VOAL

VOAL

Një gërshet shkronjor për ditën e bukur të lindjes – Nga Namik Selmani

January 13, 2022

Komentet

7 PRILLI I TONINIT – Nga Albert HABAZAJ

 

Rrah mendjen… Kam tri ditë e dy net

Për të bukurën datëlindje të Toninit,

Vallë ku e gjejmë ne këtë të drejtë

T’i themi vetëm: ditë e zezë – 7 prillit.

 

Unë ndjej frymëmarrjen e një 7 prilli tjetër

Frymëmarrje të lirë, të plotë me lirika Drini:

Frymëmarrje vëllai me aromë nesër

Frymëmarrje të thellë me lulëzim prilli.

.

Frymëmarrjen e poetit që më ngjan si kreshnik,

Me dallgë të fuqishme dhe valë të arta,

Që i dhemb Atdheu nga bajlozi tek derdh rrezik

Tek na shkul rrënjët e na bën të prapa.

 

7 prilli një mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë

S’ka të bëjë me ditën e pushtimit,

Është i kaltër, si dritë shpirti vërtet

Është ditëlindja e vëllaut shpirtnor – Toninit.

 

Ai zadrimori lab, gjadrasori nga Mirdita

Është unë më i mirë në një trajtë tjetër,

Ishim të vegjël, të blertë u rritëm për Atdhe e libra

Mateshim me shqiponja, jo në vath me kecër.

 

Dashurinë për atdhe e kemi të pakufijtë

Me shpirt e me zemër, me trup e me vargje,

Unë jam marsian, ai është i prilltë

Ushtarë të përjetshëm për të shenjtat pragje.

 

E nuk kam pse të druhem e të vuaj

Ankthin e shpatës së Demokleut,

Kam 7 prillin e Toninit të dashtun dhe e quaj

Ditën e Vëllait mbi këtë faqe të dheut.

Tërbaç – Vlorë, e premte; 10 prill 2026.

JU MBANI BOTËN NË DUAR- Nga Albert HABAZAJ

Reflektim dhe nderim për 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Grave
(Nisem nga Tërbaçi im të thur këtë këngëz për vajzat, gratë dhe nënat e Labërisë,
Vlorës dhe Shqipërisë sonë, brenda dhe jashtë kufijve zyrtarë)
.
Vajza, gra, nëna e gjyshe,
Jeni Shqiponja Tërbaçi,
S’ka se si të jeni ndryshe
O mëllëri nga kulaçi.
.
Kulaç malli, dashurie
Për shtëpi e për Atdhe,
Mbushur me mjaltë mirësie
Shenjtore me frymë për ne.
.
Gremisni paragjykime
Luftoni për botë të re,
Ju s’njihni ditë për pushime
Amazona si rrufe.
.
Sot ne u themi gëzuar,
Pse mos t’u themi përditë?!
Ju mbani botën në duar,
Ju botës i jepni dritë.
.
Ju jeni urata vetë,
Luftëtare shumë trime,
Pastroni qiellin nga retë
Shqiponja në fluturime.
.
Kolona virtyti, nderi
Kurora të dinjitetit,
Pasqyra, ku thyhet terri,
Sheh veten sinqeriteti.
.
Bija, motra, nuse, dada
Nga ju ka frikë ligësia,
Se ju çani barrikada
A u faltë Perëndia!

MËSUESI – MISIONAR DRITE – Nga ALBERT HABAZAJ

“Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë” (Konfuci)
.
Kur nxënës ne kemi qenë
Mësuesi quhej prind i dytë,
Dinjiteti i tyre kishte vlerë,
Si mësuesit s’kishte të dytë.
.
Ata qenë të mençur shumë,
Qenë si male hyjnorë,
Ata qenë diell në furtunë,
Një nga një u bën’ meteorë.
.
Mësuesit më ikën një nga një,
Fisnikët e mi të lartë,
I kam, dhe pse s’ua dëgjoj atë zë,
Në frymëmarrjen time dit’ e natë.
.
Ku t’i gjej t’u puth fjalën
Siç puth Dheun e Flamurin,
Si bregu i detit pret valën
Pres urtësinë e tyre të Burrit.
.
Mrekulli mund të ndodhë vërtet
Të bëhem sa një e mijta e tyre,
Ata erdhën e ikën profetë,
Dhe zbukurojnë qiellin me yje.
.
Nderim mësuesve të mi
Më të mirëve në botë,
Baras qenë me Perëndi,
Diell që thyen çdo shqotë.

