Policia parkon veturat pranë barrikadave në afërsi të pikëkalimit kufitar në Bërnjak.
Luljeta Krasniqi – Veseli, Mimoza Sadiku
Pas situatës së krijuar në dy pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thirrur mbledhje të Këshillit të Sigurisë së Kosovës.
Të shtunën, më 25 shtator, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.
Sipas hetimeve preliminare aty janë hedhur dy bomba dore, por të cilat “nuk kanë eksploduar”.
Kryeministri Kurti, gjatë një konference për media, të shtunën tha se Serbia po provokon konflikt serioz ndërkombëtar që rrezikon të marrë përmasa rajonale.
“Serbia qartazi dëshiron të militarizojë dhe të e eskalojë situatën. Po sjell deri afër kufirit të Kosovës edhe helikopterë e avionë të prodhimit rus. Nëpërmjet këtyre sulmeve, provokimeve ku përdoren qytetarët e Kosovës, Serbia provokon konflikt serioz ndërkombëtar, që rrezikon të marrë përmasa rajonale”, tha Kurti.
Sipas shefit të ekzekutivit kosovar, vendimet që do të ndërmerren karshi situatës së krijuar do të jenë në përputhje e me vlerësimet që i bëhen situatës së sigurisë.
“Tash për tash jemi në këtë gjendje sepse të këtillë e kemi vlerësuar dhe sjellja jonë është profesionale e korrekte deri më tani”, u shpreh Kurti.
Kurti tha se derisa ka rrezik në pikat kufitare, aty do të qëndrojnë njësitë speciale të Policisë së Kosovës.
“Ndërtesat në Bërnjak dhe Jarinjë janë aty sepse njësia speciale është aty”, tha Kurti.
Kryeministri i Kosovës bëri të ditur se janë ftuar nga faktori ndërkombëtar që të shkojnë në Bruksel për të diskutuar lidhur me situatën në veri, por, sipas tij, kjo ftesë është refuzuar nga Beogradi.
“Serbia nuk është e interesuar për fqinjësi të mirë. Serbia nuk është e interesuar për dialog”, tha Kurti.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se dy rrugët që çojnë në pikën kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë janë të bllokuara për automjete. Rruga, shtoi ai, është e bllokuara nga një numër i vogël i qytetarëve serbë që banojnë në veri.
“Ne kemi dëshmi të presioneve të ndryshme nga strukturat paralele ilegale dhe nga institucione të ndryshme të Serbisë t’iu bëjnë presion qytetarëve tanë të nacionalitetit serb që të bashkohen në protesta”, tha ai.
Ministri Sveçla, tha vendimi për t’u pajisur me targa të përkohshme është duke u zbatuar në tërë territorin e Kosovës dhe se sipas tij, deri më tani janë lëshuar mbi 9 mijë targa të përkohshme.
Kurti: Sulmet në veri, të qëllimshme
Më herët gjatë të shtunës, Kurti deklaroi se dy sulmet në veri, ishin të qëllimshme.
“Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar”, tha Kurti.
Ai tha se akte të tilla nuk do të tolerohen, ndërkaq u bëri thirrje qytetarëve në veri të vendit që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucione.
Më herët gjatë të shtunës, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se përkundër veprimeve të tilla, Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të zbatojë vendimin për masën e reciprocitetit për targat me Serbinë, në tërë territorin e Kosovës.
“Këto veprime kriminale tregojnë më së miri se çfarë do të ndodhte në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nëse nuk do të kishim praninë e njësive speciale për të garantuar rend dhe siguri”, ka shkruar Sveçla në rrjetin social Facebook.
Ministri Sveçla ka ftuar qytetarët në veri që të respektojnë ligjet dhe “të mos dirigjohen apo manipulohen nga ata të cilët mbijetojnë politikisht, apo përfitojnë materialisht, vetëm falë tensioneve”.
Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka konfirmuar incidentin në ndërtesën e Kuvendit Komunal të Zubin Potokut.
Sipas informacioneve të para, “policia supozon se zjarri ka përfshirë ambientet përdhese të ndërtesës dhe ekziston dyshimi se ka prekur ambientet e qendrës së Ministrisë së Brendshme të Kosovës dhe bibliotekën e Shtëpisë së Kulturës”.
Policia ka thënë se hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
Osmani: Tendencë ruso-serbe për destabilizimin e rajonit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se dy sulmet e së shtunës në Zubin Potok dhe Zveçan, dëshmojnë se Serbia është “burimi kryesor i destabilizimit në rajon”.
Ajo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos injorojë, atë që ajo e cilësoi si tendencë të Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit dhe më gjerë.
“Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet ta injorojë atë që shihet qartë – tendencën ruso-serbe që nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë, ta dëmtojë edhe vetë Bashkimin Evropian dhe NATO-n, si bashkim e sistem vlerash. Në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinë po përdoret i njëjti model destabilizues, të cilin Rusia përdorë në shtetet baltike, Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji. Ndaj, është koha që bashkësia ndërkombëtare, e para se gjithash shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s, ta shohin këtë rrezik e ta ndalojnë regjimin e Vuqiqit në realizimin e synimit të tij për krijimin e ‘botës serbe’, që i përket logjikës së viteve të 90-ta në Serbi”, shkroi Osmani në rrjetin social Faceebook.
Abdixhiku bën thirrje për unitet
Lidhur me situatën në veri ka reaguar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Ai ka thënë se ‘gjendja e tensionuar në veri kërkon unitet të plotë’.
“Propozoj që kryeministri të mbledhë spektrin politik në vend, të ftojë partitë parlamentare në takim – pozitë e opozitë pa dallim, në mënyrë që të shfrytëzojmë të gjitha kapcitetet tona, vendore e të jashtme, për të mbrojtur interesat tona shtetërore sot”, ka shkruar Abadixhiku në Facebook.
Abdixhiku i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar, që të veprojnë në mënyrë që të shmangen kërcënimet e Serbisë dhe tensionet në veri të vendit.
Bllokada në Jarinjë dhe Bërnjak
Për shkak të masës së reciprocitetit, për të gjashtën ditë me radhë vazhdojnë të jenë të bllokuara dy rrugë nacionale që lidhin Kosovën me Serbinë.
