VOAL

VOAL

ATA QË PËRKRAHIN PUTININ N’ITALI – Nga ANGELO PANEBIANCO – Përktheu Eugjen Merlika

July 30, 2022

Komentet

Progresraporti i KE-së: SPAK vlerësohet, por korrupsioni mbetet sfidë – Shqetësime për imunitetin e Ballukut, drejtësinë dhe lirinë e medias

Komisioni Europian ka publikuar Progresraportin për Shqipërinë për vitin 2026, ku vlerëson përparimin e vendit në procesin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, por njëkohësisht evidenton një sërë problematikash që kërkojnë ndërhyrje dhe rezultate konkrete.

Në fokus të raportit janë reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma zgjedhore, liria e medias, funksionimi i institucioneve dhe respektimi i balancës mes pushteteve.

Në dokumentin prej 127 faqesh, Komisioni Europian e konsideron të arritshëm objektivin për mbylljen e negociatave të anëtarësimit në vitin 2027.

Megjithatë, Brukseli nënvizon se ky proces duhet të shoqërohet me përmbushjen e reformave dhe adresimin e mangësive që vijojnë të pengojnë funksionimin e institucioneve dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës.

Një vlerësim i rëndësishëm në raport i kushtohet punës së Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.

Komisioni Europian evidenton rezultatet e arritura nga kjo strukturë, duke vlerësuar pavarësinë e treguar në hetimin dhe ndjekjen e çështjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por, pavarësisht këtyre rezultateve, korrupsioni mbetet një sfidë reale për Shqipërinë dhe kërkon përpjekje të vazhdueshme.

Raporti ngre gjithashtu shqetësime për ndërhyrjet e papërshtatshme politike në sistemin e drejtësisë dhe sulmet personale ndaj magjistratëve. Sipas Komisionit Europian, gjatë periudhës së raportimit kanë vijuar përpjekjet e zyrtarëve publikë dhe politikanëve për të ushtruar ndikim mbi sistemin gjyqësor, përfshirë edhe SPAK-un.

Në dokument theksohet se, ndonëse përfundimi i procesit të vettingut ka ndihmuar në forcimin e pavarësisë, llogaridhënies dhe integritetit të sistemit të drejtësisë, problemet me burimet njerëzore dhe numrin e magjistratëve vijojnë të ndikojnë në cilësinë e shërbimit gjyqësor.

“Mungesa e burimeve njerëzore, përfshirë magjistratët dhe stafin mbështetës ligjor e administrativ, vijon të ndikojë në cilësinë e drejtësisë. Gjatë periudhës së raportimit vijuan përpjekjet e zyrtarëve publikë apo politikanëve për të ushtruar ndikim të papërshtatshëm mbi sistemin gjyqësor, përfshirë SPAK-un, si dhe sulmet personale ndaj magjistratëve. Megjithëse numri i çështjeve të prapambetura është ulur pjesërisht, mbeten për t’u adresuar probleme urgjente që lidhen me efikasitetin, cilësinë dhe integritetin e gjyqësorit, përfshirë infrastrukturën e gjykatave, sigurinë dhe vonesat në ngritjen e një sistemi elektronik për menaxhimin e çështjeve”, thuhet në raport.

Për këtë arsye, Komisioni Europian kërkon forcimin e mëtejshëm të llogaridhënies dhe reduktimin e ndërhyrjeve politike në gjyqësor dhe në shërbimet e prokurorisë. Një tjetër rekomandim lidhet me garantimin e emërimeve, ngritjeve në detyrë, vlerësimeve dhe inspektimeve transparente, të bazuara në meritë dhe në standardet e vendosura nga procesi i vettingut.

KE kërkon gjithashtu plotësimin e vendeve vakante në gjykata, rritjen e numrit të magjistratëve dhe këshilltarëve ligjorë, përmirësimin e infrastrukturës dhe përshpejtimin e krijimit të një sistemi të integruar elektronik për menaxhimin e çështjeve gjyqësore.

Shqetësimi për mosheqjen e imunitetit të Belinda Ballukut

Një prej çështjeve që merr vëmendje në raport është edhe mosheqja e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Komisioni Europian e lidh këtë zhvillim me funksionimin e mekanizmave të kontrollit institucional dhe ruajtjen e balancës mes pushteteve.

Në raport shprehet shqetësimi se mosveprimi në këtë drejtim ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si funksionojnë mekanizmat që duhet të garantojnë kontrollin dhe përgjegjshmërinë e institucioneve.

Çështja përmendet në një kontekst më të gjerë, ku Komisioni Europian kërkon që institucionet shqiptare të respektojnë pavarësinë e organeve të drejtësisë dhe të mos pengojnë ushtrimin e kompetencave të tyre.

Reforma zgjedhore, një nga urgjencat përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027

Një tjetër rekomandim i fortë i Progresraportit lidhet me reformën zgjedhore. Komisioni Europian e konsideron atë urgjente, veçanërisht në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027.

“Një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore është urgjentisht e nevojshme, veçanërisht në prag të zgjedhjeve vendore të vitit 2027”, theksohet në dokument.

Brukseli kërkon që procesi të mos mbetet vetëm në nivel deklaratash politike, por të shoqërohet me angazhim konkret të palëve për adresimin e problematikave të evidentuara në proceset zgjedhore. Në raport përmendet gjithashtu se Kuvendi ka refuzuar ngritjen e disa komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita dhe nuk ka zbatuar disa vendime të Gjykatës Kushtetuese.

Këto problematika, sipas vlerësimit të Komisionit Europian, lidhen drejtpërdrejt me funksionimin e institucioneve demokratike, kontrollin parlamentar dhe respektimin e ndarjes së pushteteve.

Protestat në Tiranë, KE kërkon dialog konstruktiv

Progresraporti ndalet edhe te protestat e zhvilluara në Tiranë, të cilat, sipas dokumentit, nisën nga shqetësimet mjedisore lidhur me një investim të huaj në Zvërnec, por më pas morën përmasa më të gjera, duke u shndërruar në një lëvizje për transparencë, llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe qeverisje të mirë.

Komisioni Europian e përshkruan mobilizimin qytetar si një nga më të mëdhenjtë që prej tranzicionit demokratik të vendit.

“Ky është mobilizimi më i madh qytetar në Shqipëri që nga tranzicioni demokratik i vendit, me dhjetëra mijëra pjesëmarrës që iu bashkuan protestës në kulmin e saj”, thuhet në raport.

Dokumenti evidenton se, pavarësisht përmasave të protestave dhe kërkesave të ngritura nga qytetarët, deri në periudhën e raportimit nuk ishte zhvilluar një dialog mes palëve për adresimin e shqetësimeve.

Për këtë arsye, Komisioni Europian u bën thirrje të gjitha palëve që të angazhohen në një proces komunikimi dhe dialogu.

“Të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje të sinqerta për t’u angazhuar në një dialog konstruktiv”, thekson Komisioni Europian, duke e vendosur zgjidhjen e tensioneve përmes dialogut në një nga kërkesat e tij për institucionet dhe aktorët politikë.

KE kritikon përdorimin e tepruar të paraburgimit

Një tjetër çështje e ngritur në Progresraport është përdorimi i paraburgimit në Shqipëri. Komisioni Europian vëren se masa e arrestit në burg vazhdon të përdoret gjerësisht gjatë fazës së hetimit dhe në pritje të gjykimit, ndërsa kërkon që institucionet të përdorin më shumë masat alternative.

“Paraburgimi vazhdon të mbetet masa kryesore shtrënguese e vendosur gjatë fazës së hetimit dhe në pritje të gjykimit. Institucionet përkatëse duhet të marrin masa për të garantuar përdorimin më të gjerë dhe më efektiv të masave alternative ndaj paraburgimit”, thuhet në raport.

Komisioni Europian evidenton gjithashtu problematika që lidhen me respektimin e të drejtave procedurale të personave të dyshuar dhe të akuzuar. Mes tyre përmenden e drejta për t’u informuar gjatë procedimeve penale, respektimi i parimit të prezumimit të pafajësisë, e drejta për të pasur akses te një avokat që në fazat e para të hetimit dhe sigurimi në kohë i ndihmës juridike.

“Problemet që lidhen me të drejtat procedurale të personave të dyshuar dhe të akuzuar vazhdojnë të jenë të pranishme dhe duhet të adresohen, përfshirë çështje serioze që kanë të bëjnë me të drejtën për informim gjatë procedimeve penale, mbrojtjen e parimit të prezumimit të pafajësisë, të drejtën për të pasur akses te një avokat që në fazat më të hershme të hetimit, si dhe aksesin në ndihmë juridike në kohën e duhur”, theksohet në dokument.

Një prej rekomandimeve konkrete është rifillimi urgjent i monitorimit elektronik, i cili sipas raportit është pezulluar që prej vitit 2019. Ky mekanizëm shihet si i nevojshëm për të mbikëqyrur zbatimin e masave të arrestit në shtëpi dhe shërbimit të provës.

Liria e medias mbetet sfidë, KE kërkon transparencë dhe mbrojtje për gazetarët

Progresraporti i vitit 2026 ndalet edhe te gjendja e lirisë së shprehjes dhe medias në Shqipëri. Komisioni Europian vlerëson se vendi ka shënuar njëfarë progresi në përafrimin e kuadrit ligjor me standardet europiane, por thekson se ende nuk ekzistojnë garanci të mjaftueshme ligjore për ushtrimin e lirë dhe të pavarur të veprimtarisë mediatike.

Sipas raportit, pavarësia dhe pluralizmi i medias vijojnë të ndikohen nga ndërthurja e interesave politike dhe ekonomike, përqendrimi i pronësisë së mediave dhe mungesa e transparencës mbi burimet e financimit.

“Shqipëria nuk ofron garanci të mjaftueshme ligjore për lirinë e shprehjes, ndërsa mjedisi në të cilin operojnë mediat duhet të përmirësohet, në mënyrë që ato të mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre lirisht, në mënyrë të pavarur dhe profesionale”, thuhet në Progresraport.

Komisioni Europian nënvizon se depërtimi ekonomik në tregun mediatik i grupeve të biznesit me lidhje politike dhe ndërthurja e interesave të ndryshme ndikojnë negativisht në pavarësinë editoriale. Në të njëjtën kohë, raporti përmend përqendrimin e lartë të pronësisë së mediave, mungesën e transparencës së financimit, frikësimet, fushatat denigruese dhe paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike, të njohura si SLAPP.

“Pavarësia dhe pluralizmi i medias vazhdojnë të ndikohen nga depërtimi ekonomik në tregun mediatik i grupeve të biznesit me lidhje politike dhe nga ndërthurja e interesave politike, ekonomike dhe interesave të tjera”, vëren Komisioni Europian.

Një tjetër shqetësim lidhet me kushtet e pasigurta të punës së gazetarëve dhe ndikimin e mundshëm politik në emërimet në autoritetin rregullator të medias dhe në transmetuesin publik.

