Pak ditë pas operacionit të koduar “Shpirti” RTV Ora sjell një intervistë ekskluzive me Kolonel Vincenzo Mangia, Kreu i Qendrës Operative të Antimafias së Barit.
Në një intervistë për gazetaren tonë në Romë, Alba Kepi, kolonel Mangia zbardh ekskluzivisht detajet e Operacionit të përbashkët SPAK-Antimafia që çoi në ekzekutimin e 28 urdhërarresteve dhe sekuestrimin e miliona eurove pasuri.
Pse u kodua Shpirti?
A vazhdojnë hetimet e tij e ku po shtrihen?
Çfarë zbardhën rrëfimet e bashkëpunëtorëve të drejtësisë e sa të besueshëm janë?
“Shpirti” vjen pas dy operacioneve të zhvilluara më parë “Shefi” dhe “Kulmi.”
“Në disa raste këto zona nuk shkatërroheshin e digjeshin plotësisht, por vetëm pjesërisht. Digjej e shkatërrohej vetëm zona e dukshme pranë rrugës, ndërsa pjesa tjetër më thellë vazhdonte të ishte e mbjellë me kanabis. Lihej e paprekur sepse paguhej rryshfet. E kështu pra arritëm të godisnin funksionarë publikë që kishin tradhtuar pozicionin e tyre në Shqipëri” thotë kolonel Vincenzo Mangia në intervistën ekskluzive për gazetaren e RTV Ora, Alba Kepi.
Intervista e plotë:
RTV Ora: “Kolonel, një megaoperacion i dy ditëve më parë mes Shqipërisë e Italisë solli në arrestime të rëndësishme. Pse u kodua pikërisht Shpirti?”
Kolonel Vincenzo Mangia: “Para së gjithash ky është një operacion jo bashkëpunimi, por një operacion i përbashkët, i realizuar bashkarisht nga Antimafia e Barit, nga Prokuroria Antimafia e Barit e nga Prokuroria SPAK e Tiranës. Është etapa e tretë e një projekti investigativ, qe një provë e vërtetë e një hetimi global jo vetëm në objektive por dhe për mjetet investigative të përdorura. Dy operacionet e mëparshme të këtij projekti qenë operacionet “Shefi” e “Kulmi”.
“Shefi” çoi në 42 masa arrestime më 2018 nën urdhrin e autoriteteve gjyqësore italiane e shkatërrimin e dy grupeve kriminale të përbërë nga italianë e shqiptarë që trafikonin marijuanë e lëndë të tjera narkotike mes dy brigjeve.
Në operacionin e dytë “Kulmi” u përpoqëm të bënin diçka më shumë. Nuk na mjaftonte më vetëm të arrestonim trafikantët, dhe u përpoqëm të bëjmë më shumë për të kuptuar se kush i organizonte këto trafiqe.
E në veçanti të punës së Antimafias së Barit e falë vullnetit të autoriteteve gjyqësore italiane e shqiptare u dakordësuan krijimi i një skuadre investigative të përbashkët ku DIA Bari (Antimafia e Barit) impenjoi njerëzit e saj më të mirë.
Kjo skuadër e përbashkët investigative falë marrëveshjeve të përbashkëta mes vendeve bëri që hetimet të shtrihen dhe për individë jashtë territorit të Bashkimit Europian. Pra u arrit që hetimet, përgjimet, ndjekja, kontrollet, investigimet financiare kryer në një nga vendet vlejnë dhe për procedimet e ndërlidhura në vende të tjera, me efekte juridike në të gjitha vendet ku janë kryer hetimet. Kur nisëm hetimet në operacionin “Kulmi” në bazë të një procedure të tillë e ekzaktësisht një vit më parë më 30 qershor 2020 realizuam ekzekutimin e një numri të madh arrestimesh si nga autoritetet gjyqësore italiane e nga ato shqiptare e zbuluam aktivitetin sipërmarrës të mjaft trafikantëve të arrestuar.
Operacioni “Shpirti” pati si objektiv të shkonim sa më thellë në investigimet tona. Fenomeni që u shfaq qe se të arrestuarit që pasuroheshin nga trafiqe të paligjshme, duke ditur se në Itali ka një legjislacion të rreptë ndaj trafikantëve që çon në sekuestrimin e çdo pasurie të tyre, kishin vendosur të investonin në vendin e tyre të origjinës pra në Shqipëri.
Synuam të godisnim riciklimin e kontaktet e tyre institucionale, favoret që merrnin nga funksionarë publikë të rëndësishëm, e që favorizonin të ardhurat e paligjshme.
Në operacionin “Shpirti” masat ndaluese gjyqësore janë të gjitha të lëshuara nga autoritete gjyqësore shqiptare. Ne ofruam ndihmën tonë investigative e Prokuroria e Barit realizoj koordinimin e duhur gjyqësorë mes dy vendeve. Suksesi i këtij bashkëpunimi gjyqësor u pa në dy operacionet e mëparshme ”Shefi” e ”Kulmi.”
