Detaje të reja janë zbardhur nga hetimet e nisura në Spanjë për zhdukjen e Miklovan Dakajt, të riut nga Shkodra i cili rezulton i humbur prej 12 majit të këtij viti.
Emisioni “Në Shënjestër” në News24, me autore gazetaren Klodiana Lala, transmeton se në dosjen hetimore për këtë ngjarje, është dëshmia e gruas dhe babait të Miklovanit të cilët tregojnë se sihariqi i hidhur u erdhi atyre vetëm disa ditë pasi ata kishin kallëzuar në polici humbjen e njeriut të tyre, nga një korrier që mesa duket po u përcillte mesazhin e personave të cilët kishin gisht në zhdukjen e papritur të Miklovanit.
“Miklovani është vrarë, mos e kërkoni”, mësohet të ketë thënë korrieri.
“Jam paraqitur në komisariat për të kallëzuar humbjen e djalit tim Miklovan Dakaj. Më datë 13 maj 2025 rreth orës 10:00 paradite, nusja e djalit tim që ndodhet ne Spanjë bashkë me vajzën, ka marrë në telefon bashkëshorten time dhe i ka thënë se Miklovani nuk është kthyer në shtëpinë ku rrinin në qytezën e Marbellos, në Malaga, Spanjë”, ka dëshmuar Pal Dakaj, babai i 34-vjeçarit Miklovan Dakaj.
Pjesë nga dokumentari
Zhdukja e Miklovan Dakajt
Ajo e tij është historia e një tjetër shqiptari që në rrethana të çuditshme humbi gjurmët në shtetin spanjoll.
Madje çuditërisht në të njëjtin rajon të gadishullit iberik, ku janë zhdukur edhe shumë shqiptarë të tjerë.
Ose në atë të quajtur tashmë ndryshe si Bermuda spanjolle e shqiptarëve, që nisen këtu me pushime dhe askush më tej nuk di asgjë rreth fatit të tyre.
Një fat i ngjashëm ky me Tauland Malshin nga Lezha, i cili u zhduk në mënyrë të mistershme në vitin 2018, në një qytet pranë Malagas, për të mos u kthyer më pranë familjes.
Apo ai i pilotit të Forcave Ajrore Shqiptare, majorit Sokol Feka, që humbi jetën pikërisht në këtë rajon në vitin 2015 teksa sipas autoriteteve spanjolle po transportonte kokainë me mjetin fluturues.
Fate të paracaktuara të cilat duket se lidhen në një pikë me atë të Miklovan Dakaj. Shkodrani që prej muajit maj të këtij viti i mungon familjes, pasi u zhduk në rrethana të paqarta pikërisht në të njëjtin rajon të Spanjës me paraardhësit e tij, po kaq fatkeq.
Një trekëndësh Bermude në mbretërinë e Spanjës që lidh Malagën-shqiptarët dhe drogën që duket se po ha shumë koka të rinjsh shqiptarë.
Të cilët në ëndrrën për t’u pasuruar sa më shpejt bien pre e grupeve mizore kriminale të narkotrafikut, të cilët kanë gjetur pikërisht këtë pjesë me rëndësi strategjike që lidh gadishullin iberik me Marokun për të kryer transportin e tonelatave me drogë.
Suksesi dhe dështimi i kalimit të tyre përmes kësaj ure detare dhe ajrore, që ka përcaktuar në një farë mënyrë edhe fatin e shqiptarëve të përfshirë në të tilla punë.
Organizata kriminale të drejtuara nga krerët më të egër dhe famëkeq të narkotrafikut, të cilët bashkëpunojnë me shqiptarë, që nuk e kanë për gjë të tradhtojnë edhe gjakun e tyre, kur flitet për përfitimet që vijnë nga droga.
Fat që mesaduket e ka shoqëruar edhe Miklovan Dakaj. Kontakti i fundit i të cilit me familjen ishte më datë 12 Maj 2025 në qytetin e Marbellos në Malaga.
Aty ku ai kishte disa kohë që po qëndronte me bashkëshorten e tij shqiptaro-italiane dhe fëmijën e tyre vetëm disa muajsh. Denoncimi i parë në policinë shqiptare për humbjen e të birit që erdhi nga babai i tij, Pal Dakaj. Gati 3 javë pasi Mikovani kishte humbur çdo kontakt me ta dhe gruan.
Pal Dakaj që priti me kot që i biri të kthehej pranë familjes dhe në ankthin e ditëve që po kalonin dhe nuk kishte asgjë gjurmë prej tij, ai udhëtoi nga Italia ku ishte zhvendosur për arsye shëndetësore, bashkë me gruan dhe djalin tjetër dhe denoncoi zhdukjen e Miklovanit në policinë e Shkodrës.
