Gëzuar Vitin e Ri 2023, kolegë gazetarë dhe miq të fjalës së lirë e të mendimit të lirë! Ky është urimi i UGSHPD – VABD (Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës – Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora), i themeluar më 26 nëntor 2021, me një mision dhe detyrë fisnike për të mbrojtur dhe përkrahur mendimin e lirë, fjalën e lirë, mediat e lira, si themel i domosdoshëm për për çdo demokraci të vërtetë.
Të urosh gëzuar publikun do të thotë t’u japësh atyre të vërtetën dhe të krijosh hapsirën për fjalën e lirë.
Urojmë nga zemra që Viti 2023 të jetë vit i informimit sa më të larmishëm, sa më profesional, sa më real, sa më të shpejtë në shërbim sa më të përkushtuar të publikut tonë! Urojmë që kolegët tanë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Luginës e Preshevës, Malin e Zi, në trojet e tjera shqiptare dhe diasporë, si dhe kudo tjetër ta ushtrojnë profesionin e tyre në liri sa më të plotë dhe me profesionalitet e përgjegjshmëri sa më të lartë!
Viti 2022 ishte një vit tjetër sfidash për gazetarët dhe për punonjësit e mediave në Shqipëri. Regjimi shfaqi më shumë se asnjëherë vrazhdësinë e tij ndaj kolegëve tanë që nuk pranuan të mposhten as të dorëzohen përballë atyre që e pengojnë pasqyrimin e së vërtetës, përballë atyre që ua vret sytë ndriçimi i realitetit të korrupsionit, të krimit, të klientelizmit që është shndërruar në mënyrë jetese dhe mjet i vetëm i rregullimit të marrëdhënieve mes faktorëve të shoqërisë.
Pavarësisht viteve të përvojës që kemi mbi vete ne na duhet ta mbajmë fort emërtimin e gazetarit në UGSHPD. Media sot e vitit të vjetër që vihet në shërbim të politikës ka humbur lirinë e saj ditë pas dite dhe po tregon zbehjen e vet. Ne nuk kemi të bëjmë sot më thjeshtë me tendencën FAKENEWS që manipulon publikun. Sot LAJMI i RREMË është jo vetëm një instrument, por edhe ca më keq është një armë kërcënuese për ata që ngrihen në mbrojtje të fjalës së lirë dhe të drejtave më elementare. Kjo për ne GAZETARËT e UGSHGPD-së është një përgjegjësi e madhe pasi deri këtu ku kemi arritur presioni dhe goditjet e shumanshme kanë hyrë në një fazë të re. Pranohet si normale, shkeljen e të drejtave dhe lirive elementare. Pra mashtrimi dhe korrupsioni sundojnë në shoqëri kur media bëhet vegël e pushtetit. Media vetë e vret fjalën e lirë dhe të bën atë që: “…jo vetëm të mbyllësh gojën, por të pranosh gënjeshtrën”.
Unioni i Gazetarëve Shqiptar Profesionistë të Diasporës (UGSHPD), që nga themelimi i ndodh pranë kolegëve që iu është mohuar padrejtësisht ushtrimi i misionit të tyre fisnik, në pajtim me profesionalizmin që kërkohet, në pajtim me të drejtën e publikut për të qenë sa më i informuar. Shoqata jonë është e vendosur të përkrahë kolegët gazetarë dhe mediat ku ata punojnë në çdo përpjekje tyre për t’i dhënë gazetarisë hetimore (investigative) qytetarinë e domosdoshme, si në çdo vend të lirë dhe demokratik, për të ndriçuar deri në qelizën më të largët veprat deh veprimtaritë korruptive dhe antiligjore të regjimit.
Gjatë vitit 2023 shoqata jonë do të vazhdojë të ngrejë më fort zërin për të sensibilizuar jo vetëm opinionin shqiptar, por edhe të gjithë faktorët, të gjitha institucionet perëndimore dhe ndërkombëtare që mbrojnë dhe përkrahin fjalën e lirë, mendimin e lirë, gazetarinë e pavarur dhe mediat e pavarura.
Edhe më 2023 ne do të jemi në solidaritet të plotë me kolegët tanë në frontin e luftës në Ukrainë, si dhe të gjithë kolegët tanë kudo në botë. Të rrezikuar përballë diktaturave, shpesh duke u përballkur me burgje, madje duke humbur edhe jetën, e kryejnë misionin e shenjtë të pasqyrimit të së vërtetës. Pa guximin e tyre, pa përkushtimin e profesionalizmin e tyre sot bota do të mbetej në terr informativ në shumë pjesë të botës.
Pra UGSHPD, Ju uron shqiptarëve kudo që ndodhen dhe mbarë publikut Gëzuar Vitin e Ri 2023!
2023 qoftë vit i mbarësive për gazetarët shqiptarë, mediat tona, për të gjithë kolegët tanë të misionit tonë të shenjtë!
Shëndet, Begati dhe Paqe.
Gezuar 2023!
Mbaresi te gjithe Shqiptareve!