Rrugëtim jete- Nga Namik Selmani

Poetit Neki Lulaj me rastin e ditëlindjes së tij
Bërliqi
të mësoi Alfabetin e pagabuar të Odës e  Kullës
Aty dëgjove urimet që kishin shijen më të ëmbël
Kur
shkove në botë e të doli brazda e parë e rrudhës
I fute
ato në kasafortën e mallit, vargut  e të ëndrrës.
Aty
preke me mollëza duar nëne gjysheje,  bacaloku.
Ah
 që s’kishe kurorë floriri t’ua jepje dhuratë.
Para
varfërisë dhe luftës u bëre strehë zogu
Pranë
çiftelisë e lahutës të vinin heronjtë në radhë.
Sot,
ke nostalgji për abetaren e thinjat e para
A
për hapin djalëror  që e uli vrullin në udhë.
Jetuam, vëlla
e lamë pas mijëra dëshira të bardha
Lamë
tringëllima zilesh mërgimtare si oxhaku me prush.
Lamë
ca fjalë të pathëna për ata që shpejt na ikën.
mbetën si frymë ku mbin gruri e çelën qershitë sythe.
Prekje
mallin për prindër, teksa nisje i bekuar ditën.
U bëre
karvanar i mëmëdheut si dallëndyshe.
I gjakose
pak gjunjët në shtigje, në gurë të thiktë a ferra.
Ke
lotuar si fëmijë nga gëzimi i babait e nga dhimbja
Në vite
Mijëra trasta emocionesh të vuri në zemër jeta
Me
besën ndaj truallit me ty u bë binjake rilindja.
Brenda vetes
vure male, dete, libra, dogana, avionë.
Me shkronjë shqipen
jeta të bëri si amëze në kohëra.
ditëlindje ditarët e shpirtit i mallshëm shfleton
Ballë
botës së zhurmshme më e dashur të bëhet Kosova.
Spyer,13 janar 2026

