Ministria për Evropën e Mbretërisë së Bashkuar ka reaguar pas dënimit nga Gjykata Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ministri për Evropën, Lord Wood i Anfieldit, tha se Mbretëria e Bashkuar respekton procesin gjyqësor të gjykatës dhe mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë, llogaridhënies dhe pajtimit në rajon.
Më tej, shteti britanik thekson se vazhdon të mbetet një mik dhe partner i afërt i Kosovës, duke mbështetur fuqimisht sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të saj.
“Mbretëria e Bashkuar respekton pavarësinë e Gjykatës dhe procesin e saj gjyqësor dhe mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë, llogaridhënies dhe pajtimit në të gjithë rajonin. Mbretëria e Bashkuar mbetet një mik dhe partner i ngushtë i Kosovës, duke mbështetur fuqimisht sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të saj, si dhe paqen në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Jemi krenarë për rolin që luajtëm përkrah aleatëve të NATO-s në ndihmën për parandalimin e një katastrofe humanitare në vitin 1999 dhe në mbështetjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.”, thuhet në reagim.
Ai thotë se vendimi i sotëm nuk ishte një gjykim për shtetësinë apo sovranitetin e Kosovës, ndërsa shton se gjetjet ndaj ish krerëve nuk duhet të përdoren për të nxitur tensione.
“Vendimi i sotëm nga Dhomat e Specializuara të Kosovës është një moment i rëndësishëm, por nuk është një gjykim mbi shtetësinë, sovranitetin apo të drejtën e Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj. Mendimet e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar janë me viktimat dhe familjet e tyre.
Gjetjet e Gjykatës kanë të bëjnë me individët dhe nuk duhet të përdoren për të ndezur tensione midis komuniteteve ose në të gjithë rajonin. Në këtë moment të rëndësishëm, udhëheqësit politikë dhe figurat publike kanë përgjegjësinë të promovojnë qetësinë, të sigurojnë që çdo reagim të mbetet paqësor dhe të vënë sigurinë e njerëzve në radhë të parë.
Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të punojë me partnerë në të gjithë rajonin dhe më gjerë për të mbështetur paqen, drejtësinë dhe një të ardhme të sigurt dhe të begatë për të gjitha komunitetet.”, shtohet më tej në komunikatë. Panorama








Komentet