglu

Pas më shumë se tre muajsh konflikti që ka tronditur Lindjen e Mesme, ka ndërprerë tregjet e energjisë dhe ka rritur shqetësimet për stabilitetin rajonal, Shtetet e Bashkuara dhe Irani duket se po i afrohen një marrëveshjeje të mundshme paqeje.

Mes përpjekjeve intensive diplomatike të ndërmjetësuara nga Pakistani, zyrtarë në Uashington, Teheran dhe Islamabad thanë më 12 qershor se negociatat për një Memorandum paraprak Mirëkuptimi (MoU) kishin shënuar përparim të rëndësishëm.

Marrëveshja e propozuar do të përqendrohej në masa të menjëhershme për uljen e tensioneve, përfshirë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, përfundimin e bllokadës detare amerikane të porteve iraniane dhe sigurimin e një zotimi nga Teherani se nuk do të zhvillojë apo sigurojë armë bërthamore.

Nëse nënshkruhet, Memorandumi i Mirëkuptimit do të hapte një periudhë 60-ditore të negociatave teknike që synojnë adresimin e çështjeve më të gjera.

Qasje me faza për uljen e tensioneve

Analistët thonë se përparimi i dukshëm pasqyron një ndryshim në strategjinë negociuese të Uashingtonit, ku zyrtarët po i ndajnë shqetësimet e menjëhershme të sigurisë nga mosmarrëveshjet afatgjata.

Azeem Ibrahim, drejtor i iniciativave të posaçme në Institutin për Strategji dhe Politikë New Lines me seli në Uashington, i tha Radios Evropa e Lirë se kjo renditje e çështjeve ka rritur mundësitë për një marrëveshje në një afat të afërt.

“Ajo që duket domethënëse është se administrata Trump në mënyrë efektive i ka ndarë negociatat në pista të veçanta, më të menaxhueshme, në vend se të përpiqet të zgjidhë çdo çështje njëkohësisht”, tha Ibrahim.

“Prioriteti i menjëhershëm duket se është sigurimi i rihapjes së Ngushticës së Hormuzit dhe rivendosja e lirisë së lundrimit, gjë që do të lehtësonte shpejt presionin mbi tregjet globale të energjisë dhe do të zvogëlonte rrezikun e një tronditjeje më të gjerë ekonomike”, shtoi ai.

Në të njëjtën kohë, Ibrahim paralajmëroi se çështje më të vështira mbeten ende të pazgjidhura.

“Çështjet më të vështira, veçanërisht e ardhmja e programit iranian të pasurimit të uraniumit, mekanizmat e verifikimit dhe kufizimet afatgjata bërthamore, po shtyhen për një fazë të mëvonshme”, tha ai.

“Luftimet mund të jenë duke përfunduar, por negociimi i gjithë arkitekturës së një zgjidhjeje të qëndrueshme ka gjasa të zgjasë shumë më gjatë.”

Zyrtarët evropianë u kanë bërë thirrje gjithashtu të dyja palëve që të ndërtojnë mbi këtë momentum.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, pas një bisede telefonike me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, më 12 qershor, u bëri thirrje të dyja palëve të vazhdojnë diplomacinë, duke e përshkruar situatën aktuale si të paqëndrueshme.

Pyetje rreth kushteve dhe verifikimit

Pavarësisht shenjave të përparimit, mbeten pengesa të rëndësishme politike dhe teknike.

Paqartësia u rrit pasi mediat shtetërore iraniane publikuan atë që thanë se ishte një draft i marrëveshjes së propozuar. Teksti përfshinte dispozita, përfshirë një kërkesë të raportuar për 300 miliardë dollarë ndihmë amerikane për rindërtim.

Presidenti Donald Trump e hodhi poshtë tekstin e rrjedhur, duke shkruar në rrjetet sociale se kushtet e publikuara “nuk kanë ASNJË lidhje me kushtet për të cilat ishte arritur marrëveshje”.

Ligjvënësit në Uashington kanë theksuar se çdo marrëveshje përfundimtare do të kërkojë masa të rrepta verifikimi.