Urim për ditëlindjen e 87 të prof. Eshref Ymerit- Nga Kujtim Mateli

Nga Kujtim Mateli
25 Dhjetori është ditë e shënuar për njerëzimin, është dita e lindjes së Krishtit. Por ne miqtë e prof. Eshref Ymerajt ndihemi dyfish të gëzuar, festojmë ditëlindjen e tij. Prof. Eshref Ymerajt, u lind në Mesaplik të Labërisë më 25 dhjetor të vitit 1938.  Sivjet, në këtë datë, festojmë 87 vjetorin e ditëlindjes së tij.  I urojmë dhe 100 vite të tjera, njeriut të shquar që gjithë jetën punoi për të lartësuar vlerat e Atdheut tonë. Si njeri me njohuri të thelluara shkencore në fushë të gjuhësisë dhe historisë, dy nga fushat që janë shtylla kurrizore e identitetit tonë kombëtar, prof. dr. Eshref Ymeri ka dhënë një kontribut të çmuar, të papërsëritshëm, që do të mbetet në kurorën e vlerave që janë krijuar dhe do të krijohen edhe në të ardhmen.
Prof. Eshref Ymeri është autor i një numri të konsiderueshëm veprash shkencore, si dhe i katër fjalorëve frazeologjik dy gjuhësh:  “Fjalor frazeologjik italisht-shqip” (me bashkautorë, 2007), me mbi 15 mijë zëra; “Fjalor frazeologjik rusisht-shqip” (2015), me mbi 25 mijë zëra; “Fjalor frazeologjik anglisht-shqip” (2019), me rreth 25.500 zëra; dhe “Fjalor frazeologjik frëngjisht-shqip” (me bashkautor, 2021), me mbi 40 mijë zëra, si dhe i disa fjalorëve të tjerë. Një numër i konsiderueshëm shkrimesh studimorë për gjuhën shqipe, e kanë lartësuar  figurën e tij si gjuhëtar i përmasave kombëtare.  Katër fjalorët frazeologjik dy gjuhësh, bashkë me kryeveprën e tij: ”Fjalor frazeologjik i gjuhës shqipe”, Tiranë 2022, me 19.300 shprehje frazeologjike, një nga veprat më të rëndësishme në gjuhën shqipe, përbëjnë veprën madhore monumentale që ky autor i dha gjuhës shqipe dhe popullit të vet, i strukturuar në 1204 faqe, një pasuri që do të jetë themeli mbi të cilin do të ngrihen studimet e tjera të mëtejshme. Një vepër ka vlera, kur interesin për të e kanë jo vetëm bashkëkohësit e tij, por kur pasardhësit i drejtohen asaj. Të evidentosh vlerat e gjuhës shqipe, do të thotë të evidentosh vlerat e kombit tënd, që ai ka krijuar në rrjedhë të historisë. Prof. dr. Eshref Ymeri gjendet në rreshtin e parë. Ka një shpirt luftarak që do t`i shkonte moshës rinore, një kthjelltësi mendimi si atëherë, kur ishte i ri dhe me mijëra studentë të tij e dëgjonin me kureshtje dhe vëmendje. Prof. dr. Eshref Ymeri përfaqëson mençurinë dhe guximin e trevës së Labërisë, bir i së cilës është dhe e ka përfaqësuar vendlindjen e tij me dinjitetin e një atdhetari dhe shkencëtari të përkushtuar.
Libri më i fundit i prof. Eshref Ymerit “ ‘Rezonanca magnetike’ për Rusinë dhe rusët”, Tiranë 2025, përbën një nga vlerat më të çmuara në fushën e studimeve historike, sepse sjell para lexuesit qëndrimin e 426 personaliteteve rusë dhe botërorë për psikologjinë e popullit rus, mjedisin historik që ka formësuar karakteristikat e tij si popull, qëndrimin e Rusisë në rrafshin botëror, por edhe qëndrimi i saj ndaj Shqipërisë dhe trojeve shqiptare. Nëpërmjet këtyre personaliteteve me përmasa botërore, të cilët kanë jetuar në kohë të ndryshme, na jepet qëndrimi i Rusisë në segmente të ndryshme kohorë dhe roli i saj në skenën politike, raportet e saj me lirinë dhe pavarësinë e popujve, ku qartësohet politika e Kremlinit si një politikë antishqiptare në këta shekujt e fundit, që e parë në një plan më të gjerë është një politikë antievropiane.
Rusia ka pasur vazhdimisht një pushtet diktatorial, i cili ka ndikuar në tjetërsimin e njeriut rus, duke i dhënë atij tipare agresive. Në fund të fundit, njeriu është produkt i rrethanave në të cilat ndodhet. Një qasje e vazhdueshme agresive ndaj popujve të tjerë, e tjetërson dhe individin. Kjo duket në ditët e sotme tek pushtimi i Ukrahinës nga Rusia, masakrat e saj ndaj popullsisë ukrahinase. Të vrasësh një popull fqinj me lidhje të vjetra historike, është një gjë e tmerrshme, një absurditet që tregon se mendja njerëzore është tjetërsuar dhe mund ta përdorë armën për të vrarë dhe shfarosur popuj të tjerë.
Prof. Eshref Ymeri, te vepra e tij madhore: “ ‘Rezonanca magnetike’ për Rusinë dhe rusët”, ka skanuar psikologjinë ruse, të formuar nën pushtete të vazhdueshme diktatoriale. Kundër rrezikut rus, prof. Eshrefi kanë sjellë në libër revoltën e qindra personaliteteve ruse, por dhe të atyre në rrafshin botëror, për t`i demaskuar të këqijat e politikës ruse.
Autori nënvizon se Rusia ndaj popullit shqiptar ka mbajtur dhe mban qëndrim jo miqësor, ka qenë gjithmonë në mbështetje të shteteve fqinj për copëtimin e trojeve shqiptare duke i mbështetur dhe nxitur ata sidomos serbët dhe grekët, synimet shoviniste të të cilëve vazhdojnë të ekzistojnë në ëndrrat e tyre. Rusia edhe sot nuk e ka ndalur luftën ndaj aspiratave të shqiptarëve për liri dhe pavarësi, është një mbështetje e Serbisë për të mos e njohur shtetin e Kosovës.
Analiza të tilla në fushë të gjuhësisë dhe atë të historisë, e lartësojnë profesorin e nderuar si një shkencëtar i përmasave evropiane. Ne krenohemi me profesorin e nderuar Eshref Ymeri, krenohemi me kombin tonë që ka nxjerrë dijetarë të krahasueshëm me ata të kombeve të tjerë.
Në këtë 87-vjetor, nga thellësia e qenies sime po të nis urimin: e festofsh ditëlindjen dhe 100 vite të tjera dhe kurrë mos pushoftë së shkruari dora jote e artë!
Kujtim Mateli
Tiranë, 25 dhjetor 2025

