Minimal art went nowhere.
Sol LeWitt
Sol LeWitt
Minimal art went nowhere.
Sol LeWitt
Sol LeWitt
Llogaritë bankare të kompanisë “Albania Land Development” u sekuestruan me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme më 2 qershor 2026, por dy institucionet që vendosën mbi këtë masë, prokuroria dhe gjykata, deklaruan se në këtë fazë të “hetimit” nuk kanë njoftim për të ndarë me median. Mendohet se shuma e sekuestruar është 200 mln dollarë në një bankë të nivelit të dytë, në kuadër të hetimit që SPAK ka nisur mbi projektin turistik luksoz në Zvërnec, i lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.
Hetimi ka nisur mbi dyshimet ngritura se tjetërsimi i pronësisë së tokës gjatë vitit 2024, i hapën rrugë zhvillimit të projektit në një nga zonat më të ndjeshme mjedisore të Shqipërisë.
Kompania, në pronësi të sipërmarrësve nga Katari, vëllezërve Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat, ka blerë sipërfaqet e tokës ku planifikohet ndërtimi i resortit dhe konsiderohet një hallkë kyçe në realizimin e investimit.
Projekti përfshin ishullin e pabanuar të Sazanit dhe qindra hektarë të peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë, një ekosistem bregdetar me rëndësi të veçantë për biodiversitetin.
Megjithëse investimi është lidhur publikisht me kompaninë “Affinity Partners” të Kushnerit dhe investitorët nga Katari, leja e zhvillimit është miratuar për kompaninë “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k.
Sipas të dhënave zyrtare, kompania ka adresën në katin e 12-të të kullës European Trade Center (ETC) në Tiranë. Dokumentacioni publik tregon vetëm një administrator shqiptar, Andi Jorgji, dhe një kapital fillestar prej 5 milionë lekësh.
Ndërkohë, projekti është shoqëruar me kundërshtime të forta nga qytetarë dhe organizata mjedisore. Protestat nisën në fund të muajit maj, pasi në zonën e Zvërnecit u vendosën gardhe që kufizuan hyrjen e banorëve dhe turistëve në plazh. Demonstratat janë shtrirë edhe në Tiranë, ku protestuesit kanë kërkuar ndalimin e projektit, mbrojtjen e zonës së mbrojtur dhe transparencë mbi procedurat që i hapën rrugë investimit.
Tensionet u rritën pas publikimit të pamjeve ku roje private të sigurisë shfaqeshin duke dhunuar dhe tërhequr zvarrë një protestues. Pas incidentit, autoritetet revokuan licencat e dy kompanive të sigurisë private, arrestuan një roje sigurie dhe morën masa ndaj drejtuesve lokal të policisë. Ndërsa kryeministri Edi Rama ka deklaruar se investimi do të vijojë pavarësisht hetimeve, çështja po tërheq vëmendje të gjerë publike për shkak të përmasave ekonomike të projektit, hetimeve mbi pronësinë e tokës dhe rëndësisë mjedisore të zonës ku ai pritet të zhvillohet.

Credits: shteg.org – Drejtorët hije/Ilustrim
Më 13 gusht 2024, në vapën e rëndë të Tiranës, një zyrtar regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit shtypi butonin “Aprovo”. Në atë sekondë lindi zyrtarisht shoqëria “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k. Zyrat e saj u vendosën lart, në katin e 12-të të kullës European Trade Center (ETC), përgjatë Bulevardit Bajram Curri. Gazetarët e “shteg.org” nuk gjetën asnjë shenjë të kësaj kompanie me një emër që premton zhvillim ndërkombëtar. E vetmja gjë që rezulton në letër është një administrator shqiptar të quajtur Andi Jorgji dhe një kapital fillestar prej 5,000,000 lekësh.
Gjurmët e letrave të çojnë drejt veriut të Europës, në një zyrë sterile “kutie postare” në katin e parë të World Trade Center në Amsterdam, ku dy persona në hije, një shtetas rus dhe një shtetase bullgare, thurën një rrjet kompanish me vlerë “1 Euro”.
Për të kuptuar se si u projektua kontrolli i Zvërnecit, duhet të kthejmë kohën pas, saktësisht dymbëdhjetë ditë përpara se kompania shqiptare të hapej.
Është data 1 gusht 2024. Ndërsa në Shqipëri flitej nën zë për planet e mëdha të resorteve në Pishë Poro, në Amsterdam të Holandës regjistrohet një kompani e quajtur “Universal Properties Projects B.V.”. Adresa e saj është “Strawinskylaan 1431, 1077XX Amsterdam”. Ajo nuk ka zyra fizike, as punëtorë dhe as fabrika. Është një kompani “guaskë” (shell company). Kapitali i saj i themelimit është 1 Euro.
Kjo kompani me vlerë sa një kafe e thjeshtë u krijua me një qëllim të vetëm, të zbriste dymbëdhjetë ditë më vonë në Tiranë dhe të blinte 100% të aksioneve të kompanisë shqiptare “Zvërnec South Adriatic Development”, duke injektuar atje kapitalin prej 5,000,000 lekësh.
Në industrinë offshore, kompanitë guaskë vendosen gjithmonë brenda njëra-tjetrës, si kukullat ruse “Matrioshka”.
Dokumentet e Orbit tregojnë se shoqëria 1-euroshe “Universal Properties Projects B.V.” zotërohet plotësisht nga një tjetër entitet më i vjetër dhe më i sigurt, “Interroyal B.V.”, e cila ndan saktësisht të njëjtën adresë: “Strawinskylaan 1431, Amsterdam”. E krijuar më 10 qershor 2004 me një kapital prej 18,000 eurosh.
Kontrolli kapital i Interroyal B.V. ndahet mes dy personave që ligjërisht mbajnë statusin Pronar Përfitues Fundor.
Nikita Maximovich Vinogradov, një shtetas rus i lindur më 7 shkurt 1991, i cili kontrollon mbi 25% të aksioneve në hije, dhe Zoya Georgieva Gyurova, një shtetase bullgare e lindur më 17 tetor 1988, e cila gjithashtu kontrollon mbi 25% të aksioneve.
Të dy këta persona nuk janë investitorë të pasurive të paluajtshme që kanë zbritur në Vlorë me shpurën e investitorëve strategjikë. Ata janë “drejtorë” profesionistë.
Kur gazetarët kërkuan për biografinë publike të Nikita Vinogradov apo Zoya Gyurova, sistemi Orbis nxjerr një fjalë të thjeshtë e të ftohtë: “No data available”. Ata nuk ekzistojnë në konferenca biznesi, nuk kanë intervista dhe as profile publike. Megjithatë, ata kontrollojnë miliarda në letra.