Në këto dy pika kufitare Kosovë -Serbi vazhdon të jetë e vendosur edhe njësitë speciale e Policisë së Kosovës.
Serbët lokalë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në çështjen e targave të veturave të Serbisë, që hyjnë në Kosovë.
Ata po pamundësojnë kalimin e veturave, ndërkohë qytetarët po detyrohen të kalojnë kufirin në këmbë.
Autoritetet e Kosovës, të hënën, më 20 shtator kanë nisur që veturave me targa të Serbisë, që hyjnë në Kosovë, t’iu vënë targa të përkohshme, pasi kanë thënë se të njëjtën gjë Serbia po e bën tash e sa vite.
Infografikë
Pikat kufitare ku takohen Kosova dhe Serbia
Ministria e Mbrojtjes në Kosovë, të premten, më 24 shtator përmes një deklarate, i ka përgënjeshtruar informacionet se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është duke përgatitur trupa për ndërhyrje në veri të Kosovës.
“Dezinformatat se kinse FSK-ja është duke përgatitur trupa ushtarake për ndërhyrje në veriun e Kosovës, janë plotësisht të pavërteta, dhe kanë për qëllim dezinformimin e opinionit, për të paraqitur një situatë pasigurie për qytetarët tanë të komunitetit serb”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për shtensionim të situatës dhe kanë kërkuar dialog mes dy palëve për këtë çështje.
Të premten NATO-ja ka kërkuar uljen e menjëhershme të tensioneve në veri të Kosovës derisa u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit të ushtrojnë përmbajtje, të shmangin veprimet e njëanshme dhe t’i kthehen dialogut.
Escobar: Kosova dhe Serbia të mos përdorin retorikë të dëmshme
Sa i përket situatës në veri, Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se të dyja palët duhet të përmbahen e të mos përdorin retorikë të dëmshme dhe të dyja palët duhet ta përqendrojnë në dialog.
“Ne e mbështesim këtë dialog 100 për qind dhe unë jam në kontakt të përditshëm me Miroslav Lajçakun. Ai ka disa propozime shumë të mira. Ai po përpiqet t’i sjellë të dyja palët në Bruksel lidhur me çështjen e targave, me synimin për të negociuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe ka disa zgjidhje të mira. Por varet nga të dyja palët, që të bien dakord për ta diskutuar këtë, u takon atyre të shkojnë në Bruksel dhe ta trajtojnë këtë çështje”, ka thënë Escobar.
Ai është shprehur së është në dorën e të dyja palëve, që të mos ketë një qasje ushtarake ndaj kësaj çështjeje dhe të mos dërgojnë forca speciale në një vend ku është KFOR-i.
“Nuk ka nevojë për një gjë të tillë. Lidhur me çështjen e targave ne do të donim të shihnim disa lëvizje në Bruksel, ndoshta që javën e ardhshme”, ka thënë ai.
Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Studentët në protestë kanë njoftuar zhvillimin e protestës së radhës kombëtare këtë të shtunë, më 7 nëntor, në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit.
Pas më shumë se 150 ditësh protestë të pandërprerë, organizatorët bëjnë me dije se do të ndryshojnë strategjinë e organizimit, duke kaluar në dy protesta kombëtare në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë, në të njëjtën orë.
Në deklaratën e tyre, studentët theksojnë se kërkesa kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama vijon të mos marrë përgjigje nga qeveria. Ata shprehen se janë të përgatitur për një betejë të gjatë dhe se kjo fazë e re organizimi synon të rrisë mobilizimin e studentëve dhe mbështetësve të tyre.
“Pas më shumë se 150 ditësh protestë të pandërprerë, pushteti në Shqipëri vazhdon të injorojë kërkesën e revoltës qytetare: dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Autokracia ka lëshuar rrënjë të thella në Shqipëri dhe ne jemi të përgatitur për një betejë të gjatë. Prandaj, po hyjmë në një fazë të re organizimi.
Protesta2
Për t’i dhënë rrjetit studentor dhe mbështetësve tanë mundësinë të japin maksimumin në çdo ditë proteste, studentët kanë vendosur se protestat tona kombëtare do të vijojnë dy herë në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë në orën 14:00, me një intensitet që nuk mund të injorohet.
Ne vijojmë të mbështesim protestat e tjera qytetare kundër qeverisë, kurdo që të organizohen ato.
Lufta e shqiptarëve për demokraci vazhdon. Autokracia do të bjerë, ashtu siç ra edhe diktatura”, thuhet në deklaratën e studentëve.
Organizatorët bëjnë gjithashtu të ditur se do të vijojnë të mbështesin edhe protestat e tjera qytetare kundër qeverisë, ndërsa u bëjnë thirrje studentëve dhe mbështetësve të tyre të bëhen pjesë e tubimeve të ardhshme. bw
Konfindustria ka ngritur alarmin për gjendjen e ekonomisë shqiptare, duke paralajmëruar se viti 2027 mund të shoqërohet me përkeqësim të treguesve kryesorë ekonomikë, rënie të mëtejshme të prodhimit vendas dhe rreziqe serioze për qëndrueshmërinë e monedhës kombëtare. Në një dokument zyrtar drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, ku paraqiten vërejtjet dhe propozimet për projektpaketën fiskale të vitit 2027, organizata e biznesit evidenton një sërë problemesh strukturore, duke nisur nga mungesa e konkurrencës dhe përqendrimi i tregjeve, deri te korrupsioni, ekonomia informale dhe dobësia e institucioneve shtetërore.
Sipas Konfindustrisë, parashikimet për vitin e ardhshëm janë pesimiste, ndërsa një prej treguesve më shqetësues është deficiti tregtar, i cili për vitin 2026 parashikohet të arrijë nivelin historik negativ prej mbi 5.8 miliardë eurosh, me një përkeqësim prej më shumë se 200 milionë eurosh krahasuar me vitin 2025.
Ky zhvillim, sipas vlerësimit të organizatës, pasqyron dobësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve prodhuese të vendit dhe varësinë e lartë nga importet.