Raporti evidenton se Shqipëria ka përjashtuar gazetarët e regjistruar nga dispozitat penale për shpifjen në kushte të caktuara, por dekriminalizimi i plotë i shpifjes ende nuk është realizuar.

Për vitin e ardhshëm, Komisioni Europian kërkon reforma të mëtejshme të kuadrit ligjor dhe rregullator të medias, me synim garantimin e transparencës së pronësisë, forcimin e pluralizmit mediatik dhe pavarësisë editoriale.

Në rekomandime përfshihet edhe transparenca e financimit të mediave nga burimet private dhe shtetërore, forcimi i autonomisë së autoritetit rregullator dhe pavarësisë së transmetuesit publik, si dhe shfuqizimi i plotë i dispozitave penale për fyerjen dhe shpifjen.

KE kërkon gjithashtu shpërndarje të drejtë dhe transparente të reklamave shtetërore dhe përmirësim të aksesit të gazetarëve në informacionin publik.

Mbrojtje më e madhe për gazetarët dhe kushte më të mira pune

Në një pjesë të veçantë, Komisioni Europian kërkon që Shqipëria të garantojë mbrojtje efektive për gazetarët nga kërcënimet, sulmet, frikësimet dhe fushatat denigruese. Raporti nënvizon nevojën për zbatimin e ligjit në rastet e sulmeve ndaj gazetarëve dhe ndjekjen e tyre nga organet gjyqësore.

“Të garantojë më tej tolerancë zero ndaj frikësimeve, kërcënimeve dhe fushatave denigruese, si dhe të sigurojë mbrojtje efektive kundër padive strategjike ndaj pjesëmarrjes publike (SLAPP)”, është një prej rekomandimeve të Komisionit Europian.

Gjithashtu, kërkohet forcimi i kapaciteteve të organeve ligjzbatuese për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj gazetarëve, përfshirë incidentet gjatë protestave. KE kërkon udhëzime të qarta për institucionet, procedura disiplinore, administrative dhe gjyqësore, si dhe mbledhje e administrim më të mirë të të dhënave për këto raste.

Një tjetër pikë e rëndësishme është përmirësimi i kushteve të punës së gazetarëve shqiptarë, përmes forcimit të të drejtave të punësimit dhe të drejtave sociale, si dhe zbatimit të njëtrajtshëm të Kodit të Punës.

Në përfundim, Progresraporti i vitit 2026 paraqet një panoramë me dy anë të ecurisë së Shqipërisë drejt Bashkimit Europian: nga njëra anë, vlerëson rezultatet e SPAK-ut, përparimin në reformën në drejtësi dhe mundësinë për mbylljen e negociatave në vitin 2027; nga ana tjetër, evidenton korrupsionin, ndërhyrjet politike në drejtësi, problematikat e procesit zgjedhor, përdorimin e paraburgimit dhe mangësitë në lirinë e medias si çështje që kërkojnë zgjidhje konkrete./Hashtag.al

LEXO KËTU RAPORTIN E PLOTË – Albania-report-2026

“Shefen e Shërbimit Sekret e kam shoqe të ngushtë!” – Ergys Agasi fliste me dy shtetas izraelitë për Vlora Hysenin, zbardhen mesazhet

Detaje janë zbardhur nga vendimi i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ndaj ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, e cila akuzohet se ka ndihmuar me informacione sekrete Ergys Agasin teksa ndodhej në arrati. Një ditë më parë, Apeli i GJKKO vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj saj.

Sipas dokumenteve gjyqësore që citon News24, në dosje përfshihen edhe komunikimet telefonike të Agasit me dy shtetas izraelitë, të identifikuar si Shalev I. dhe Srulik E.K., ku ai përmend njohjen e afërt me Hysenin dhe ndikimin që ajo mund të kishte.

Në një prej mesazheve, Agasi shprehet se e kishte shoqe të ngushtë drejtuesen e shërbimit sekret, ndërsa në një tjetër pretendon se ajo do të ndërhynte personalisht në një situatë në favor të tij.

“E kam shoqe të ngushtë shefen e shërbimit sekret”, thotë Ergys Agasi në një prej komunikimeve me shtetasin  Shalev I.

Ndërsa në komunikimin me shtetasin tjetër, Srulik E.K., Agasi i shkruan: “Jemi me fat që këtu e kanë kapur vetë amerikanët dhe e dinë sjelljen e tij dhe diçka tjetër, drejtoresha e Shërbimit Sekret do të takohet vetë me të dhe do t’i flasë për këtë punë, duke i sjellë prova që prokurori e ka bërë këtë për interesa të tjera”.

Gjykata vlerëson se këto komunikime tregojnë ekzistencën e mundshme të një rrjeti ndërkombëtar në shërbim të interesave të grupit kriminal, duke rritur rrezikun që Vlora Hyseni, nëse do të ishte e lirë, të mund të përdorte kontakte dhe kanale jashtë kontrollit të autoriteteve.

“Komunikimet e ndërmjetësuara nga Agasit me shtetasit me pseudonimet Shalev I., dhe Srulik E., të cilët përmenden në lidhje me çështje që kanë të bëjnë me drejtuesen e Shërbimit Sekret, tregojnë arsyeshëm praninë e një rrjeti ndërkombëtar në funksion të interesave të grupit kriminal, rrjet ky që rrit shkallën konkrete të rrezikut se Hyseni, po të mbetej në gjendje të lirë, do të kishte akses të privilegjuar ndaj kanaleve të largimit apo të fshehjes që janë jashtë kontrollit efektiv të organeve proceduese.”, thuhet në dokument.

Më herët, në dosjen e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) janë zbardhur edhe komunikime të drejtpërdrejta mes Agasit dhe Hysenit, ku flitej për persona që sipas tyre u donin të keqen.

Një ditë më parë, Hyseni u la në masën e arrestit në shtëpi nga Apeli i GJKKO. Ndaj saj, janë vendosur dy masa sigurie  “arrest shtëpie” dhe “pezullim nga ushtrimi i funksioneve publike” pasi dyshohet se ka ndihmuar Ergys Agasin me informacione shtetërore teksa ndodhej në arrati. Vlora Hyseni dyshohet se ka kryer dy vepra penale, përkrahje të autorit të krimit dhe zbulim të akteve sekrete. Panorama

Gazetari i huaj zbulon ku fshihet Rama gjatë protestave rinore: Në një vilë të kuqe betoni me shumë roje

Një gazetar i huaj, i cili trajton kryesisht çështjet e arkitekturës, ka zbuluar se ku fshihet Edi Rama gjatë protestave të të rinjve.

Gazetari Fred A. Bernstein i revistës ‘Architectural Digest’ vizitoi Tiranën kur vendi ishte përfshirë nga revolta studentore.

Qëllimi i tij ishte të zbulonte se përse arkitektët e huaj po vijnë në Shqipëri.

“Kështu, më 19 tetor fluturova drejt Tiranës – për një udhëtim të shkurtër anësor nga Greqia, ku ndodhesha me pushime me bashkëshortin tim – për të parë disa nga ndërtesat e reja dhe për të intervistuar Ramën rreth tyre. Por mbërrita në një periudhë trazirash civile. Kryeministri, asistenti i të cilit më kishte thënë se nuk kishte nevojë ta shtyja udhëtimin, sepse gjithçka ishte në rregull, ishte zhvendosur në një vendndodhje të sigurt në periferi të qytetit. Edhe vila e ruajtur nga forca të shumta sigurie, ku ai pranoi të zhvillonte intervistën, një ndërtesë prej betoni të papërpunuar, e lyer me të kuqe të ndezur, është kryesisht vepër e arkitektit spanjoll Pablo Bofill,” shkruan gazetari.

Sipas tij, revolta e shqiptarëve drejtohet edhe kundër arkitektëve të huaj që kanë zbarkuar në Shqipëri.

“Rama më thotë – zyrtarisht dhe ndoshta pa u menduar mirë – se të vetmit arkitektë shqiptarë që kanë probleme me afrimin e tij ndaj studiove të huaja janë “ata mediokrit”,” shkruan gazetari.

Ndërkohë ai thekson se në protestat rinore kundër Ramës ka shumë studentë të arkitekturës.

“Në fakt, dukej sikur nuk e vinte re aspak atmosferën në rrugë dhe dëshironte të promovonte edhe më shumë grupin e arkitektëve të huaj me të cilët bashkëpunon. Aty nga fundi i intervistës sime gjysmëorëshe, ai përmend se po mendon ta kthejë “The Albanian Files” në një muze, me nga një sallë për secilën prej 60 studiove të huaja, ku të ekspozohen vizatime, makete dhe fotografi të punëve të tyre. Ai tha se tashmë ka gjetur një vend për atë që, sipas tij, do të jetë “një depo e madhe ëndrrash, shpresash dhe sfidash, iluzionesh dhe zhgënjimesh. Do të jetë një vend i mrekullueshëm për t’u vizituar”. Natyrisht, projektuesi i tij do të përzgjidhet përmes një konkursi ndërkombëtar arkitekture,” shkruan ai. sn

“The Guardian”: Elon Musk shpenzoi 446 milionë dollarë për kandidatët republikanë, por pësoi disfatë! Demokratët fituan garat kyçe në SHBA

Miliarderi i teknologjisë Elon Musk ka regjistruar një rekord të ri në financimin e fushatave politike në SHBA, duke shpenzuar të paktën 446 milionë dollarë për të mbështetur kandidatët republikanë në zgjedhjet e mesit të mandatit. Megjithatë, investimi i tij gjigant nuk dha rezultatet e pritshme, pasi demokratët fituan garat kryesore ku ai kishte përqendruar paratë dhe vëmendjen.

Drejtori ekzekutiv i Tesla-s dhe SpaceX tejkaloi ndjeshëm shpenzimet e zgjedhjeve të vitit 2024, kur kishte investuar rreth 290 milionë dollarë në mbështetje të Donald Trump dhe kandidatëve republikanë.

Këtë herë, Musk synonte të ndihmonte republikanët të ruanin kontrollin e Kongresit, duke financuar të paktën tetë komitete politike Super PAC të lidhura me këtë forcë politike.

Nga shuma totale, të paktën 216 milionë dollarë shkuan për organizatën e tij America PAC, ndërsa 168 milionë dollarë u derdhën në Fondin e Lidershipit të Senatit, i cili mbështeti disa kandidatë republikanë, përfshirë Ken Paxton në Teksas.

Por rezultatet e zgjedhjeve rezultuan një goditje për miliarderin. Demokratët fituan të pesë garat për Senat ku America PAC kishte shpenzuar më shumë para në mbështetje të kandidatëve republikanë.

Humbja më e bujshme ishte në Teksas, shteti ku Musk ka përqendruar një pjesë të madhe të aktiviteteve të tij ekonomike dhe politike. Kandidati demokrat James Talarico arriti të mposhtë republikanin Ken Paxton, pavarësisht miliona dollarëve të shpenzuar kundër tij.

