Pesëdhjetë vite më parë, në një ditë nxehtë qershori, mbylli sytë përgjithmonë në një vetmi të thellë një nga mendjet më të ndritura të këtij kombi, Sejfulla Malëshova. Ishte 71 vjeç. Edhe në varrim e përcollën fare pak njerëz. I persekutuar dhe i internuar nga regjimi për të cilin ai sakrifikoi shumë nga jeta e tij, gjithsesi ai do të mbetej një revolucionar i madh antifashist një nga personalitetet më të shquara të kulturës sonë kombëtare.
Është i njohur fakti se si ka vdekur Sejfulla Malëshova 50 vjet më parë në qytetin e Fierit, në vetmi dhe i braktisur, si një dëshmi e mosmirënjohjes. Komunalja e shtetit të atëhershëm, e nisën trupin e tij pajetë vetëm me karrocierin dhe karrocën e vet dhe e kallnin në dhe, ku pjesë mori vetëm motra e tij, Zenepja, që nga dera e të shoqit ku shkoi mbante mbiemrin Çafka dhe nuk lindi vetë fëmijë, por edukoi e rriti fëmijë me kujdes e dashuri të rrallë, si një nënë e vërtetë e me dhembshuri të pashoqe.
Artistit fierak, skulptori Haxhi Kalluci, realizoi një vepër në skulpturë, kokën e Sejfullait, e cila u vendos para shtëpisë ku ai kishte banuar në vitet e fundit të jetës.
Sipas rrëfimeve që përshkruhen në shkrimin e Haxhiut, ajo, motra, Zenepja, kishte një ngjashmëri të madhe me vëllanë e saj, aq sa njerëzit nuk e kishin të vështirë, nëse njihnin njërin, të shëmbëllenin tjetrin. Në gjallje të tij, pas internimit të tij në Fier, vetëm motra i shkonte shpesh për vizitë, dhe askush tjetër. Megjithëse nga njerëzit që e njihnin, Sejfulla Malëshova adhurohej masivisht. Por në distancë, pasi Sejfullai ndiqej dhe survejohej pa pushim nga ish-Sigurimi i Shtetit.
Po një ditë të bukur, para pak vitesh, bustin e Sejfullait e hoqën, me pretekstin se do ta vendosnin diku tjetër….
Të gjithë ata që e kanë njohur Sejfullain, qoftë nga afër, kishin një respekt të pakufishëm për të, mësonin nga mënyra e sjelljes, veshja me shije estetike e klasike, komunikimi dhe gjithçka ai rrezatonte në çdo hap të jetës së tij. Këta njerëz, pyesnin atëherë, pyesin edhe sot e kësaj dite: Si është e mundur? Si është e mundur të silleshe aq barbarisht me një personalitet të shquar historik, shoqëror, kulturor e atdhetar?