Situata paraqitet veçanërisht shqetësuese në sektorët prodhues. Konfindustria parashikon që industria shqiptare të vijojë tendencën rënëse për të pestin vit radhazi, ndërsa prodhimi bujqësor pritet të shënojë vitin e katërt radhazi me rënie. Këto zhvillime konsiderohen si sinjale të dobësimit të konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare përballë vendeve të rajonit.
Një tjetër shqetësim lidhet me sektorin e ndërtimit, i cili ndër vite ka përfaqësuar afërsisht 18% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Konfindustria paralajmëron se varësia e lartë e këtij sektori nga burimet informale të financimit, e kombinuar me goditjet e SPAK ndaj aktiviteteve të paligjshme, mund të krijojë pasoja serioze për ecurinë e tij.
Në dokument theksohet se tkurrja e pritshme e burimeve informale të financimit, së bashku me rënien e prodhimit vendas, mund të rrezikojë edhe stabilitetin e lekut.
Sipas Konfindustrisë, një zhvillim i tillë mund të ketë pasoja të jashtëzakonshme jo vetëm për ekonominë dhe qëndrueshmërinë financiare, por edhe për stabilitetin shoqëror dhe rendin kushtetues. Ky është një paralajmërim i organizatës dhe jo një vlerësim i konfirmuar për një krizë të afërt monetare.
Kritikat shtrihen edhe në sektorin e turizmit, për të cilin Konfindustria vlerëson se po humbet me shpejtësi konkurrueshmërinë përballë vendeve të tjera të rajonit.
Në listën e faktorëve që rëndojnë perspektivën ekonomike përfshihen edhe tregjet e mbyllura, me karakteristika karteli, oligopoli dhe monopoli, veçanërisht në sektorët strategjikë, si dhe niveli i lartë i korrupsionit dhe dobësia e institucioneve ekzekutive.
Një pjesë e rëndësishme e kritikave të Konfindustrisë përqendrohet te ndryshimet e propozuara në taksimin e karburanteve.
Projektpaketa fiskale parashikon heqjen e taksës së qarkullimit prej 27 lekësh për litër, por Konfindustria paralajmëron se kjo masë mund të mos sjellë uljen e pritshme të çmimeve për qytetarët dhe bizneset.
Sipas saj, tregu shqiptar i karburanteve karakterizohet nga mungesa e konkurrencës në të gjitha hallkat, duke nisur nga infrastruktura portuale dhe depozitimi, deri te tregtia me shumicë dhe pakicë.
Për këtë arsye, ekziston rreziku që përfitimi financiar nga heqja e taksës të mos kalojë te konsumatori, por të përfundojë pjesërisht ose plotësisht si fitim shtesë për kompanitë e tregtimit të karburanteve.
Konfindustria thekson se në dokumentet e projektpaketës fiskale nuk jepet asnjë shpjegim konkret se si qeveria do të garantojë që ulja e taksës të reflektohet në çmimin përfundimtar të naftës dhe benzinës.
Shqetësimi bëhet edhe më i madh për shkak të propozimit që të ardhurat e munguara në buxhet nga heqja e taksës së qarkullimit të kompensohen përmes rritjes së taksave vjetore të automjeteve.
Sipas organizatës, një mekanizëm i tillë nuk do të sillte ulje reale të barrës fiskale të transportit, por thjesht do të zhvendoste taksimin nga karburanti te pronësia e automjeteve.
Madje, Konfindustria paralajmëron se, nëse çmimet e karburanteve nuk ulen në përputhje me heqjen e taksës, qytetarët dhe bizneset mund të përballen me një barrë të dyfishtë: taksa më të larta vjetore për automjetet dhe çmime karburantesh që nuk pasqyrojnë lehtësimin fiskal.
Në dokument vlerësohet se kostoja shtesë për konsumatorët, në varësi të shkallës së mosreflektimit të heqjes së taksës, mund të arrijë mbi 200 milionë euro në vit.
Konfindustria llogarit gjithashtu se vetëm rritja e TVSH-së nga 20% në 21% mund ta shtrenjtojë karburantin me rreth 2 lekë për litër.
Për të shmangur abuzimet, organizata propozon krijimin e një Enti Kombëtar të Karburanteve, në varësi të Kuvendit, i cili të kontrollojë në mënyrë të përhershme çmimet, cilësinë, volumet e tregtuara dhe rezervat strategjike.
Gjithashtu, kërkohet që çmimet e karburanteve në Shqipëri të kenë si tavan ligjor reference një nivel jo më të lartë se mesatarja e çmimeve të krahasueshme në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Në të njëjtën kohë, Konfindustria kërkon rishikimin e taksave të tjera mbi karburantet, përfshirë ato të lidhura me shërbime koncesionare, si dhe forcimin e kontrollit ndaj kontrabandës, cilësisë dhe abuzimeve me sasitë e shitura në pikat e furnizimit.
Ulja e TVSH-së për ushqimet, paralajmërimi për përfitime të kompanive tregtare
Kritika të forta janë adresuar edhe ndaj propozimit për uljen e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produkte ushqimore.
Megjithëse masa synon të lehtësojë barrën financiare të familjeve, Konfindustria paralajmëron se në projektpaketën fiskale mungon një mekanizëm që të garantojë kalimin e këtij përfitimi te konsumatori.
Sipas organizatës, përqendrimi i tregut ushqimor në duart e një numri të kufizuar operatorësh krijon rrezikun që ulja e TVSH-së të mos shoqërohet me ulje proporcionale të çmimeve.
Në këtë mënyrë, lehtësimi fiskal mund të përkthehet në rritje të fitimeve për kompanitë tregtare, ndërsa familjet shqiptare të mos përfitojnë në masën e synuar nga ndërhyrja e qeverisë.
Rritja e TVSH-së në 21%, paralajmërohet shtim i inflacionit
Konfindustria kundërshton edhe mënyrën se si është propozuar rritja e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%.
Sipas saj, një ndryshim i tillë duhet të paraprihet nga një debat i gjerë publik dhe ekonomik, pasi prek drejtpërdrejt kostot e biznesit, çmimet e konsumit, investimet dhe fuqinë blerëse të qytetarëve.