Vetëm për reklama dhe mesazhe kundër Talaricos, America PAC shpenzoi të paktën 28 milionë dollarë. Musk gjithashtu përdori vazhdimisht platformën e tij X për të sulmuar kandidatin demokrat.

Pas fitores, Talarico iu drejtua drejtpërdrejt miliarderëve në fjalimin e tij: “Ne sapo vërtetuam se të gjitha paratë e botës nuk janë të krahasueshme me njerëzit e Teksasit”.

Humbje për republikanët pati edhe në garat për Senat në Michigan, Maine, Ohio dhe Iowa, ku organizatat e financuara nga Musk kishin investuar dhjetëra milionë dollarë në reklama kundër kandidatëve demokratë.

Megjithëse investimi i tij nuk solli fitoren e synuar, shpenzimet e Musk ndikuan në rritjen e kostove të fushatave, duke i kthyer disa prej garave në zgjedhjet më të shtrenjta në historinë amerikane.

Por pasojat mund të jenë edhe më të gjera për bizneset e miliarderit. Kompanitë e tij kanë përfituar nga kontratat federale dhe nga një klimë më pak kufizuese rregullatore gjatë administratës Trump.

Në Teksas, ku autoritetet shtetërore kanë mbështetur disa prej projekteve të tij, fitorja e demokratëve mund të sjellë një qasje më kritike ndaj aktiviteteve të Musk.

Guvernatorja e ardhshme demokrate, Gina Hinojosa, ka kërkuar vendosjen e një moratoriumi për ndërtimin e qendrave të të dhënave dhe ka qenë e përfshirë në një betejë ligjore për të siguruar akses në komunikimet mes zyrës së guvernatorit Greg Abbott dhe Musk.

Ndërkohë, demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë paralajmëruar hetime mbi aktivitetin e miliarderit gjatë drejtimit të Departamentit të Efikasitetit Qeveritar (DOGE), si dhe shqyrtimin e fondeve federale që përfitojnë kompanitë e tij.

Humbjet elektorale mund të shënojnë kështu një ndryshim të rëndësishëm në marrëdhëniet mes Musk dhe politikës amerikane, duke ngritur pikëpyetje se deri ku mund të shkojë ndikimi i parave të miliarderëve në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të vitit 2028. bw

Video- Nga “vëllai i madh” tek pretendimet për kërcënime në burg nga kryeministri, si ndryshuan raportet Rama-Veliaj që nga 2013! Deklaratat dhe ironitë ndër vite

Për vite me radhë, marrëdhënia mes Edi Rames dhe Erion Veliajt  është perceptuar si një raport i veçantë besimi, mbështetjeje dhe afërsie personale, ku Rama shihej si figura që i hapi rrugën politike Veliajt, ndërsa ky i fundit si një prej bashkëpunëtorëve më të rëndësishëm të kryeministrit.

Por ajo që dikur konsiderohej një aleancë e konsoliduar, sot po përballet me një krizë të thellë, pas pretendimeve të kryebashkiakut Erion Veliaj për kërcënime të Edi Ramës.

Veliaj iu bashkua Partisë Socialiste, u bë pjesë e strukturave drejtuese dhe më pas mori poste të rëndësishme në qeverisjen e Ramës.

Fillimisht si ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, e më pas si kandidat dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, ai u shndërrua në një prej figurave kryesore të mazhorancës.

Rrugëtimi i tyre i përbashkët politik nisi në vitin 2003 kur asokohe kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama akuzohej se qëndronte pas protestave të organizatës “MJAFT” të drejtuar nga Erion Veliaj kundër kryeministrit socialist Fatos Nano.

 

Madje për këto, Veliaj ka deklaruar keshtu: “Një ditë Edi Rama, mentori im më tha: Ti djalë do vazhdosh të protestosh apo do përfshihesh të bësh ca punë konkrete. Ai ishte mentori im”.

Lëvizja “G99” e Veliajt garoi si parti në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës ku u përball me një dështim spektakolar duke marrë vetëm 0.86% të votave në rang vendi. Kështu, formësimi i një projekti politik si ai i Veliajt që supozohej të ishte vetëm në rritje, e detyroi Ramën të merrte iniciativën direkte duke e emëruar si sekretar për rininë dhe emigracionin në PS dhe më pas duke e përfshirë në listat për deputet në 2013-ën. Nga aty, Veliaj u emërua si ministër deri në vitin 2015 kur mori drejtimin e bashkisë së Tiranës, gjë që e shfaqi në sytë e publikut dhe të të gjithë faktorëve politikë si “pasuesin e Edi Ramës” në krye të PS.

Që prej asaj kohe, pavarësisht pretendimeve nga ana e opozitës apo intrigave për ‘luftë të brendshme’, Veliaj dhe Rama tregonin se raportet mes tyre vetëm forcoheshin dhe rriteshin me vijimin e ecurisë së fitoreve të njëpasnjëshme të PS në zgjedhje.

Madje, duke iu përgjigjur edhe raportimeve të vazhdueshme nga opozita për krisje mes tij dhe Ramës, në vitin 2022 gjatë një interviste, Veliaj tha se opozita do të lutej në pafundësi për një gjë të tillë, por theksoi se kjo nuk do ndodhte kurrë.

“Kështu që ju kam thënë opozitës do t’i bëhen gjunjët kallo dhe do luten deri në pafundësi të jetës që unë edhe Edi Rama të kemi një konflikt edhe prej këtij konflikti të rikthehet Saliu me Ilirin. Kjo s’ka për të ndodhur kurrë”– shprehej Veliaj në 2022-in ndërsa në një tjetër intervistë të 2023 e cilësonte si “vëllain e tij të madh”.

SHIKO VIDEON KETU

Disa nga deklaratat e tyre

Erion Veliaj: “Jo vetëm kryetari i këshillit është një katundar nga Peza, Toni Gogu, por jam entuziast që për herë të parë kemi një përfaqësim…po jemi dy katundar…”

Erion Veliaj: “Një ditë Edi Rama, mentori im më tha: Ti djalë do vazhdosh të protestosh apo do përfshihesh të bësh ca punë konkrete. Ai ishte mentori im”

Erion Veliaj: “Ju kam thënë, opozitës do ti bëhen gjunjët me kallo dhe do të luten deri në pafundësi të jetës që unë dhe Rama të kemi një konflikt dhe nga ky konflikt të rikthehet Saliu me Ilirin. Kjo nuk ka për të ndodhur kurrë”

Edi Rama: “Unë dal në 5:30 nga shtëpia për të shkuar në punë, ti do dalësh nesër në 4:30 do lyesh shkallët, ti personalisht”

Edi Rama: “Ju siguroj që ky grup armiqësor nuk e ka të gjatë, Erion  Veliaj mund të dalë në televizor sa të dojë, mund të mbjellë pemë sa të dojë, por një ditë në ato pemë do të varet, do të varet si shembull që në këtë parti grupet armiqësore do të marrin goditjen e duhur.

Transferimi nga burgu i Durresit ne ate te Fierit

Zhvillimi më i fundit që e ktheu konfliktin në një përplasje të hapur lidhet me transferimin e Erion Veliajt nga paraburgimi në Durrës drejt institucionit të vuajtjes së dënimit në Fier.

Pas këtij transferimi, Veliaj publikoi një letër të shkruar me dorë, përmes së cilës ngriti akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.

Sipas versionit të Veliajt, ministri Gogu e kishte vizituar në burg, në orët e vona të mbrëmjes së 30 tetorit 2026, dhe gjatë takimit i kishte përcjellë një mesazh në emër të kryeministrit.

Në letrën e tij, kryebashkiaku pretendon se i janë komunikuar tri kërkesa kryesore:

1-Të pranonte përfshirjen në organizimin ose financimin e protestave të njohura si protestat e “Flamingove” dhe studentëve, në të kundërt do të përballej me akuza të tjera dhe me një dënim që, sipas pretendimit të tij, mund të shkonte deri në 100 vite burg.

2-Të hiqte dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe t’ia delegonte kompetencat Arbër Hajdarit.

3-Të ndërpriste konsultimin dhe bashkëpunimin me avokatin e tij, Plarent Ndreca. Panorama

26 vite mbrapa-lufta çlirimtare e vetmja e vërtetë- Vështrim nga Skënder MULLIQI

—- Kosova e sotme është formuar në guximin e të rinjëve tanë në atë kohë .Ky nuk është slogan apo mit. Kjo është një e vërtetë e  26 viteve  të shtegtimit tonë në liri.Partitë politike të cilat e kan orjentuar më shumë luftën për pushtet, janë të detyrura që të mbrojnë themelet e shtetit tonë sovran dhe të pavaruar.Ata që nuk janë në gjendje të bëjnë këtë, nuk e kan vendin në vendimarrje politike…
Gjithmonë duhet të na kthehen fotografitë e viteve të 90-ta, kur edhe filloj  shpërbërja më luftë e ish-Jugosllavisë.Na kujtohen vitët e dhëmbjës dhe krenarisë kombëtare.Kosova pas një ukupimi të gjatë nga serbosllavia arriti më  të fitojë lirinë dhe pavarisinë e saj.E fituam lirinë dhe shtetin në mënyrën më të vështirë , me gjak të vrarë, të përsekutuar, të dhunuar, të dëbuar, të zhdukur…Askush nuk e ka dëshiruar luftën, ajo na është imponuar për tu çliruar pas shumë vitësh të okupimit.Regjimi criminal i Millosheviqit në synim për formimin e Serbisë të Madhe shkatërroj qytete dhe fshatra, vrau dhe përsekutoj shqiptarë , duke tentuar që botës demokratike tia imponoj rrëfimin e rrem   për të drejten e tyre historike mbi Kosovën.Në atë kohë lufta e UÇK-së  u bë e shejtë në mbrojtje  të drejtës  tonë  për çlrim nga okupatori e urryer serb.Ajo që e bënë të shejtë luftën tonë ishte së mbrojtem vlerat tona kombëtare.Mbrojtësit e Atdheut krijuan themelet e shtetit modern të Kosovës.Shqiptarët  nuk sulmuan për  territore të huaja.Ata çliruan vendin e vetë.Ky është fakt.Lufta jonë çlirimtare është e shkruar më shkronja të arta.Detyra jonë është që këto vlera ti ruajmë dhe kultivojmë gjithmonë. Por, ende nuk ka mbaruar gjithqka për  1600 të zhdukurit shqiptarë të luftës nga Serbia fashiste.Krimet serbe dhe shumë kriminelë  të luftës nuk moren dënimin e merituar nga TPI-ja në Hagë.Dhe, nuk u dënua Serbia dhe idelogjia e tyre serbomadhe për krime të luftës dhe gjenocid nga Gjykata e Hagës.Kosova nuk deponojë materjalë më bollëk nga KMLDNJ-të e Kosovës për gjenocid  dhe etnocid, sikur e bën këtë punë  disa shtete në ish-Jugosllavi.Kjo nuk na falet.Kosova sot është e lirë dhe e pavarur në kufijtë e saj e pranuar nga  shumë shtete të botës demokratike.Ajo pret të bëhët anëtare e strukturës të BE-së dhe NATO-s.Por, duhet kuptuar të gjithë se sikur që lufta që u fitua më shumë mund dhe sakrifica , edhe në kushte të lirisë duhet luftuar me të gjitha forcat  që anëtarësimi I Kosovës në strukturat e përmedura të ndodhë një ditë,  jo të largët.Kosova e sotme është formuar në guximin e të rinjëve tanë në atë kohë .Ky nuk është slogan apo mit. Kjo është një e vërtëtë e  26 viteve më radhë të shtegtimit tonë në liri.Partitë politike të cilat e kan orjentuar më shumë luftën për pushtet, janë të detyrura që të mbrojnë themelet e shtetit tonë sovran dhe të pavaruar.Ata që nuk janë në gjendje të bëjnë këtë, nuk e kan vendin në vendimarrje politike .Kosova është e të gjithëve .Ajo duhet mbrojtuar dhe kultivuar.Këtë gjë deri më tash nuk po e bëjmë në mënyrën e duhur, kur kriza globale e shpërthimit më luftëra po trokët edhe në derën tonë.Mos   të lejohet që shteti ynë të qitet në ankand public nga kushdo qoftë ai.Koha është serish për gjeneratën e re në politikëbërje…