Dokumentet zbulojnë se Nikita Vinogradov është zyrtarisht Drejtori i Përgjithshëm (“Algemeen Directeur”) i Dutch Trust Management B.V. që nga viti 2019. Kjo kompani trusti është “makineria” që administron adresën “Strawinskylaan 1431” dhe që mbron sekretet e klientëve në mbarë botën. Zoya Gyurova është partnerja e tij ekzekutive në të njëjtin bord.
Ata janë specialistë të krijimit të paravanëve ligjorë. Vinogradov mban 7 role aktive në 6 kompani të ndryshme holandeze, ndërsa Gyurova menaxhon një rrjet edhe më mbresëlënës me 12 role aktive në 10 kompani të ndryshme.
Se sa të fuqishëm janë këta dy “menaxherë hijesh”, këtë e tregojnë dy fije të tjera të padukshme që zbulon regjistri i Orbit. Njëra që të lidh me pushtetin gjeopolitik të Pekinit dhe tjetra me atë të Tiranës.

Credits: Facebook – Në një fotografi grupi të publikuar nga vizita në Zvërnec, Ivanka Trump dhe Kryeministri Edi Rama shfaqen së bashku me disa pjesëmarrës të tjerë, mes të cilëve është i pranishëm edhe Musa Kastrati.
Mëngjesin e 30 majit, në telefonat e disa mediave në vend u shpërnda deklarata e kompanisë “Zvërnec South Adriatic Development”, në të cilën thuhej se po përballej me një fushatë dezinformimi dhe përpjekje për të diskredituar projektin turistik në Zvërnec. Sipas saj, investimi prej mbi 4 miliardë eurosh po zhvillohet në përputhje me ligjin, mbi prona private të blera ligjërisht dhe me mbikëqyrjen e institucioneve shqiptare. Kompania thekson se projekti synon të krijojë mijëra vende pune, të respektojë standardet mjedisore dhe të kontribuojë ndjeshëm në ekonominë shqiptare, ndërsa premton se dokumentacioni teknik dhe mjedisor do të bëhet publik pas përfundimit.
Ndonëse deklarata u paraqit si një reagim zyrtar i kompanisë zhvilluese, gjurmët e shpërndarjes së saj çojnë edhe te aktorë të tjerë. Sipas burimeve të “shteg.org”, dokumenti u qarkullua fillimisht nga stafi i marrëdhënieve me publikun të Kastrati Group, përpara se të publikohej në faqen zyrtare të kryetares së Bashkisë së Vlorës. Përfshirja e emrit të grupit nuk kalon pa u vënë re, sidomos në dritën e fotografive të publikuara nga vizita e Ivanka Trump në Zvërnec, ku mes personave që e shoqëronin shfaqej edhe Musa Kastrati, djali i biznesmenit Shefqet Kastrati.
Kompania Kastrati Group nuk iu përgjigj pyetjeve për koment. Po ashtu, as Bashkia e Vlorës dhe institucionet e tjera të shtetit shqiptar të përfshira në këtë projekt.
Shteg.org nuk mundi të kontaktonte asnjë prej përfaqësuesve të “Zvërnec South Adriatic Development”, por pronarët përfitues të saj, shtetasi rus Nikita Vinogradov dhe bullgarja Zoya Gyurova, referuar dokumenteve të OpenCorporates, rezultojnë po ashtu si pronarë përfitues edhe në “AIR BP ALBANIA”, një kompani me objekt veprimtarie tregtimin e karburanteve të avionëve, me seli të zyrave qendrore në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe atë të Aeroportit të Kukësit.
Përfshirja e tyre vjen si rrjedhojë e strukturës korporative të shoqërisë holandeze United World Technologies B.V. (e cila zotëron 50% të aksioneve të Air BP Albania). Kjo kompani operon përmes një modeli të mbyllur “Trust-i”, ku pronësia e plotë kontrollohet nga fondacioni menaxhues Stichting Administratiekantoor United World Technologies dhe administrohet nga Dutch Trust Management B.V. Për shkak të kësaj strukture fiduciare, ku investitorët e fundit kapitalë apo përfituesit realë nuk identifikohen nominalisht në regjistrat publikë, ligji parashikon që si pronarë përfitues të regjistrohen pikërisht përfaqësuesit ligjorë të strukturës më të lartë, që në këtë rast janë Gyurova dhe Vinogradov.
Analiza e kompanive të tjera që kjo dyshe përfaqëson në Holandë tregon se roli i tyre shkon përtej administrimit formal të disa shoqërive. Dokumentet e regjistrit Orbit zbulojnë dy lidhje domethënëse që ndihmojnë për të kuptuar peshën e tyre në botën e korporatave ndërkombëtare: njëra të çon drejt interesave të lidhura me gjigantin shtetëror kinez të energjisë, ndërsa tjetra drejt një prej rrjeteve më të fuqishme të biznesit në Shqipëri.
Dokumentet e provojnë se më 25 nëntor 2025, shtetasi rus Nikita Vinogradov dhe bullgarja Zoya Gyurova u emëruan që të dy si anëtarë të Bordit të Drejtorëve të kompanisë “Bestuurder; Directeur B” në kompaninë “SOIHL Netherlands Investment B.V.”. Edhe këto kompani kanë po të njëjtën adresë në Amsterdam, rrugën Strawinskylaan 1431.
Ky entitet është krahu i investimeve offshore i “Sinopec Overseas Investment Holding Limited”, gjiganti shtetëror i naftës dhe gazit i qeverisë së Kinës. Në këtë bord, “pronarët përfitues” të Zvërnecit ulen krah për krah me zyrtarë të lartë kinezë si Ning Li dhe Baosheng Zhang, duke menaxhuar flukset e naftës kineze.
Dokumenti i Orbit për Zoya Gyurova tregon një lidhje të dokumentuar të nivelit të parë me Klodian Allajbeu.
Gyurova ka shërbyer në bordin e kompanisë “Media A.B.C. Holding B.V.”, një entitet i regjistruar midis Holandës dhe Cambridge-it në Britaninë e Madhe. Përmes këtij pozicioni, dokumentet investigative e lidhin atë direkt me rrjetin e kontrollit të Spitalit Amerikan në Shqipëri, duke përfshirë personat e lidhur të Nivelit 2 si Dr. Iris Allajbeu, Mario Karaj, Andrei Christian Krikliwy dhe Samsara Hamzaraj.
