Vëzhguesit në mbarë botën u shokuan kur panë protestuesit e dhunshëm teksa sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan, në një përpjekje të dëshpëruar dhe të dhunshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve legjitime presidenciale, me qëllim që t’i japin edhe një mandat të dytë presidentit aktual, Donald Trump.
Por komentuesit nga e djathta ekstreme e spektrit politik në Evropën Lindore dhe në Ballkan, në shumë raste, u inkurajuan nga ajo që panë. Shumë nga ta ndanë kohën nga festimet për Krishtlindjen Ortodokse më 7 janar, për të treguar solidaritetin e tyre me protestuesit në SHBA, shumë prej të cilëve gjatë protestës valëvitën flamurin e Konfederatës amerikane, një simbol racist.
Një protestues mban flamurin e Konfederatës, pasi ka hyrë në Kongresin amerikan. Uashington, 6 janar, 2021.
Andreas Umland, që shkruan ekskluzivisht mbi ekstremizmin politik në mbarë botën, shkroi në Facebook, se Trump nuk është i ndikuar ideologjikisht siç janë figurat djathtiste në mbarë botën.
“Termat e tillë si ‘fashist’ nuk tingëllojnë aq mirë për të, pasi terma të tillë kanë në vete një shkallë minimale të informacionit ideologjik, i cili, Trumpit thjesht i mungon”, tha ai.
“Megjithatë, ai pëlqehet nga e djathta ekstreme – jo vetëm në SHBA, por në mbarë botën”, shkroi Umland.
Anton Shekhovtsov, ligjërues në Universitetin e Vjenës, që është ekspert në neo-nazizëm dhe lëvizje të tjera ekstremiste në Rusi dhe gjetkë, pajtohet me këtë, duke thënë se Trumpi bën pjesë në mesin e “populizmave bashkëkohorë të djathtë në Evropë” që “bazohen në kombinimin e një nativizmi, autoritarizmi dhe populizmi”.
“Jo vetëm që ata operojnë brenda kornizave të demokracisë”, shkroi ai në një ese për ueb-faqen Eurozine, por “ata gjithashtu pretendojnë se janë demokratë më të mirë – një ide anti-establishment që rezonon te shumë votues të pakënaqur”.
Një numër i madh i figurave të së djathtës ekstreme në Evropën Lindore dhe në Ballkan, gjetën mbështetje për pikëpamjet e tyre gjatë ngjarjeve të dhunshme që u panë në Shtetet e Bashkuara.
Në Ukrainë, Serhiy Korotkikh, lider i Lëvizjes Azov e së djathtës ekstreme, që nga Departamenti Amerikan i Shtetit është cilësuar si “grup nacionalist i urrejtjes”, ka mirëpritur trazirat në SHBA, duke përdorur terma racist.
“Të bardhët më në fund vendosën të veprojnë dhe të marrin nën kontroll ndërtesën e Kongresit”, shkroi ai në rrjetin Telegram.
“Kjo është gjë e mirë edhe pse kësaj here mund të mos çojë askund. Por, mendoj se na jep neve një shans. Të bardhët janë ende këtu dhe ne e dimë çfarë të bëjmë”, tha ai.
Fotogaleri
Uashingtoni nën dry
Gjithashtu në Ukrainë, Andriy Portnov, ish-ligjvënës dhe zëvendësshef i stafit i presidentit pro-rus, Viktor Yanukovych – që u largua nga pushteti përmes protestave më 2014 – shkroi në telegram se “kryengritja” në Uashington “ishte turpi i një banana republike”.
“Çdo glorifikim i mëtejmë i gusht-shtetit tonë lokal duket edhe më qesharak dhe më margjinal (se më parë)”, shkroi ai.
Në Bjellorusi –ku po mbahen protesta që prej zgjedhjeve presidenciale të gushtit të vitit të kaluar, ku Alyaksandr Lukashenka pretendon se ka fituar mandatin e gjashtë – një kanal pro Lukashenkës në rrjetin Telegram, tentoi të paraqiste një standard të dyfishtë ndërmjet protestave bjelloruse dhe trazirave në Uashington.