Kongresisti republikan Ryan Zinke nga Montana u tha gazetarëve se administrata mbetet e përqendruar në tri prioritete: parandalimin e Iranit nga sigurimi i armëve bërthamore, kufizimin e materialit bërthamor dhe garantimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

“Djalli, edhe një herë, fshihet te detajet e mënyrës se si do të zbatohet kjo marrëveshje specifike”, tha Zinke. “Si do të zhvillohet verifikimi? Cili do të jetë organi verifikues?”

Senatori republikan Ron Johnson nga Wisconsin shprehu gjithashtu skepticizëm për qëllimet e Iranit, duke e cilësuar një Iran të armatosur me armë bërthamore si një kërcënim serioz.

Ndërkohë, Richard Goldberg, ish-zyrtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Trumpit, i tha Radios Evropa e Lirë më 12 qershor se Uashingtoni nuk duhet të lehtësojë presionin ekonomik ndaj Iranit gjatë bisedimeve teknike 60-ditore që pritet të pasojnë.

“Çelësi këtu është të minimizohet përfitimi për regjimin, të gjenden mënyra për të vazhduar ushtrimin e presionit gjatë bisedimeve dhe të maksimizohet mbështetja për popullin”, tha Goldberg. “Kështu do t’i arrijmë të gjitha objektivat tona dhe, në fund, do të sigurojmë një të ardhme më të mirë pa këtë regjim të lig që kërcënon botën.”

Mbeten pyetje rreth procesit të nënshkrimit

Deri në mbrëmjen e 12 qershorit, mbeteshin pyetje se si do të formalizohej marrëveshja.

Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se ndërmjetësuesit po shqyrtonin ende mundësinë e një ceremonie nënshkrimi fizik në Evropë në ditët në vijim.

Trump ka sugjeruar se zëvendëspresidenti JD Vance mund të marrë pjesë në një ceremoni të tillë nënshkrimi. Zyra e tij nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.

Por zyrtarët iranianë ofruan një version tjetër. Duke folur në televizionin shtetëror, Araqchi tha se Memorandumi fillestar i Mirëkuptimit do të nënshkruhej nga distanca duke përdorur nënshkrime digjitale.

“Sapo të përfundojnë fazat përfundimtare të negociatave tona, kjo marrëveshje do të nënshkruhet dhe do të shpallet”, tha Araqchi. “Nënshkrimi fillimisht do të bëhet në mënyrë digjitale. Secila palë do të nënshkruajë nga distanca.”

Analistët rajonalë paralajmëruan se edhe nëse arrihet një marrëveshje, qëndrueshmëria e saj mbetet e pasigurt.

Ian Ralby, drejtues i kompanisë së sigurisë detare Auxilium Worldwide, tha se shkalla e armiqësive të fundit e nënvizon brishtësinë e çdo armëpushimi.

“Është shumë e vështirë të besohet se situata ka marrë fund, veçanërisht duke pasur parasysh nivelin e armiqësive që kemi parë mes palëve këtë javë”, i tha Ralby Radios Evropa e Lirë, duke iu referuar sulmeve brenda Iranit dhe në shtetet e Gjirit, përfshirë Kuvajtin, Irakun, Bahreinin dhe Jordaninë.

Megjithatë, ndërsa kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif kritikoi ashpër atë që e quajti një “fushatë të pandërprerë dezinformimi” që synon sabotimin e tekstit të marrëveshjes, bota mbetet në pritje të kthesës së radhës në rrugën diplomatike.

“Ne të gjithë mund të shpresojmë”, tha Ralby. “Sepse në këtë pikë, mendoj se të gjithë po kërkojnë të gjejnë një rreze shprese mes një situate që përndryshe është shumë e trishtë, shumë e vështirë dhe shumë e kushtueshme.”

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Alex Raufoglu

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump, kundër Iranit, teksa sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, insistoi se operacionet amerikane ndaj Teheranit kanë përfunduar.