Sipas dokumenteve të referuara, Vinogradov dhe Gyurova shfaqen në role drejtuese dhe përfaqësuese në struktura korporative jashtë Shqipërisë, të cilat lidhen edhe me kompani aktive në vend, ndërsa mënyra e ndarjes së pronësisë përfituese mbetet e ndërmjetësuar nga struktura të ndërlikuara juridike ndërkombëtare.

Credits: LSA – Foto nga protesta
Kur një kryeministër del përpara kamerave për të menaxhuar një krizë të madhe publike, ai zakonisht ofron një zgjedhje: midis vizionit të tij për progres dhe “prapambetjes” së kritikëve të tij. Pas javësh të tëra tensioni në bregdetin e Vlorës, Edi Rama zgjodhi pikërisht këtë rrugë.
I gjendur përballë një dallge zemërimi popullor, të ndezur nga videoja e një protestuesi që tërhiqej zvarrë pas një gardhi me tela me gjemba në Zvërnec, Kryeministri shqiptar mbajti një fjalim të gjatë dhe emocional. Ai pranoi se dhuna e rojeve private ishte “e neveritshme”, njoftoi shkarkimin e menjëhershëm të Drejtorit të Policisë së Vlorës për relativizim të ngjarjes, hoqi licencën e kompanisë private të sigurisë dhe urdhëroi arrestimin e rojeve.
Por përtej menaxhimit të incidentit fizik, fjalimi i Ramës hapi perden e një beteje shumë më të madhe gjeopolitike dhe korporative. Nga njëra anë qëndron narrativi zyrtar i qeverisë për një investim elitar prej 4 miliardë eurosh dhe, nga ana tjetër, qëndrojnë dokumentet e ftohta të regjistrave tregtarë dhe inteligjencës korporative Orbis.
Edi Rama e vizatoi projektin e Zvërnecit si biletën e Shqipërisë për në “Ligën e Kampioneve” të turizmit global. Ai hodhi poshtë me forcë ato që i quajti “legjenda të përhapura me shumë helm”, thashethemet se toka po i falej Izraelit për të sjellë palestinezët, apo se “ca rusë në bashkëpunim me oligarkët shqiptarë po rrafshojnë zonën për të ndërtuar pallate”.
Sipas Ramës, e vërteta është tërësisht ndryshe dhe e mbikëqyrur rreptësisht:
Kryeministri deklaroi se negociatat kanë nisur që në vitin 2023. Ndërsa ishulli i Sazanit është tokë publike ku shteti po kërkon të jetë ortak, toka në Zvërnec është 100% pronë private e regjistruar në hipotekë prej shumë vitesh.
Rama specifikoi se pasuritë objekt zhvillimi janë në pronësi të shoqërisë “Albania Land Development”, e cila si ortak ka vetëm shoqërinë “Sazan Holding”. Në majë të këtij zinxhiri, sipas tij, qëndrojnë dy bashkëpronarët e gjigantit “Power Holding” nga Katari. Paratë, tha ai, janë të mbikëqyrura në mënyrë strikte “euro për euro” nga Agjencia Kundër Pastrimit të Parave dhe partnerët ndërkombëtarë.
Kryeministri tha gjithashtu se Pishë-Poro nuk është park kombëtar i paprekshëm (si Vjosa), por një peizazh i mbrojtur i Kategorisë së Pestë (IUCN), që lejon bashkëjetesën e natyrës me turizmin e nivelit të lartë. Ai zbuloi se Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) e kishte rrëzuar masterplanin e parë në shtator 2024, sepse ishte shumë intensiv. Vetëm në mars të vitit 2026 u pranua një projekt tërësisht i rikonceptuar, ku u hoq marina dhe u vendos një brez mbrojtës nga vija e lagunës.
Rama këmbëngul se nuk ka asnjë projekt arkitektonik të miratuar. Leja e infrastrukturës e dhënë në prill 2026 ishte thjesht për “rrugë kalimi të përkohshme”, që studiot mjedisore të vendosin pajisje për të studiuar biodiversitetin. Për të mbrojtur këtë vizion, investitorët (të promovuar globalisht nga Jared Kushner) kanë angazhuar pesë nga studiot më elitare të arkitekturës në botë: BIG (Danimarkë), Kengo Kuma (Japoni), Jean Nouvel (Francë), Emre Arolat (Turqi) dhe K-Studio (Greqi), duke sjellë marka si AMAN, Cheval Blanc dhe Atlantis.
Kryeministri Rama e krahasoi zemërimin e publikut me skenarin e filmit “Wag the Dog”, ku një krizë dhe një luftë me Shqipërinë fabrikohen nga mediat përmes simboleve të rreme (si gardhi me tela). Ai argumentoi se makineritë në terren thjesht po merreshin me gurë për të hapur rrugë kalimi për pajisjet e studimit mjedisor, pasi “studimi mjedisor akoma nuk është bërë”.
Kryeministri nuk dha shpjegime pse kompania e zhvillimit u nxitua të ngrinte një gardh të rrethuar me tela me gjemba dhe të përdorte dhunë aq agresive përmes rojeve private, sa të detyronte shtetin të ndërhynte me shkarkime të nivelit të lartë të policisë, nëse leja e prillit 2026 ishte thjesht për rrugë kalimi të përkohshme mjedisore dhe asgjë nuk është finale.

Credits: shteg.org – Zona ku do të zhvillohet projekti
Dritan Brako, me profesion inxhinier hidroteknik, diku nga mesi i dhjetorit u kontraktua nga administratorja e kompanisë “Zvërnec South Adriatic Development”, Isida Çela. Ai nënshkroi një kontratë për nisjen e punës për vlerësimin e ndikimit në mjedis për projektin, për të cilin kompania ka siguruar një leje zhvillimore për një sipërfaqe mbi 466 hektarë.
Inxhinieri i tha “shteg.org” se është kontraktuar nga znj. Isida Çela, por tashmë në realizimin e studimit janë bashkuar edhe ekspertë të tjerë dhe se puna është ende në fazën paraprake.
“Për të realizuar një studim duhen minimumi 6 muaj kohë, por mund të shkojë edhe dy vite”, thotë Brako, sipas të cilit projekti ka pësuar shumë ndryshime nga aplikimi i parë që është dorëzuar.
Bazuar në dokumentacionin e aplikimit, projekti “Zvërnec Peninsula – Kompleks Multifunksional” përfshinte njësi shërbimesh, banimi dhe hotelerie nga 1 deri në 8 kate, por edhe objekte banimi, shërbimesh, hotelerie, rekreacioni, si dhe mole parkimi të mjeteve ujore.
