Këngë për muajt e vitit nga Shqiponjat e Tërbaçit
- Sa nisi udhën janari,
Siç e thotë dhe kalendari,
Qoft’ për vitin këmbëmbari,
Për Shqiponjat – faqebardhi!
- Shkurti i shkurtër, i çalë,
Tek gremis dimrin ngadalë,
Nis nga Çika festebardhë
Shqiponjat mbi det me valë …
- Mars i bukur, sa të dua,
Të çelë lulja në ftua.
Lart, tek fluturojn’ Shqiponjat
Pranverojnë këngët tona.
- Tridhjet’ ditët që ka prilli
Bëfshin drit’ me mjaltë ylli,
Lule, freski e blerim,
Për “Shqiponjat” fluturim!
- Maji çel syrin e qeshur,
“Shqipet” ç’i zbukurojn’ nurin.
N’ shpirt të tyre me drit’ veshur
Kënga ka ngritur flamurin.
- Qesh qershori i qershive,
Në valle ngrihen Shqiponjat,
Mbushur Gurrë e Dashurive
Me dritë Tërbaçi nga Zonjat.
- Mbushur me visare iku
Qershori dhe erdh’ korriku,
10 Shqipet – 10 zana Çike
Janë dhjetë burime drite…
- Ninullën, Çmimin e Parë
Na përcjell visar korriku,
Pim’ ujë gurre qelibar
Gushti qesh me nderim miku.
Uji që pimë në burime
Na jep krah’ për fluturime.
- Gushti shkoi, ca halle mori,
Lajmebukur vjen shtatori,
Përsëri Shqipet e zemrës
Po marrin qiejt e këngës.
Shihni Shtojzovallet-o,
Bijat e Tërbaçit-o,
Shqiponjat e valles-o,
Lum kush ka shoqe ato!
Që nga Shkupi gjer në Dropull
Shqipet lart e malet rrotull …
- Tetori, i ëmbli muaj,
Ku ëndrrat lozin me yje,
Kënga jonë në shpirtin tuaj
Vjen e çel gazin e syve.
Mbushur jemi nga shtatori
Përsëri me tre trofè,
Bylisi ç’hijeshi mori
Shqipet çanë dhe atje.
Shqipe për diell e llohë
Tërbaçi nxjerr në çdo kohë.
- Shkoi tetori bukur, qetë
Hyn hijerëndë nëntori,
Këng’ e Shqipeve çan retë,
Ngjyrën e lirisë mori.
Tërbaçi lindi Shqiponja
Ç’ drit’ lëshojnë në sy të llohës!
Paragjykimet si Zonja
Qëllojnë si Miro të kohës.
Dhjetë Shqiponjat e Tërbaçit
Me këng’ e me valle kaçi.
- Vallja edhe Kënga Labe
Ç’nur që merr në krah’ Shqiponjash,
Tek fluturojnë mbi male
Me portrete drite zonjash.
Për Shqiponjat, në Himarë
E mbylli syrin nëntori,
Fluturime për të marë
Shtigjesh të bardha dhjetori.
Mbyllur vitin bukur kemi,
Shqipet e Tërbaçit jemi.
KARTOLINË DIGJITALE:
Gëzuar Vitin e Ri 2022!
Albert Habazaj
Gëzuar! Nga shpirti nis urimin
Viti i ri të trokas me dritë në sy,
Në zemër dashuri e në sy blerimin,
Si gurrë burofsh, dymijë e njëzet e dy!
Gëzuar dhe për shumë e shumë vite,
Çdo fjalë mbushur kam me lule trëndeline,
Çdo fjale për tek ju i bëhet udha dritë,
Dhe pse s’vjen me aromën e një kartoline.
Me “Shqiponjat e Tërbaçit” për vendlindjen
Japim mesazhe zanash me këngë e valle,
Ato janë hyjnesha të traditës, them me bindje,
Zëri i tyre zgjon krojet ndër male.
Familjarë të mi, të afërm, miq e mikesha!
Çdo çast mjalt e lule t’i falim njëri-tjetrit,
Me ju qava tronditje, gëzime qesha,
Me ju freskoj frymën në valët e sinqeritetit.
31.12.2021
TUNGJATJETA NGA BUZËDETI VLONJAT!
DYMIJË E NJËZETEDYSHI QOFTË LULE DHE MJALTË!
Uroj një vit të mbarë për njerëzit e mi: për familjen, për miqtë, për universitetin tim, për Të Mirët e Letrave Shqipe, të Bibliotekonomisë, të Folklorit dhe etnologjisë shqiptare, për thëllëzat e bilbilat e këngës për Shqiponjat e Tërbaçit: 2022 – shi qoftë fatbukur për fisnikë si Ju!
GËZUAR VITIN E RI 2022!
nga Albert HABAZAJ
Gonxhes, pa çelur, i vola freskinë,
Ëmbëlsinë ia preva nga hojet mjaltit,
Zemra qesh e më bëhet mandolinë,
Urimi bëhet notë e pentagramit…
Adhurueshëm spërkat me dritë Vlore
Romantikën e ndritshme me flatra lulebore.
Vala, si pulëbardhë, Adriatikut e Jonit
I merr me vete dëshirëmirat e Vitit,
Të vesuara freskët me aromën e limonit,
I zbukuron hijshëm gjelbërorja e ullirit.
Në buzë të detit bëhem lirikë për ju
E nis me mikun e kaltër mesazh drite në sy,
Rezonancë bën diellin urimi im kështu,
I Vitit të Ri Dymijë e njëzet e dy.
Vlorë, e premte, 31.12. 2021, ora 11:11’
Komentet