“Le t’i emërojmë gjërat ashtu siç e kanë emrin. Nuk ishte kryengritje, por ‘një protestë paqësore, e mbrojtur nga amendamenti i dytë i Kushtetutës”, u shkrua në këtë kanal, duke iu referuar amendamentit të Kushtetutës amerikane, ku garantohet e drejta për të mbajtur armë.
“Ata nuk ishin protestues të dhunshëm, por ‘luftëtarë të vlerave demokratike’. Nuk kishte masakër në Kongres, por ‘një ekskursion arsimor me elemente interaktive’”.
Esenca e shumë postimeve të këtij kanali ishte mbi temën se Bjellorusia është më mirë nën dorën e hekurt, me të cilën autoritari Lukashenka ka udhëhequr me vendin që prej vitit 1994, sesa që të ndjekë shembullin e demokracive liberale të Perëndimit.
Kreu i Lëvizjes për ndryshim në Mal të Zi, Nebojsha Medojviq, i cili është pro-serb dhe pro-rus – po ashtu një entuziast i madh i Trumpit dhe i teorive konspirative që e përshkruajnë COVID-19 si një mashtrim nga ‘satanistët botërorë’ – në postime në Twitter e ka përshkruar Trumpin si “presidentin e parë amerikan, që prej Kennedyt, që ka kundërshtuar anarkinë dhe nga personat që sundojnë nga prapaskenat”.
“Ata duhej që të organizonin një vjedhje të madhe zgjedhore dhe të shkatërronin demokracinë në mënyrë që ta ndalonin atë”, shkroi Medojeviq, duke përkrahur pretendimet për mashtrime në zgjedhjet presidenciale amerikane të nëntorit të vitit të kaluar.
Ngjarjet në Uashington rezonancën më të fortë e gjetën në figurat e së djathtës dhe nacionalistët në Serbi. Nikola Sanduloviq, kreu i Partisë Nacionaliste Republikane, postoi në Twitter një fotografi të një mbështetësi të Trumpit, që përdhoste statujën e ish-presidentit amerikan, Gerald Ford, që gjendet brenda Kongresit, dhe me shkronja të mëdha shkroi: “Era e lirisë, drejtësisë dhe së vërtetës”.
Ai, po ashtu, postoi një dokument të ish-avokates së fushatës së Trumpit, Sindey Powell, dhe pretendonte se ajo përmbante dëshmi për ndërhyrjen e SHBA-së në zgjedhjet serbe përmes kompanisë që ofron shërbime për zgjedhje, Dominion. Këto pretendime të Powell se kompania Dominion ka qenë e përfshirë në mashtrime zgjedhore, janë diskredituar.
Një llogari e nacionalistëve serbë në Twitter, e quajtur “Slobodni Boem” ka shkruar: “Nuk ka rëndësi nëse Amerika bie tani apo pas 100 a 500 vjetësh. Serbia do të jetë këtu për ta parë këtë gjë”.
Njësoj edhe llogaria në Twitter, e quajtur “Srbski Info Shtab” ka mbështetur dhunën në Uashington dhe ka thënë se ka demonstruar se “diktatorët botërorë” duhet të ndryshojnë menjëherë gjërat në Amerikë “duke instaluar një sistem diktatorial”.
“Por, kjo gjithashtu do të thotë se ka rezistencë”, thuhet tutje në postim. “Një lëvizje të rezistencës”.
Nacionalisti serb, Dejan Beriq, që ka luftuar përkrah mercenarëve rusë në lindje të Ukrainës, ka postuar një video në YouTube, duke i bërë thirrje zyrtarëve të rendit në SHBA, që të mos përdorin dhunë ndaj “protestuesve paqësorë” ose të mos “shkelin të drejtën e tyre për të shprehur pakënaqësitë ndaj qeverisë”.