Inxhinieri thotë se projekti ka ndryshuar, megjithatë ende po punohet për ndikimin në mjedis që do të ketë zhvillimi i tij, duke pasur parasysh që do të zhvillohet në zonën e mbrojtur “Pishë Poro-Nartë”, shpallur me VKM-në Nr. 596, datë 25.09.2024, “Peizazh i Mbrojtur Ujor/Tokësor” (Kategoria V), në monumentet natyrore “Laguna Limopuo” dhe “Kodrat Molasike të Zvërnecit”.
Brako po ashtu sqaroi se edhe çështja e pronësisë së projektit është e dokumentuar sipas certifikatave të lëshuara nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ndërsa për të ekziston edhe një Vlerësim Strategjik Mjedisor (VSM).
Ky vlerësim, i cili i hap rrugën ligjore ndërtimeve në peizazhin e mbrojtur, nuk u pagua nga investitorë të Nju Jorkut apo llogari transparente të Katarit. Ai u porosit dhe u financua drejtpërdrejt nga një mozaik përfituesish vendas, një aleancë e pazakontë mes bankave me histori të përgjakshme, biznesmenëve të lidhur me pushtetin, kompanive nën hetim për pastrim parash dhe emrave të skeduar për lidhje me mafian italiane.
Deri në vitin 2022, ata kontrollollonin së bashku një parcelë gjigante prej 1,536 hektarësh në zonën e mbrojtur.
“Qendra Kërkimore për Zhvillimin Rural, me kërkesën e subjekteve private pronarë, në proporcione të ndryshme të sipërfaqeve në zonë, ka kërkuar Vlerësimin Strategjik Mjedisor”, thuhet zyrtarisht në dokumentet që i hapën rrugë ndërtimit të aeroportit të Vlorës.
Dokumentet e lidhura me Vlerësimin Strategjik Mjedisor zbardhin emrat e vërtetë që qëndrojnë pas regjistrimeve të tokës në këtë perimetër strategjik.
Pronari më i madh i tokës në këtë zonë të mbrojtur është një bankë e nivelit të dytë në Shqipëri. Ky institucion financiar mban në portofolin e tij plot 600 hektarë.
Një nga njerëzit më të pasur në Shqipëri, Vasil Naçi, kontrollon përmes kompanisë së tij Agna Sha 240 hektarë të tjerë. Portofoli i tij shtrihet nga tregtimi i pijeve energjetike dhe pasuritë e patundshme, e deri te sektori i ndërtimit dhe energjisë.
Një sipërfaqe e barabartë zotërohej nga kompania “Singapore Europe Real Estate” (S.E.R.E.), pjesë e konglomeratit në pronësi të biznesmenit Samir Mane.
Biznesmeni Gazmend Demi, posedon 180 hektarë në këtë zonë. Pjesa tjetër e tokës brenda 1,536 hektarëve të projektit mjedisor mbulon histori që kanë kaluar nëpër zyrat e prokurorive për krime të rënda.
Kompania Adhenis sh.p.k., në pronësi të Artur Shehut, kontrollon 150 hektarë brenda zonës së mbrojtur. Pronat e përfituara nga Shehu në bregdetin e Vlorës kanë qenë prej vitesh objekt i hetimeve intensive nga prokuroria shqiptare, ndërkohë që emri dhe e shkuara e tij janë lidhur në dosje investigative me operacionet e pastrimit të parave të mafias italiane.
Në këtë rrjet pronësish figuron edhe një kompani e krijuar në vitin 2012 nga një shtetas indian dhe shqiptari Denis Alimehmeti. Në gusht të vitit 2015, Prokuroria shqiptare hapi një procedim penal për pastrim parash ndaj Alimehmetit, pas sinjalizimeve për transaksione me vlera jashtëzakonisht të mëdha në llogaritë e tij. Ndonëse hetimet u pushuan në vitin 2017 me argumentin se nuk provohej evazioni fiskal, kalimi i këtyre kapitaleve mbi letrat e zonës së mbrojtur mbetet një pikëpyetje e madhe.
Nga ana tjetër, në Zvërnec vijon prej vitesh një konflikt i pazgjidhur pronësie.
Rreth 250 familje pretendojnë të drejta mbi këto toka, qoftë si pronarë të hershëm, qoftë si përfitues të akteve të njohjes së pronësisë të lëshuara në bazë të ligjit 7501. Mosmarrëveshjet kanë prodhuar një sagë të gjatë gjyqësore, e cila ende nuk ka marrë fund. Pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, çështja është rikthyer për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë, ku po rishqyrtohen pretendimet mbi sipërfaqe të konsiderueshme kullotash dhe pyjesh. Në një zonë ku interesat ekonomike po rriten me shpejtësi, fati i këtyre pronave mbetet ende i paqartë, ndërsa banorët vazhdojnë të presin një zgjidhje përfundimtare nga drejtësia.
Lindita Çela është një gazetare investigative e shquar, e njohur për raportimet e saj të përpikta dhe të guximshme mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri. Me një karrierë që shtrihet për mbi dy dekada, Çela është konsoliduar si një figurë e rëndësishme në fushën e gazetarisë investigative, duke fituar vlerësime si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar për punën e saj.
Igli Tare është nën hetim në Shqipëri për pastrim parash: ish-drejtori sportiv i AC Milan dyshohet se ka regjistruar në emrin e tij një vilë të përdorur si ryshfet për ish-zëvendëskryeministren Balluku. Ai u shkarkua dhjetë ditë më parë.
Nga Salvatore Riggio, CORRIERE DELLA SERA
Këto nuk janë kohë të mira për Igli Taren. Pasi u shkarkua nga AC Milan më 25 maj pas dështimit të klubit për t’u kualifikuar për Ligën e Kampionëve, ai tani është nën hetim në Shqipëri për pastrim parash.
Tare është informuar nga SPAK (Zyra e Prokurorit Special kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) se është nën hetim në rastin “Balluku” (hetimi është ende në vazhdim).
Hetimi mban emrin e ish-zëvendëskryeministres së Shqipërisë Belinda Balluku, e akuzuar për parregullsi në prokurim dhe nën hetim për korrupsion dhe pastrim parash që përfshijnë afërsisht një milion euro. Në thelb, siç raportuan mediat lokale, ish-sulmuesi është akuzuar edhe për pastrim parash.
Pasi u thirr për t’u paraqitur si person i informuar për faktet, Tare thuhet se u mor në pyetje për gjashtë orë në zyrat e Prokurorisë, ku ishte i pranishëm avokati i tij.