***
Tërë ajo që ai, Lame Kodra, predikonte në tërë sjelljet e veta, për rendin shoqëror të ardhshëm, të iluminuar, të shpresuar, e të aspiruar si kauzë, që kishte përparimin, progresin, luajalitetin, harmoninë, diversitetin, hapjen e jo mbylljen e këtij vendi, demokracinë në shkallën e kuotën më të lartë, e në shtratin e saj më të gjerë të mundshëm. Pikërisht, të gjitha këto, i ranë si shpata e Demokleut e u vërtetua thënia e një të dituri se: “Revolucioni ha bijtë e vet!” Ka të drejtë Haxhi Kalluci kur thotë se “Sejfullai, ndoshta ishte një nga bijtë më të mëdhenj të tij e që u vu nën presën pneumatike të absurdit të kohës. Kohërat edhe ndryshojnë, por në thelbin e tyre ndryshimi ngelet sipërfaqësor. Ato ngelen thuajse e njëjta gjë, pasi ndryshon vetëm kopertura nëpërmjet ndryshimit të pushteteve. Të mbyturin në lumin e marrëzisë e nxjerrin si gjoja për ta shpëtuar, e ndërkohë, pa vonuar i lidhin edhe një gur mbi qafë a mbi supe dhe e rimbytin sërish. Ky ishte dhe fati i Sejfulla Malëshovës në vitet e diktaturës 45 vjet më parë…”
***
Se kush ishte Sejfulla Malëshova, e dinë të gjithë. Por më lejoni të sjellë dy citime për figurën e tij. Politikani dhe politologu i njohur Spartak Ngjela shkruan: “Sejfulla Malëshova pa dyshim ka qenë njeriu më i ditur në lëvizjen komuniste shqiptare. Që në fillim nuk ka qenë pro shtetëzimeve duke dashur një ekonomi që tentonte më shumë nga tregu i lirë…” Më tej, Spartaku sjell një dëshmi nga i ati i tij, Kiço Ngjela: “Na thoshte Kiço se të gjithë e prisnim Sejfullanë si shpëtimtar, por veçanërisht Ymer Dishnica (kishin qenë shokë në emigrim në Francë) dhe dy rastet e mundshëm të ndërtimit të partisë nga intelektualë të niveleve të larta na u shuan, edhe Qemal Stafa, edhe Sejfulla Malëshova”.
Ja dhe një dëshmi tjetër. Në shtator 1960 ish-Kryeministri Mehmet Shehu shkoi në mbledhjen e OKB-së në Nju Jork dhe me porosi të Enver Hoxhës takoi Fan Nolin dhe e ftoi të vinte në Shqipëri për vizitë. Noli iu përgjigj: “Mua më kini atje në fushat e Myzeqesë ku është Lame Kodra. Lironi Lamen dhe tek ai jam unë…”.
***
Tregon Haxhi Kalluci, autori i portretit-kokë të Sejfulla Malëshovës
Ky portret i realizuar në përpjesëtim të lindjes dhe të vdekjes së tij është realizuar, derdhur në bronz dhe vendosur më 18 korrik të vitit 2010, në kuadër të 110 vjetorit të lindjes së Sejfulla Malëshovës. Rehabilitimi i figurës së tij prej një shtetari të vërtetë me pikëpamje socialdemokrate u neglizhua për vite me radhë edhe pas shembjes së diktaturës që e kishte dënuar. U neglizhua se shumë prej shtetasve që asokohe kishin sadopak vendimmarrje, porsi burrecë krahinash dhe asnjëherë me këllqe shtetarësh, e quanin akoma “tradhti ndaj idealeve” që këtij intelektuali brilant, këtij burrështeti të shquar i cili në vetvete përfaqësonte të majtën europiane shqiptare, t’i rikthehej dinjiteti i nëpërkëmbur pikërisht prej tyre edhe pas vdekjes. Të gjithë këta sot mblidhen rreth partive politike të majta dhe lëvdojnë europianizimin e tyre dhe emancipimin që medemek ato i kanë sjellë në ditët tona shoqërisë shqiptare, po ata personalitete të së majtës shqiptare përparimtare dhe me prirje europianiste që u viktimizuan nën brohorimat e tyre paradoksalisht nuk pranojnë t’i rehabilitojnë, të paktën si një gjest ndjese për dhunën dhe padrejtësinë kriminale që i detyruan të përjetojnë dikur në gjallje të tyre. Sejfulla Malëshovën, jam i sigurt që nuk e nxinin kostumet e këndvështrimeve politike. Atij i shkonte dhe i rrinte për bukuri dhe në masë kostumi i atdheut, kostumi i interesave të të gjithë shqiptarëve. Jeta biologjike e tij tashmë është e mbyllur. Jeta e përjetshme e tij ka filluar, siç ndodh me të gjithë personalitetet botërorë, që kthehen të përbotshëm dhe jeta e tyre s’fiket.