Ai, po ashtu, përdori sarkazëm duke thënë se refuzon që ta njohë presidentin e zgjedhur amerikan, Joe Biden, dhe bëri thirrje që të vendosen sanksione ndaj personave që e njohin Bidenin si president të zgjedhur të SHBA-së.
Kryeministri hungarez Peter Magyar njoftoi një projektligj që do të mundësonte verifikimin e pasurimit të politikanëve deri në 20 vjet më parë, dhe disa ish-zyrtarë të lartë do të përfshiheshin gjithashtu në kontroll, shkruan Telex.
Në një video të postuar në Facebook të enjten, Magyar tha se projektligji do t’i dërgohej parlamentit hungarez pa vonesë.
“Që tani e tutje, fundi i botës në të cilën politikanët e Fidesz shkruanin në mënyrë cinike çdo gjë në të dhënat e tyre të pronës, ndërkohë që të gjithëve u ishte e qartë se mënyra e tyre e vërtetë e jetesës dhe prona në letër nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën”, tha kryeministri hungarez, siç raportohet nga Telex.
Sipas propozimit të shpallur, kontrollet do të mbulonin anëtarët e parlamentit, kryeministrat, ministrat, sekretarët e shtetit, komisionerët e qeverisë dhe komisionerët e kryeministrave.
“Verifikimi i pasurimit do të zbatohet për çdo anëtar të parlamentit, kryeministër, ministër, sekretar shteti, komisioner qeveritar dhe komisioner të kryeministrit, mandati i të cilit ka mbaruar në pesë vitet e fundit, dhe sigurisht edhe për ata që aktualisht mbajnë ose do të mbajnë këto pozicione në të ardhmen”, tha Magyar.
Kontrollet do të kryheshin nga Administrata Kombëtare Hungareze e Taksave dhe Doganave (NAV).
Për politikanët aktualë, verifikimi do të fillonte pasi të kenë kaluar dy vjet që nga emërimi i tyre i parë. Nëse dikush nga parlamenti ose qeveria aktuale jep dorëheqjen ose zëvendësohet, NAV, sipas njoftimit të Magyar, do të fillonte automatikisht një kontroll brenda 30 ditëve.
Nëse, gjatë procedurës, një politikan ose person tjetër i mbuluar nga ligji ka një deficit tatimor prej të paktën pesë milionë forintësh, emri, pozicioni dhe shuma e deficitit tatimor të përcaktuar të tij do të publikohen në listën publike të NAV-it.
Propozimi do t’i jepte NAV-it kompetencat e nevojshme për kontrolle të hollësishme për të përcaktuar nëse asetet dhe standardet e jetesës së politikanëve korrespondojnë me të ardhurat e tyre të tatueshme dhe të dhënat e pronës.
“Gjatë inspektimit, NAV do të zbulojë gjithçka – pasuri të paluajtshme, llogari bankare, aksione biznesi, sigurime, investime dhe asete që janë përpjekur të fshihen deri më tani – dhe do t’i krahasojë ato me të dhënat e pronës, dhe më pas do të bëjë një vlerësim të rrezikut”, tha Magyar.
Nëse NAV përcakton se nuk ka parregullsi, procedura do të përfundojë.
Megjithatë, nëse gjendet një mospërputhje midis të ardhurave të tatueshme dhe aseteve që mund të tregojë mospërmbushje të detyrimeve tatimore ose të ardhura të fituara në mënyrë të paligjshme, do të iniciohet një audit i detajuar tatimor.
Elementi kyç i njoftimit të Magyar është aftësia për të kontrolluar origjinën dhe rritjen e aseteve deri në dy dekada më parë, ndërsa sistemi do të përfshinte jo vetëm mbajtësit aktualë dhe të ardhshëm të pozicioneve më të larta, por edhe ata, mandati i të cilëve ka përfunduar gjatë pesë viteve të mëparshme. bw
Eurodeputetja Isabel Wiseler Lim ka reaguar në lidhje me rastin e Belinda Ballukut, ndërsa ka kërkuar heqjen e imunitetit të saj si deputete, në një kohë kur është nën hetim nga SPAK.