Dhoma e miratoi rezolutën me 215 vota për dhe 208 kundër më 3 qershor, me katër republikanë që iu bashkuan të gjithë demokratëve në mbështetje të rezolutës.

Rezoluta, që është prezantuar nga përfaqësuesi nga Nju Jorku, Gregory Meeks, udhëzon Trumpin që të largojë forcat e armatosura amerikane nga armiqësitë me Iranin, përveç nëse Kongresi zyrtarisht shpall luftë apo autorizon përdorimin e forcës.

Kjo masë tani dërgohet në Senat, ku ligjvënësit po shqyrtojnë një rezolutë të ndarë për kompetencat e luftës. Edhe nëse miratohet nga dy dhomat e Kongresit, Trump pritet që t’i sfidojë përpjekjet për të kufizuar autoritetin e tij dhe masa e Dhomës së Përfaqësuesve gjerësisht shihet si simbolike sepse nuk e ka fuqinë detyruese ligjore.

Votimi dypartiak sinjalizon rritjen e kundërshtimit në Kongres

Ky votim shënoi kundërshtimin më të fortë të Kongresit deri më tani ndaj konfliktit, i cili ka zgjatur për më shumë se tre muaj dhe ka nxitur shqetësime për pasojat e tij ekonomike dhe gjeopolitike.

Përmes një deklarate pas votimit, Meeks argumentoi se fushata ushtarake nuk kishte arritur objektivat e saj të shpallura dhe, përkundrazi sipas tij, kishte dëmtuar përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me programin bërthamor të Iranit.

“Nëse ka bërë diçka, ajo e ka larguar edhe më shumë mundësinë e një zgjidhjeje diplomatike për programin bërthamor të Iranit”, tha ai.

Demokrati nga Nju Jorku vuri në pah po ashtu rritjen e çmimeve të karburanteve dhe koston financiare të konfliktit, duke thënë se amerikanët po paguanin dukshëm më shumë për benzinën, ndërsa njëkohësisht po mbanin barrën e shpenzimeve të një lufte që shumë prej tyre e kundërshtojnë.

Udhëheqësit demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve i përsëritën këto shqetësime, duke argumentuar se konflikti binte ndesh me premtimet elektorale të Trumpit për të shmangur luftërat jashtë vendit dhe për të ulur kostot për familjet amerikane.

Megjithatë, udhëheqësit republikanë këmbëngulën se fushata ushtarake nuk përbënte një luftë që kërkonte autorizim nga Kongresi dhe paralajmëruan se kufizimi i autoritetit të presidentit mund të shkonte në favor të udhëheqjes iraniane.

Megjithatë, kundërshtimi brenda radhëve republikane është shtuar. Përfaqësuesit Thomas Massie nga Kentaki, Brian Fitzpatrick nga Pensilvania, Tom Barrett nga Miçigani dhe Warren Davidson nga Ohajo u shkëputën nga qëndrimi i shumicës së partisë së tyre për të mbështetur këtë masë.

Rubio mbron strategjinë e administratës

Disa orë para votimit në Dhomën e Përfaqësuesve, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mbrojti mënyrën se si administrata e ka menaxhuar konfliktin gjatë një seance dëgjimore para Komitetit për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

“Ne nuk po kryejmë më sulme të vazhdueshme brenda Iranit për të dobësuar kapacitetet e tij ushtarake, sepse operacioni Tërbimi Epik ka përfunduar”, tha Rubio, duke iu referuar fushatës ushtarake amerikane. Ai shtoi se Uashingtoni i kishte arritur objektivat e tij.

Rubio argumentoi po se synimi i administratës nuk kishte qenë kurrë ndryshimi i regjimit në Teheran.

“Ne do të donim të shihnim një ndryshim në Iran dhe që ai të qeverisej nga populli, por ky nuk ishte qëllimi i misionit tonë”, tha Rubio para ligjvënësve.

Sekretari i Shtetit tha se SHBA-ja synon të eliminojë aftësinë e Iranit për të kërcënuar rajonin me sulme në shkallë të gjerë me raketa dhe dronë, duke argumentuar se kjo aftësi do ta zvogëlonte ndikimin ndërkombëtar mbi ambiciet bërthamore të Teheranit.

