New York
Ekipi vëzhgues i Kombeve të Bashkuara (OKB) që ndodhet në Mianmar tha se dënon humbjen e jetëve të 15 fëmijëve në protestat e zhvilluara kundër grusht shtetit që nga 1 shkurti e deri tani dhe se zhvillimet në vend janë “shqetësuese”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric në një konferencë për media tha se ekipi i OKB-së në Mianmar dënon vrasjen e të paktën 15 fëmijëve që nga fillimi i përpjekjes për grusht shteti, përdorimin e forcës nga ushtarët puçistë ndaj fëmijëve. Ai shprehu shqetësime të thella për këto zhvillime.
Dujarric bëri të ditur se informacioni për numrin e fëmijëve të vrarë në grusht shtetin në Mianmar i përket Fondit të Emergjencës së Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF).
Nga grushti shteti në Mianmar janë prekur edhe emigrantët
“Organizata Ndërkombëtare e Migracionit (IOM) tha se emigrantët në Mianmar janë në mesin e atyre që preken më shumë nga kriza aktuale”, tha Dujarric.
Ai vuri në dukje se sipas IOM, një nga katër persona në Mianmar janë emigrantë të brendshëm ose të huaj dhe se për shkak të grusht shtetit në rajonet ku ka një numër të madh të emigrantëve të brendshëm kanë ndodhur bastisje të dhunshme.
IOM ka bërë thirrje që “krahas mbrojtjes dhe njohjes së kërkesave dhe të drejtave themelore, të ndalet menjëherë dhuna” ndaj emigrantëve, të pambrojturve dhe ndaj të gjithë popullit të Mianmarit, thuhet në deklaratën në të cilën theksohet se IOM pavarësisht kushteve të vështira do të vazhdojë të punojë për të mbështetur emigrantët në Mianmar.
Komentet