Gjatë takimit të 22-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit Shqipëri-Bashkimi Evropian në Tiranë, Wiseler-Lima vlerësoi punën e SPAK-ut dhe theksoi se ky institucion gëzon një nivel të lartë besimi te qytetarët shqiptarë.
Po ashtu ajo ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si garantohet pavarësia e institucioneve të drejtësisë dhe nëse reforma në drejtësi do të vijojë të jetë e pakthyeshme.
“Kur isha në maj këtu si vëzhguese e zgjedhjeve, ju ishit në fushatë, e tani ju shoh këtu si kolegë dhe mund të flasim si parlamentarë me njëri-tjetrin. SPAK-u është në fakt një nga institucionet të cilit shqiptarët i kanë më shumë besim dhe ka qenë i suksesshëm brenda reformës në drejtësi. Kjo është një nga format për të cilën është rënë dakord nga të dyja palët. Por megjithatë pavarësia nuk është se sigurohet menjëherë, pra kërkesat për imunitet për shembull vendosen këtu dhe çdo hetim dhe fillim i tyre do të vendosen këtu. Dhe ndërkohë anëtarë të Këshillit të Prokurorisë dhe Gjyqësorit zgjidhen nga parlamenti. Kjo nuk është një detyrë e lehtë, dhe pyetja është a do të jetë reforma në drejtësi e pakthyeshme? Unë besoj fort se përgjigjja është po”, tha ajo. bw
Një ngjarje e paprecedentë ka goditur banesën e kardinalit 97-vjeçar shqiptar, Ernest Simoni, në Piazza Duomo të Firences, pikërisht gjatë kohës që ai ndodhej në Londër për një takim zyrtar me Mbretin Charles III. Autorët arritën të depërtonin brenda apartamentit të tij duke shembur një pjesë të murit dhe duke hapur derën e blinduar me dalta, nga ku grabitën sende me vlerë mbi 30 mijë euro.
Gjatë grabitjes, banesa ku kardinali jeton me nipin e tij, Tonin Simoni, ishte tërësisht e zbrazët. Pasi u larguan rreth orës 13:00 dhe u kthyen në orën 23:00, familjarët u përballën me një skenë të vërtetë shkatërrimi: sirtarë të përmbysur, valixhe të hapura dhe daltat e përdorura nga autorët të braktisura në korridor.
Nga banesa u morën para, bizhuteri floriri, medalje si dhe një vulë e çmuar. Ajo që ngriti pikëpyetje të mëdha te hetuesit ishte marrja e lejes së qëndrimit të vetë kardinalit Ernest Simoni.
Nipi i kardinalit, Tonin Simoni, u shpreh i bindur se familja e tyre ka qenë nën vëzhgim të rreptë: “Nuk e prisnim kurrë një gjë të tillë. Mendonim se ishim të sigurt. Është e pabesueshme që një grabitje e tillë të ndodhë në Piazza Duomo, ndoshta edhe në mes të ditës. Është një turp për qytetin… Jam i bindur se na kishin vëzhguar, e dinin saktësisht që nuk ndodhej askush në shtëpi. Vjedhja e lejes së qëndrimit është e çuditshme; nuk e kuptoj pse mund t’i duhej dikujt, përveç rastit kur synon ta falsifikojë.”
Ekspertët e policisë shkencore dhe karabinierët kanë sekuestruar kamerat e shumta të sigurisë në Piazza Duomo — një nga zonat më të monitoruara të qytetit — ndërsa mbetet enigmatike se si askush nga fqinjët, përfshirë priftin që banon një kat më poshtë, nuk dëgjoi zhurmën e shembjes së murit. bw
Rusia po përgatitet për një luftë më të gjerë kundër vendeve që mbështesin Ukrainën, madje edhe duke nisur sulme me raketa në territorin e tyre, tha kryeministri polak Donald Tusk, duke cituar inteligjencën perëndimore.