Organizata vëren se dokumentet shoqëruese të projektpaketës nuk përmbajnë një analizë të qartë mbi ndikimin e kësaj mase në inflacion dhe në konkurrueshmërinë e ekonomisë.
Nga përllogaritjet e saj paraprake, ndikimi i menjëhershëm në shtimin e inflacionit mund të jetë në intervalin 0.6 deri në 1.7%.
Kjo do të thotë se, sipas vlerësimeve të Konfindustrisë, rritja e TVSH-së mund të ushtrojë presion të ri mbi çmimet, në një kohë kur bizneset prodhuese përballen me kosto të larta dhe familjet me shpenzime të konsiderueshme për mallrat bazë.
Dokumenti:
Konfindustria i paraqet Kuvendit të Shqipërisë kërkesat, vërejtjet dhe propozimet për projekt paketën fiskale 2027.
Duke u mbështetur në vlerësimin e gjëndjes së përgjithshme ekonomike, financiare, institucionale, parashikimet për vitin 2027 parashikohet të jenë pesimiste në treguesit thelbwsorw makroekonomike. Arsyet kryesore janë si më poshtë:
Shkalla e lartë e tregjeve të mbyllura pa konkurencë, me karakteristika të tipit kartel, oligopol dhe monopol sidomos në sektorë strategjikë
Deficiti tregëtar për vitin 2026 parashikohet të arrijë nivelin rekord historik negativ prej mbi 5.8 miliard euro me shtim mbi 200 milion euro nga viti 2025
Industria parashikohet të jetë në vitin e 5 në vazhdim me kah rënës
Prodhimi bujqësor parashikohet të jetë sërish në rënie për vitin e 4 rradhazi
Varësia e lartë nga burimet informale shoqëruar nga goditjet e SPAK rrezikojnë seriozisht të prekin edhe Sektorin e Ndërtimit, që ka mbajtur afërsisht 18% të PPB në vite
Sektori i Turizmit po ul me shpejtësi nivelin e konkurueshmërisë me shtetet e rajonit
Rënia e pritshme e të ardhurave informale, pasojë e goditjes së SPAK dhe rënia e fortë e prodhimit vendor, rrezikon seriozisht qëndrueshmërinë e Monedhës LEK, me pasoja të jashtëzakonshme për ekonominë dhe qëndrueshmërinë shoqërore dhe rendin kushtetues
Politikat tregëtare tip dumping të shteteve konkurente në tregëti dhe mungesa e plotë e kundërveprimit nga institucionet ekzekutive vendore
Rritja e konkuruenshmërisë fiskale, financiare dhe institucionale për tërheqjen e investimeve nga shtete të tjera të Rajonit dhe më gjerë
Shkalla e lartë e korrupsionit dhe dobësisë së institucioneve ekzekutive
Duke mbajtur parasysh gjendjen e mësipërme makroekonomike dhe institucionale, propozimet e Konfindustrisë për Projekt Paketën Fiskale 2027 janë si më poshtë:
Heqja e takës së qarkullimit 27 lekë/litër për karburantet.
Problematikat:
Në kushtet e tregut të karburanteve të ndodhur në kushtet e mungesës së konkurencës në të gjithë segmentet: -portuale,- depozitimit,-tregëtisë me shumicë,- tregëtisë me pakicë, rrezikon, që heqja e mirëpritur e taksës së qarkullimit të mos pasqyrohet e plotë te konsumatori fundor, por të përfundojë si fitim shtesë i plotë dhe/ose i pjesshëm për tregëtarët.
Në paketën fiskale nuk ka asnjë të dhënë shpjeguese sesi do të bëhet e mundur, që ulja e cmimit të përcillet te konsumatorët bizneset dhe qytetarët.
Shtimi i taksave vjetore të mjeteve motorrike deri në vlerën financiare e munguar në buxhet nga heqja e taksës së qarkullimit të karburanteve.
Problematikat:
Zevendësimi i vlerës së munguar në buxhet nga mungesa e të ardhurave të “taksës së qarkullimit së karburanteve”me taksa shtesë vjetore të automjeteve” nuk ka asnjë efekt në uljen e përgjithshme të barrës fiskale të transportit për qytetarët dhe bizneset. Sa më sipër përkthehet në mbajtjen e kostove më të larta të qytetarëve dhe bizneset me shtetet në rajon dhe më gjerë me pasojë vazhdimësinë e uljes së konkurueshmërisë së industrive,prodhimit bujqësor dhe shërbimeve vendore.
Rreziku real i rritjes së mëtejshme të kostos së përgjithshme të transportit ( taksa vjetore të shtuara plus kosto karburanti) në krahësim me regjimin fiskal në fuqi në vlerën prej mbi 200 milion euro/vit.
Në mungesë të garancive institucionale për pasqyrimin në cmimin fundor të “heqjes së taksës së qarkullimit “ dhe situatës së mungesës së konkurencës në tregun oligopol të karburanteve, konsumatorët biznese dhe qytetarë rrezikojnë të paguajnë njëkohësisht : – edhe vlerën e derisotme të plotë të transportit ( taksa vjetore të shtuara të mjeteve dhe koston e karburanteve) si dhe plus gjithë vlerën në cmimin e karburanteve, që nuk do të përcillet në cmimin fundor nga heqja formale e “taksës së qarkullimit”, por do përfundojë si super fitim për operatorët/shitës. Kosto shtesë e karburanteve në regjimin e ri mund të shkonte në mbi 200 milion euro nga aktualisht varësisht shkallës së paqyrimit të heqjes së “taksës së Qarkullimit prej 27/lekë litër në cmimin fundor. Vlerësojmë , që vetëm nga rritja e TVSH në 21% kosto e karburanteve do të rritet me 2 lek/litër.