MOTRA E KOMPOZITORIT- Nga Albert HABAZAJ

 

Mësueses Luljeta Gjini Gërmenji – motrës së kompozitorit Kastriot Gjini, Migjenit të Pentagramit shqiptar

.

Njoh një motër artisti, uragan synimi,
E pakthyeshme si lumi, e hapur si dita,
Dhe në fushë me lule ç’ mure pengimi
I ngrinin liliputët që s’i zinte drita…

.

Ia kam njohur që herët rrënjët fisnike
I ka pasur të thella, të pashkulshme,
Mirësinë në udhëtim ajo pati mike
Me ëmbëlsi të bardhë, ashtu, e pabujshme.

.

Njohim nga legjenda që vëllai për motrën
Kur ka një amanet, del nga dheu e s’pyet,
Se ka një nënë plakë të lodhur, të gjorën
Që pret me mall nëne, e zhuritur pret.

.

S’po rrëfej baladën, ku dridhet fjala e dhënë
Them Besën e Luljetës – shqiponjë Çike për vëllanë,
Jo të Kostandinit që doli nga dheu për Doruntinën
Po çfarë nuk bëka sot motra…dhe në tramundanë.

.

Ç’ është kjo amazonë labe, kjo Miro Tërbaçe
Ç’e bukur qytetare, që zyrave dudume pyet,
Halldupët i mbyllin dyert, kjo “vëd me kopaçe”
Çfarë nuk bëka motra sot për vëllain tek yjet…

.

Dhe nga faqja e Malit në Qafë të Elimit,
Në Horën e Tërbaçit, buzë Lumit të Bardhë,
Me dritën e ngrohtë të Kastriot Gjinit
Në shtatoren derdhur në bronz ka ardhë…

.

Bekim marrka kjo ditë shtatori, kam bindjen
Ngjyrën e artë vjeshta nga flokët e tu ka marrë,
Të bëhet tufë trëndeline për ditëlindjen
Për ty Luli, e palëkundura në guximin qytetar.

.

Vlorë, 3 shtator 2025

KOMANDANTI I GJYSHIT – Mares mbush 6 vjeç – Nga Albert HABAZAJ

 

Që në mëngjes te oborri
Dola sot tek pres e loz,
Se në çdo vit 3 tetori
Vjen i bukur dhe serioz.

Tek pres nipin tim të parë
Me dy globe gazi mbushur,
Maresin 6 – vjeçar
Që në klasë të parë është ulur.

Me librat në bankë të parë
Si një princ i vogël ulur,
Shumë dije do të marrë
Komandanti im i bukur.