Kush ishte Sejfulla Malëshova
Sejfulla Malëshova lindi në Malëshovë të Këlcyrës në 2 mars 1900 dhe vdiq në Fier në 11 qershor 1971, ku dhe u varros nga disa punonjës të komunales së atëhershme të qytetit myzeqar. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, kurse studimet e mesme i kreu në Itali. Këtu së bashku me mikun e tij Odhise Paskalin botoi revistën Studenti Shqiptar, në të cilën botoi edhe vjershat e tij të para. Më pas kur studioi mjekësi në Romë botoi poemën e tij të parë me pseudonimin Kostandini në vitin 1923. Kthehet në atdhe një vit më vonë dhe do të jetë për gjashtë muaj sekretar i kabinetit të kryeministrit Fan Noli. Pas dështimit të Revolucionit të qershorit emigroi dhe në vitin 1926 filloi studimet në universitetin Lomonosov të Moskës për filozofi, studime që i përfundoi në vitin 1930. Pas një debati në organizatën e partisë të BS, ku bënte pjesë, e larguan nga Moska dhe për tre vjet punoi në një uzinë në Kaukaz. Në vitin 1933 u rehabilitua dhe emërohet pedagog dhe dekan i fakultetit të filozofisë në universitetin Lomonosov. Ndërkohë që në vitin 1932 u martua me një moskovite me të cilën u nda pas tre muajsh për të mos u martuar kurrë.
Në vitin 1934 pranohet në Komintern dhe me këtë detyrë vjen në vitin 1941 në Shqipëri dhe bëhet pjesë e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar, aktivitet që i siguroi një pozitë drejtuese në Shqipërinë e pasluftës. Në vitin 1946 do të jetë ministër i arsimit dhe kulturës në qeverinë e Enver Hoxhës. Ndërkohë që në vitin 1945 u zgjodh kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (LSHA), kryetari i parë i kësaj organizate. Po këtë vit u botua edhe vëllimi i tij poetik vjersha me pseudonimin letrar Lame Kodra. Në vitin 1946 për divergjenca të shumta që kishte me Enver Hoxhën në fushat e ekonomisë, kulturës dhe drejtimit të Partisë, përjashtohet nga ajo dhe shkarkohet nga të gjitha funksionet. Kështu intelektuali dhe njeriu më i mirarsimuar i Shqipërisë internohet në Ballsh e Fier, ku jetoi për 24 vjet, duke punuar si magazinier në ndërmarrjen e grumbullimit. Pas një jete të vetmuar në 11 qershor 1971, Sejfulla Malëshova u nda nga jeta dhe u varros në varrezat e vjetra të qytetit. Në vitin 1993 një grup intelektualësh u kujdesën për rivarrimin dhe ceremoninë e munguar për përkthyesin e Internacionales, Gëtes dhe Nekrasovit, apo “poetin rebel” siç i pëlqente ta quante veten.
Një nga biografët e Sejfullait, shkrimtari Niko Tyto, ka shkruar kështu:
“Malëshova është një ndër gjashtë krahinat e rrethit të Përmetit, që shtrihet në të dy anët e Dhëmbelit. Në faqen e lindjes, bri Vjosës, renditen njëri pas tjetrit fshatrat Hargovë, Grabovë, Mbrezhdan; pas malit është Leskaj, Malëshova, Limari dhe Kalaja, gjithsej shtatë fshatra. Ajo që është më interesantja në këtë njësi të vogël gjeografike dhe etno-kulturore, është se ka një përzierje të çuditshme fetare. Malëshovë, Mbrezhdan, Hargovë janë orthodhoksë; Grabova dhe Limari i ka të dy besimet (orthodhoksë dhe bektashi); ndërsa Leskaj është bektashi.