Me shpresën se ndoshta autoritetet mund ta ndihmonin të binte ne kontakt me djalin. Një shpresë që rezultoi e kotë, pasi Miklovani jo vetëm nuk u kthye në gjirin familjar, por as nuk dërgoi qoftë edhe një mesazh nëse ishte mirë me shëndet.
Familja e Miklovanit që ishte informuar për moskthimin e tij në banesë në qytetin e Marbellos në Malaga, që më datë 13 Maj.
Pra pa u mbushur 24 orë nga largimi i tij. Njoftim që sipas dëshmisë së dhënë nga Pal Dakaj, ishte bërë nga bashkëshortja e djalit të tij. Por mesa duket përpara se t’i drejtoheshin policisë, ata kishin vendosur që do kishte qenë më mirë të prisnin.
Me mendimin se dikush do t’u sillte një mesazh, qoftë edhe nga ata që kishin gisht në zhdukjen e djalit të tyre.
Pal Dakaj, 5 Qershor 2025: ‘Jam paraqitur në komisariat për të kallëzuar humbjen e djalit tim Miklovan Dakaj. Më datë 13 maj 2025 rreth orës 10:00 paradite, nusja e djalit tim që ndodhet ne Spanjë bashkë me vajzën, ka marrë në telefon bashkëshorten time dhe i ka thënë se Miklovani nuk është kthyer në shtëpinë ku rrinin në qytezën e Marbellos, në Malaga, Spanjë.’
Sipas të thënave të nuses së djalit, koha kur Miklovani kishte lënë banesën për të mos u kthyer më aty, kishte qenë pasdreka e datës 12 Maj.
Ai nuk kishte shprehur asnjë shqetësim gjatë largimit të tij. Përvetëm faktin që do takonte një shok dhe do kthehej shpejt në banesë. Por ndërsa orët kaluan dhe po kështu edhe mbrëmja, mëngjesi i së nesërmes nuk e pa atë pranë familjes.
Çka ngriti alarmin te bashkëshortja e tij.
E cila gjithmonë sipas rrëfimit që ajo kishte bërë te prindërit e Miklovanit, ishte çuar dhe kishte bërë denoncim në rajonin e policisë në Marbello, pas humbjen së kontakteve me bashkëshortin e saj.
Pal Dakaj: ‘Nusja e djalit, i tha bashkëshortes sime se Miklovani nuk ishte kthyer në banesën e tyre të marrë me qira në qytetin e Marbellos, që nga darka e datës 12 Maj. Për këtë arsye ajo kishte bërë denoncim te autoritetet spanjolle të qytetit Marbello, në Spanjë. Përsa i përket rrethanave se si Miklovani ishte larguar nga banesa, nusja e djalit na rrëfeu se drekën e datës 12 Maj ata kishin qenë për t’i bërë vaksinën vajzës së tyre të vogël, që është 8-muajshe.
Pasi u kthye në banesë, ata kishin konsumuar drekë jashtë dhe kur janë kthyer në banesë, Miklovani i kishte thënë se do të vinte më vonë në shtëpi, pasi do takonte një shok, për të pirë kafe.’
Por Miklovani nuk i kishte treguar bashkëshortes për emrin e shokut që do takonte. As për bisedën që ata do të zhvillonin me njëri-tjetrin. Por ishte mjaftuar duke i thënë se ishte vetëm një kafe shoqërore.
Drekë e cila do të ishte e fundit midis tyre, pasi që nga ky moment ajo nuk u pa më me bashkëshortin e saj. Ndërsa ajo u kthye e vetme në banesë bashkë me vajzën disa muajshe.
Miklovan Dakaj dhe bashkëshortja e tij T. M, që sipas rrëfimit të bërë në polici nga babai i tij, kishin dy vite që jetonin në Spanjë
Pal Dakaj: ‘Nusja e djalit tim quhet T.M dhe ajo ka shtetësi italiane. Ajo bashkëjetonte me djalin tim Miklovanin prej vitesh. Gjatë bisedave që kam bërë me të ajo nuk më ka treguar që Miklovani të kishte shqetësime.’
Por ndërsa familja qoftë ajo në Spanjë, por edhe ajo e prindërve në Shkodër, nuk raportoi për ndonjë shqetësim që Miklovani u kishte sjellë, lajmi që do të pasonte mbi fatin e tij ngriti edhe njëherë shqetësimin te ta, se diçka e keqe i kishte ndodhur njeriut të tyre të afërm.
Ajo që ata ishin lutur përgjatë gjithë kohës, që të mos i kishte ndodhur. Sihariq i hidhur që u erdhi atyre vetëm disa ditë pasi ata kishin kallëzuar në polici humbjen e njeriut të tyre.
Nga një korrier që mesa duket po u përcillte mesazhin e personave të cilët kishin gisht në zhdukjen e papritur të Miklovanit.