“Korrupsioni, kapja oligarkike e institucioneve dhe krimi i organizuar”- Ditmir Bushati kritikon Edi Ramën: Këto janë çështjet që i kanë nxjerrë qytetarët në rrugë! S’e pengojnë integrimin

NGA DITMIR BUSHATI

Kapërcimi i hendekut në sundimin e ligjit

Besueshmëria e procesit të zgjerimit kërkon që Bashkimi Europian të qëndrojë vendosmërisht në krah të qytetarëve që kërkojnë të njëjtat standarde demokratike që ai ua kërkon vendeve kandidate.

Në kulmin e protestave studentore në Serbi, Komisionerja Europiane për Zgjerimin mbajti një fjalim në kampusin e Kolegjit të Europës në Tiranë, duke u përqendruar te angazhimi i të rinjve dhe roli i shoqërisë civile në proceset demokratike. Në fjalën e saj, ajo bëri një paralelizëm me protestat e të rinjve kundër regjimit komunist në Çekosllovaki në vitin 1968, duke theksuar se anëtarësimi në BE nuk duhet parë si një proces i drejtuar ekskluzivisht nga qeveritë, por si një proces që përfshin shoqërinë në tërësi.

Historia e Çekosllovakisë, sado e largët në kohë, është domethënëse. Por ajo nuk e zëvendëson përgjegjësinë për t’iu përgjigjur zhvillimeve aktuale politike në rajonin tonë. Lëvizja studentore serbe ofroi një shembull të fuqishëm dhe aktual pikërisht të atij lloj angazhimi qytetar, përkushtimi demokratik dhe kërkese për llogaridhënie që Komisionerja po promovonte.

Fakti që ajo nuk e përmendi apo nuk iu referua shprehimisht kësaj lëvizjeje ngre një pyetje legjitime: përse guximi dhe kontributi demokratik i studentëve serbë u lanë pa u përmendur, veçanërisht në një moment kur veprimet e tyre mishëronin kaq qartë pikërisht parimet që fjalimi i saj synonte të promovonte?

Për shumë vite, BE-ja i ka dhënë përparësi iluzionit të një stabiliteti sipërfaqësor në vend të përparimit të mirëfilltë demokratik, duke mbyllur sytë përpara mungesës së kushteve të barabarta të konkurrencës politike dhe erozionit të vazhdueshëm të standardeve demokratike.

Protestuesit serbë kanë qenë vazhdimisht dëshmitarë të vizitave të udhëheqësve europianë në vendin e tyre, të cilët i kanë dhënë mbështetje politike qeverisë, pa trajtuar apo vënë publikisht në pikëpyetje regresin demokratik gjithnjë e më të dukshëm.

Kjo qasje filloi të ndryshonte, ndonëse në mënyrë modeste, vitin e kaluar, kur Komisionerja për Zgjerimin deklaroi se BE-ja ndante të njëjtat kërkesa me lëvizjen studentore.

Pesë muaj pas shpërthimit të protestave masive në Shqipëri kundër korrupsionit dhe mënyrës se si merren vendimet që lidhen me të ardhmen e vendit, BE-ja duket se po ndjek një qasje me «dy pamje paralele» ndaj procesit të anëtarësimit të Shqipërisë.

Ndërsa Shqipëria vazhdon të marrë vlerësime pozitive për kapitujt më pak të debatueshëm të negociatave, përparimi në kapitujt që lidhen me sundimin e ligjit dhe mjedisin mbetet ngushtësisht i ndërthurur me tensionet politike dhe protestat e përditshme që po zhvillohen në të gjithë vendin.

Prej vitesh, debati mbi perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE është përqendruar rreth një sërë sfidash të njohura: sundimi i ligjit, korrupsioni, kapja oligarkike e institucioneve shtetërore, krimi i organizuar dhe dobësitë e vazhdueshme institucionale.

Këto janë pikërisht çështjet që i kanë nxjerrë qytetarët në rrugë.

Kërkesat e tyre për llogaridhënie dhe qeverisje demokratike nuk duhet të shihen si pengesa për rrugën europiane të Shqipërisë. Përkundrazi, ato përfaqësojnë një pjesë thelbësore të këtij procesi.

Duke kërkuar ndryshim dhe duke u kërkuar llogari atyre që janë në pushtet, protestuesit nuk po sfidojnë rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Ata po kërkojnë që ajo të ecë përpara.

Ata po ushtrojnë pikërisht të drejtat dhe përgjegjësitë që përcaktojnë qytetarinë aktive dhe të përgjegjshme në një demokraci.

Qeveria është përpjekur t’i paraqesë protestat si të mbështetura nga aktorë, qëllimi i të cilëve është të minojnë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Megjithatë, protestat dhe rruga drejt anëtarësimit në BE nuk e përjashtojnë aspak njëra-tjetrën.

Protestuesit po kërkojnë pikërisht ato ndryshime që procesi i anëtarësimit në BE, pavarësisht hapjes dhe mbylljes së kapitujve të negociatave, deri më tani nuk ka arritur t’i sjellë: fundin e personalizimit të tepruar të pushtetit politik, normalizimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar në jetën publike, pabarazive të vazhdueshme ekonomike dhe polarizimit shoqëror në rritje.

Këto kërkesa meritojnë shqyrtim serioz politik, pasi janë në thelb në përputhje me parimet, vlerat dhe standardet demokratike mbi të cilat mbështeten BE-ja dhe procesi i saj i zgjerimit.

Është e rëndësishme të pranohet se pakënaqësitë që qëndrojnë në themel të protestave në Shqipëri janë të ndryshme nga ato që nxisin mobilizimin e të rinjve në vende të tjera të Europës.

Në të gjithë kontinentin, lëvizjet studentore janë shfaqur gjithnjë e më shumë si reagim ndaj një klime më të gjerë pasigurie dhe pesimizmi në rritje për të ardhmen.

Zhgënjimi i tyre pasqyron një Europë që po përpiqet të përcaktojë drejtimin e saj përballë një sërë sfidash strukturore në rritje: plakjes së popullsisë, rritjes së borxhit publik, presionit në rritje mbi sistemet e mirëqenies sociale ndërkohë që zgjerohen shpenzimet për mbrojtjen, thellimit të ndasive për emigracionin dhe vështirësisë për t’u përshtatur me transformimet teknologjike që do të formësojnë dekadat e ardhshme.

Përballë këtyre sfidave, qeveritë kanë pasur vështirësi të artikulojnë një vizion bindës për të ardhmen për një brez të ri gjithnjë e më të shqetësuar për perspektivat dhe mundësitë e tij.

Në Shqipëri, megjithatë, burimet e pakënaqësisë publike janë të ndryshme.

Zemërimi i ka rrënjët në përvojën e një brezi që është rritur mes skandaleve të përsëritura politike, vështirësive të vazhdueshme sociale dhe ekonomike dhe dominimit të zgjatur të së njëjtës udhëheqje politike.

Të rinjtë kanë parë të njëjtat probleme të rishfaqen vazhdimisht, me pak llogaridhënie dhe me pak zgjidhje të besueshme.

Prandaj, zhgënjimi i tyre nuk është thjesht pasqyrim i pasigurisë për atë që rezervon e ardhmja, por një refuzim i një realiteti politik që ka mbetur kryesisht i pandryshuar prej vitesh.

Ajo që ata kërkojnë është një shkëputje vendimtare nga e kaluara dhe mundësia për të formësuar një të ardhme ndryshe për vendin e tyre.

Kapërcimi i ngërçit aktual politik në Shqipëri kërkon angazhim dhe mbështetje domethënëse nga BE-ja.

Shembujt e mëparshëm të përfshirjes së BE-së në krizat politike në rajon, në kontrast me reagimin e saj ndaj zhvillimeve në Serbi, tregojnë se sa vendimtar mund të jetë një angazhim i tillë për të çuar përpara integrimin europian të një vendi.

Kjo nuk duhet kuptuar si ndërhyrje e jashtme në punët e brendshme.

Përkundrazi, BE-ja ka si autoritetin politik, ashtu edhe instrumentet institucionale për të vepruar si lehtësuese, duke ndihmuar në kapërcimin e hendekut të vazhdueshëm midis sundimit të ligjit si kërkesë formale e anëtarësimit dhe zbatimit të tij real në shoqëri.

Roli i saj duhet të jetë nxitja e llogaridhënies, forcimi i institucioneve demokratike dhe ndihma për krijimin e kushteve për dialog dhe reforma të mirëfillta politike.

Megjithëse Komisionerja për Zgjerimin theksoi së fundmi se mbrojtja e mjedisit dhe trajtimi demokratik i protestave janë pjesë përbërëse e angazhimeve të Shqipërisë për anëtarësimin në BE, këto deklarata ende nuk janë shoqëruar me veprime konkrete.

Duke vepruar kështu, Komisioni Europian rrezikon të humbasë një mundësi të rëndësishme për të forcuar lidhjen mes aspiratave demokratike të qytetarëve dhe procesit të anëtarësimit në BE.

Në fund të fundit, sundimi i ligjit nuk mund të garantohet në mënyrë kuptimplotë kur zëri i qytetarëve nuk dëgjohet realisht dhe kërkesat e tyre për llogaridhënie demokratike mbeten pa përgjigje.

Respektimi i sundimit të ligjit duhet të shkojë përtej angazhimeve formale dhe kritereve të negociatave.