Lidhja e supozuar midis politikanit dhe ish-drejtorit sportiv të AC Milan ka të bëjë me një vilë në Shqipëri, brenda kompleksit turistik ekskluziv “White Rocks” në Dhërmi, në bregdetin Jon. Sipas prokurorisë, shtëpia iu ofrua Ballukut si ryshfet për një kontratë të dhënë një kompanie ndërtimi.
Për të shmangur çdo gjurmë, vila ishte regjistruar në emër të Tares. Sipas Prokurorisë, ishte vetë Tare ai që nënshkroi “një marrëveshje fiktive qiraje me ish-shefin e kabinetit të Ballukut”.
Në realitet, Prokuroria gjithashtu pretendon se vila është në pronësi të ish-zëvendëskryeministrit. syri.net
Në 17 nëntor të vitit 2014, shoqëria publike Albcontrol shpalli një tender për “Rikonstruksionin e godinës Teknologjike të ALBCONTROL SHA për përmirësimin e kushteve,” me fond limit 73 milionë e 860 mijë lekë ose rreth 750 mijë euro me kursin e sotëm.
Sipas dokumentave të publikuara në APP, zhvillimi i tenderit ishte caktuar në 8 dhjetor po të atij viti, ku Albcontrol do të hapte ofertat e mbërritura nga kompanitë. Dhe kështu ndodhi.
Në garë u paraqitën 4 oferta. E para ishte ajo e bashkimit të kompanive Ndregjoni shpk dhe Cara shpk, të cilat ofruan çmimin 48.3 milionë lekë. Oferta e dytë u paraqit nga Ndërtim Montim Patos sha me rreth 71 milionë lekë, ndërsa oferta e tretë erdhi nga bashkimi i kompanive Alko Impex dhe Agri Construction me 71.3 milionë lekë.
Ofertuesit ne tender
Këto u skualifikuan të treja me preteksin e mospërmbushjes së kushteve. Albcontrol shpalli fituese ofertën me çmimin më të lartë, atë të kompanisë Eurocol të Pandeli Carapulit, e cila ofroi vlerën 72.4 milionë lekë ose më shumë se 98 për qind e fondit limit.
Njoftimi i klasifikimit u bë në datën 11 dhjetor, pra tre ditë pas tenderit dhe në datën 30 dhjetor u lidh kontrata.
Lidhja e kontrates
Por sikur të mos mjaftonte që e fitoi tenderin me çmimin më të lartë, Pandeli Carapuli do të merrte të tjera miliona shtesë për rikonstruksionin e godinës së Albcontrol. Rrugës kontrata u modifikua duke shtuar dhe 14.2 milionë lekë të tjera dhe duke e çuar totalin që u pagua nga paratë publike për këtë tender në 86.6 milionë lekë.
SPAK akuzon se kompania Eurocol nuk e fitoi rastësisht tenderin me ofertën më të lartë dhe nuk iu shtuan rastasisht para të tjera rrugës. Sipa SPAK, Belinda Balluku kishte interesat e veta financiare në këtë tender, pasi në këmbim të parave që i dha Carapulit mori rryshfet një vilë të tipit Beonia në kompleksin ëhite Rocks në Dhërmi.
Biznes mes miqsh
Sipas SPAK, vlera e vilës ishte 141 mijë euro dhe pronësia reale e Ballukut mbi vilën u fsheh përmes kontratave fiktive të ish futbollistit të kombëtares, Igli Tare dhe ish vartëses së saj Joana Bushi.
Vetë Tare i ka mohuar këto akuza gjatë pyetjes nga prokurorët e SPAK.
“Me Belinda Ballukun kam marrëdhënie miqësore që prej fëmijërisë, një fakt që njihet gjerësisht në Tiranë. Familjet tona kanë lidhje të vjetra dhe frekuentohen prej vitesh,” ka dëshmuar Tare.
Në këtë kuadër, ai ka shpjeguar se si mik i afërt, thjesht i ka ofruar asaj dhe fëmijëve të saj mundësinë për ta shfrytëzuar banesën e Dhërmiut gjatë pushimeve.
Vila në fjalë u sekuestrua një ditë më parë nga SPAK me miratimin e GJKKO-së. Tashmë pretendimet e palëve do të përballen në proceset e mëtejshme në gjykatë./KAPITALI
Zbulohen detaje në kufijtë e skandalit në lidhje me autorin e vrasjes së policit Enea Mokolli.
Burime të sigurta pranë familjarëve të Violand Bracellari bëjnë me dije se autori, një person me rrezikshmëria të lartë shoqërore, në kërkim prej 9 vitesh, ka përfituar fonde nëpërmjet AZHBR për ngritjen e stallave të bagëtive. Pikërisht ato stalla që dje u bënë një skenë krimi, ku Braçellari fshihej dhe sulmoi me kallashnikov policinë, duke lënë të vdekur në vend policin 36-vjeçar, dhe duke plagosur kolegun e tij, Edison Adri.
Është e pakonfirmuar në qoftë se 41-vjeçari ka përfituar këto fonde me emrin e tij apo të nënës së vet, por ajo çka sigurojnë burimet është se Violand Bracellari pavarësisht se ishte në kërkim prej vitesh ka përfituar subvencione në bujqësi e blegtori. Është e paqartë sesi një person me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, i trajnuar ushtarakisht ka përfituar fonde publike kur njëkohësisht për të më parë ishin mobilizuar edhe forcat RENEA për ta kapur.bw
We grow small trying to be great.
E. Stanley Jones
Ne bëhemi të vegjël duke u përpjekur të jemi të mëdhenj.
E. Stanley Jones
Mes debatit për Zvërnecin dhe Rrjollin, vlen të kujtojmë një angazhim që Shqipëria e ka marrë prej më shumë se dy dekadash.
Shqipëria nënshkroi Konventën e Aarhusit në vitin 1998 dhe e ratifikoi atë në vitin 2000, duke u bërë ndër vendet e para që përqafoi këtë standard europian.
E miratuar më 25 qershor 1998 në qytetin danez Aarhus, kjo konventë konsiderohet një instrument unik, sepse lidh të drejtat mjedisore me transparencën, llogaridhënien e qeverive dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Konventa Aarhus mbështetet në tre parime themelore:
të drejtën e qytetarëve për informacion;
të drejtën për të marrë pjesë në vendimmarrje;
të drejtën për t’iu drejtuar institucioneve dhe drejtësisë kur këto të drejta cenohen.