Lajm që mbërriti në familjen Dakaj në Shkodër nga një person nga qyteti i Durrësit
Dëshmia
Pasi familja Dakaj mësoi mbi humbjen e djalit të tyre Miklovanit në qytetin e Marbellos në Spanjë, një person nga Durrësi është paraqitur pranë tyre, duke u thënë se ‘Miklovani është vrarë, mos e kërkoni,’
Por cila ishte jeta e Miklovan Dakaj, përtej atij që është përkushtimi familjar? Apo mbulesës së një babai shembullor që kujdeset për vajzën e tij. Përse ai ishte zhvendosur në Spanjë dhe pikërisht në zonën e Malagas.
Dhe a ka lidhje qëndrimi i tij aty, me përfshirjen në grupet kriminale që merren me narkotrafikun, që shfrytëzojnë pikërisht këtë zonë të Spanjës, për të kryer aktivitetin e tyre.
Përse familja ka dyshime se ai është vrarë dhe a lidhet kjo me të shkuarën e tij?
Kush janë miqtë që mund ta kenë tradhtuar dhe nxjerrë në pritë te grupet kriminale në zonë. Dhe a lidhet kjo me humbjen e ndonjë sasie droge, ku Miklovan Dakaj mund të jetë lënë peng dhe më pas është ekzekutuar nga këto grupe kriminale?
Sipas të dhënave të siguruara nga emisioni ‘Në Shënjestër’, Miklovan Dakaj, kishte një të shkuar jo shumë për t’u lavdëruar në raport me drejtësinë.
Ai thuhet se kishte kryer një dënim tre mujor në Itali, dhe ky është rekordi i vetëm penal që kishte me autoritetet ligjzbatuese. Por askush nuk di të thotë cila ishte arsyeja e ndalimit të tij nga drejtësia italiane.
Por ndërkohë që prisnin me ankth çdo lajm rreth fatit të tij, në muajin shtator familjarët e Miklovanit morën një lajm se një trup i pajetë, që dyshohet se mund të ishte i tij ndodhej në morgun e një spitali në Spanjë.
Arsye për të cilën autoritetet spanjolle, morën edhe një kampion të ADN-së së vëllait të tij si dhe të vajzës 8-muajshe.
Kjo me qëllim për të krahasuar ADN-në e trupit të pajetë që ndodhej në morg me atë të të afërmve të personit të zhdukur.
Ndërkohë që paralelisht me policinë spanjolle, një hetim për zhdukjen e Miklovan Dakaj nisi edhe nga policia shqiptare, pas kallëzimit të bërë në Shkodër nga familjarët e tij.
Një nga njerëzit që rezulton se ka patur kontakte me Miklovan Dakajn para zhdukjes së tij, është Juxhin Drazhi, një personazh i njohur i botës së krimit dhe pjesë e grupit të Troplinëve, sic njihet ndryshe grupi i Elvis Docit, ose Visit të Pojës.
Emisioni “Në Shënjestër”, duke iu referuar hetimeve të nisura nga Spanja për zhdukjen e Miklovan Dakajt, publikoi të dhëna nga dosja hetimore ku thuhet se në muajin shtator familjarët e Miklovanit morën një lajm se një trup i pajetë, që dyshohet se mund të ishte i tij ndodhej në morgun e një spitali në Spanjë
Arsye për të cilën autoritetet spanjolle, morën edhe një kampion të ADN-së së vëllait të tij si dhe të vajzës 8-muajshe. Kjo me qëllim për të krahasuar ADN-në e trupit të pajetë që ndodhej në morg me atë të të afërmve të personit të zhdukur.
Ndërkohë që paralelisht me policinë spanjolle, një hetim për zhdukjen e Miklovan Dakaj nisi edhe nga policia shqiptare, pas kallëzimit të bërë në Shkodër nga familjarët e tij.
Por ndërsa shpresat për gjetjen gjallë të Miklovan Dakaj sa vijnë dhe zbehen, policia spanjolle duket se po përparon në hetimet e saj.
Hetime që sipas burimeve të emisionit ‘Në Shënjestër’ kanë mundur të shkojnë deri te personat e fundit me të cilët ai ka pasur kontakte para se të humbiste gjurmët.
Persona të cilët rezultojnë me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe me një aktivitet të theksuar kriminal si në Shqipëri dhe jashtë saj.
Një nga këta persona me të cilët Miklovan Dakaj thuhet se ka pasur kontakte para se të zhdukej, është edhe Juxhin Drazhi. Personazh ky i dyshuar si pjesë e grupit kriminal Troplini, drejtuar nga Elvis Doçi, ndryshe i njohur si Visi i Pojës, që trafikoi sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt vendeve të BE-së.