Vendimi gjyqësorë ndaj të arrestuarve të operacionit Kulmi çoi më 26 qershor të 2021, në dhënien e mbi 100 vite dënimi për të gjithë të 12-13 arrestuarit.
Qartësia se një hetim i përbashkët do të sillte në dënime e sekuestrime të rrepta në të dy vendet bëri që të arrinim që katër persona të arrestuar të bashkëpunonin me drejtësinë e të rrëfenin.
Dy prej tyre janë arrestuar në 2018 në operacionin ”Shefi” e dy të tjerë janë arrestuar gjatë operacionin ”Kulmi” më 2020.
Pse e kodifikuam Shpirti? Sepse kërkuam të godisnim në shpirtin e trafikantit që është qëllimi për t’u pasuruar.
Qëllimi kryesor i një trafikanti është të pasurohet e në një proces globalizimi mund ta arrish jo vetëm duke trafikuar por dhe kur ke mbështetjen e institucioneve publike. E fakti se në disa raste aktet kriminale kryhen në një shtet e benefitet çohen në një vend tjetër, nuk na ndalon më në investigimet tona.
Globalizohet krimi e globalizohet antikrimi. Perceptimi ynë si DIA e Barit , i pesë prokurorëve që morën pjesë në konferencën e shtypit në Tiranë, i Kryeprokurorit Doktor Calfiero de Raho, Drejtorit të DIA, Doktor Vallone i nën drejtorit të Eurojust, Doktor Filippo Spezia, është se kemi të bëjmë jo më me një bashkëpunim por me një punë të kryer bashkërisht mes dy vendeve e me një forcë policore e specializuar si Antimafia Italiane që punoj si në Itali dhe në Shqipëri. Kur gjërat bëhen mirë rezultatet janë të dukshme.”
RTV Ora: “Qe një operacion që çoi në urdhër arrestime emrash të rëndësishëm të administratës publike shqiptare. U arrestuan prokurorë, funksionarë, agjentë policie e u zbardh një korrupsion i qartë i autoriteteve shqiptare e një plagë e realitetit shqiptar. Cilat qenë vështirësitë që hasët në investigimin e tyre?”
Kolonel Vincenzo Mangia: ” Jo nuk kemi hasur vështirësi. E rëndësishme është të reagohet gjithmonë në respekt të plotë të rregullave. Kur bashkëpunëtorët tanë të drejtësisë vendosën të bënin deklarata auto-akuzuese e të shpjegonin kontekstin me të cilin kanë operuar e të jepnin informacione të rëndësishme, u vendos që të dëgjoheshin në prani si nga magjistratët italianë ashtu dhe ata shqiptarë me qëllim që të dokumentonim me çdo kusht të vërtetat e tyre.
Por është e qartë se nuk mjafton vetëm rrëfimi i tyre por dhe vërtetësia e deklaratave të tyre. Në Itali u realizua me të dhëna të qarta që konfirmonin atë çka ata rrëfyen, siç qe rasti i sekuestrimit të kryer në brigjet e Molfetës në mars të 2017, së rreth 1200 kg hashash. Falë rrëfimit të bashkëpunëtorit të drejtësisë u zbardhën të reja që përkonin me hetimet tona. Po ashtu ata kontribuuan kur investiguesit italianë mbërritën në Shqipëri për të kapur kamperin me drogë drejtuar nga dy shtetas italianë në kufi me Greqinë.
Rrëfimet e bashkëpunëtorëve të drejtësisë u vërtetuan dhe në Shqipëri. Dimë se prej vitesh Guardia di Finanza Italiane mbikëqyr nga ajri territorin shqiptar për identifikimin e plantacioneve me marijuanë. Procedura kërkonte verbalizimin e djegien e tyre. Falë rrëfimeve të bashkëpunëtorëve të drejtësisë u dhamë emër e mbiemër të atyre që kishin urdhëruar mbjelljen e këtyre plantacioneve e që kishin blerë me shumicë marijuanën.
Këto të dhëna ishin të pranishme në investigimet shqiptare por pa emër, pra ishte akte kriminal ndaj personave të panjohur. Falë rrëfimeve të bashkëpunëtorëve të drejtësisë i dhamë autorësi këtyre krimeve. U zbardh gjithashtu më siguri të mjaftueshme siç është motivuar nga masat e lëshuar nga SPAK, se në disa raste këto zona nuk shkatërroheshin e digjeshin plotësisht, por vetëm pjesërisht.
Digjej e shkatërrohej vetëm zona e dukshme pranë rrugës, ndërsa pjesa tjetër më thellë vazhdonte të ishte e mbjellë me kanabis. Lihej e paprekur sepse paguhej rryshfet. E kështu pra arritëm të godisnin funksionarë publikë që kishin tradhtuar pozicionin e tyre në Shqipëri.”