Por Aarhusi nuk lidhet vetëm me mjedisin. Në filozofinë e tij dhe në frymën e institucioneve europiane, përfshirë dimensionin ekonomiko-mjedisor të sigurisë në kuadër të OSBE-së, transparenca, pjesëmarrja publike dhe qeverisja e mirë konsiderohen elementë të rëndësishëm të sigurisë, stabilitetit social dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Për këtë arsye, shqetësimet dhe pyetjet e ngritura nga qytetarët duhen parë si pjesë e një procesi normal demokratik që ndihmon në forcimin e besimit publik dhe në parandalimin e konflikteve sociale.
Në një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian, konsultimi publik dhe transparenca nuk janë thjesht zgjedhje politike, por standarde që burojnë nga angazhimet ndërkombëtare që vetë Shqipëria ka marrë përsipër.
Konventa e Aarhusit na kujton se qytetarët nuk janë spektatorë kur merren vendime që prekin mjedisin dhe pasuritë natyrore të vendit. Ata kanë të drejtë të informohen, të dëgjohen dhe të marrin pjesë në proces.
Ky nuk është vetëm një standard europian i mjedisit.
Është një standard europian i demokracisë, sigurisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Mijëra qytetarë shqiptarë prej ditës së dielë kanë nisur një protestë që ka kulmuar me vendosjen përballë Kryeministrisë, me thirrjet për mbrojtjen e territorit të Zvërnecit.
Protesta ka vijuar edhe me thirrjet kundër lidhjeve të krimit me qeverinë si edhe kritikat ndaj opozitës e censurës, duke mbledhur protestues të shumtë të të gjitha moshave, aktivistë e shumë të tjerë.
Përveç debatit publik në Shqipëri, protesta ka arritur të kthehet në një pikë të rëndësishme të tërheqjes së vëmendjes edhe ndërkombëtarisht.

Së fundmi, në faqen e medias prestigjioze britanike, The Guardian, lajmi për protestat në Shqipëri është renditur si më i lexuari së fundmi, duke ilustruar vëmendjen e madhe që ngjarja ka marrë përtej kufijve.
Po ashtu, rasti është raportuar nga të tjera mediume prestigjioze si New York Times, Reuters, CNN dhe më tepër.
Sakaq, ditën e sotme është lajmëruar protesta e radhës në bulevard, ndërsa janë thirrur edhe organizime të tjera jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë dhe përtej Atlantikut përballë përfaqësive diplomatike shqiptare. bw
Nothing is more beautiful than the loveliness of the woods before sunrise.
George Washington Carver
Asgjë nuk është më e hijshme se bukuria e pyllit para lindjes së diellit.
George Washington Carver
Organizatat në mbrojtje të mjedisit, arkitektë dhe qytetarë të angazhuar në protestat kundër projektit të turizmit masiv në zonën e mbrojtur Pishë Poro – Nartë u bënë thirrje arktitektëve të huaj që mblidhen sot në Tiranë për edicionin e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Arkitekturës, “Bread&Heart”, që të mos bëhen bashkëfajtorë në atë që ata e quajnë “zbukurim artistik i politikave të buldozerëve”.
Përmes një letre të hapur, mbi 124 individë dhe organizata lokale u kërkojnë pjesëmarrësve të festivalit që të pyesin dhe të flasin për atë që po ndodh në Nartë, si dhe të mos lejojnë që prania e tyre në Shqipëri të instrumentalizohet.
“Teksa jeni mbledhur nën temën “Landscapes of Abundance”, keni për të dëgjuar zërat e protestës jo shumë larg vendit ku po zhvillohet festivali. Prej ditësh tashmë, mijëra shqiptarë kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar atë që ne e shohim si një padrejtësi të madhe mjedisore: shkatërrimin e një prej peizazheve më të bukura dhe më të rëndësishme të vendit,” thuhet në letër.
Në letrën e hapur theksohet se punimet në Pishë Poro–Nartë po vazhdojnë pa leje të publikuara, pa një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis të bërë publik dhe pa asnjë konsultim publik apo transparencë mbi investitorët, teksa forcat private të sigurisë shtypën në mënyrë të paligjshme protestat qytetare vetëm pak ditë më parë.
Kjo situatë vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e ndryshimeve të Ligjit për Zonat e Mbrojtura në vitin 2024, prej të cilave Kuvendi i Shqipërisë hapi zonat e mbrojtura për zhvillime turistike luksoze. Në letër theksohet se sot po dëshmohet zbatimi në praktikë i këtij ndryshimi, ndërsa publiku mbahet në terr informativ.
Firmëtarët i bëjnë thirrje arkitektëve të huaj dhe atyre vendas si dhe pjesmarrësve të tjerë të festivalit që ta vendosin çështjen e zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë në zemër të aktivitetit, edhe në përputhje me tematikën e edicionit të këtij viti.
“Një kremtim i peizazhit që injoron peizazhet që shkatërrohen, nuk është më një bisedë për peizazhin. Është një performancë që i shërben thellësisht këtij shkatërrimi,” theksohet më tej në letër./BIRN
LETRA E PLOTE
Një Letër e Hapur për Pjesëmarrësit e Edicionit të Dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Arkitekturës “Bread & Heart” në Tiranë, Shqipëri: Landscapes of Abundance, 3–5 Qershor 2026
Për arkitektët ndërkombëtarë dhe vendas, ligjëruesit, moderatorët dhe vizitorët e festivalit,
Teksa jeni mbledhur nën temën “Landscapes of Abundance”, keni për të dëgjuar zërat e protestës jo shumë larg vendit ku po zhvillohet festivali. Prej ditësh tashmë, mijëra shqiptarë kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar atë që ne e shohim si një padrejtësi të madhe mjedisore: shkatërrimin e një prej peisazheve më të bukura dhe më të rëndësishme të vendit. Shumë e konsiderojnë këtë shkatërrim të vazhdueshëm si asgjë më pak se sakrifikimi i një thesari natyror për interesat afatshkurtra të investitorëve dhe miliarderëve.
Në këtë moment, makineritë e rënda të gërmimit po shkatërrojnë Pishë Poro–Nartën, një nga zonat e mbrojtura më të rëndësishme ekologjikisht në Shqipëri dhe në rajon, pjesë e ekosistemit të deltës së Vjosës, habitat i flamingove, fokave dhe vendeve të folezimit të breshkave të detit. Dunat, pyjet me pisha, vija bregdetare dhe habitatet e lagunës po dëmtohen në mënyrë të pakthyeshme. Qytetarët, nga të gjitha shtresat e shoqërisë, kanë protestuar prej kohësh dhe vazhdojnë të dalin në rrugë në shifra të pahasura më parë.Organizata mjedisore si PPNEA kanë ngritur alarmin.