Kur i sheh nga larg të krijohet përshtypja se në këtë zonë banojnë më të varfrit dhe më të paditurit, por kush i njeh sadopak malëshovitët, do të shohë se aty kurrë nuk ka patur fukarallëk, kurrë nuk ka patur injorancë. Burrat e kësaj zone kanë njohur kurbetin, kanë njohur zanatin, kanë njohur punën, kanë njohur shkollën dhe kulturën. Të larguar përgjithmonë apo përkohësisht ata kanë menduar për krahinën tyre, për njerëzit e tyre aty. Edhe sot, si gjithë Shqipëria, Malëshova është boshatisur.”
Revolucionar i paepur
Që në të ritë e tij, Sejfulla Malëshova u përfshi dhe u aktivizua gjerësisht në rrethet atdhetare, ku u dallua për shpirtin e tij të zjarrtë atdhetar; pjesëmarrës aktiv në lëvizjen për drejtësi e përparim shoqëror. Ai, vazhdimisht, do të ishte në krahun e vegjëlisë. Edhe pse fare i ri në moshë, u bë një emër shumë i njohur në rrethet patriotike dhe politike të kohës. Krijoi dhe mbajti lidhje të pandërprera me intelektualët më në zë të vendit. Sejfulla Malëshova që kur ishte në bankat e kolegjit, si djalë populli që ishte, i hodhi të gjitha energjitë e tij për të çliruar Shqipërinë dhe popullin shqiptar.
Në radhët e studentëve shqiptarë në Itali, fjala dhe pena e Sejfulla Malëshovës shquhen aq shumë sa dy mjeshtrit e mëdhenj të gjuhës shqipe, dy nga figurat më të mëdha politike të Rilindjes sonë, Faik Konica dhe Fan Noli, të cilët e konsiderojnë Lame Kodrën (emri letrar i Sejfullait) si dishepullin e tyre me vlerë, si bashkëpunëtor të radhës së parë. Botimet shqiptare, si në Itali ashtu edhe ato të Federatës “Vatra” në Amerikë, dëshmojnë për punët, për inteligjencën e mprehtë dhe për ndjenjat e kulluara të patriotizmit të Sejfulla Malëshovës. Nisur nga përgatitja që kishte, doemos, edhe nga aftësitë që zotëronte, ish-kryeministri i vitit 1924, Fan Noli, e mori në kabinetin e tij qeveritar si kryesekretar të Kryeministrisë.
Së bashku me Avni Rustemin, si dhe me intelektualë të tjerë përparimtarë të asaj kohe, Sejfulla Malëshova luftoi për një Shqipëri demokratike të vegjëlisë. Revolucioni i Qershorit, përpjekja dhe lufta për të përmbysur regjimin e bejlerëve dhe të agallarëve, të feudalëve, e kishin nxjerrë Sejfulla Malëshovën në paraskenën e politikës shqiptare. Atëherë, ishte vetëm 23 vjeç. Fjala dhe pena e tij qenë trumbetë lufte për të gjithë demokratët e asaj kohe.
Por edhe në emigracion, në Itali, Austri, Francë dhe në kuadrin e Kominternit, Sejfulla Malëshova luajti një rol me shumë rëndësi me fjalët e tij, me shkrimet dhe punën e tij.
Në ballë të luftës për liri
Duke ndjekur nga larg atdheut luftën që po bënte për çlirim, biri i Malëshovës atdhetare nuk mund të qëndronte indiferent. Ai kthehet në Shqipëri dhe lidhet me këtë luftë heroike. Madje, pa takuar nënën dhe motrën e vetme, të cilat kishin pritur prej 20 vjetësh. Por i takoi më vonë, ilegalisht (kjo edhe për masa sigurie, sepse armiku e gjurmonte). Kthimi i tij në Shqipëri, pas 20 viteve, ishte veprim i një patrioti të madh, që e donte me shpirt popullin e tij. Pati edhe emigrantë të tjerë, por që nuk u bënë merak për fatet e popullit e të atdheut; këta pseudopatriotë qëndronin kafeneve të Europës, duke bërë pazare në kurriz të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Sapo erdhi në Shqipëri, Sejfulla Malëshova nuk shkoi salloneve ku bëhej “politika e madhe prej baballarëve të kombit” dhe në bashkëpunim me nëpunësit fashistë. Pa as më të voglin hezitim, Sejfulla Malëshova shkoi atje ku kërciste pushka partizane, në male, ku bijtë e thjeshtë të popullit luftonin me vetëmohim dhe heroizëm për çlirimin e atdheut.