Lehtësimi i sanksioneve i lidhur me lëshimet bërthamore

Rubio tha po ashtu se çdo lehtësim i sanksioneve amerikane ndaj Iranit do të varet nga lëshimet që Teherani do të bëjë lidhur me programin e tij bërthamor.

“Ata nuk do të përfitojnë asnjë lloj lehtësimi të sanksioneve, përveç nëse heqin dorë nga pasurimi i uraniumit dhe eliminojnë rezervat e uraniumit të pasuruar në nivele të larta”, u tha ai ligjvënësve.

Sipas Rubios, diskutimet ndërmjet Uashingtonit dhe Teheranit po vazhdojnë të përqendrohen në kornizën e negociatave të ardhshme. Ai tha se Irani ka treguar më shumë gatishmëri për të diskutuar për çështjen e pasurimit të uraniumit sesa në bisedimet e mëparshme, por ende nuk ka marrë zotime që përmbushin kërkesat e SHBA-së.

“Disa muaj më parë ata refuzonin të diskutonin për çështjet e pasurimit të uraniumit dhe të uraniumit të pasuruar në nivele të larta”, tha Rubio. “Mendoj se tani, në disa nga dokumentet që janë shkëmbyer mes palëve, këto çështje trajtohen qartë, por ende nuk kemi miratimin përfundimtar nga sistemi i tyre, të paktën deri në mëngjesin e sotëm [3 qershor]”.

Rubio shtoi se Shtetet e Bashkuara do të shqyrtonin heqjen e bllokadës së tyre detare vetëm nëse Irani rikthen lirinë e lundrimit nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Administrata amerikane ka argumentuar se konflikti në fakt përfundoi pasi Trump urdhëroi një armëpushim në fillim të prillit. Shtëpia e Bardhë e ka hedhur poshtë gjithashtu rezolutën e Dhomës së Përfaqësuesve, duke e cilësuar si një përpjekje jokushtetuese për të kufizuar autoritetin ekzekutiv, duke thënë se aktualisht nuk ka më armiqësi aktive nga të cilat forcat amerikane duhet të tërhiqen.

Senati ende nuk ka caktuar ndonjë datë për një votim përfundimtar për rezolutën e tij të veçantë mbi kompetencat e luftës.

Ukraina sulmon Shën Petersburgun para fjalimit të Putinit, godet objektivat energjitike dhe një anije lufte

RUSI- Ukraina ka goditur me dronë objektiva energjetike dhe ushtarake Shën Petersburgun në ditën e hapjes së forumit ekonomik të qytetit. Rreth 20 mijë të ftuar nga 130 vende pritet të marrin pjesë në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut, një ngjarje vjetore tre-ditore që dikur ishte mbledhja kryesore e Rusisë për të tërhequr investitorë dhe biznese nga Perëndimi.

Mediat shkruajnë se sulmet erdhën një ditë pas një serie sulmesh nga raketa dhe dronë rusë, të cilët vranë të paktën 23 persona në të gjithë Ukrainën. Guvernatori rus tha se infrastruktura ishte dëmtuar, pa raportuar për ndonjë të vdekur, ndërsa Presidenti Zelensky raportoi për sulme ndaj një terminali nafte dhe objektivave ushtarake.

“Ushtria ukrainase goditi terminalin e naftës në Shën Petersburg në Rusi gjatë natës, rreth 1,100 kilometra nga kufiri ukrainas. Është sulmi i fundit në një seri sulmesh hakmarrëse që Kievi i quan sanksione me rreze të gjatë veprimi. Plani i Ukrainës për sanksione me rreze të gjatë veprimi po zbatohet pikërisht sipas nevojës për të afruar paqen”, tha Zelensky në mediat sociale. Sulmet e detyruan aeroportin kryesor të Shën Petersburgut të pezullonte operacionet për orë të tëra, ndërsa u rrëzuan 59 dronë. dosja.al

Sulmet e reja izraelite vrasin 8 persona në Liban pavarësisht armëpushimit, përfshirë dhe fëmijë

Sulmet e reja izraelite në Liban kanë vrarë të paktën tetë persona, përfshirë një dentist dhe dy fëmijët e tij, pavarësisht një armëpushimi në vazhdim, raportuan mediat libaneze të martën.