Ai duhet të pasqyrohet në mënyrën se si ushtrohet pushteti dhe se si respektohen në praktikë të drejtat e qytetarëve.

Besueshmëria e procesit të zgjerimit kërkon që BE-ja të qëndrojë vendosmërisht në krah të qytetarëve që kërkojnë të njëjtat standarde demokratike që ajo ua kërkon vendeve kandidate.

Në Shqipëri, ku mbështetja për anëtarësimin në BE mbetet e fortë, protestuesit vazhdojnë ta shohin Europën si një burim parimesh demokratike dhe llogaridhënieje.

Perspektiva e anëtarësimit në BE mbetet, ndoshta më shumë se kurrë, i vetmi vizion politik i aftë të sigurojë mbështetje të gjerë dhe të qëndrueshme në të gjithë shoqërinë shqiptare.

Megjithatë, ruajtja e kësaj mbështetjeje kërkon që BE-ja të tregojë se përkushtimi i saj ndaj standardeve demokratike pasqyrohet jo vetëm në kushtet që vendos për anëtarësimin, por edhe në reagimin e saj ndaj situatës politike me të cilën po përballet Shqipëria.

Rishikimi i politikës së zgjerimit, i publikuar së fundmi, synon ta bëjë BE-në të aftë të përballojë zgjerimin me shtete më të dobëta dhe më të varfra.

Sundimi i ligjit dhe përafrimi gjeopolitik janë parakushte për këtë.

Me Shqipërinë tashmë mes vendeve kryesuese në procesin e anëtarësimit, ndikimi dhe fuqia e BE-së për të ushtruar presion ndaj vendit kanë arritur në një pikë kritike.

Kjo i jep BE-së një mundësi për të ndihmuar në kapërcimin e hendekut në sundimin e ligjit dhe për të dëshmuar një përkushtim më të fortë ndaj së ardhmes demokratike të Shqipërisë.

Kjo do të thotë të sigurohet që reformat të shkojnë përtej angazhimeve formale dhe ndryshimeve ligjore, të bëhen të pakthyeshme dhe të përkthehen në përmirësime të prekshme në jetën e qytetarëve shqiptarë.

Stuhia e demokratëve amerikanë në zgjedhjet e djeshme: disa kuriozitete Nga Ruben Avxhiu

Hera e fundit që Kansasi ka zgjedhur një demokrat në Senatin Amerikan ai kishte lindur në vitin 1879 dhe zgjedhjet u bënë përparaLluftës së Dytë Botërore.

Hera e fundit që Texas ka zgjedhur një demokrat në Senatin Amerikan ishte 33 vjet më parë, në vitin 1993.

Republikanët kanë shtetin e Teksasit (Texas) si kanë demokratët Nju Jorkun (New York) ose Kalifornian (California). Jo vetëm që demokratët fituan garën për Senatin Amerikan, por fituan edhe zgjedhjet për guvernator, si dhe të gjitha 17 postet politike të të gjitha niveleve për të cilat u votua dje.

Rekorde të tjera të zgjedhjeve të 3 nëntorit 2026:

Karolina e Jugut (South Carolina) (Senatori i parë demokrat që nga 1998)

Maine (Demokrati i parë që shkon në Senatin Amerikan që nga 1988)

Ajua (Iowa) (Demokrati i parë që shkon në Senatin Amerikan që nga 2008)

Miçigani, zgjodhi Abdul El-Sayed Senatorin e parë musliman të Amerikës, në histori.

Numërimi i votave në Alaska dhe Mississippi vazhdon, dy shtete tradicionalisht republikane ende mund të zgjedhin demokratë në Senatin e Amerikës

 

Dialogu në ngërç: Çfarë kartash ka ende BE-ja?

Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një takimi më 3 dhjetor 2024.

 

Mimoza Sadiku

Marrëveshje të pazbatuara, dialog i bllokuar politik dhe kritika të reja nga Bashkimi Evropian.

Në raportet e sivjetme të progresit, Komisioni Evropian kritikon Kosovën dhe Serbinë për mospërmbushjen e obligimeve në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.

Por edhe vetë dialogu që ndërmjetëson Brukseli nuk ka shënuar përparim të dukshëm politik prej më shumë se tre vjetësh.

Takimi i fundit i nivelit të lartë u zhvillua në shtator të vitit 2023.

Që atëherë, bisedimet kanë vazhduar në nivel kryenegociatorësh, por pa i afruar palët drejt një marrëveshjeje të mundshme.

Prishtina e kushtëzon rikthimin në takimet e nivelit të lartë me dorëzimin e Millan Radoiçiqit, ish-politikanit serb të Kosovës që mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

Beogradi, ndërkaq, këmbëngul në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Njohës të procesit vlerësojnë se BE-ja ka ende instrumente politike dhe financiare për t’i nxitur palët drejt normalizimit.

Por, mospajtimet brenda bllokut dhe mungesa e një strategjie të qartë, sipas tyre, e kanë kufizuar ndikimin e saj.

Donika Emini, nga Grupi Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë, thotë se Brukseli mund të përdorë më shumë stimuj për të dyja vendet, krahas masave ndëshkuese.

Për Kosovën, ajo përmend avancimin e aplikimit për anëtarësim në BE, përfitimet nga Plani i Rritjes dhe mbështetjen financiare e politike për integrim.

Për Serbinë, mundësitë lidhen kryesisht me negociatat e anëtarësimit.

“Hapja dhe mbyllja e kapitujve negociues, qasja në fondet evropiane, përfitimet nga Plani i Rritjes dhe avancimi i përgjithshëm në procesin e integrimit mund të kushtëzohen shumë më qartë me përparimin në reformat demokratike, sundimin e ligjit dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, thotë Emini për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Toby Vogel, nga Këshilli për Demokratizimin e Politikave në Bruksel, vlerëson se BE-ja ka hapësirë për të vepruar, por kërkon një angazhim të mirëfilltë të Serbisë në dialog dhe një perspektivë reale për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme.

Paralelisht, sipas tij, Brukseli duhet ta avancojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim, i cili ka mbetur pa u shqyrtuar që nga dhjetori i vitit 2022.

“Është e tmerrshme që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE gjendet prej vitesh në sirtarët e Brukselit dhe Komisioni nuk e adreson. Askush nuk mund të më bindë se, me vullnetin e duhur politik, nuk mund të gjendet një zgjidhje kreative që t’i lejojë një shteti, të cilin nuk e njohin të gjitha vendet anëtare, të paktën ta nisë procesin e anëtarësimit”, thotë Vogel.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Bashkimit Evropian me pyetje për instrumentet që ka në dispozicion për ta zhbllokuar dialogun, mundësinë e përdorimit të tyre dhe planet për rifillimin e takimeve të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, por nuk mori përgjigje.

Një nga pengesat kryesore për avancimin e Kosovës drejt BE-së qëndron brenda vetë bllokut.

Pesë shtete anëtare – Qiproja, Sllovakia, Spanja, Greqia dhe Rumania – nuk e njohin pavarësinë e saj, duke e vështirësuar marrjen e vendimeve për integrimin evropian.

Kosova aplikoi për anëtarësim në dhjetor të vitit 2022, por Këshilli i BE-së nuk ia ka përcjellë ende kërkesën Komisionit Evropian për opinion.

Ajo mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor pa statusin e kandidatit.

Megjithatë, pengesat nuk lidhen vetëm me qëndrimet e vendeve anëtare.

Në raportin e progresit për vitin 2026, Komisioni Evropian vlerëson se bllokada e zgjatur institucionale në Kosovë ka penguar zbatimin e reformave të kërkuara nga BE-ja.

A mjaftojnë stimujt financiarë?

Për Eminin, vetëm premtimi për fonde dhe asistencë financiare nuk mjafton për t’i bindur palët të angazhohen seriozisht.

BE-ja tashmë ka Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili parasheh mbështetje financiare në këmbim të reformave.

Angazhimi konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve është kusht edhe për Kosovën, edhe për Serbinë.

Por, sipas Eminit, përvoja e vitit 2013 dëshmon se stimujt politikë mund të kenë ndikim më të madh.

Pas Marrëveshjes së parë të Brukselit, Serbisë iu hap rruga drejt negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosova përparoi drejt Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

“Mendoj se kjo logjikë duhet të rikthehet, por në një mënyrë më të qëndrueshme dhe më substanciale: përparimi real në integrimin evropian duhet të shoqërohet me angazhim real në dialog dhe zbatim të marrëveshjeve”, vlerëson ajo.

Emini kërkon përfshirje më aktive të shteteve kryesore të BE-së dhe një strategji që përcakton qartë se çfarë përfiton secila palë nëse i përmbush obligimet dhe me çfarë pasojash përballet nëse nuk i zbaton ato.

Vogel, megjithatë, e vë në pikëpyetje nëse marrëveshjet ekzistuese mund ta çojnë procesin drejt një zgjidhjeje përfundimtare.

“Më duket se BE-ja i ka humbur levat e ndikimit gjatë viteve të fundit”, thotë ai.

“Edhe nëse këto marrëveshje zbatohen nesër, a na sjellin vërtet më afër marrëveshjes përfundimtare? Nuk jam i sigurt”.

Çfarë sollën 15 vjet dialog?

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nisi në mars të vitit 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, fillimisht për çështje teknike e më pas edhe politike.

Gjatë këtyre viteve, palët arritën marrëveshje për lëvizjen e lirë, njohjen e dokumenteve, regjistrat civilë, doganat, energjinë dhe telekomunikacionin, disa prej të cilave janë zbatuar plotësisht ose pjesërisht.

Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 parashikoi integrimin e strukturave serbe të sigurisë dhe drejtësisë në institucionet e Kosovës, si dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili ende nuk është krijuar.

Në vitin 2023, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e zbatimit në Ohër, por shumica e obligimeve mbeten të papërmbushura.

Pavarësisht marrëveshjeve dhe disa rezultateve praktike, procesi nuk ka çuar në njohjen e ndërsjellë apo në një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve.

BE-ja synon arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme, për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Shtetet e Bashkuara, të cilat mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, kanë mbajtur qëndrimin se normalizimi i marrëdhënieve duhet të çojë drejt njohjes së ndërsjellë.

A ka nevojë BE-ja për një qasje të re?

Kritikat ndaj Brukselit nuk lidhen vetëm me efektivitetin e instrumenteve të tij, por edhe me mënyrën se si i ka trajtuar palët në dialog.

Në vitin 2023, BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të tensioneve në veri dhe veprimeve të Qeverisë që i cilësoi si të njëanshme. Masat kufizuan bashkëpunimin politik dhe një pjesë të mbështetjes financiare.

Sipas raportit të progresit për vitin 2026, ato u hoqën pas transferimit të rregullt të pushtetit lokal në veri, pas zgjedhjeve të vitit 2025.