Punimet në Pishë Poro–Nartë po vazhdojnë pa leje të publikuara, pa një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis të bërë publik dhe pa asnjë konsultim publik apo transparencë mbi investitorin, teksa forcat private të sigurisë shtypën në mënyrë të paligjshme protestat qytetare vetëm pak ditë më parë. Kryeministri Edi Rama dhe qeveria shqiptare pretendojnë se pjesë të kësaj toke janë pronë private. Por a mund të reduktohet një peizazh i mbrojtur në ligjërim të pronësisë?
Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për një projekt të kundërshtuar masivisht. Kjo situatë vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e ndryshimeve të Ligjit për Zonat e Mbrojtura në vitin 2024, prej të cilave Kuvendi i Shqipërisë hapi zonat e mbrojtura për zhvillime turistike luksoze. Një ndryshim ligjor që duhet të shfuqizohet për të garantuar ruajtjen e peizazheve të mbrojtura sipas standarteve evropiane. Ajo që po dëshmojmë sot është zbatimi praktik i këtij ndryshimi: një zonë e mbrojtur e riklasifikuar, e hapur për investime dhe ndërtime, ndërkohë që ekosistemet e saj po zhduken dhe publiku mbahet në terr informativ. Fatkeqësisht, gjatë katër mandateve radhazi të qeverisë aktuale, kjo qasje duket se po shndërrohet çdo ditë e më shumë në një model veprimi dhe jo në rast të izoluar.
E teksa gjatë këtyre tri ditëve do të diskutoni se si arkitektura, arkitektura e peizazhit, planifikimi urban, arti, ekologjia dhe kultura mund t’u përgjigjen transformimeve të shpejta që po ndodhin në të gjithë vendin, ne ju bëjmë thirrje të ngrini pyetje kritike mbi një shkatërrim që vë në pikëpyetje vetë objektin e këtyre diskutimeve. Ju kërkojmë ta shqyrtoni me kujdes këtë histori dhe ta lexoni përtej narrativave të pushtetit.
Shumë prej jush shkruajnë dhe flasin për qëndrueshmërinë, vernakularen, etikën e ndërtimit dhe nevojën për të dëgjuar përpara se të ndërhyhet. Ky është momenti kur këto zotime vihen në provë, së bashku me integritetin tuaj profesional. A është kjo liri për të ndërtuar, apo liri për të bërë këtu atë që do të ishte ndaluar, sfiduar ose bërë e pamundur në vendet tuaja? A do ta pranonit një trajtim të tillë ndaj një ligatine të mbrojtur në vendin tuaj? A do të qëndronit në heshtje nëse një lagunë, një korridor migrimi shpendësh apo një vijë bregdetare publike do të trajtoheshin si një kantier privat ndërtimi, pa transparencë dhe pa respektimin e procedurave ligjore? A jeni të gatshëm të bëheni bashkëfajtorë në zbukurimin artistik të politikave të buldozerëve përmes një festivali që, teksa mban titullin “Landscapes of Abundance”, në fakt rrezikon të legjitimojë këtë erozion të peizazhit, të nxitur nga grykësia dhe shkatërrimi që sjellin të pushtetshmit?
Arkitektura nuk është thjesht privilegji i imagjinimit që u rezervohet disave por se mbi të gjitha është disiplina për të ngritur pyetje të vështira brenda vetë atyre hapësirave që e nxisin bashkëfajësinë. Ndonjëherë refuzimi për të marrë pjesë në projekte e procese përjashtuese është vetë një akt hapësinor. Nëse tema e këtij viti është “Landscapes of Abundance”, atëherë Vjosë–Narta nuk është jashtë tematikës së festivalit. Ajo duhet të jetë vetë zemra e tij pulsuese! Një kremtim i peizazhit që injoron peizazhet që shkatërrohen, nuk është më një bisedë për peizazhin. Është një performancë që i shërben thellësisht këtij shkatërrimi.
Duam që ta dini se ne do të jemi aty, në rrugë dhe në sheshet publike, duke refuzuar të qëndrojmë në heshtje. Jemi të vendosur të mos lejojmë që ky shkatërrim të vazhdojë pa rezistencë.
Ju kërkojmë të mos lejoni që prania juaj në Shqipëri të instrumentalizohet dhe të shërbejë si mbulesë për një proces që përjashton publikun, anashkalon mbrojtjen ligjore dhe hesht zërat kundërshtues.
Ju kërkojmë të mbani përgjegjësi dhe të kërkoni llogari nga autoritetet përkatëse.
Ju kërkojmë të mos bëheni bashkëfajtorë.
Ju kërkojmë të bojkotoni.
Pyesni për Nartën. Publikisht! Flisni për të. Kërkoni të ndalet shkatërrimi dhe të anulohet projekti!
Ju ftojmë gjithashtu të dilni jashtë hapësirave të festivalit dhe të bashkoheni me ne. Duke vepruar kështu, mund të njihni një anë të Shqipërisë që nuk përjetohet dot pas dyerve të mbyllura: zërat e njerëzve të saj, lidhjen tonë me tokën dhe përpjekjen tonë për ta mbrojtur atë.