Dentisti, djali dhe vajza e tij u vranë në një sulm me dron izraelit në makinën e tyre, ndërsa po udhëtonin në rrugën Nabatieh-Khardali në jug të Libanit, tha agjencia shtetërore e lajmeve NNA.

Një tjetër sulm me dron vrau dy punëtorë sirianë brenda një çerdheje ku ata punonin në qytetin Jebchit.

Dy persona të tjerë u vranë në sulmet me dronë ndaj një motoçiklete në Toul dhe një makine në Ansar, tha agjencia.

Një dron izraelit goditi gjithashtu një makinë në rrethrrotullimin Harouf-Toul, duke vrarë shoferin.

Avionët luftarakë kryen gjithashtu një sulm ajror në një qendër të Mbrojtjes Civile Libaneze në rrugën Masil në qytetin Kfar Sir, duke shkatërruar objektin. Qendra ishte evakuuar disa ditë më parë, deklaroi NNA.

Më vete, avionët izraelitë kryen një sulm ajror në agim në qytetin Mansouri në distriktin Tyre, që përkoi me granatimet me artileri në zonë.

Sulmet goditën gjithashtu një shtëpi në al-Hosh të Tyres, duke e shkatërruar atë dhe duke dëmtuar disa shtëpi aty pranë. Dy persona të plagosur u nxorën nga rrënojat dhe u shtruan në spital.

Ndërkohë, NNA tha se numri i të vdekurve nga sulmi i së hënës në Spitalin Jabal Amel në Tyre është rritur në katër, me 50 të tjerë të plagosur.

Sulmi shkaktoi dëme të konsiderueshme në repartet e spitalit, garazhin e parkimit dhe ndërtesat përreth.

Viktimat e fundit erdhën pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të hënën se Izraeli dhe Hezbollahu kishin rënë dakord të ndalonin sulmet kundër njëri-tjetrit pas kontakteve përmes ndërmjetësve.

Trump tha se kishte mbajtur kontakte nëpërmjet ndërmjetësve me të dyja palët dhe kishte marrë garanci se “të gjitha të shtënat do të ndalen”.

Izraeli ka vazhduar sulmet e tij ndaj Libanit pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi më 17 prill, i cili më pas u zgjat për 45 ditë pas bisedimeve indirekte të ndërmjetësuara nga SHBA-të.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, më shumë se 3,400 njerëz janë vrarë në sulme që nga 2 marsi. syri.net

“Ti je i çmendur! Pa mua do ishe në burg” Trumpi shpërthen gjatë telefonatës me Netanyahun: Ty të urrejnë të gjithë

Një telefonatë mbi Libanin duket se ka përplasur presidentin e SHBA Donald Trump dhe kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Times of Izrael raporton se Trump e akuzoi “Bibin” për mosmirënjohje.

“Të gjithë të urrejnë ty dhe të gjithë urrejnë Izraelin për këtë shkak”, mësohet se ka thënë ai.

Duket se gjatë telefonatës Trump e ka quajtur Netanyahun të çmendur, ndërsa i kërkoi që Izraeli të binte dakord për një armëpushim me Hezbollahun.

“Je i çmendur. Do të ishe në burg nëse nuk do të isha unë. Po të shpëtoj nga kjo. Të gjithë të urrejnë tani. Të gjithë e urrejnë Izraelin për shkak të kësaj”, raportohet të jetë shprehur Trump.

Një zyrtar amerikan i tha Axios se Trump i dha një “shuplakë” Netanyahut gjatë telefonatës, ndërkohë që “Bibi” tha: Në rregull, në rregull, vetëm sigurohuni që gjithçka të rregullohet. bw


Send this to a friend