Propozimet e Konfindustrisë:
Niveli i taksimit vjetor të mjeteve motorrike në Shqipëri të jetë jo më i lartë sesa mesatarja e të njejtës taksë në shtetet e rajonit kufitare( Mal i Zi, Maqednoni e Veriut, Kosovë)
Cmimet fundore të karburanteve në Shqipëri të sigurohet të kenë si tavan ligjor reference jo më të lartë se mesatarja e cmimeve të krahësimore të shteteve fqinje të rajonit(( mal I zi, Kosovë, Maqedoni e Veriut)
Të krijohet Enti Kombëtar i Karburanteve në varësi të Kuvendit të Shqipërisë për kontrollin e përhershëm të tavanit të cmimeve, abuzimet me cilësinë, volumet dhe rezervat strategjike
Të bëhet një rirregullim i plotë me qëllim efektivitetin dhe heqjen e taksave të tjera mbi karburantin të dhëna me koncesion
Të merren masa ligjore për mbrojtjen me cdo kusht dhe sa më shpejt të standarteve të cilësisë së karburanteve në qarkullim në Shqipëri
Të merren masa për vlerësimin dhe ndëshkimin e vjedhjeve/abuzimeve, që bëhen në “volumet e shitura” të pikave të karburanteve, përfshi edhe koncesionarët përgjegjës të shërbimit në fjalë.
Të merren masa kundër kontrabandës masive në tregun e karburanteve me pasoja në buxhetin e shtetit si dhe qytetarët dhe bizneset.
Të kryhet reformë e plotë në sistemin fiskal të sotëm të regjistrimit dhe taksimit të automjeteve. Sa më sipër duhet shoqëruar me një amnisti të plotë dhe pas saj me forcim të rregullave të nxjerrjes jashtë qarkullimit të mjeteve motorrike.
Ulja e “TVSH-së” nga 20% në 6% për 54 produkte ushqimore.
Në projekt paketën fiskale 2027 mungon tërësisht plani institucional sesi do të bëhet e mundur , që ulja e TVSH-së do të pasqyrohet në të njejtën vlerë te cmimet fundore për qytetarët. Rreziku është, që mbështetur në praninë e grupimeve oligopol dhe kartel në sektorin ushqimor, ulja e TVSH-së me 14% të përfundojë si superfitim për tregëtarët dhe mos pasqyrohet në përfitim të qytetarëve.
Rritja e TVSH-së’ nga 20% në 21%
Konfindustria vlerëson, se vendimi i mësipërm duhet të shoqërohet me debat të gjerë paraprak për pasojat ekonmike financiare në afatgjatë dhe duke dhënë kohën e nevojshme përgatitore për bizneset. Në materialet shoqëruese nuk ka asnjë shpjegim për ndikimin e këtij ndryshimi në inflacionin afatshkurtër, qëndrueshmërinë ekonomike-financiare, konkurueshmëri, investime, mirëqënien e qytetarëve etj. Nga vlerësimet e përafërta ekonometrike rezulton, që ndikimi i menjëhershëm negativ ne shtim infacioni do të jetë në intervalin 0.6-1,7%
Rritja e Tatim Fitimit për bizneset nga 15%-17%:
Konfindustria kërkon, që niveli prej 17% të zbatohet vetëm për kategoritë e bizneseve, që punojnë në kushtet e tregjeve të mbyllura si:
Kompanite Koncesionare
Kompanitë që punojnë me PPP
Bizneset me statusin e investitorit strategjikë
Kompanitë në tregje të mbyllura me licenca shtetërore si banka, kompani telefonike, minerare, karburante, etj
Të gjitha kompanitë e përfshira në transaksione tregëtare me kategoritë e mësipërme
Të gjitha kategoritë e tjera të biznesit të vazhdojnë me nivelin e derisotëm të 15% tatim fitimi
(Procesi i Zgjerimit Evropian dhe zvogëlimi i kryeministrit shqiptar)
Është interesante që nga Euronews në‘Enlargement Talks‘ të së Martës 3 Nëntor, 2026 në ‘EU Enlargement Summit’* nuk i bënë disa pyetje kryeministrit të Shqipërisë për votën në Kuvendin e Shqipërisë mbi Imunitetin e Guvernatorit të BSH, as për Buxhetin e 2027 që pritet të diskutohet po ashtu në Kuvendin e Shqipërisë sikurse edhe përpyetjen tjetër interesante se përse Lek–u- mbetet ende i fortë në raport me euron(?),… dollarin, pounding britanik si dhe me të tjera monedha në tregun e këmbimit që e kanë peshën e tyre në këto vite krize dhe luftërash rajonale.
Ndoshta në mbi 30 minuta Maria Tadeo gazetarja e Euronews nuk mundi t’i bënte atë që ATSH-ja e hodhi menjëherë me propagandën zyrtare në tregun mediatik vendas ku titujt kryesorë të ditës i anashkalonin protestat, nuk flasin më për protestues të lënduar nga dhuna policore, por theksojnë zbatimin e gjobave të “Paketën kundër dhunës dhe anarkisë urbane” që ka përgatitur qeveria. Flasin vetëm për suksese të rrugëtimit drejt BE-së si:
“Kryeministri Rama, vizitë në Bruksel”,
“Rama: Me Listën Studentore ‘muzika‘ në Beograd nuk do të ndryshojë për çështjen e Kosovës”,
“Rama: Negociatat me BE-në do t’i përmbyllim sipas kalendarit të përcaktuar”,
“Rama: Marrëveshja me Italinë për emigrantët, në fuqi për aq kohë sa të jetë e nevojshme”,
“Rama: Mediet sociale po sfidojnë realitetin tonë të përbashkët, policia pala më e dëmtuar nga protestat”,
“Rama takohet sot me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte” (*),
etj. sa e tejkalojnë vetëm me pak orë fshehjen e kryeministrit gjatë dy-tre javëve i cili po përpiqet me çdo kusht dhe po investon për të shtypur lëvizjen studentore.
Duke zgjedhur mbrojtjen dhe përdorur intimidimin e mbuluar me humor vulgar shpesh ndaj gazetares, kryeministri nuk paraqiti interesa pë Shqipërinë, por u kujdes për imazhin e vetes dhe shprehu në mënyrë shembullore injorancën autokratike (mori edhe duartrokitje në mbyllje), kundrejt gjuhës diplomatike dhe qytetare që shumë nga drejtues shtetesh dhe të ftuar që me kënaqësi mund t’i dëgjoje për të mësuar të reja rreth procesit të zgjerimit evropian. Kryeministri i Shqipërisë me mburrje dallohej të bënte edhe “filozofime” dhe rrotullime frazash pikërisht për t’i shpëtuar pikërisht asaj që shqiptarët kanë vërtetuar se përse është i pamundur dialogu me të.
