Në mungesë të vlerësimeve kritike të Festivalit të 61-të nga ekspertë të muzikës së lehtë dhe jo vetëm po shpreh mendimet e mia.
Si përkufizim, në përgjithësi Festivali i Këngës në RTSH është ngjarje në jetën artistike ku shpalosin vlerat dhe talentin kompozitorët, autorët dhe këngëtarët më të mirë të vendit. Por prej kohësh Festivalet e Këngës shqiptare në RTSH kanë dalë nga sita e ekspertëve të muzikës, kutit artistik dhe shkollës e kulturës që ka krijuar ky Festival prej më tepër se gjysmë shekulli e një dekadë.
Megjithëse Festivali i Këngës është krijuar gjatë diktaturës, çka do të thotë vështirësi e pengesa të mëdha për artistët, ata kanë bërë gjithçka të krijojnë themele të këngës shqiptare apo si quhet ndryshe të muzikës së lehtë. Dhe fakti që këto këngë i kanë rezistuar kohës do të thotë se kanë krijuar vlerë të kulturës shqiptare.
Si ka ndodhur kjo?! Si ndodh gjithandej ku kultura vendoset në piedestal. Përmes kompozitorëve më të mirë, autorëve të teksteve të këngëve, emra të njohur poetësh dhe këngëtarëve të shquar, të cilët kishin dalë nga një shkollë serioze e artit shqiptar. Për këtë arsye ishte krijuar në fillim Liceu Artistik dhe më pas Instituti i Lartë i Arteve, që sot njihet si Akademia e Arteve. Shkolla e Artit shqiptar ka qenë shumë e suksesëshme në rang europian dhe botëror, nisur nga suksesi i artistëve tanë nëpër botë, instrumentistë e këngëtarë lirikë. Pra, pas rrëzimit të diktaturës mbetej vetëm që këto shkolla të kultivoheshin e t’ju krijoheshin mundësira të pafund në shërbim të talenteve shqiptare prej klasës së parë e deri në përfundimin e studimeve, çka duhej të ishte objektiv e strategji kombëtare.
Aktivitetet artistike të rangut kombëtar duhej të mbeteshin institucione të paprekshme të kuruara, nën siglën e vulën e shtetit e të drejtuara nga artistë dhe ekspertë profesionistë, larg çdo ndikimi të politikës. Ishte shumë lehtë të mbahej diçka e krijuar me mund e sakrifica prej brezash të tërë të artistëve shqiptarë.
Por ajo gjithçkaja është përmbysur nga omnipotenca ilegjitime e kryepolitikës që kontrollon gjithçka. Natyrisht duke përfituar nga “indiferenca” e artistëve, të cilët shohin dhe dëgjojnë me sy e veshë, por nuk e hapin gojën në këmbim të përfitimeve të projekteve që janë normale, por që mund të ndërpriteshin sikur kuçedra që ndalonte ujin e pijshëm, për çdo lloj “kryengritje” të tyre. Reagimi i Artistëve është “një duhet”, një obligim etik, estetik dhe kombëtar.
T’i kthehemi Festivalit të 61-të në RTSH. Ishte një kopje e pararendësve. Aty mungonin kompozitorët, mungonin autorët e teksteve të këngëve, pra poetët, mungonin edhe këngëtarët e dalë nga shkolla shqiptare. Me këtë rast po përmend monumente të muzikës shqiptare si Çesk Zadeja, Tonin Harapi, Tish Daija, Feim Ibrahimi, Avni Mula, Agim Krajka, Tasim Hoshafi, Mark Kaftalli, Agim Prodani, Gaqo Avrazi, Vath Çangu, Pjetër Gaci, Tonin Harapi, Kujtim Laro, Nikolla Zoraqi, Kastriot Gjini, Aleksandër Peçi, Osman Mula, Gazmend Mullahi, Flamur Shehu, Limos Dizdari, Enver Shëngjergji, David Tukiqi, Aleksandër Lalo, Vladimir Kotani, Zef Çoba, Spartak Tili, Ferdinand Deda, Gjergj Leka etj etj.etj. Këta emra të ndritur krijuan muzikë të mbështetur mbi poezi e tekste nga poetë e profesionistë. Pastaj këto këngë u kënduan nga artistë të shquar si Vaçe Zela, Gaqo Çako, Tonin Tërshana, Justina Aliaj, Sherif Merdani, Alida Hisku, Irma dhe Eranda Libohova, Zeliha Sina, Myfarete Laze, Frederik Ndoci, Anita Bitri, Manjola Nallbani dhe listat vazhdojnë… emra me respektin e merituar.
Sikur festivalet e rradhës, edhe Festivali i 61-të në RTSH veç e kishte thelluar perfeksionin për t’i bishtënuar artit. E vetmja kompozitore aty qe Eriona Rushiti, një artiste shumë e talentuar e dalë nga shkolla shqiptare dhe jashtë saj, kënga e së cilët fitoi edhe çmimin e publikut.