Me urgjencë,
Qytetarët e Shqipërisë dhe të diasporës, organizatat lokale mjedisore, arkitektë dhe aktivistë në Shqipëri
Sign here/ Firmos ketu:
| Name/Emri | Occupation/Profesioni | |
| PPNEA | Organisation | |
| Eco Albania | Organisation | |
| Tekbunkeri | Organisation | |
| Berk | Publisher | |
| Trivet | Art Collective | |
| Megi Hatija | architect/ arkitekte | |
| Jora Kasapi | architect/ arkitekte | |
| Kevin Dishani | ||
| Gema | Collective | |
| Klodiana Millona | architect | |
| Nikoleta Mehmeti | Architect/ arkitekte | |
| Rrezearta Agasi | ||
| Fiona Keçi | ||
| Denisa Kasa | Menaxhere Projekti | |
| Amira Radwan Boraie | ||
| Xhuljana Çeka | ||
| Jona Ahmetsulaj | Architect/Arkitekte | |
| Nermin Aga | Environment lover, concerned citizen | |
| Marta | Student | |
| Xhesika Gasa | Visual Designer | |
| Kleidi Eski | Multidisciplinary Creative, Architect | |
| Sokol Hazizi | Architect/Arkitekt | |
| Klea Sejranaj | ||
| Andrea Halili | Artist | |
| Nadia Abazi | Artist, Activist | |
| Anxhela Çarçiu | Architect, Visual Designer | |
| Khayim Illia | Author, theologian, activist | |
| Marc | engineer | |
| Roel Shyle | Artist | |
| Klevisa Haxhiraj | Activist | |
| Danny Bylo-Tahiraj | student | |
| Katarina Stanic | ||
| Dorina Pllumbi | Architect, researcher | |
| Redina Qose | Artist | |
| Erblina Shehu | Kungul | |
| Fora | Publisher | |
| Elona Zefi | Urban planner/architect | |
| Iris Bardhi | Concerned human being | |
| Ana Dedja | Student | |
| Ilir Kaso | Concerned human being | |
| Carrie Ann Morgan | Anthropologist | |
| Verena Koch | Teacher / Nature lover | |
| Irvi Çela | architect, urbanist | |
| GAIALBANIA | DMO/Territory marketing | |
| Alesia Kasapi | architect | |
| Emi Aliçka Ebhardt | Ethnomusicologist | |
| COSV ALBANIA | Organisation | |
| Tiziana Lohja | Illustrator | |
| Eva Gjekmarkaj | Researcher | |
| Denada Cenko | auditor | |
| Lisja Tershana | Mara Projects – Gallery | |
| Iva Stefani | architect/ arkitekte | |
| Sokol Çunga | archivist, researcher | |
| Alem Bedhija | Law student | |
| Kairo Urovi | Artist | |
| Gentiana Kapllani | Juriste, Hulumtuese, Qytetare | |
| Pamisa Merkaj | Arkitekte | |
| Dejvi Dauti | researcher/architect | |
| Antonela Shehu | Glass Artist | |
| Sidorela Vatnikaj | ||
| Edison Lika | ||
| ORK workspace | residency | |
| Raino Isto | art historian/curator/editor | |
| Alice Kimberly Mikos | Architecture Student | |
| Qendra LUMI | NGO | |
| Klaudia Sorra | Illustrator & Designer | |
| Johannes Gierlinger | Artist | |
| Greta Casalino | Architect | |
| Kristel Permeti | Architecture Student | |
| Alice Santacroce | Enviromental Biotech student | |
| Ronald Qema | media worker, student | |
| Serxho Marku | Designer | |
| Arnen Sula | Architect | |
| Giovanna Dagnino | architect | |
| Blerina Kanxha | Translator | |
| Julian Hoffman | Writer | |
| Brunilda Pali | environmental justice researcher | |
| Mamica Burda | Architect & Lecturer at TU Wien | |
| Sonjeta Mimini | Visual Designer | |
| Lindita Malo | CFO | |
| Erlind Selba | Artist \ Designer | |
| Eglantina Dedej | Graphic Designer | |
| Enkela Hasa | Architect / Lecturer / Researcher – Landscape Planning | |
| Marlina Jaho | Avokate / Juriste, Aktiviste e te drejtave te njeriut | |
| Lura Islamaj | Marketer | |
| Melinda Maliqati | Finance Manager | |
| Llambrini Sylari | Architect | |
| Mikaela Mahilaj | Biologe | |
| Grisilda Pasha | Architect / Arkitekte | |
| Adelajda Koxha | Inxhiniere Elektrike | |
| Divjon Stafasani | Architect / Arkitekt | |
| Luemins Kasemi | Architect / Arkitekt | |
| Nigerta Prengzaj | Architect / Arkitekte | |
| Artion Brahimi | Architect / Arkitekt | |
| Endrit Shatri | Mountain Guide | |
| Denisa Mane | Interior Designer | |
| Kolektivi Zanat | Art Collective | |
| Jolin Matraku | Designer, Artist | |
| Anjeza Bodeci | Architect | |
| Megi Ballanca | Architect/Arkitekte | |
| Sonila Sota | ||
| Jetelira Abazi | Architect / Arkitekte | |
| Luljeta Progni | Gazetare | |
| Markus Tomaselli | architect / Professor | |
| Anisa Coniku | Inxhiniere | |
| Renis Hyka | Filmmaker, author | |
| Mikaela Minga | Studiuse, Etnomuzikologe | |
| Orgesy Azizaj | Philosopher, translator | |
| Enisa Reka | Structural Civil Engineer | |
| Edona Bylykbashi | Community | |
| Ina Mana | Psychologist | |
| Entela Koja (Spahivogli) | Senior Architect & Urban Planner | |
| Ervina Bajrami | Studente | |
| Orgena Ndreu | Literature Student | |
| Jesmina Sengla | ||
| Jonilda Arapaj | CFO | |
| Ilir Qyrana | Architect/Arkitekt | |
| Ermela Celaku | Aktiviste | |
| Brikena Iseberi | Architect/Arkitekte | |
| Fidane Leka | ||
| Arjela Shahini | Manager | |
| Artan Sadiku | Psikolog | |
| Ledina Hebovija | Musician,Teacher | |
| Elton Ngjela | Software Engineer | |
| Xhejlon Kapidani | ||


Betimi i një guerili- Nga ARIF EJUPI
Dëshmia në hetuesi e Kreshnik Tartarit, ish-trajnerit të volejbollit të ‘Dinamos’: Feçor Shehu, që dinte interesimet e Skënderit për Silva Turdiun, s’më ka thënë në ndonjë rast, që unë ta pengoja këtë gjë
Harresa ndaj atyre që dhanë jetën për çlirimin e vendit është mëkat i pafalshëm- Nga ARIF EJUPI
“IK BYTHËLËPIRËSI I OLIGARKËVE !”- Nga SAMI MILLOSHI
UGSHPD: MISTERI I KOLLARES ME SIMPSON (Në Lagunën e Nartës nuk rritet Kameleoni)
LETËR PUBLIKE ISH-PRESIDENTES SË KOSOVËS, VJOSA OSMANI – Nga Agim Aliçkaj
Këndi i humorit: Mësuesi e pyet Pjerinin
Aforizmi i ditës- 6 qershor 2026
HOROSKOPI E SHTUNË 6 QERSHOR 2026
Matrioshkat e Zvërnecit – Nga Lindita Çela
Qytetarët dalin në prtestë edhe në Korçë- Thirrje për largimin e Ramës: Ti dogje rininë, sot të djeg rinia ty
“Di gjë ka ilaç kundër helmit të gjakpirësve” Pankartat pikante në protestë, qytetarët: Atdheu nuk është në shitje! Edi Rama dorëhiqu
Botues:
Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj
Moto:
Mbroje të vërtetën - Defend the Truth
Copyright © 2022


Komentet