Në një rast kryeministri mes tensionit u shpreh se:-“Unë jam dikush që, e dini, gjithmonë më pëlqen të debatoj, të përballem me njerëzit, të sfidohem dhe të sfidoj të tjerët“. Pra toni i përballjes që kuptohet se është kundërvënia, janë dallimi më i qartë i vështirësisë së kryeministrit kur vetëmbrohet me treguesin tjetër të konceptit të përsëritur të tij dhe përmend se:-“Liria e dikujt mbaron atje ku fillon liria e tjetrit”.
Pra pa shkuar tek mendimtarët që e kanë argumentuar dhe e kanë trajtuar këtë kuotë duke dhënë një mendimin të një rëndësie të veçantë kur çështja diskutohet mbiliritë civile, e drejta për të protestuar.
Narrativa se shteti e ka nën kontroll, e ka thyer apo është filtruar për të përçarë protestën, kjo gjendje do të jetë e përkohshme sepse koncepti i lirisë (fjalën e lirë, të drejtën e grumbullimit dhe protestën) janë dhunuar. Pikërisht tani nuk qëndron më ajo ndarje e artë të gjuhës së qetë e të qytetëruar kur ndërgjegjësimi përpara ligjit është se:-“E drejta juaj mbaron aty ku fillon hunda tjetrit“* e njohur në argumentimin juridik si (Your rights end where his nose begins) .
Ky kufi tashmë është tejkaluar mes policisë dhe protestuesve ndaj edhe dialogu është refuzuar.
Drejtësia duhet të ushtrojë veprimin e vet për çdo rast.
Pretendimet e kryeministrit se numri i policëve të plagosur është disa herë më i madh se sa ai i protestuesve të plagosur, të lënduar, apo të shoqëruar dhe ndaluar afatgjatë në komisariate, vetëm duke u krahasuar me pamjet e transmetuara live nga mediat vendase dhe ndërkombëtare janë treguesi i masave administrative, gjobave dhe censurës si mjete të vetme të “buta” që pushteti ka ushtruar dhe po ushtron pandërprerë deri në krijimin e një zemërimi të ri të qytetarëve.
Kur flitet për zgjerimin e Evropës një nga influencat që të bie në sy veç tregtisë dhe lëvizjes së lirë është monedha euro.
Të gjitha vendet që e duan afrimin sikurse edhe të tjerë shtete që e kanë përgëzuar prej kohësh BE-në e kanë bërë diçka fare të vogël vlerësuar tregtinë, lëvizjen e lirë, turizmin me kontinentin e vjetër duke e respektuar dhe duke bërë një fushatë njohjeje me monedhën euro.
Nuk po e sjellim thjeshtë këtë krahasim.
Leku dhe politika e keqe ose keq qeverisja janë shkaktarë të korrupsionit dhe varfërimit të qytetarëve.
Juve ndoshta e keni ndeshur si kuriozitet, por jo një të ngjashëm me këtë përmbajte kur shtrojmë pyetjen:- Si nuk i ka shkuar në mendje Rilindësve Socialistë, kaq të lidhur dhe largpamës me ëndrrën Evropiane që të përqafonin simbolikisht qoftë edhe kartëmonedhën me vlerë ‘Zero Euro’*?
Ose:- A e dini se 77 vende të botës e përdorin kartëmonedhën ‘Zero Euro’, për të promovuar vendet e tyre, turizmin, natyrën, tipiken dalluese, njerëz të shquar dhe histori nga vendet e tyre?
… mesa duket kjo nuk është thjeshtë një risi për ata që lekun dhe kartëmonedhat e vendeve në përdorim të fituara përmes korrupsionit dhe trafiqeve e kanë më të lehtë t’i fshehin, groposin deri sa të gjenden të mykura nga hetimet e rastësishme të prokurorëve.
Shqipëria dhe disa vende fqinjë si Mali i Zi, Serbia, Bosnje-Hezegovina, Maqedonia e Veriut çuditërisht janë ndër vendet që aspirojnë BE-në, por nuk e promovojnë një nisimë të lindur në Francë në vitin 2015 me përjashtim të Republikës së Kosovës.
Tek sa i kthehemi Shqipërisë, muajve të vrullshme të zhvillimeve shoqërore të saj, marrëdhënia e pushtetit me paranë u pa qartë me atë që regjimi kundërshtoi dhunshëm protestën duke paguar forcat policore me dhe pa identifikim, por “të frontit të parë” sipas kryeministrit me një shumë 2500 euro, përgjigja krijuese e rinisë ishte prerja e re e kartëmonedhës që personifikonte kryeministrin, dhe përleshjen e një të riu me disa policë të pajisur e të mbrojtur gjer në dhëmbë.
Ky krahasim në formën e një meme-je që personifikon mercenarizmin dhe dhunën zuri vend që në ditët e para kur ky vendim u shpall nga kryeministri.
Ajo kartëmonedhë zuri vend krah pamjeve live që i bënë mediat vendase dhe ndërkombëtare, protestave të dhunshme, jo proporcionalitetin e forcave policore në goditjen e protestuesve si dhe përndjekjen dhe arrestimet ndaj tyre duke u justifikuar me identifikimin e personave të maskuar përmes teknologjisë, por pa harruar miliona investime për pajisje dhe automjete që të mundësojnë në të ardhmen ndërhyrjet dhe goditjen e protestës.
_________
*EU Enlargement Summit- Samiti i Zgjerimit, 3 Nëntor, 2026 Bruksel
*tituj nga ATSH dhe propaganda 3 Nëntor, 2026
* “E drejta juaj mbaron aty ku fillon hunda tjetrit“.
3 Nëntor, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)
Një video e publikuar në rrjetet sociale tregon momentin kur kryeministri Edi Rama është përballur me protesta edhe në Bruksel, ku ndodhej sot.
Protestuesit thërrasin drejt tij “Rama në burg” disa herë, ndërsa kreu i qeverisë shqiptare kthen kokën, por pa reaguar.