Autoritetet kosovare e kanë kritikuar BE-në për standarde të dyfishta, duke theksuar mungesën e masave ndaj Serbisë pas sulmit në Banjskë – pretendim që BE-ja e ka hedhur poshtë.

Edhe Vogel vlerëson se Brukseli ka ushtruar më shumë presion ndaj Prishtinës sesa Beogradit.

Sipas tij, dialogu është larguar nga synimi për një marrëveshje përfundimtare dhe është përqendruar kryesisht në menaxhimin e krizave.

“BE-ja duhet ta ndryshojë qasjen, të ndryshojë mënyrën se si sillet me të dyja palët dhe të heqë dorë nga ideja se duhet t’i japim diçka Serbisë që ta pranojë pavarësinë e Kosovës, sepse ky nuk është një lëshim, por pranim i realitetit”, thotë Vogel.

Emini, ndërkaq, ia atribuon ngecjen mungesës së vullnetit politik të palëve, bllokadave institucionale në Kosovë dhe qasjes së Brukselit.

“Në njëfarë mënyre, është krijuar përshtypja se Brukseli është kënaqur me vazhdimin e komunikimit në nivel teknik, ndërkohë që dialogu politik është shtyrë vazhdimisht, për shkak të rrethanave të brendshme në të dyja vendet”, thotë ajo.

A mund të sjellin zhvillimet politike një fillim të ri për dialogun?

Zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe Serbi mund të ndikojnë në të ardhmen e dialogut, por nuk pritet ta zhbllokojnë menjëherë atë.

Kosova ka tashmë një Qeveri me mandat të plotë katërvjeçar, të udhëhequr nga Albin Kurti, e cila u votua në shtator, pas një periudhe të gjatë bllokadash institucionale.

Në Serbi, zgjedhjet e tetorit sollën ndryshimin e pushtetit.

Lista Studentore, e dalë nga protestat kundër qeverisjes, i dha fund sundimit 14-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit.

Ndërsa Serbia është në procesin e formimit të institucioneve të reja, as Emini dhe as Vogel nuk presin takim të nivelit të lartë gjatë pjesës së mbetur të vitit.

Vogel vlerëson se Brukseli duhet të vendosë kontakte me udhëheqjen e re serbe, pa ushtruar menjëherë presion mbi të.

“Do të ishte e çuditshme, në aspektin politik, t’u bësh presion njerëzve që janë më shumë në anën tuaj dhe shumë më konstruktivë – ose të paktën kështu mendojmë se janë – sesa kishim vullnet t’i bënim presion Vuçiqit”, thotë ai.

Megjithatë, sipas tij, do të duhen muaj për të kuptuar orientimin e pushtetit të ri, pasi Lista Studentore përfshin si elemente properëndimore, ashtu edhe proruse e nacionaliste.

Edhe Emini është e rezervuar ndaj pritjeve për ndryshim të politikës së Beogradit ndaj Kosovës.

“Është shumë herët të themi nëse ky ndryshim do të jetë pozitiv apo negativ për procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën”, thotë ajo.

Lista Studentore, ashtu si pushteti i deritanishëm në Serbi, e konsideron Kosovën pjesë të territorit serb, ndonëse ajo ka shpallur pavarësinë në vitin 2008.

Bartësi i saj, Ilija Srdanoviq, i ka thënë më herët REL-it se vazhdimi i dialogut për “çështjen e Kosovës dhe Metohisë” është pjesë e planit të saj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur pritjen që udhëheqja e re në Beograd ta ndryshojë qëndrimin ndaj pavarësisë së Kosovës.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse stabilizimi institucional në Kosovë dhe ndryshimi i pushtetit në Serbi do të sjellin edhe përparim në dialog.

Për BE-në, kjo do të jetë një tjetër provë e aftësisë për t’i kthyer angazhimet politike në zbatim të marrëveshjeve.

‘Çështja Balluku dhe akuzat për korrupsion’ Media franceze për protestat në Shqipëri: Rama ka vendosur diktaturën. Revolta kundër vazhdon

Media franceze “Le Relève et La Peste”, në një artikull të gazetares Chloe Droulez, i ka kushtuar vëmendje protestave në Shqipëri, duke analizuar mënyrën se si një lëvizje e nisur për mbrojtjen e mjedisit është shndërruar në një reagim më të gjerë kundër qeverisë së Edi Ramës.

Artikulli, i titulluar përmes dëshmive të protestuesve që e cilësojnë Shqipërinë si një oligarki, përshkruan zgjerimin e lëvizjes së njohur si “Revolucioni i flamingove”, e cila fillimisht u organizua kundër një projekti turistik luksoz në ishullin e Sazanit dhe zonën e Vjosë-Nartës.

 

Sipas medias franceze, projekti me vlerë rreth 1.4 miliardë euro, i lidhur me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner, ka nxitur reagime për ndikimin e mundshëm në zonat e mbrojtura natyrore dhe për marrëdhëniet mes pushtetit politik dhe interesave private.

Artikulli thekson se lëvizja mori një dimension të ri në mesin e tetorit, kur në protesta iu bashkuan mijëra studentë dhe nxënës të shkollave të mesme.

Ata ngritën shqetësime për tarifat e studimit, kushtet në universitete, sistemin shëndetësor, koston e jetesës dhe mungesën e perspektivës për punësim.

Në shkrim përfshihet edhe dëshmia e një studenteje shqiptare, e cila akuzon kryeministrin Edi Rama për përqendrimin e pushtetit dhe krijimin e një sistemi oligarkik, ku përfitimet ekonomike përqendrohen te njerëzit pranë qeverisë.

Një tjetër çështje e trajtuar nga media franceze është ajo e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe hetimeve të SPAK-ut.

Artikulli përmend akuzat që lidhen me kontrata publike me vlerë mbi 200 milionë euro, të cilat Balluku i kundërshton.

Sipas analizës, kjo çështje është kthyer në një nga temat kryesore të pakënaqësisë publike ndaj qeverisë dhe institucioneve shtetërore.

Media franceze ndalet edhe te përplasjet mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, duke iu referuar dëshmive për përdorim të dhunës dhe ndalime të kundërshtuara nga organizatorët.

Artikulli përmend gjithashtu kallëzimin e paraqitur nga organizata të shoqërisë civile, avokatë dhe qytetarë pranë SPAK-ut, ku kërkohet hetimi i më shumë se 180 rasteve të pretenduara të veprimeve të paligjshme.

Nga ana tjetër, shkrimi thekson se kryeministri Edi Rama ka refuzuar kërkesat për dorëheqje dhe ka përsëritur ftesën për dialog drejtuar studentëve, të cilët deri tani nuk e kanë pranuar atë.

Në fokus është edhe paketa e re e masave të qeverisë për përgjegjësinë financiare të personave që shkaktojnë dëme gjatë protestave, të cilën artikulli e lidh me modelin francez “casseurs-payeurs”.

Në përfundim, “Le Relève et La Peste” e paraqet lëvizjen e flamingove si një mobilizim që ka kapërcyer kauzën fillestare mjedisore dhe është zgjeruar në një protestë me kërkesa politike, ekonomike dhe sociale. gsh

Federata Shqiptare dhe keqleximi i projektit kombëtar: kur polemika zëvendëson argumentin- Nga Dr. Sadri RAMABAJA

 

Një përgjigje polemizuese ndaj një statusi të Bislim Elshanit

 

Shkrimi i Bislim Elshanit, me titullin provokues „Kur dikujt edhe nëna i bëhet motër“, meriton një përgjigje jo thjesht për shkak të tonit të tij polemik ndaj meje, por mbi të gjitha për shkak të mënyrës se si ai e keqlexon, e redukton dhe, në disa raste, e shtrembëron vetë konceptin e Federatës Shqiptare dhe perspektivën politike që ky projekt synon të hapë për të ardhmen e kombit shqiptar.

Në të vërtetë, këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një mospajtim rreth vendndodhjes së një qendre politike apo me një debat mbi raportet simbolike ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës. Kemi të bëjmë me dy mënyra thelbësisht të ndryshme të të menduarit për kombin, shtetin, sovranitetin dhe perspektivën e organizimit politik të shqiptarëve në shekullin XXI.

Njëra qasje kërkon ta ruajë kombin brenda hartës së hierarkive të trashëguara, të supremacive kulturore të pretenduara dhe të rivaliteteve provinciale. Tjetra përpiqet ta mendojë kombin si subjekt politik të aftë për ta tejkaluar fragmentimin historik, pa mohuar asnjë prej përvojave të tij shtetformuese, kulturore dhe politike.

Pikërisht këtu qëndron dallimi themelor.

Elshani e paraqet projektin e Federatës Shqiptare sikur ai të ishte një përpjekje e Prishtinës për t’ia marrë Tiranës rolin historik, kulturor apo politik. Ky është një keqinterpretim që nuk i qëndron as leximit serioz të argumentit tim, as logjikës së vetë projektit federal. Askund në këtë projekt nuk bëhet fjalë për zhvendosjen e kryeqendrës kombëtare nga Tirana në Prishtinë, për përmbysjen e ndonjë hierarkie kulturore apo për vendosjen e Kosovës në pozitën e një qendre të re hegjemone.

Përkundrazi, Federata Shqiptare synon të ndërtojë një kornizë të re të bashkëveprimit politik, institucional dhe strategjik, ku dy entitetet shtetërore shqiptare të mos perceptohen si hapësira rivale, por si pjesë përbërëse të një projekti të përbashkët politik. Ajo nuk është projekt i supremacisë së njërës palë mbi tjetrën, por projekt i tejkalimit të logjikës së rivalitetit ndërmjet tyre.

Një projekt i tillë nuk mund të gjykohet me kategoritë e një nacionalizmi provincial, aq më pak me psikologjinë e frikës nga barazia.

1. Tirana dhe Prishtina: bashkëpunimi nuk është garë për fronin kombëtar

Është e çuditshme se si Elshani, në përpjekje për ta mbrojtur njëfarë supremacie kulturore të Tiranës, përfundon duke i atribuar projektit tim pikërisht atë që ai synon ta kapërcejë: logjikën e supremacisë.

Unë nuk kam pasur nevojë ta zhvendos Piemontin shqiptar nga Tirana në Prishtinë. Për më tepër, në konceptimin tim, çështja e Piemontit politik i përket një faze tjetër historike të formimit të kombit shqiptar. Në shekullin XXI, kur shtrohet çështja e organizimit të ardhshëm politik të kombit, nuk është më produktive të kërkojmë se cili qytet duhet ta sundojë tjetrin, por se si mund të ndërtohet një kapacitet i përbashkët politik, institucional dhe strategjik.

