Ministri i Jashtëm paralajmëroi se qytetarët e Bosnjes përveç me pasaportë së shpejti në Maqedoni do të mund të udhëtojnë edhe me kartë identiteti
SARAJEVË – Nuk do të ketë njohje të Kosovës dhe as heqje vizash në vitin e ardhshëm, por planifikojmë që me Kosovën të vendosim regjim të rregullt vizash, ka konfirmuar për Anadolu Agency Igor Crnadak, ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjes.
“Ajo çfarë duam dhe planifikojmë të bëjmë është që regjimin e vizave me Kosovën, i cili është mjaft i ngurtë dhe parashikon që çdo vizë personalisht ta nënshkruajë ministri i Jashtëm, dhe sipas të cilit aplikimi për viza bëhet vetëm në tri vende, ta ndryshojmë dhe që përpunimin e kërkesave për viza të qytetarëve të Kosovës ta vëmë në regjim klasik vizash me procedurë klasike”, ka thënë Crnadak.
Kryediplomati vuri në dukje se “vizat për qytetarët e Kosovës ende do të vazhdojnë të lëshohen në një letër të veçantë”.
“Ne nuk i njohim as dokumentet e Kosovës, dhe në përputhje me përfundimet e Konferencës së Vjenës edhe kjo mënyrë e re do të jetë kontributi ynë për lëvizjen më të lehtë të njerëzve në rajon”, tha Crnadak.
Ai theksoi se deri më tani lëshimi i vizave për qytetarët e Kosovës është bërë në misionet diplomatike dhe konsullore të Bosnjës në Shkup, Tiranë dhe Podgoricë.
“Do të shikojmë që me këtë rregull të ri të hapet mundësia që në më shumë vende të aplikohet për viza, ndërsa përpunimi i vizave do të jetë në formën klasike konsullore, pa pasur nevojë që për çdo kërkesë të vendosë ministri i Jashtëm”, theksoi Crnadak.
Njëkohësisht, ministri i Jashtëm i BeH paralajmëroi se qytetarët e Bosnjes përveç me pasaportë së shpejti në Maqedoni do të mund të udhëtojnë edhe me kartë identiteti.
“Sipas informatave të fundit që kam, kjo është në fazën përfundimtare. Pasi që me letërnjoftimin e Bosnjës mund të udhëtohet në Serbi, Mal të Zi, por edhe në Shqipëri, me Maqedoninë do të rrumbullakosnim një pjesë të rajonit në kuadër të së cilit mund të udhëtohet me posedimin e letërnjoftimit”, ka thënë për AA ministri i Punëve të Jashtme Igor Crnadak.
Komentet