Kjo nuk është hera e parë që Rama përballet me protesta ndaj tij edhe gjatë vizitave zyrtare jashtë Shqipërisë, me shqiptarët që kanë protestuar ndaj tij në disa vende evropiane, si edhe në SHBA. bw
Në ditën e 22 të bojkotit të universiteteve, studentë dhe pedagogë kanë vijuar rezistencën e tyre për të kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
I pyetur nga gazetarja e Syri Tv, Fjona Çela, një pedagog ka theksuar se bojkoti vijon dhe se ata nuk do të reshtin së kërkuari dorëheqjen e kryeministrit, sepse kjo është një diktaturë shumë më e sofistikuar se ato të shkuarat. Ai u ka bërë thirrje studentëve të rezistojnë, mediave që të lëshojnë këtë pushtet të korruptuar dhe të kthejnë kamerat nga ajo çfarë po ndodh për të mirën e të gjithë shqiptarëve.
“Ne vazhdojmë bojkotin për aq kohë sa shumë çështje nuk janë zgjidhur, sidomos çështja kryesore, dorëheqja e kryeministrit Rama. Nuk do të reshtim së kërkuari këtë lloj të drejte. Në këtë pikë ku ka vajtur e gjitha po tregon edhe më qartë një lloj diktature që po vendoset. Ne e qasim me diktaturat e vjetra, por kjo është shumë herë më e sofistikuar. Kështu që mendoj se kjo protestë i ka nxjerrë në pah të gjitha këto gjëra. I bëj thirrje të gjithë studentëve që të rezistojnë në këtë gjë që kanë nisur. I bëj thirrje gjithë pedagogëve t’i mbështesin studentët. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të hapin sytë dhe të shohin se çfarë po ndodh dhe të ndërgjegjësohen për këtë gjë. I bëj thirrje mediave se është koha që të lëshojnë pushtetin e kalbur, të korruptuar dhe të marrin një tjetër lloj ndërgjegjeje brenda tyre dhe të jenë më transparentë dhe të kthejnë kamerat nga ajo që po ndodh. Është koha të bashkohemi të gjithë”,- tha ai.
Studentët kanë ironizuar kryeministrin Edi Rama në lidhje me kërkesën e tij për dialog, ndërsa ata i kërkojnë dorëheqjen.
Mbi disa karrige tek Universiteti Politeknik, studentët kanë vendosur disa fotografi të dhunës policore ndaj të rinjve, krahas së cilave kanë vendosur edhe disa letra në të cilat është shkruar: ”Diktator”.
Kujtojmë që edhe sot kryeministri bëri thirrje për dialog, por të rinjtë janë shprehur të vendosur se kërkesa e tyre për dorëheqje mbetet e panegiueshme. Panorama
Studentët kanë nisur këtë mëngjes marshimin në universitetet e kryeqytetit, duke vijuar protestën kundër qeverisë dhe duke kërkuar bojkotimin e procesit mësimor.
Pas Politeknikut, marshimi ka nisur drejt Universitetit të Arteve, ndërsa më pas të rinjtë pritet të vijojnë në fakultetet e tjera të Tiranës, ku do t’u bëjnë thirrje studentëve që t’u bashkohen protestave dhe të braktisin auditorët.
“Protestë deri në dorëheqjen e Ramës”, është mesazhi që shoqëron lëvizjen e tyre, ndërsa studentët theksojnë se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesave.
Ata bëjnë me dije se kanë zhvilluar diskutime dhe kanë vendosur bashkëpunim me grupe studentësh në universitete të ndryshme, përfshirë edhe studentët e Mjekësisë, me synimin për të zgjeruar bojkotin dhe për të bashkuar zërat e të rinjve.
Marshimi vjen në ditën e 22-të të protestës, e cila tashmë po shtrihet edhe në ambientet universitare, përmes thirrjeve për bojkot të mësimit dhe mobilizim të studentëve. bw
Studentët vijojnë protestën e tyre, ndërsa përmes pankartave kanë përcjellë mesazhe të forta kundër akuzave për ndikime të huaja dhe largimit të të rinjve nga vendi.
“Nuk na solli Rusia, nuk na solli Greqia, nuk na solli Veliaj, nuk na solli Partia, na thirri Shqipëria”, shkruhet në një prej pankartave të mbajtura nga protestuesit.
Me këtë mesazh, të rinjtë kundërshtojnë pretendimet se lëvizja e tyre nxitet nga faktorë të jashtëm apo interesa politike, duke theksuar se protesta buron nga shqetësimet dhe kërkesat e tyre.
Një tjetër pankartë përcjell shqetësimin për emigrimin e të rinjve: “Diploma nuk është biletë emigrimi”, ndërsa studentët vijojnë t’u bëjnë thirrje kolegëve të tyre të bojkotojnë mësimin dhe t’i bashkohen protestës.
Përmes këtyre mesazheve, studentët kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet dhe që e ardhmja e të rinjve të mos lidhet me largimin nga Shqipëria. bw
Protesta ditën e sotme ka nisur në dyert dhe sallat e universiteteve.
Studentë të Politeknikut janë mbledhur dhe kanë marshuar fillimisht tek Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, ku janë futur brenda me thirrjet “bojkotoni mësimin”.
Ata kanë kaluar në çdo sallë, duke hyrë dhe duke bërë thirrje për t’iu bashkuar.
Të njëjtën gjë e kanë bërë edhe tek fakultetin e Ekonomisë dhe Gjuhëve të Huaja, teksa së fundmi po drejtohen tek Juridiku.
Ndërkohë, raportohet se Universiteti i Mjekësisë po kryen rregullisht mësim.
Pas marshimit ata u rikthyen në Universitetin e Mjekësisë./balkanweb
Studentët kanë nisur protestën e 21-të kundër kryeministrit Edi Rama. Ata hynë në ambientet e Universitetit të Arteve, duke bërë thirrje që t’u bashkohen atyre në revoltë.
Me thirrjet “Rama jepe dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg”, ata dolën nga Universiteti i Arteve dhe janë nisur drejt Drejtësisë.
