“Sa e freskët është fryma e erës!”
Paqja është çdo hap.
Dhe kjo e bën rrugën e pafund të gëzueshme.”
(Thich Nhat Hanh, Paqja është çdo hap )
Lamtumirë Thich Nhat Hanh, murgu pacifist që pati ndikimin e tij tek Martin Luther King.
Ai kishte kaluar 39 vjet në mërgim. I njohur për përpjekjet e tij kundër Luftës së Vietnamit.
Ai u shua sot në moshën 95-vjeçare dhe ishte një nga dëshmitarët më autoritativë të Budizmit.
Thich Nhat Hanh, një murg budist vietnamez, më i popullarizuari në mesin e mjeshtërve të Zenit dhe dëshmitar i Buddha Dharma.
Për dekada të tëra jetoi në mërgim i njohur për angazhimin e tij pacifist në vitet gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë.
Ishte mik i Martin Luther King-ut, ishin dy gjigandë.
Në vitin 1964, gjatë Luftës së Vietnamit Thich Nhat Hanh u arrestua dhe u torturua;
Ai u vendos në një distancë të barabartë nga qeveritë e Vietnamit të Veriut dhe të Vietnamit të Jugut dhe krijoi lëvizjen e rezistencës jo të dhunshme të “Korpusit të Vogël të Paqes” që përbëhej nga grupe laikësh dhe murgjish që shkonin nëpër fshatra për të krijuar shkolla, spitale dhe për të rindërtuar fshatrat e bombarduara, pavarësisht se sulmoheshin nga të dyja palët (Vietkong dhe Shtetet e Bashkuara), pasi të dyja palët i konsideronin aleatë të armikut të tyre.
Në vitin 1967, ndërsa ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ai u takua me Martin Luther King, i cili pasi e takoi, e propozoi Thich Nhat Hanh për çmimin Nobel për Paqe dhe publikisht mbajti qëndrim kundër luftës në Vietnam.
Dy vjet më vonë, Thich Nhat Hanh në mërgim themeloi Delegacionin Budist të Paqes dhe mori pjesë në negociatat e paqes në Paris.
Pas nënshkrimit të marrëveshjeve, atij iu refuzua leja për t’u kthyer në vendin e tij nga qeveria komuniste.
Më pas u vendos në Francë, ku në vitin 1982 themeloi Plum Village, një komunitet murgjsh dhe laikësh, burrash e grash pranë Bordos, ku jetoi dhe mësoi artin e të jetuarit në vetëdije.
Ai u kthye në Vietnam tre vjet më parë.
Lajmi për vdekjen e tij u dha nga Plum Village, organizata e tij e manastireve që është përhapur në të gjithë botën, veçanërisht në Perëndim.
Kthimi i tij në vendlindje u bë pas goditjes që pësoi në tru çka shkaktoi humbjen e të folurit dhe e la gjysmë të paralizuar.
Kështu ai u kthye për të jetuar në tempullin e Tu Hieu, aty ku filloi studimet në moshën 16-vjeçare.
Ai bëri vetëm një vizite të autorizuar nga qeveria vietnameze vetëm në vitin 2015 dhe e lejuan të kthehej vetëm kur ishte thuaj i paralizuar dhe pa gojë.
Gjatë 39 vjetëve në mërgim, Thich Nhat Hanh përveç themelimit të rrjetit të manastireve (më i madhi në Francë, afër Bordosë me rreth 200 murgj dhe murgesha), ai shkroi 130 libra kushtuar kryesisht konceptit të “ndërgjegjësimit”.
Është një gjendje, e cila arrihet përmes meditimit dhe që të çon jo në izolim siç mund të mendohet, por në një rol më aktiv në botë.
“Ndërgjegjësimi”, sipas Thich Nhat Hanh, “nuk është një arratisje nga shoqëria, por një kthim tek ne për të parë se çfarë ndodh.
Pasi të shihet kjo, duhet të ketë veprim. Me vetëdije ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë për të ndihmuar dhe çfarë nuk duhet të bëjmë”.
Ja disa aforizma nga murgu pacifist
“Nuk ka rrugë drejt lumturisë – lumturia është rruga.
Praktika e paqes dhe e pajtimit është një nga veprimet më vitale dhe artistike të njeriut.
Shpresa është e rëndësishme sepse mund ta bëjë momentin e tanishëm më pak të vështirë për t’u përballuar. Nëse besojmë se nesër do të jetë më mirë, sot mund të përballojmë një vështirësi.
Në një dialog të vërtetë, të dyja palët janë të gatshme të ndryshojnë.
Shumë njerëz janë gjallë, por nuk e kuptojnë mrekullinë e të qenurit gjallë.
Të mos kesh frikë është jo vetëm e mundshme, por është gëzimi i fundit. Kur e prek jofrikën, je i lirë.”/Elida Buçpapaj
Komentet