Lexova në shtypin e përditshëm shkrimin “Titulli, dy profesorë padi ministrisë”. Jetojmë demokracinë dhe është normale mendova që të ngrihet padi kundër kujtdo, qoftë si person apo institucion. Nga dy paditësit njëri ishte i mirënjohuri “connu comme la loup blanc” Kosta Gazeli. Disa herë kam shkruar për të në shtypin e këtushëm dhe në atë të diasporës (ngaqë kam jetuar mëse 20 vjet në Gjermani), për Kostën dhe kolegun e tij Nasho Gjinopullin, kriminelë që e kanë ndërtuar karrierën e tyre me duar të gjakosura, duke shkelur mbi gjak, vuajtje, mbi të drejtat e njeriut pa dhënë asnjëherë llogari e të mos flasim për “Mea culpa-n”, që as nuk duhet menduar, sepse ajo është cilësi e njerëzve që kanë ndërgjegje dhe jo e atyre pa skrupuj, është meritë e atyre që kanë moral e jo e kriminelëve.
Kosta Gazeli kërkon titullin “Profesor”!
Pretendon se ka një aktivitet të mirëfilltë shkencor, që meriton grada shkencore si “Doktor”, “Profesor”, sepse ka aktivitet pedagogjiko-shkencor si shef i Katedrës Juridike në shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Veprimtaria e tij “shkencore” (kriminale) në armën e Sigurimit fillon nga Përmeti, ku arriti postin e kryehetuesit, në Degën e Punëve të Brendshme në Fier si hetues i parë dhe kryehetues. Më vonë arrin zëvendëskryetar i Degës III dhe të parë në Drejtorinë e Hetuesisë deri zëvendësdrejtor e drejtor i Drejtorisë së Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Mbas gjithë kësaj veprimtarie heroike kriminale na i kthehet veprimtarisë shkencore! E shohim shef të Katedrës Juridike në Shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Kriminel shkencëtar! O Tempora o mores!
E përshkon orbitën kriminale, duke filluar si kursant, vazhdon si nëntoger e toger dhe e mbyll plot lavdi mbas afro 30-vjetësh me gradë nënkolonel! Për ta patur zili çdo koleg i tij i fushës kriminale të Sigurimit. “Arma më e dashur e popullit” prodhoi dhe shkencëtarë apo mafiozë si Kosta, Nashoja që sot gëzojnë pasuri dhe karrierë, por veç tyre duan t’u lënë fëmijëve mbrapa një vizion tjetër: Profesorë e biznesmenë të nderuar.
Për asociim ideje më shkon mendja tek përvoja gjermane që kam përjetuar, ku në bazë të ligjit të lustracionit, personave të kësaj kategorie qofshin bashkëpunëtorë të Gestapos apo Stass-it nuk u lejohet të punojnë në administratën shtetërore.
Ja një tablo berlineze e afro një muaji më parë: Në Lindauer Alle, një grup demonstruesish kishin qëndruar me pankarta në duar, ku ishin shkruar fjalët: Këtu banon një kriminel! Në tjetrën: Helmut O., ne do të kapim mos u bëj merak.!
Një protestë e firmosur nga mbi 200 personalitete të shquara të fushave të ndryshme, duke u bazuar në aktet e Stass-it protestojnë pranë Burgermajsterit të Berlinit Klaus Worwereit e kërkojnë të përjashtohen urgjentisht nga Senati i Landit të Berlinit ish-bashkëpunëtorë të Stass-it që kanë mundur të penetrojnë, duke e quajtur prezencën e tyre si “skandal politiko-moral” i atyre që për më tepër janë zëdhënësit e politikës së kujtesës.
Ja një shembull tjetër që i shkon tamam për shtat zotit Kosta Gazeli për ta lexuar së prapthi, atij që padit Ministrinë e Arsimit, duke i kërkuar t’i njihet titulli “Profesor”.
Ish-rektori i Universitetit të Achen-it Hans Schwerte me vendim të Shkallës së Dytë të Gjykatës së Dysseldorfit iu hoq titulli “Profesor” (që Kosta pretendon), si edhe humbi vendin e punës, sepse kishte pasur gradën “Hauptshturmfyhrer” në armën SS (t’i marrë të keqen Kostës që u nda nënkolonel).
Sikur të kishim patur ligjin e lustracionit a thua do ta pretendonte?
Ingo Steuer trajner i Olimpia Team, bashkëpunëtor i Stass-it u përjashtua nga kjo detyrë sepse u vërtetua se kish spiunuar patinatoren e famshme Katti Witt me shoqe.