Po për t’u kthyer te personazhi i Drazhit, dhe lidhja e tij me zhdukjen e mundshme të Miklovan Dakaj, më 12 Maj 2025 në qytetin e Marbellos në Spanjë, ai thuhet se u arrestua nga oficerët e Gardës Civile në Malaga, në një shtëpi luksoze në qytetin e Almunecar në Granada.
Mediat spanjolle raportuan se policia ra në gjurmët e të shumëkërkuarit pasi konstatoi se në një shtëpi të izoluar në zonë, po merreshin masa të shumta sigurie, çka ngriti dyshime të forta për ta.
Policia spanjolle ndërkohë kishte një denoncim për zhdukjen e Miklovan Dakaj dhe ndër të tjera kishte dyshimet e saj mbi implikimin e Juxhin Drazhit në këtë ngjarje. Arsye që me gjasë mund ta kenë çuar edhe në bazën ku ai strehohej.
Drazhi thuhet se u arrestua bashkë me një person tjetër, por është ende e paqartë nëse në banesën ku ata fshiheshin, policia mundi të gjejë gjurmë të Miklovan Dakaj, të zhdukur.
Policia spanjolle që disponon një informacion të rëndësishëm që mund të përbëjë kthesë në hetime.
Miklovan Dakaj u ngjit në makinë i pashqetësuar dhe një prej personave të fundit që mund të ketë informacion për fatin e tij, mund të jetë Juxhin Drazhi. 34 vjeçari, i cili nuk dihet ende nëse ka dhënë dëshmi përpara autoriteteve spanjolle.
Ai është ekstraduar drejt Shqipërisë, por nuk dihet nëse autoritetet shqiptare i kanë marrë dëshmi lidhur me zhdukjen e Miklovan Dakajt. Ndërsa po e hetojnë për pastrim parash në kuadër të organizatës kriminale, përmes kompanive të tij.
Kartela Penale
Juxhin Drazhi, 34-vjeç, zotëron kompaninë ‘Majestic Construction’ e cila është vënë nën sekuestro nga SPAK bashkë me 9 prona të tjera, po të tija.
Vendimi për sekuestrimin e ‘Majestic Construction’ dhe 9 sipërfaqeve të tokës është marrë më 21 Maj 2025, ndërsa është ekzekutuar në Qëndrën Kombëtare të Biznesit dhe Zyrën e Hipotekës Durrës.’
Një tjetër emër i njohur të botës së krimit, që bashkëshortja e Miklovan Dakaj e denoncoi në policinë spanjolle si të dyshuar për zhdukjen e njeriut të saj është Flodian Plaku, që mban edhe dy mbiemra, Mamo dhe Serjani.
Ky i fundit është në akuzë për ekzekutimin e Gentjan Bejtjas. Ish-polici i burgjeve që u ekzekutua në banesën e tij më datë 15 Mars 2024, i lidhur me bandat kriminale në zonë dhe përtej.
Hetuesit kanë dyshime se Mikovan Dakaj mund të ketë tradhtuar Roan Brahimin alias Sidorel Prendin që u ekzekutua në Athinë, më datë 9 Maj 2024. Vetëm pak orë pasi kishte mbërritur aty nga Dubai, për të takuar bashkëshorten dhe djalin e tij.
Sidorel Prendi që ishte pjesë e klanit kundërshtar të Gentjan Bejtjas, i cili dyshohet se kishte gisht në ekzekutimin e ish-policit të Burgjeve. Krim që dyshohet të jetë kryer për hakmarrje.
Një seri ngjarjesh dhe episodesh kriminale që janë shpërndarë sa në Shqipëri dhe jashtë saj, kanë sjellë një lumë gjaku brenda krimit të organizuar, tashmë po eleminon vetveten dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.
Familja e Miklovan Dakaj ka dyshime mbi zhdukjen e djalit të tyre edhe te Flodian Plakun dhe lidhjet e tij shoqërore.
Kjo pasi në shtëpinë e tyre menjëherë pas zhdukjes mbërriti një person nga Durrësi, i cili pretendonte se kishte dijeni se kush ishin personat që kishin lidhje me ngjarjen.
Familja nuk mundi ta identifikonte këtë person, pasi pyetja e tij ndoshta mund të ndihmonte policinë për të mësuar për fatin e Miklovanit.
Pistat për zhdukjen e këtij personazhi, që dyshohet të ishte i implikuar në rrjetet e narkotrafikut, janë të shumta.
Përse është e vështirë për të gjetur fijet se si këto organizata veprojnë dhe kahet se si fryjnë erërat.
Ndërkohë që Spanja është kthyer në një bastion të krimit shqiptar dhe të drogës, aty ku duket se tashmë janë strehuar shumë kontigjentë të krimit. Të cilët kanë gjetur aty ‘El Doradon’, por njëkohësisht edhe varrin e tyre.
Komentet