Në librin tim Federata Shqiptare – Kohezioni i shtetit-komb në BE (2016), unë nuk kam propozuar as aneksimin e Kosovës nga Shqipëria, as zhvendosjen e kryeqendrës politike në Prishtinë, madje as në Prizren siç parapëlqente Profesor Ukshin Hoti. Kam argumentuar për një model federal me dy njësi konstituive të barabarta, që ruajnë identitetin dhe kompetencat e tyre kushtetuese, ndërsa bashkojnë gradualisht kapacitete të rëndësishme në politikën e jashtme, mbrojtjen, ekonominë, infrastrukturën dhe fusha të tjera strategjike.

Formula është e qartë: As Shqipëria nuk e absorbon Kosovën, as Kosova Shqipërinë; të dyja së bashku e konstituojnë Federatën Shqiptare.

A mund të kuptohet kjo formulë pa paragjykime ideologjike? Duket se për Elshanin dhe ca “politikanë-veprimtarë” folkloristë që i mbajnë ison, është e vështirë.

Në fakt, këtu qëndron edhe paradoksi i shkrimit të tij: ai pretendon se po mbron unitetin kulturor shqiptar, ndërkohë që e koncepton këtë unitet përmes një hierarkie të ngurtë, në të cilën Tirana duhet të mbetet qendra e padiskutueshme dhe Prishtina duhet të kënaqet me pozitën e periferisë mirënjohëse.

Por kombi nuk është pronë e një kryeqyteti. As historia e tij nuk është monopol i një territori.
Mjafton të shohim përvojën gjermane: as sot e kësaj dite kombi gjerman nuk e proklamon Berlinin si pronar të Gjermanisë, ndonëse ai është kryeqyteti politik dhe institucional i Republikës Federale. Ndërkaq, Vjena, përtej kufijve të Austrisë, vazhdon të konsiderohet një nga kryeqendrat e mëdha të kulturës gjermanishtfolëse dhe një prej metropoleve kulturore të Evropës. Ky është një dallim që mendimi provincial e ka të vështirë ta kuptojë: kryeqyteti politik nuk e përjashton ekzistencën e qendrave të tjera të gravitetit kulturor, intelektual dhe historik. Berlini nuk e zhvlerëson Vjenën, as Vjena nuk ia konteston Berlinit statusin e kryeqytetit politik. Përse, atëherë, në hapësirën shqiptare duhet të prodhohet një rivalitet artificial ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës? Një komb me vetëdije të konsoliduar historike nuk ka nevojë për monopole simbolike, por për pluralizëm qendrash dhe bashkërendim strategjik.

Tirana ka peshën e vet historike, institucionale, kulturore dhe diplomatike. Prishtina ka përvojën e saj të veçantë të shtetndërtimit, të rezistencës politike, të çlirimit dhe të konsolidimit institucional. Asnjëra prej këtyre përvojave nuk e zhvlerëson tjetrën. Përkundrazi, ato janë kapitali historik mbi të cilin mund të ndërtohet një e ardhme e përbashkët.

Të pretendosh se pranimi i barazisë politike të Kosovës në një projekt federal përbën cenim të pozitës së Tiranës, do të thotë të ngatërrosh bashkëpunimin me nënshtrimin dhe barazinë me uzurpimin.

2. Historia e Rilindjes nuk mund të përdoret si pronë ekskluzive e një gjeografie

Elshani i referohet me të drejtë kontributit të qyteteve dhe qendrave të Jugut shqiptar në formësimin e Rilindjes Kombëtare. Korça, Gjirokastra, Berati, Voskopoja, Manastiri dhe qendra të tjera kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e zgjimit kombëtar. Këtë kontribut askush nuk ka arsye ta relativizojë.

Por, çfarë synon të dëshmojë ai me këtë rikthim selektiv në histori?

Nëse synon të tregojë se Rilindja Kombëtare kishte qendra të rëndësishme në Jug, kjo është e vërtetë. Nëse synon të dëshmojë se Prizreni u bë qendër e Lidhjes Shqiptare të vitit 1878 për shkak të rrethanave gjeopolitike të kohës, edhe kjo është pjesërisht e vërtetë. Por, nëse nga këto fakte nxjerr përfundimin se Prizreni nuk kishte ndonjë traditë apo veprimtari kombëtare dhe se roli i tij ishte thjesht një rastësi gjeopolitike, atëherë kemi të bëjmë me një reduktim të papranueshëm historik.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk ishte një mbledhje e rastësishme e disa personaliteteve të shqetësuara vetëm për kufijtë e Perandorisë Osmane. Ajo u shndërrua në një moment themelor të organizimit politik kombëtar, në të cilin mbrojtja e territoreve shqiptare dhe artikulimi i kërkesave për autonomi e organizim kombëtar u ndërthurën në mënyrë të pandashme.

Prizreni nuk u bë simbol kombëtar sepse dikush në Prishtinë deshi ta shpikte një supremaci kosovare. Ai u bë simbol sepse historia e vendosi në një moment vendimtar të organizimit politik të shqiptarëve.

Dhe këtu duhet bërë një dallim elementar: të njohësh rolin historik të Prizrenit nuk do të thotë t’ia mohosh Tiranës rolin e saj; sikurse të njohësh kontributin e Korçës dhe të Gjirokastrës nuk do të thotë ta reduktosh Kosovën në një periferi të historisë kombëtare.

Historia e kombit shqiptar nuk është garë mes qyteteve për të fituar një titull simbolik. Ajo është një proces kompleks, me shumë qendra, shumë bartës dhe shumë momente themeluese.

3. Gramshi nuk është alibi për supremacinë kulturore

Përpjekja e Elshanit për ta mbështetur argumentin e tij te Antonio Gramshi dhe koncepti i hegjemonisë kulturore është veçanërisht problematike.

Hegjemonia te Gramshi nuk është sinonim i superioritetit të përhershëm të një qyteti mbi një tjetër. Ajo lidhet me aftësinë e një force shoqërore për të ndërtuar udhëheqje intelektuale dhe morale, për të krijuar konsensus dhe për të organizuar një projekt të përbashkët shoqëror e politik.

Të përdorësh Gramscin për të dëshmuar se Tirana duhet të ketë epërsi të përhershme ndaj Prishtinës, do të thotë ta reduktosh një teori komplekse të pushtetit dhe të organizimit shoqëror në një argument provincial për hierarkinë kulturore.

Po, Tirana ka qenë gjatë një pjese të madhe të shekullit XX qendra kryesore institucionale, politike dhe kulturore e shtetit shqiptar. Kjo është e kuptueshme edhe për shkak të pozitës së saj si kryeqytet i Shqipërisë. Por, nga ky fakt nuk rrjedh ndonjë e drejtë historike apo teorike për të monopolizuar të ardhmen politike të kombit.

Për më tepër, një projekt federal serioz nuk e mohon rolin e qendrave kulturore dhe institucionale. Ai kërkon t’i vendosë ato në një marrëdhënie të re bashkëpunimi, duke krijuar mekanizma të përbashkët të vendimmarrjes dhe të prodhimit të kapaciteteve strategjike.

Prandaj, nëse dikush dëshiron ta përdorë Gramshin në këtë debat, do të ishte më e dobishme të pyeste: si ndërtohet një hegjemoní demokratike e projektit të përbashkët kombëtar, pa e shndërruar atë në dominim të një pjese mbi tjetrën?

Kjo është pyetja që meriton përgjigje akademike. Jo nëse Prishtina po ia merr Tiranës fronin e imagjinuar.

4. Statusi ndërkombëtar i Kosovës: një argument juridik i përdorur jashtë kontekstit

Një tjetër problem i argumentimit të Elshanit është mënyra se si ai e përdor faktin që Kosova nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për ta vënë në pikëpyetje barazinë e saj politike në projektin federal.
Këtu kemi një ngatërrim ndërmjet statusit ndërkombëtar, njohjes universale dhe kapacitetit kushtetues të një shteti.
Kosova është shpallur shtet i pavarur më 17 shkurt 2008. Ajo ka institucione shtetërore, rend kushtetues, territor dhe kapacitet për të ushtruar pushtetin publik. Mungesa e anëtarësimit në OKB është një kufizim real i subjektivitetit dhe i përfaqësimit të saj ndërkombëtar, por nuk përbën vetvetiu argument juridik për mohimin e shtetësisë së saj.

Opinioni këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i 22 korrikut 2010, për më tepër, nuk konstatoi shkelje të së drejtës ndërkombëtare nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.
Por, edhe përtej kësaj, argumenti i Elshanit e humb krejtësisht objektin e vet kur përpiqet ta përdorë statusin aktual ndërkombëtar të Kosovës si pengesë për të menduar një rend të ardhshëm kushtetues.

Nëse shtetet nuk do të mund të projektonin të ardhmen e tyre përtej kufizimeve të pozitës aktuale ndërkombëtare, atëherë vetë historia e federalizmit dhe e integrimit evropian do të ishte e pakuptueshme.

Federata Shqiptare nuk është projekt për ta fshirë subjektivitetin e Kosovës, por për ta vendosur atë në një arkitekturë të re kushtetuese, mbi bazën e barazisë së njësive konstituive dhe të koordinimit të sovranitetit.
Në këtë kuptim, projekti im është më afër logjikës së federalizmit evropian dhe modeleve bashkëkohore të ndarjes e ushtrimit të kompetencave sesa logjikës së shtetit unitar dhe të centralizimit klasik.
Kjo është arsyeja pse unë e kam konceptuar Federatën Shqiptare si një model të tretë: ndërmjet bashkimit klasik, që nënkupton eliminimin e subjektivitetit të njësive ekzistuese, dhe integrimit të pjesshëm, që i lë kapacitetet strategjike të fragmentuara.
Ajo është një perspektivë e integrimit gradual funksional, që mund të zhvillohet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, me orientimin euroatlantik dhe me arkitekturën e Bashkimit Evropian.

Të mos e kuptosh këtë dallim është një mangësi teorike. Të pretendosh se ai nuk ekziston është diçka tjetër.

Titulli i shkrimit të Elshanit, me referencën e tij ndaj kompleksit të Edipit, synon të krijojë një efekt psikologjik dhe polemik. Ai e paraqet marrëdhënien ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë si një marrëdhënie të deformuar familjare, në të cilën disa intelektualë kosovarë, sipas tij, vuajnë nga një lloj konflikti me figurën e nënës politike – Shqipërinë.

Por, nëse do ta merrnim seriozisht këtë metaforë dhe do ta zhvendosnim nga sfera e retorikës në atë të analizës psikoanalitike, atëherë do të duhej të shtronim një pyetje tjetër: A nuk mund të jetë edhe vetë këmbëngulja për ta ruajtur një hierarki të përhershme ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës shprehje e një pasigurie identitare, e një nevoje për ta konfirmuar vazhdimisht epërsinë e njërës palë ndaj tjetrës?