Për të qenë anëtar i një stafi akademik, a thua të jetë kriteri bazë i pranimit një CV e pasur si ajo tuaja zoti hetues? (Kështu isha mësuar të drejtohem zoti Gazeli). Ju pata pagëzuar dhe me nofkën Kasus Klei (ishte viti 1975). Kur ju quajta njëherë në sy të Nashos me këtë nofkë, ju u prishët në fytyrë se nuk ju pëlqeu, kurse kolegu juaj gjithashtu greqishtfolës më tha: E more ky Kasus Klei, ti Xho Frezer, bëj njëherë dhjetëshen që të kemi taksur e po qe se del gjallë këtej kërko revanshin. Të pata rezistuar shumë raunde, por dy herë më hodhe nokaut. Herën e parë mbulova fytyrën, ndërsa t’i me një haperkut më hodhe në dysheme, ku nxora dhe copat e lakrës e preshit, o zoti shkencëtaro-kriminel. Nashoja, ironik kur duhej, shtoi: me gjuhë do t’i lëpish pllakat, ta dish! Sidoqoftë ma kini borxh atë drekë të pasur që më shkoi kot. Nokauti i dytë pati për pasojë thyerjen e dhëmbit të qenit e çarjen e buzës. Gjaku më rodhi mbi xhaketë e penetroi në kanavacën e jakës që ishte e shqyer nga ju. Mendova ta shqep në sallën e gjyqit për t’u treguar të gjithëve se si isha trajtuar. Por më kot gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura. Ju kam parasysh, ndërsa fshinit me gazetë dorën e gjakosur nga goja time shfrynit: Armik i poshtër! Ju thashë: Ah mor qen a do ta mbante të më qëlloje sikur të isha i lirë? Të qëllonte që çke me të, ju doli zot Nashoja, se ka atë të shkretën këtu dhe vuri dorën tek vendi i revoles. Ku i kishit mësuar ato perversitete? Nashoja qëllonte me majat e këpucës tek kërcinjtë e këmbëve, ndërsa ju më shkulnit qimet e gjoksit. Si ja bënit me ata që nuk ishin leshatorë? Me siguri, kreativiteti tuaj kishte larmi. Estref Kërciku që kishte eksperiencë hetuesie ju kapi duart kur e qëlluat. Nuk e ngatë më. Ishit frikacakë. Në koncertin e Katja Cikarellit në Tiranë ju pashë poshtë në holl. Zbrita shkallët me shpejtësi për t’ju dalë para, por u zhdukët sikur ju përpiu dheu. Mos vallë u kujtuat për revanshin?
Para pak kohësh një ditë ndaluat në rrugë Tonin Cefën, shokun tim të burgut dhe i thatë: Çka xhanëm ai Gëzimi që shkruan në libra, gazeta e flet nëpër televizione për mua? Ndërsa ai t’u përgjigj: Pse nuk po thotë të vërtetën? Jo vetëm atë, por dhe mua e shokët tanë na kini rrahur e torturuar. Ndërsa ju u përgjigjët: Epo ashtu ishte koha!
Kur dola nga burgu një ditë ja pata treguar Niko Vardhamit trimëritë e hetuesit Gazeli dhe ai ua përplasi në fytyrë. Më lëshuat përsëri Sigurimin mbi shpinë, duke më survejuar çdo hap.
Kur idea e pajtimit kombëtar ishte temë e ditës i pata shkruajtur nga Gjermania një letër të hapur Presidentit Meidani, duke e paralajmëruar se nën mantelin e pajtimit kombëtar mund të fshihen kriminelët (gazeta “Republika” dt.09.10.97). Për ju e pata fjalën zoti Profesor. Në maj të vitit 1997 pata botuar një shkrim ku protestoja për caktimin tuaj në KQZ. Atëherë profetizova krejt natyrshëm se mund të zgjidheshit deputet, kryetar i Komisionit të Ligjeve apo ambasador në Athinë. Me këtë të fundit gabova pak, sepse ju çuan në Athinë si zëvendësambasador! Diplomati Gazeli që më lau me gjak! Përsëri o Tempora…
Edhe në atë legjislacion sado mizor që ishte nuk legjitimohesh rrahja e tortura, pra, ju keni shkelur edhe ligjet e kohës së atëhershme. Tek ligji i lustracionit ligjvënësi duhet ta shqyrtojë me kujdes kur kemi të bëjmë me krime kundër njerëzimit. Duhet qartësuar dhe klasifikuar me kujdes nëse janë konsumuar elementët e krimit të genocidit e i bëj thirrje të tregojnë kujdes në definicionin e tij.
Kush urdhëroi vrasjet në kufi? Në Gjermani më 23 korrik 2004 filloi procesi për urdhrin e të shtënave në Murin e Berlinit. Konsiderohen si krime kundër njerëzimit. Në bankën e të akuzuarve u ulën dy anëtarët e fundit të Byrosë Politike; Sigfrid Lorenz dhe Hans Bohme. Çfarë mendimi keni për formulimin dhe aplikimin e ligjit të lustracionit tek ne o i (pa)nderuari profesor kriminel (Tani më duhet t’u quaj kështu për etikë). Cilin duhet të prekë ai?
A është element bindës gjithë ai terror i ushtruar mbi një grup njerëzish që kishin të përbashkët idenë e lirisë e të demokracisë? Sa vetë i vdiqën në duar armës tuaj ku aderonit? A kini statistika mbi gratë e foshnjet e groposura në baltat e Myzeqesë e gërxheve të Tepelenës? Ju e shokët tuaj na tregoni varret e të pushkatuarve si shenjë e “Mea Culpa-s”. Këtë nuk e bëni. Atëherë do ta bëj unë që ta marrin vesh fëmijët tuaj kush jeni. Ta marrin vesh vëlla Thomai, xhaxhallarët Llambi e Jani, kushërinjtë Andrea e Jani, do t’i tregoj gjithë studentëve që ju kanë quajtur profesor pa e ditur se jeni një kriminel. Këtë do ta bëjmë unë e shokët e mi pa pushuar. Ju nuk keni qenë një ingranazh i vogël në atë makinë mizore. Shkruani për çfarë unë ju drejtova juve me fjalitë e mia plot pikëpyetje. Bëni rezymenë e aktivitetit tuaj mbase atëherë do ta meritoni me të vërtetë një titull.
Cilin do të thoni ju?
Atë profesor apo kriminel?
13 gusht 2011
Komentet