Sot jam zgjuar me një frikë të madhe për jetën, me një trishtim të madh.
Kam një ndjesi të rëndë në trup.
Dje pasdite deri sa m’u kthye djali në shtëpi kisha ankth.
Sot ecja vet nëpër rrugë me frikën se mos më merrte dikush përpara e më ngrinte në ajër,
ose më zinte nën rrotat e makinës.
Të jetosh me frikën e jetës është makth.
Të gjitha lajmet e fundit shkaktojnë depresion të thellë tek secili nga ne.
Dhe pse?
Sepse njerëzit e vendit tim janë të papërgjegjshëm në çdo lloj timoni që kanë në duar.
Kanë një adrenalinë bullizuese ndaj shpejtësisë.
Kanë një injorim total ndaj jetës së tyre dhe te çdokujt që rrezikohet prej tyre.
Kanë makutëri për gjithçka që iu zë syri.
Këta nuk mendojnë për rrugët që lahen në gjakun e aksidenteve,
këta nuk shqetësohen kur uji i detit merr ngjyrë të kuqe.
Këta nuk e kuptojnë që hyjnë në çdo shtëpi nëpërmjet lajmeve dhe shkaktojnë pasigurinë e jetës,
këta duan vetëm të krekosen me shpirtin bosh e xhepin plot.
Këta, këta …. janë shtuar aq shumë sa jeta e secilit nga ne është në rrezik.
Këta nuk duhet të gëzojnë lirinë si ne, këta jetën duhet ta shijojnë në një kafaz prej hekuri ku adrenalina nuk ka se ç’bën.
Ky vend po çmendet nga të çmendurit.
Komentet