RTV Ora: “Faktet kriminale të personave nën akuzë të operacionit “Shpirti”, shkojnë deri në vitin 2017. Hetimet ndaj tyre vazhdojnë?”
Kolonel Vincenzo Mangia: “Mendoj se po. Kanali investigativ mes Shqipërisë e Italisë është aktiv. Kemi një mënyrë të njëjtë operative e një legjislacion mjaft të ngjashëm. Mendoj e jam i sigurt se Prokuroria e Barit e Prokuroria Antimafia Italiane, SPAK e Eurojust do krijojnë një paketë efikase që do të vazhdoj të jap kënaqësi në punë. Trafiqet ilegale të zbuluara kanë finalizime të ndryshme. Nuk kemi të bëjmë vetëm me trafik marijuane, por dhe kokaine, hashash, armë, madje dhe rast kur dhe funksionar publikë italian nuk kishte kryer mirë punën e tij, e paratë e pista që ndotin ekonominë legale e nxjerrin jashtë tregut e konkurrencës sipërmarrësit e ndershëm që zbatojnë rregullat dhe ato fiskale.
Eksperienca e punës tonë po përcillet në një bashkëpunim konkret në Shqipëri siç janë 30 investigues shqiptarë që po trajnohen në Romë e do vihen në dispozicion të SPAK e do të jetë bërthama kyçe e besueshmërisë absolute të një niveli të larë bashkëpunimi. Kjo skuadër e përbashkët u finalizua e funksionoi me sukses sepse u financua disa herë nga Eurojust që besoj në këtë projekt investigativ të përbashkët. Janë operacione që kanë koston e tyre por që sjellin frute të meritueshme sic dëshmuan dhe operacionet e mëparshme Shefi e Kulmi me rreth 80 të arrestuar disa miliona euro lëndë narkotike të kapura e pasuri të sekuestruara.”
RTV Ora: “Një rezultat i arritur nga ky operacion qe akuza e riciklimit të parave të pista. Para të investuar me metoda tipike mafioze si në struktura turistike, biznese buzë detit etj. Ç farë mund të zbardhin më shumë?”
Kolonel Vincenzo Mangia: “Këto masa sekuestrimi janë ekzekutuar nga autoritetet gjyqësore shqiptare e ne kemi përcjellë të dhënat tona. Nuk jemi çuditur nga kjo skemë, ishte një fenomen që e njihnim. Objektivi i parë kur nisëm këtë operacion qe të ndalim këta shqiptarë e bashkëpunëtorët e tyre, por jo sepse jemi kundër Shqipërisë, por nëse do kishim të bënim vetëm me italianë do e kishim më të lehtë. Në Itali nuk mjaftohemi vetëm duke i çuar në burg por sekuestrojmë çdo pasuri, motivin e jetës, fuqinë e jashtme. Duke i hequr mundësinë për të mos treguar se është pronar i një ndërtese të madhe apo i makinave luksoze, të mikpres vipa e të shfaq luksin e tij, e kemi arritur që ai të jetë askushi.
Kjo ishte ideja qysh nga fillimi i operacionit Shpirti. Të shohim e të investigojmë se kush fshihet ana tjetër, pra në Shqipëri, kush pasurohet në Shqipëri. Janë trafikantët e zakonshëm apo janë dhe të tjerë që nuk shfaqen, kush i ndihmon, ku investohen, ku përfundojnë paratë, a rikthehen në Itali? Deri tani nuk e kemi verifikuar këtë mundësi të fundit por dhe nuk e përjashtojmë në një treg global. Prandaj mendoj se do të vazhdojmë e do kemi zhvillime të reja jo shumë të largëta.”
RTV Ora: “Në operacionin” Shpirti” kemi nënvizuar se është shtrirë jo vetëm në Shqipëri por dhe në Spanjë, në Mal të Zi, e specifikisht dhe në Barcelonën jugore. Cili ishte filli lidhës i të arrestuarve në këto vende?”
Kolonel Vincenzo Mangia: “Organizatat kriminale italiane e shqiptare kanë dëshmuar prej vitesh aftësi në shtrirje e kontakte ndërkombëtare. Në Itali ka rol të rëndësishëm Ndrangheta në furnizimin e Europës me kokainë por shqiptarët nuk janë më pak të rëndësishëm e nuk punojmë më si ushtarë. Furnizojnë paketa komplete në trafiqet e lëndëve narkotike. Fakt që në Shqipëri, gjen hashashin që vjen nga Maroku e që kalon nga Spanja e trafikohet në Itali, kokainën e heroinën që vjen nga Hollanda tregon se këto grupe kriminale si shqiptarë e italianë kanë anëtarë e tyre që veprojnë si broker të drogës në këto vende. Në Malin e Zi është arrestuar një person i cili ndodhej në burg për akuza të mëparshme, ndërsa arrestimet e hetimet në Spanjë koordinohen nga Interpol e nga autoritetet shqiptare.”