Kur vetingu nisi shkarkimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve disa vite më parë, të parët që i dolën në mbrojtje një procesi spastrimi të sistemit të drejtësisë ishin ambasadori amerikan në atë kohë, Donald Lu dhe kryeministri Edi Rama.
Lu tha se “Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë i kishte penguar korrupsioni. Vettingu po i zhbllokonte ato”. Rama ishte më i drejtpërdrejtë. “Më mirë djepi bosh, se shejtani brenda” u shpreh atëherë kryeministri për shqetësimin e atyre që parashikonin një sistem drejtësie gërmadhë. Pas 5 vitesh, sistemi duket të jetë në rënie të lirë nga vetë hartuesit e reformës në drejtësi. Për ta mbajtur gjallë projektin e reformës në drejtësi, Ramës dhe ambasadës amerikane u duhen votat e opozitës.
Djepi bosh i institucioneve të reja të drejtësisë
Situata në drejtësi përskruhet si të jetë në rënie të lirë, sese institucionet kanë mbetur bosh për shkak të procesit të vetingut. 5 vjet nga miratimi i reformës në parlament, situata në vija të përgjithshme është si më poshtë:
1) Gjykata Kushtetuese ka mbetur peng i formulës, që synoi balancat politike. Sot ka 7 anëtarë, 3 të propozuar nga parlamenti dhe 3 nga presidenti. Vitore Tusha qëndron në detyrë me mandat të skaduar. Juri Kim i takoi sot anëtarët e Kushtetueses duke premtuar se së shpejti do të kompletohet me anëtarët e tjerë.
2) Në Gjykatën e Lartë, situata është katastrofike. Më shumë se 35 mijë dosje kanë mbetur pa u gjykuar. Gjykata ka 9 anëtarë nga 19 që duhet të kishte. Zgjidhja që u promovua nga ambasada amerikane ishte një projekt i Soros për t’i ndihmuar gjyqtarët me juristë nga OJF.
3) Për shkak se nuk ka gjyqtarë në gjykatat e shkallës së parë dhe në Apel, KLGJ ka bërë një riorganizim gjykatash në të gjithë vendin. Propozohet krijimi i 12 gjykatave me juridiksion të përgjithshëm në 12 qarqe. Të gjitha supozohet të kenë vetëm një Gjykatë Apeli atë të Tiranës. Në fakt, Apeli i Tiranës ka rreth 15 mijë dosje në sirtarë që datojnë që nga viti 2016.
4) As në Prokurorinë e Përgjithshme situata nuk është më e mirë. Në qershor të këtij viti, gjatë një takimi të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, Olsian Çela tha se ka qenë i detyruar të shtojë oficerët e policisë gjyqësore që të merren me dosjet e hetimit, për të kompensuar mungesën e prokurorëve. Mund të tingëllojë qesharake, por pasqyron gjendjen ku është sot institucioni.
5) SPAK, teorikisht duhet të kishte 20 prokurorë. Praktikisht ka 15 të tillë. Byroja Kombëtare e Hetimit po merr formë ngadalë. 28 hetues të BKH-së kanë nisur punën nga 60 që duhet të ishin gjithsej. SPAK është rrëzuar disa herë nga Gjykata e Posacme kundër Korrupsionit për dosje të rëndësishme hetimore.
6) Duke qenë se largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga vetingu ka krijuar vakanca në institucionet e reja të drejtësisë, një nga hartuesit e reformës në drejtësi që sot drejton KLP-në, Gent Ibrahimi propozoi që shkolla e magjistraturës të mos jetë 3 vjet, por vetëm 2 vite. “Viti i tretë i studimeve të konvertohet në vit pune” tha Ibrahimi. Propozimi shpreh edhe një herë gjendjen e emergjencës ku është drejtësia e re.
Afati i skadencës për vetingun
Si të mos mjaftonin këto, vitin e ardhshëm skadon afati i vetingut nga organet e reja KPK dhe KPA. Çfarë do të thotë kjo? Kushtetuta parashikon që mandati i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe i Komisionit të Pavarur të Apelimit dhe i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të zgjasë deri në qershor të vitit 2022. Më pas vetingu kryhet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për prokurorët dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor për gjyqtarët e mbetur. Rolin e ILD-së e merr SPAK.