Pse barazia politike e dy njësive shqiptare duhet të interpretohet si rebelim kundër nënës? Pse kërkesa për një rend të përbashkët institucional duhet të shihet si përpjekje për uzurpim? Dhe, mbi të gjitha, pse ideja e një partneriteti të barabartë shkakton një reagim kaq emocional?
Sigurisht, nuk është detyrë e një polemike politike të diagnostikojë autorin e saj. Nuk kam as pretendimin, as interesimin të bëj një diagnozë psikologjike të Bislim Elshanit. Por, nëse ai e konsideron të lejueshme ta përdorë psikanalizën si armë polemike kundër të tjerëve, atëherë duhet të pranojë se e njëjta metodë mund të shtrojë pyetje edhe për motivet që fshihen pas reagimit të tij.

Në këtë kontekst, nuk mund të përjashtohet as mundësia që polemika e tij të ushqehet nga një lloj xhelozie intelektuale apo nga një papajtueshmëri personale me pozicionin tim publik dhe akademik. Por këto janë hipoteza që kërkojnë analizë, jo përfundime që mund të shpallen pa prova.
Më e rëndësishmja është se personalizimi i debatit nuk e zgjidh problemin teorik që ai vetë ka hapur.

Unë preferoj që debati të mbetet në rrafshin e ideve, argumenteve dhe projekteve politike. Aty ku një tezë mund të testohet, të kundërshtohet dhe, nëse është e nevojshme, të rrëzohet me argumente.

6. Një problem edhe më i madh: frika nga barazia dhe projekti i përbashkët

Në thelb, shkrimi i Elshanit zbulon një problem më të thellë të mendimit politik shqiptar: vështirësinë për ta konceptuar kombin përtej kufijve të dy shteteve ekzistuese dhe përtej hierarkive simbolike që kanë prodhuar historitë e tyre të veçanta.

Për një pjesë të elitës intelektuale në Tiranë, çdo propozim që e vendos Kosovën në pozitën e një partneri të barabartë duket se përmban një lloj sfide ndaj statusit të Shqipërisë si shteti amë. Për një pjesë të elitës në Prishtinë, nga ana tjetër, ekziston rreziku që përvoja e veçantë e shtetndërtimit të Kosovës të shndërrohet në një argument për distancim të përhershëm nga Shqipëria.
Të dyja këto qasje janë problematike.
Federata Shqiptare synon ta kapërcejë këtë dilemë të rreme.

Ajo nuk kërkon ta vendosë Prishtinën mbi Tiranën, por as ta mbajë Prishtinën në varësi politike e simbolike të Tiranës. Ajo synon një rend të ri të bashkëpunimit, në të cilin barazia kushtetuese e njësive përbërëse dhe ndarja racionale e kompetencave krijojnë mundësinë për një subjektivitet të përbashkët strategjik.

Në një kohë kur rendi ndërkombëtar po përjeton transformime të thella, kur fuqitë e mëdha po rishikojnë interesat dhe pozicionet e tyre strategjike, kur Evropa po përballet me nevojën për të rritur kapacitetet e veta të sigurisë dhe konkurrueshmërisë, shqiptarët nuk mund ta përballojnë luksin e fragmentimit të përhershëm të potencialit të tyre politik, ekonomik dhe njerëzor.
Kjo nuk është çështje romantike e nostalgjisë kombëtare. Është çështje e racionalitetit strategjik.

Një hapësirë shqiptare më e integruar në ekonomi, energji, arsim, infrastrukturë, mbrojtje dhe diplomaci do të kishte peshë tjetër në raport me BE-në, NATO-n dhe aktorët e tjerë ndërkombëtarë.
Prandaj, Federata Shqiptare duhet të kuptohet si projekt afatgjatë i ndërtimit të kapaciteteve të përbashkëta, jo si aventurë e ndryshimit të kufijve apo si garë për pushtet ndërmjet dy kryeqyteteve.

Kush e redukton këtë projekt në pretendimin se Prishtina dëshiron ta pushtojë Tiranën, nuk po polemizon me konceptin tim. Po polemizon me një konstrukt të vetin, të prodhuar nga paragjykimet e veta.

7. Në vend të përfundimit: Kombi nuk ka nevojë për tutorë, por për vizion

Në fund, do të doja t’i parashtroja Bislim Elshanit një pyetje që shkon përtej polemikës sonë personale:
A kemi nevojë sot për një mendim politik shqiptar që e mbron me fanatizëm hierarkinë e dikurshme ndërmjet qendrës dhe periferisë, apo për një mendim që e përgatit kombin për sfidat e shekullit XXI?

Nëse Tirana është aq superiore në filozofi, kulturë, arte, diplomaci dhe shkenca, siç pohon zëshëm Elshani, për çka pjesërisht pajtohem, atëherë pse duhet të shqetësohet nga një projekt që e fton atë të bëhet pjesë e një bashkëpunimi të barabartë me Prishtinën?

Superioriteti i vërtetë intelektual nuk ka nevojë të mbrohet me deklarata supremacie. Ai dëshmohet përmes prodhimit të ideve, përmes aftësisë për të ndërtuar institucione dhe përmes kontributit në zhvillimin e shoqërisë.

Tirana nuk humb asgjë nëse Prishtina bëhet më e fuqishme institucionalisht. Përkundrazi, të dyja fitojnë nëse krijojnë mekanizma të përbashkët të vendimmarrjes dhe të veprimit strategjik.
As Prishtina nuk fiton duke pretenduar epërsi ndaj Tiranës. Ajo fiton duke u bërë pjesë e një projekti që e tejkalon logjikën e rivalitetit.
Kjo është filozofia politike e Federatës Shqiptare.
Dhe këtu qëndron edhe dallimi ndërmjet një mendimi që kërkon ta ruajë të kaluarën si hierarki dhe një mendimi që përpiqet ta shndërrojë historinë në kapital për të ardhmen.

Nuk kam pretenduar kurrë se e kam fjalën e fundit për organizimin e ardhshëm politik të kombit shqiptar. Por kam bindjen se kjo çështje meriton debat serioz, akademik dhe strategjik, jo karikatura, etiketime psikologjike dhe ironi provinciale.

Kombi shqiptar nuk ka nevojë për një kryeqytet që ta trajtojë tjetrin si periferinë e vet. Ka nevojë për dy shtete që dinë ta ndërtojnë së bashku të ardhmen e tyre.

Nëse kjo quhet, sipas Elshanit, dëshirë për ta zhvendosur Piemontin nga Tirana në Prishtinë, atëherë problemi nuk qëndron te projekti i Federatës Shqiptare. Problemi qëndron te pamundësia për ta imagjinuar kombin përtej hierarkive të vjetra.
Dhe, në këtë pikë, ndoshta nuk është Prishtina ajo që duhet të bëjë një reflektim më të thellë për raportin e saj me Tiranën.

Opozita fituese- Burimi: PD dhe partitë e vogla nuk kishin nevojë për sondazh që të kuptojnë që bashkimi bën fuqinë

I ftuar në emisionin e mëngjesit ‘Kafe Shqeto’ në Syri tv ka qenë gazetari Genc Burimi.

Ai ka komentuar rezultatet sondazhit te fundit ku opozita e bashkuar  del fituese ne Tiranë dhe tha se PD dhe partitë e tjera të opozitës nuk kishin nevojë për sondazh për ta kuptuar që bashkimi bën fuqinë.  

Flavio Qarri: A me duket mua apo është shqetësues shifra 42 për qind e popullsisë që ende mund të votojnë PS.

Genc Burimi: Do të them tre gjera. Gjëja e parë, nuk e kam zakon të bëj komplimente por komplimentoj Boçin për kurajën e tij sepse nuk është e lehtë në këtë moment në PD ka shumë mendime ka shumë rryma. Por ajo që tha Boçi që linja sot është rrëzimi i kësaj qeverie, bravo.

Gjëja e dytë. Në një vend si Shqipëria ku nuk besoj unë tek zgjedhjet, nuk besoj as tek sondazhet. Dhe sot në momentin që flasim, nuk mund të rrimë pa folur për atë leksion të madh demokracie që demokracia më e madhe e botës, i jep botës. Kur je i zhgënjyer, nuk ka më debate, joi po demokratë nuk kanë program, janë të përçarë, jo po kështu, jo po ashtu.

Kur një popull është i zhgënjyer, të fshin.

Për pyetjen tende. Ku sondazh ka një vlerësim pozitiv për ata që dyshojnë, PD është partia e parë në opozitë për gjithë këto partiçkat e vogla që kishin dyshime. Për të gjithë këto që flasin nëpër  mitingje, Rama në burg, Berisha në burg, PD në burg, PS në burg etj etj…. Do s’do është partia e parë. Lajmi i dytë është lajm i keq. Si është e mundur në këtë vend ku zhgënjimi ndaj Ramës është 1 mijë fish me pak fjalë.

Kjo parti që ka bërë gjëra antishqiptare të jetë sot 42 për qind, te jetë sot partia e parë në vend. Kjo për mua është një nonsens.

Është një leksion. PD nuk kishte nevojë për këtë sondazh për ta ditur, por as partitë e vogla që sigurisht bashkimi bën fuqinë dhe sigurisht nje front i bashkuar është më efikas me mazhoritar se sa partitë e shpërndara dhe të izoluara. Ky sondazh të trajtohet me atë vlerë që ka. Është një sondazh i bërë në një vend ku nuk ka zgjedhje të lira dhe ku nuk ka fjalë të lirë. Pra edhe ata që pyeten, jo vetëm në kuti votimi por edhe me zë nuk besoj që janë po aq të lirë. Frika ekziston. Kur ti i çon në burg ministrin e Drejtësisë, imagjino çfarë mund ti bësh një personi që thotë në sondazh  nuk e dua PS. Kështu që unë e relativizoj.

Flavio Qarri: Pra ju mendoni që mund të ishte më i thellë avantazhi i opozitës nëse do të kishim zgjedhje të lira dhe të ndershme?

Genc Burimi: Zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe fjalë të lirë dhe të ndershme. Komplet. Nuk mundet Flavio që PS të jetë partia e parë në vend në sondazh. Është një nonsens. Do të kishim parë dëgjuar, ndjerë. Është e pamundur. Shikoni edhe njëherë këtë hendek të thellë më SHBA. Janë të pakënaqur e rrezojnë. Dua të them që një zemërim popullor në një vend demokratik menjëherë të përkthehet në votë. Vetëm në Shqipëri ndodh ndryshe. Edhe ky sondazh është një shtojcë për mendimin tim për mënyrën se si votojnë apo mënyrën si lejohen të votojnë. Frika ka hyrë kaq thellë nëpër shpirtra nuk kanë guxim. 42 për qind PS, është e pamundur. Nëse duam të bëjmë zgjedhje, duhet një qeveri teknike. Por të mos harrojmë që qeveria teknike është një kosto për një vend, pasi ata janë njerëz që nuk janë politikë. Që nuk mbajnë përgjegjësi, që nuk janë të zgjedhur. Por është një kosto, por vetëm nëpërmjet qeverisë teknike ti ke garancinë se këta njerëz votojnë të lirë si në SHBA. Sondazhi më i mirë është kutia e votimit…


Send this to a friend