Nisur nga përgatitja e tij politike dhe intelektuale e një niveli të lartë, si dhe nga kontributi që kishte dhënë deri në atë kohë në dobi të atdheut të vet, Sejfulla Malëshova zgjidhet anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar si dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. U bë menjëherë njëri nga kuadrot e lartë dhe të shquar të luftës. Veprimtaria e tij politike dhe organizative kontribuoi në zgjerimin dhe intensifikimin e luftës kundër pushtuesve të huaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Fjala e mençur dhe shkrimet me frymë patriotike, si dhe vjershat e tij, u bënë burim frymëzimi për zemrat e fshatarëve, të punëtorëve dhe të rinisë së Shqipërisë liridashëse. “Në vjershat e Lame Kodrës shprehet fuqishëm aspirata shekullore për lirinë e popullit tonë. S’ka gëzim më të madh për një poet kur shikon se krijimet e tij ndezin zemrat e një populli për liri. Ai jetën e tij ia ka kushtuar popullit dhe ka sakrifikuar çdo gjë, që historinë ta bëjë vetë populli dhe jo rrethet e ngushta të të “zgjedhurve”, – është shprehur Dr. Selaudin Toto.
Nga krijimtaria e Sejfulla Malëshovës
Si e dua Shqipërinë!…
Poezi e shkruar në vitin 1939 dhe e botuar në gazetën “Liria” në Amerikë në vitin 1941. Deri në vitin 1968 kjo poezi ishte në Antologjinë e Poezisë Shqipe dhe pas këtij viti u hoq prej andej:
S’kam çiflik e s’kam pallate,
S’kam dyqan me shtatë kate,
Po e dua Shqipërinë
Për një stan në Trebeshinë,
Për një shkarp e për një gur,
Për një gardh e për një mur,
Për kasollen mbi Selishte,
Për dy ara në Zallishte,
Per një lopë, për një gomar,
Për një Balo, një manar.
Unë e dua Shqipërinë
Si bari dhe si fshatar.
Unë e dua Shqipërinë,
Për tërfilin mi lëndinë,
Për një vajzë gjeraqinë,
Dhe për ujët që buron
Nga një shkëmb e gurgullon
Nëpër lista gjetheshumë,
Edhe zbret përposh në lumë.
Unë e dua Shqipërinë
Për një lule trëndelinë,
Për një zok që fluturon,
Për bilbilin që këndon
Në ato ferra, në ato hije
Këngë malli, dashurie,
Këngë shpirti të helmuar.
Unë e dua Shqipërinë
Si poet i dhemshuruar.
Unë e dua Shqipërinë
Që nga Korça në Vraninë,
Ku del bujku që me natë
Me parmëndë dhe me shatë,
Mbjell e korr me diell, me hënë
Dhe s’ka bukë për të ngrënë,
Ku nallbani dhe samarxhiu
Mjeshtri, kallfa e kallajxhiu,
Krrusen ditë e krrusen natë,
që të hanë bukë thatë,
Ku hamalli nëpër skela
Ngarkon hekur dhe varela,
Këmbë zbathur, grisur, çjerrë
Punon vetëm për të tjerë.
Unë e dua Shqipërinë
Që nga Shkupi, në Janinë,
Ku një popull derëzi
Heq e vuan robëri
Po ka shpirtin luftëtar.
Unë e dua Shqipërinë
Si shqiptar e bir shqiptar.
Komentet