Përfundon protesta e opozitës e organizuar në Gjakovë. Ashtu edhe siç u paralamjërua, ishte e qetë dhe paqësore. Policia e Kosovës kishte parashikuar se do të mblidhen 5 mijë qytetarë, por ende nuk dihet numri i saktë i të pranishmëve. Para tyre mbajtën fjalime liderët e partive opozitare, duke përsëritur mesazhin kryesor: Marrëveshjet nuk kalojnë.
Manifestimi i opozitës filloi në ora 13:00 me fjalimin e kryetarit të AAK’së në Gjakovë, Ardian Gjini. Në fjalimin e tij ai ka thënë se asnjëherë në Gjakovë nuk ka parë më shumë njerëz në një manifestim.
“Unë këtu nuk po shoh vetëm përkrahës të opozitës, por edhe qytetarët të thjeshtë që po i kundërshtojnë marrëveshjet”.
Pas Gjinit, mbajti fjalim Driton Çaushi nga LVV dhe Fazli Hoxha nga Nisma për Kosovën. Me të përfunduar fjalimet kryetarët e këtyre degëve në Gjakovë, u ftuan liderët e partive opozitare.
I pari që mbajti fjalim ishte Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, duke thënë se nuk do të ndalen deri sa t’i thuhet jo marrëveshjeve të dëmshme për Serbinë.
“ Asgjë nuk do të na ndalë. Nuk do të ndalemi derisa t’i thuhet jo marrëveshjeve të dëmshme më Serbinë. Nuk do të na mbyll gojën askush”, ka thënë Limaj.
Të njëjtin mesazh e kishte edhe Visar Ymeri. Edhe ai i tha qytetarëve në Gjakovë që marrëveshjet nuk do të kalojnë. Ai tha se Gjakova ishte e para që i tha Jabllanovicit shporru dhe e para që është duke i thënë JO marrëveshjes për Zajdenicën dhe Demarkacionin.
““Gjakova i tha e para Jabllanovicit shporru dhe ai u shporr. Sot, Gjakova po i thotë jo marrëveshjeve dhe ato natyrisht nuk do të kalojnë”, ka thënë Ymeri. Isa Hashimi janë kryepolicët e Zajednicës që qytetarët nuk mund t’i durojnë. Ne nuk heshtim. Kosova nuk e duron e as s’i pranon marrëveshjet me Serbinë e Malin e Zi”, ka thënë Ymeri.
Kurse i fundit që mbajti fjalim ishte Ramush Haradainaj, kryetari i AAK’së. Ai ka thënë se Gjakovën e kanë zgjedhë që t’i nisnin manifestimet sepse nga ky vend janë dhënë shumë mesazhe për Kosovën.
Haradinaj ka thënë se nuk do të lejojnë që pushteti ta ndajë vendin dhe të falë tokë.
“Ju kemi ftuar sot këtu, edhe pse keni plagë në trup e në shpirt, sepse nga Gjakova, nga çdo familje e juaj, nga ky shesh buron liria, buron pavarësia. Sovranitetin, Kushtetutën, territorin e Kosovës e keni larë me gjakun tuaj! ‘Kosova është gjaku im që nuk falet’ – ka thënë Ali Podrimja. Përjetësisht mirënjohje sakrificës së bashkëkombasve tanë për liri. Shumë faleminderit për vendosmërinë tuaj, për vendimin tuaj për të qenë bashkë sot, këtu në këtë shesh, për t’iu thënë JO marrëveshjeve të dëmshme”, ka thënë Haradinaj.
Në fund, tre liderët shtuan se manifestime do të ketë në qytetet kryesore të Kosovës për të kundërshtuar marrëveshjet./Express/
Komentet