Ata hynë në ambientet e Fakultetit të Drejtësisë, me të cilët u bashkuan edhe studentët që studiojnë në këtë institucion
Të rinjtë kanë refuzuar dialogun me kryeministrin Edi Rama, duke theksuar se kërkesa e tyre për dorëheqje mbetet e panegociueshme. Panorama
Demokratët Europianë kanë reaguar lidhur me protestën e zhvilluar një ditë më parë në Tiranë, duke shprehur shqetësimin për pretendimet e organizatave kundër torturës mbi përdorimin e tepruar të forcës, keqtrajtimin dhe ndalimet arbitrare të protestuesve.
Në reagimin e tyre, ata dënojnë dhunën ndaj efektivëve të policisë dhe grave, por theksojnë se shteti nuk mund t’i përgjigjet dhunës me abuzim apo torturë.
Demokratët Europianë i kanë kërkuar qeverisë së Edi Ramës të garantojë hetime të pavarura për pretendimet e ngritura, të vendosë para përgjegjësisë personat përgjegjës për shkeljet dhe të sigurojë që policia të përdorë forcë proporcionale gjatë menaxhimit të protestave.
Në mesazhin e tyre, ata theksojnë se respektimi i të drejtave të njeriut dhe ndalimi i torturës janë parime që nuk mund të shkelen në asnjë rrethanë.
“Tortura nuk ka vend në Europë”, përfundon reagimi i Demokratëve Europianë.
Reagimi i plotë:
“Dje në Shqipëri, organizatat kundër torturës ngritën akuza serioze për përdorim të tepruar të forcës, keqtrajtim dhe ndalime arbitrare gjatë protestave.
Dhuna ndaj efektivëve të policisë dhe grave duhet të dënohet me vendosmëri dhe pa asnjë ekuivok. Por asnjë shtet nuk mund t’i përgjigjet dhunës me abuzim apo torturë.
Qeveria e Edi Ramës duhet të garantojë hetime të pavarura, vënie para përgjegjësisë dhe përdorim proporcional të forcës nga policia.
Protesta e 19-të e studentëve në Tiranë u shndërrua të shtunën në një përballje të fortë me policinë, me kosha mbeturinash në flakë, gurë e bomba molotov, gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Qëndresa nisi në mesditë përpara Ministrisë së Arsimit, vijoi me marshimin drejt Kryeministrisë dhe përfundoi me shpërndarjen e protestuesve në rrugët e kryeqytetit, ku pati përplasje të tjera me forcat e rendit.
Të rinjtë u mblodhën për të 19-ën ditë radhazi, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe duke përsëritur thirrjet kundër qeverisë. Mes sloganeve që u dëgjuan në bulevard ishin “Rama, dorëhiqu!” dhe “Pa rini nuk ka Shqipëri!”. Tubimi nisi në mënyrë paqësore, por situata u tensionua pas djegies së disa koshave të mbeturinave dhe hedhjes së gurëve në drejtim të efektivëve të policisë.
Refuzimi i PD-së dhe thirrjet kundër të dyja palëve politike
Një tjetër zhvillim i protestës ishte qëndrimi i studentëve ndaj përpjekjes së Partisë Demokratike për t’iu bashkuar tubimit. Demokratët nisën marshimin nga Kryeministria drejt Ministrisë së Arsimit, por deputetët e PD-së nuk u mirëpritën nga protestuesit, të cilët kërkuan që lëvizja të ruante karakterin e saj të pavarur.
Të rinjtë artikuluan thirrjen “Opozita jemi ne!”, ndërsa në bulevard u dëgjuan edhe slogane kundër të dyja forcave kryesore politike: “Rama në burg, Berisha në burg!”. Studentët u shprehën se nuk duan që protesta të përvetësohet nga partitë dhe se kërkesa e tyre për ndryshim nuk drejtohet vetëm kundër qeverisë, por edhe kundër klasës politike.
Gurë, molotovë dhe autobotët e ujit në veprim
Përplasjet e para u shënuan pranë Ministrisë së Arsimit. Disa protestues hodhën gurë, sende të forta dhe bomba molotov në drejtim të policisë dhe autobotit të ujit. Disa prej molotovëve përfunduan pranë mjetit të ujëhedhjes, duke shkaktuar shpërthime dhe flakë.
Policia reagoi me ujë me presion dhe gaz lotsjellës, ndërsa në terren ishin dislokuar forca të shumta të FNSH-së, Shqiponjave dhe efektivë të tjerë. Për mbarëvajtjen e protestës ishin angazhuar mbi 2 mijë punonjës policie, ndërsa në gatishmëri ishin vendosur edhe autobotë të shumtë.
Pavarësisht ndërhyrjes së policisë dhe reshjeve të dendura të shiut, protestuesit nuk u tërhoqën. Ata marshuan përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke kaluar edhe pranë selisë së Partisë Socialiste, ku policia kishte vendosur efektivë për të garantuar sigurinë e godinës, dhe vijuan drejt Kryeministrisë.
Droni lëshon gaz nga ajri, policia ndërhyn me forca të shumta
Tensionet u përshkallëzuan edhe më tej përpara godinës së Kryeministrisë. Policia përdori autobotë me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Një nga zhvillimet më të pazakonta ishte përdorimi i një droni të Policisë së Shtetit, i cili dyshohet se lëshonte gaz lotsjellës nga ajri. Gjatë ndërhyrjes, droni u rrëzua mbi protestuesit, ndërsa efektivët u afruan menjëherë në zonë.
Në bulevard u panë autoblinda dhe mjete të shumta policie, përfshirë autobotë të rinj ujëhedhës. Forcat e rendit ndërhynë për të shpërndarë turmën, ndërsa protestuesit u larguan nga zona e Kryeministrisë drejt rrugëve dhe rrugicave përreth. Edhe në këto zona u raportuan përplasje të tjera, ndërsa policia vijoi ndjekjen e grupeve të protestuesve.
Kështu, dita e 19-të e revoltës studentore u mbyll me një tjetër përshkallëzim të situatës në kryeqytet. Pas gati tri javësh protestash, studentët vijojnë të kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, ndërsa qëndrimi i tyre kundër përfshirjes së partive politike mbeti një nga mesazhet kryesore të tubimit. bw
Komentet