Zv/kryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, së bashku me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë të përbashkët për media kanë folur rreth zhvillimeve të fundit nga situata e krijuar pas ofensivës ruse në Ukrainë, si dhe për rastin e arrestimit të tre shtetasve serb nga Policia e Kosovës.
Ky konflikt, tha zv/kryeministri Bislimi, na tregoi se sa i rëndësishëm është krijimi i një fronti të përbashkët mes të gjitha demokracive për të pamundësuar që iniciativat e tilla ushtarake të finalizohen me sukses.
“Ne i kuptojmë edhe brengat e miqve ndërkombëtarë që thirrin për më shumë vigjilencë në vendet e Ballkanit Perëndimor, meqë destabilizimi nga ana Serbisë është i mundur dhe i njëjti mund të jetë edhe në favor të zhvendosjes së vëmendjes kah konflikti në Ukrainë”, tha Bislimi.
Një nga elementet që shfaqin skenarët e mundshëm për destabilizim të rajonit nga Serbia, tha zv/kryeministri Bislimi, mund të jetë edhe rasti i arrestimit të tre shtetasve serb të cilëve u gjetën pesë emblema të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Për këtë çështje, ministrja Haxhiu, e cila dha më shumë detaje, tha se sipas informacioneve nga institucionet e sigurisë, personat e dyshuar kanë hyrë nga Serbia në Kosovë në po të njëjtën ditë, përkatësisht të shtunën, kanë tërhequr shuma të konsiderueshme të parave dhe më tutje kanë shkuar për të blerë veshmbathje ushtarake në një nga dyqanet në Prishtinë.
“Institucionet e sigurisë kanë informacione se njëri, të paktën njëri nga personat e shoqëruar në polici, ka komunikime të shumta me persona nga Federata Ruse, individë të strukturave të inteligjencës serbe. Prandaj, kanë mjaftuar këto informacione për të rritur dyshimin se personat në fjalë, bashkë me strukturat e Serbisë, të përgatisnin ndonjë aktivitet që do të cenonte sigurinë dhe do të shtonte tensionet në Republikën e Kosovës”, theksoi Haxhiu.
Përkundër këtyre informacioneve, ministrja Haxhiu theksoi se “Prokuroria fatkeqësisht ka liruar në procedurë të rregullt personat e dyshuar”, veprim të cilën e konsideroi të çuditshëm dhe të befasishëm dhe “injorim të ndonjë rreziku të mundshëm ndaj cenimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës”.
“Ne kërkojmë nga institucionet e vendit që sidomos gjatë këtyre rrethanave të krijuara, por natyrisht jo vetëm, mirëpo sidomos për shkak të rrethanave të krijuara pas agresionit rus ndaj Ukrainës dhe rreshtimit të Serbisë krah Rusisë, pra në mbështetje të hapur të agresionit rus mbi Ukrainën, të kenë bashkëpunim të fuqishëm dhe jo injorim të rreziqeve të mundshme”, theksoi ministrja kosovare.
Ajo tha se vetëm me bashkëpunim ndërinstitucional mund të mbrohen qytetarët, por edhe vetë Republika e Kosovës.
Ndryshe, të shtunën në orët e pasdites në Prishtinë, Policia e Kosovës shoqëroi në Stacionin e Policisë tre shtetas serb, pasi që gjatë kontrollit të veturës atyre iu gjetën pesë emblema të UÇK-së.
Sipas informacioneve nga institucionet e sigurisë, personat e dyshuar kishin hyrë nga Serbia në Kosovë në po të njëjtën ditë, duke tërhequr shuma të konsiderueshme të parave dhe më tutje kanë shkuar për të blerë veshmbathje ushtarake në një nga dyqanet në Prishtinë.
Personat në fjalë, sipas institucioneve të sigurisë, nga kamerat janë parë duke u interesuar për të blerë veshmbathje ushtarake dhe uniforma, por edhe çizme, mirëpo për shkak se policia kishte rastisur në vend të ngjarjes, ata kanë blerë vetëm pesë emblema të UÇK-së. AA
Komentet