Libra dhe dëshira bashkë,
Lodra edhe fantazira,
Burr’ i vogël vjeç gjashtë
Do të bëjmë gjëra të mira.

Maresi mua më thotë:
Mezi pret të vijë në Vlorë,
Të bëjmë makina, robotë,
Aeroplanë e motorë.

Dhe të lozim ne, si çuna,
Ndërsa gocat lozin bashkë,
Sepse ashtu është puna
Çunat më shumë lozin jashtë.

Do të bëjmë edhe shtëpi,
Në darkë do ‘ dalim për peshk,
S”ka erë, deti s’hedh stuhi
Tok me babin, o sa qejf!…

Njëri-tjetrin shumë e duam
Në një lojë s’ pranojmë tjetër,
Sa punë realizuam –
Çun i vogël, çun i vjetër…

Pastaj ikën në Tiranë
Me më të mirët në botë,
Do mamin e babin pranë
Pa ta një natë nuk rri dot…

Ky është komandanti im
Kapedani që rri rëndë,
E mban babi i tij si trim
Dy dhëmbole i kanë rënë.

Të lumtur, tek 6 vjeç mbush
Djali i madh i djalit të madh,
Loz i lumtur si rrallëkush
Si ketrushi në livadh…

Vlorë, e premte, 3 Tetor 2025

SHEGËZ E ËMBËL SHTATORI – Mbesës Amaris, që mbushi 4 vjeçe – Nga Albert HABAZAJ

 

Sa shumë e kemi pritur
Ne 23 Shtatorin,
Amushja sot është rritur
Mbushur me gaz kraharori.

Kraharori i saj i vockël
Sa e një zogu të bukur,
Krenohet me Perlën motër
Pas saj shkon e vjen si flutur.

Porsi flutur buzagaze
Qesh e rend e s’ka të lodhur,
Na bën ojna, është plot naze
Lodrat e saj s’kanë të sosur.

Lodrat janë bota e Amit
Është fantaziste, bën art,
Kukull e babit, e mamit
Për ne ujëvarë me mjaltë.

Ujëvarë me mjaltë vërtetë
Si për gjyshërit dhe gjyshen,
Shumë gjëra i bën vetë
Shumë më mirë e më ndryshe.

Më ndryshe, se është e madhe
Dhe shkon në kopsht serioze,
4 vjeçe, si sorkadhe
Shumë e do edukatoren.

Se në kopsht edukatorja
Amushen e ka si shpirt,
Se Ami është shembullorja
Si Amushja s’ka të dytë.

Lozonjarja në shtëpi
Loz si varkëz që ngre velat,
Na heq gurët, s’do t’ja dijë
Kur lozim shah unë e Perla…

Ne njëri-tjetrin në sy
Shohim dhe qeshim me zemër,
Rreth tavolinës, aty
Na vështron shegëz e ëmbël.

E ëmbël me aromë është Ami
Sot sa shumë dhurata mori,
Kukullave u bën nani
Shegëza shije shtatori…

Vlorë; e martë, 23.09.2025

Këngë për ditën e ujit të bekuar, gurugoxhet- Këngë rituali nga Albert HABAZAJ

 

Që nga gjyshet vjen tradita
Poçja plot me gurugoxhe,
6 janar, sa zbardhet dita
Ne, në shpirt na çelin gonxhe.

6 janari, mëngjes herët
Në lumë, në burim a det
Hedhin kryqin të krishterët
Hedhim dhe ne bereqet.

Të burojë begatia
Më e dashur u bëftë bota!
Me ujë spërkatet shtëpia
Cep më cep, nisur nga porta…

Mbushim shishen dhe e mbajnë
Në degë të dafinës, shegës,
A n’ ulli, si orë e bardhë
Deri 6 janarin tjetër.

Uji larë në mjalt të hënës,
Larë në flori të dritës,
Bekim nga urat’ e nënës,
Bekuar nga mali i Çikës!