Vendin e kompozitorëve, poetëve dhe këngëtarëve profesionistë e kishin zëvendësuar kantautorët, emra të panjohur. Të jesh kantautor nuk do të thotë një fenomen rutinë. Po përmend me këtë rast Françesk Radin, Kujtim Prodanin apo emra si Ermal Meta. Pra të jesh kantautor është një fenomen i rrallë.
Në Festivalin e 61-të të Këngës në RTSH dominonte familjarizmi, që nënkupton edhe klientelizëm e nepotizëm. Dukej sikur gjithçka ishte e programuar në tavolinë, duke përjashtuar konkurimin e artit të mirëfilltë. Aty ishin miq, shokë e klientë të cilëve nuk u bēhej aspak vonë për këngën, artin dhe kulturën shqiptare. Si emërues i përbashkët i lidhte dora e ngrohtë e kryeministrit. Le të kujtojmë kërcimin romantik me sulltanin të Alketa Vejsiut dhe i njëjti avaz tollova përsëritet.
Drejtore dhe drejtuese e festivalit ishte Arbana Osmani, regjisor i festivalit bashkëshorti i saj, Eduart Grishaj. Alfred Kaçinari, njëri nga dirigjentët kishte të birin konkurent, ndërsa drejtori për muzikën ishte Shpëtim Saraçi, ku vetëm prurje muzike nuk pat.
Arbana Osmani, që e drejton me sukses formatin e Big Brother, megjithëse me aftësi komunikative, Festivalin e drejtoi si pa skenar, improvizoi, ndryshoi programin dhe si figurë, me fustane me shpatulla të zbuluara të shpërpjestuara, nuk pati atë paraqitje interesante si tek BB megjithëse regjisor ishte bashkëshorti.
Festivali i 61-të i Këngës në RTSH megjithëse e pati një natë për të kujtuar hitet e vjetra u tregua armiqësor me artisten e formatit madhor Justina Aliaj, që identifikohet me skenën shqiptare, megjithëse Arbana Osmani e përmendi si emër gjatë Festivalit. Justina Aliaj me një interpretim të mrekullueshëm të këngës shumë të bukur Oksigjen, të kompozitorëve të mirënjohur Sokol Marsi e Vladimir Kotani, që i kushtohej sakrificave të mjekëve shqiptarë për të kuruar e shpëtuar pacientët me Covid, nuk u lejua të marrë pjesë si e ftuar nderi. Nuk e di se çfarë justifikimi u shpik, por s’ka asgjë të justifikueshme. Ndērkohë e ftuar speciale e Festivalit ishte Gala Dragoti, një talent i ri shumë premtues që fitoi “The Voice” në Belgjikë, e cila jashtë çdo rregulli dhe programi kërkoi në skenë të jatin Robert Aliajn, sepse, sipas saj, “ashtu ndihej më mirë”. Një trill apo kapriçio artistike e patolerueshme në Belgjikë dhe në asnjë vend tjetër të botës.
Dhe këtu mjerimi arrin përmasa kombëtare, pasi një grusht njerëzish e kthejnë një institucion kombëtar në pronën e tyre private, ku përfshijnë e përjashtojnë cilët t’jua dojë qejfi. Është dramë kombëtare mospjesëmarrja dhe përjashtimi i emrave të mëdhenj, për hir të mediokriteteve dhe përfitimeve materiale.
Të mos flasim pastaj për Elsa Lilën, këngëtare me diapazon të shkëlqyer vokal dhe interpretativ, e cila u paraqit shumë larg pritshmërisë së publikut artdashës, shkurt kënga dhe performanca e saj ishin një fiasko që, megjithatë, u nderua me Çmimin e Parë të Jurisë, diçka që dihej e përflitej nëpër kuluaret e RTSH dhe rrjeteve sociale. Kur këto vlerësime i bën Juria profesioniste e Festivalit, është për të zënë kokën me të dy duart.
Për fatin e mirë të muzikës shqiptare, kësaj here, nuk dihet se kush e si e vendosi dhe vulosi, por në Eurosong do të shkojë me meritë kënga e Eriona Rushitit, e votuar nga publiku, së cilës i uroj sukses. Të ishte për mua, unë këtë kēngë do t’ia jepja Elhaida Danit, por e rëndësishme është që Shqipëria do të paraqitet me melodi.
Sa për Festivalin Shqiptar të Këngës në RTSH i uroj që të shpëtojë nga kthetrat e vandalëve e të kthehet në një institucion kombëtar, ku asgjë të mos shitet as të blihet, të mos blihet as heshtja apo qoftë edhe mosaprovimi në heshtje, e të konkurojë dhe fitojë vetëm arti i vërtetë dhe kultura shqiptare.
Komentet