Kjo zhvendosje e Vetingut për rreth 370 gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë tek Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk është një opsion i pëlqyeshëm nga Partia Socialiste dhe ambasada amerikane, që ka investuar miliona euro në reformën në drejtësi.
Partia Socialiste do të humbiste lidhjet e fuqishme, që ka krijuar tashmë me anëtarët e organeve të vetingut, veçantërisht në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Në anën tjetër procesi i vetingut ka rezultuar i avashtë që tani. Nëse do të kalonte tek anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Këshilli i Lartë Gjyqësor, që kanë ngarkesa të tjera, atëherë procesi do të ecte me ritme shumë të ngadalta për qindra gjyqtarë dhe prokurorë.
Praktikisht vetingu do të kalonte në ngërç, duke kaluar në dështim. Qindra gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë të pavetuar do të vazhdonin punën ende për vite të tëra, duke e kthyer vetingun në një procedurë pa fund. Pikërisht, për të shmangur një goditje të tillë ndaj reformës në drejtësi, shumica ka kërkuar sot votat e opozitës.
Kërkesa e Ramës për bashkëpunim me Bashën
Pikërisht për t’i dhënë oksigjen reformës në drejtësi, duhet ndryshimi i Kushtetutës dhe votat e Partisë Demokratike. Sot, Ministri i ri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka kërkuar konsensusin e opozitës që të ndërhyjnë në kushtetutë për të zgjatur mandatin e KPK dhe Komisionerit Publik. Kjo tha Manja po bëhet edhe në konsultim me SHBA dhe BE.
“Mbarimi i mandatit të KPK dhe Komisionerit Publik mbaron në 17 qershor 2022. Janë 801 subjekte per tu rivlerësuar janë 431 subjekte të vetura dhe mbeten në proces 370 subjekte. Për të garantuar vijueshmërinë e këtij procesi ne mendojmë dhe jemi në komunikim me SHBA dhe BE që ky proces të përfundohet nga organet e vettingut. Ne do të kërkojmë edhe konsensusin e opozitës që mandati i i KPK dhe Komisioneri Publik të zgjatet deri në përfundim të procesit të vettingut deri në rivlerësimin e plotë të subjekteve. Zgjatja e mandati kërkon ndërhyje në kushtetutën dhe ne nuk i kemi votat e nevojshme dhe për këtë do të kërkojmë konsensusin e opozitës”, tha Manja.
Bie në sy që Ministri i Drejtësisë foli edhe në emër të ambasadës amerikane. Kërkesës së qeverisë i bashkohet kështu edhe faktori ndërkombëtar që ka pasur një rol aktiv në zhvillimet e fundit.
Çarja e PD-së nga ambasada amerikane
Qëndrimi i opozitës për reformën në drejtësi është i dyfishtë. Në njërën anë është qëndrimi agresiv i Berishës, që ka denoncuar kapjen e reformës nga kryeministri Rama. Berisha denoncon rastet e vetingut për Ardian Dvoranin apo Sokol Sadushin, që sipas tij janë shembuj flagrantë që tregojnë kapjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Sipas Berishës, ndërhyrja e fondacionit Soros në krizën që ka përfshirë Gjykatën e Lartë, ku kanë mbetur pezull mbi 35 mijë dosje ishte një skandal që tregon dështimin e reformës në drejtësi.
Por jo të gjithë në Partinë Demokratike mendojnë njësoj. Kreu i PD-së Lulzim Basha ka mbajtur një qëndrim më të moderuar përkundrejt investimit amerikan. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë qëndrimi i PD përkundrejt kërkesës së Ramës për t’i bashkuar votat për ndryshimin e Kushtetutës. Në këmbim, Rama ka thënë se nuk ka vija të kuqe për bashkëpunimin me PD dhe është gati t’i ofrojë shumë Partisë Demokratike. “Nuk kam asnjë tabu. Nuk kam vija të kuqe fare. Jo për Opozitën, por për Partinë Demokratike Shqiptare. Atë njoh unë për Opozitë” shprehej Rama para se ta kishte bërë publike se çfarë kërkonte nga Lulzim Basha./Lapsi.al
Komentet