Ujë i Ftohtë, Vlorë, e hënë, 6 janar 2025

GËZUAR- Nga NEKI LULAJ

Po ikën sonte Gjyshi i vjetër si shurdhmemec
Me kokën plotë thinja mes dermitjësh
Si kalë i bardhë qe bredh mes moçali
Mbi borën e ngrica mes të një mëngjesi.

Me vete mori e çka nuk mori
Mes shtigjeve të Dardanisë time
Mes zahallisë dhe shkretetirës shurdhë memece
Po ikën mes ndërskemcave të territ me plotë kujtime.

Pranë qirit të ndezur po flas me shpirt
Heshtja mes meje e shurdhëruar
N’mes njerëzve të dashur dhe perendisë
Buçet zëri i im për të gjithë Ju Gëzuar!

Fjalë shpirti dhe zemre për mësuesin tim Sabri Raçi- Nga Arif Ejupi

Përherë fytyrë ndritur e buzëqeshur.
Përherë i qetë e me ecje të prajshme.
Përherë me fjalë të matura e këshilla prindërore.

Përherë i përmbajtur edhe me trazovaçët.
Përherë i rregullt në punë.
Përherë i qartë në shpjegim të mësimeve.

Përherë kërkues i progresit dhe luftëtar i hijeve të zeza, që na ndiqnin prapa pa pikë faji.
Përherë zbutës i dhembjeve dhe fatkeqësive tona.
Përherë motivues dhe kultivues i dashurisë ndaj Atdheut e dijes.

Përherë i rreptë ndaj egoizmit e padrejtësive.
Asnjëherë paragjykues e i njëanshëm.
Asnjëherë i dhunshëm ndaj nesh.

Vetëm me urtësi e dije na nxore nga errësira dhe na qite në rrugën e dritës.
Qofsh i bekuar nga Zoti, për virtytet e larta prej njeriu dhe mësuesi shembull!

Gjenevë, 9 tetor 2024

SA SHKËLQEN PRINCESHA PERLA!- Nga Albert HABAZAJ

 

Perla Habazaj, mbesa ime e madhe sot mbushi 8 vjeçe

 

Sot mëngjesi vjen më bukur,
Purushja 8 vjeçe mbush,
Kush si gjysh është më i lumtur,
Dhe më krenar se unë kush?!

Më i bukur vjen mëngjesi
Sot Perlushja ka ditëlindjen,
Dielli rrezet i ndezi
Dhe lulet në valle ngrihen.

Të festojnë tok me ne
Qasen bletëzat, ketrushat,
Zogjtë e vegjël tërë hare
Nga livadhet, nga gëmushat.

Iku vapa, zhegu iku
Muzikantët e orkestrës
Më të bukur 3 korrikun
E bëjnë artistët e festës.

Perla – ç’bukuri të ëmbël
Sot na mbush me frymë krenare,
Perlë për prindërit, gjyshërit, nënën
Vjen me Amin lozonjare.

Gjyshja tjetër që mungon
E vështron nga yjet mbesën,
Shumë urata i dërgon
Çdo agim tek çel me vesën.

Si në filma, rrjedhin vitet
Përmbi flatra ëndërrimi,
Tok me Perlën Ami rritet
Zemra jonë rreh nga gëzimi.

Sot një vit je më e madhe
Dritë me ëndrra ke te sytë,
Më e para e të parëve
Shkëlqyeve në klasë të dytë.

Shembullore të ka shkolla,
Ti çdo ditë di të shkëlqesh,
Kur vjen në shtëpi, me lodra
Loz me Amin si princeshë.

Sa kujdesesh ti për motrën
Dhe në punët e shtëpisë
Ndihmon, si flutur e vogël,
Si mjaltushkë e lumturisë.

Mami, babi marrin krahë,
Dhe lodhjen e flakin tutje,
Se për ta jeni gjithçka
Tok me ju në lodra futen.

Vjen e kaltër valë e detit,
Mali nis dhelet e erës,
Për datëlindjen bëjnë buqetë
8 milionë urime Perlës.

Vlorë, e mërkurë, 03.07.2024


Send this to a friend