Paralajmërimi i kryeministrit polak erdhi pasi Varshava vendosi të mbyllë përkohësisht hapësirën e saj ajrore, të vërë në gatishmëri avionët luftarakë dhe të pezullojë operacionet e aeroportit në përgjigje të sulmit të fundit rus.
Duke folur para parlamentit polak, Tusk tha se agjencitë perëndimore të inteligjencës kanë konfirmuar se Vladimir Putin po përgatitet për një konflikt më të gjerë.
“Ne e dimë se ai po planifikon diçka të keqe. Megjithatë, detyra më e rëndësishme për ne është të përgatitemi për skenarë të ndryshëm. Ne nuk do të pranojmë me naivitet mesazhet se Rusia ka vullnet të mirë dhe se do të fillojë të sillet siç duhet. Nuk ka asnjë tregues për këtë.”, tha kryeministri polak.
Tusk argumentoi se informacioni në dispozicion të agjencive perëndimore është “shumë i qëndrueshëm dhe bindës” dhe paralajmëroi se Moska në të ardhmen mund t’i paraqesë sulmet si “aksidente” për të testuar vendosmërinë e NATO-s. Panorama
Policia spanjolle ka goditur një organizatë kriminale shqiptare, e cila kishte shtrirë aktivitetin e saj në Katalonjë dhe Costa del Sol. Në kuadër të operacionit janë arrestuar 15 persona, 12 prej të cilëve janë dërguar në paraburgim, ndërsa janë sekuestruar më shumë se 2.7 tonë kokainë, armë dhe dhjetëra automjete luksoze.
Një nga zbulimet më të rëndësishme të hetimit ishte një vilë luksoze në Sant Just Desvern, e marrë me qira për disa ditë. Edhe pse shtëpia kishte pishinë dhe ambiente të mëdha, brenda saj nuk kishte pothuajse asnjë mobilie. Sipas mediave spanjolle, ajo përdorej si një “guardería”, pra si vend ku droga fshihej përkohësisht përpara se të transportohej më tej në Evropë.
Në garazhin e vilës, agjentët zbuluan 1.351 kilogramë kokainë të pastër. Sipas hetuesve, banesa ishte marrë me të dhëna të një personi me origjinë shqiptare, i cili dyshohet se ishte përdorur si person fasadë.
Sipas Policisë Kombëtare, grupi nuk merrej me sigurimin apo shitjen e kokainës, por me transportimin e saj nga jugu drejt veriut të Spanjës.
Droga transportohej me makina të nivelit të lartë, mes tyre edhe një Audi RS8. Automjetet lëviznin me shpejtësi shumë të larta deri në 200 km në orë, sipas hetuesve, në disa raste arrinin të përshkonin rreth 2 mijë kilometra brenda një dite.
Për të shmangur kontrollet, automjetet që transportonin drogën shoqëroheshin nga katër ose pesë makina të tjera. Disa lëviznin përpara dhe të tjera pas automjetit kryesor, duke monitoruar rrugën dhe praninë e policisë.
Edhe gjobat e radarëve nuk dukeshin se i shqetësonin. Automjetet shpesh rezultonin të regjistruara në emra personash të tjerë, përfshirë persona në kushte të cenueshme sociale, të cilët dyshohet se përdoreshin si persona fasadë.
Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu kompani të lidhura me aktivitetin e automjeteve, të cilat dyshohet se shërbenin për pastrimin e parave, sigurimin e makinave të paregjistruara dhe krijimin e kontratave të falsifikuara të qirasë.
Sipas policisë spanjolle, organizata kishte një disiplinë të fortë dhe zbatonte një kod heshtjeje. Anëtarët e saj shmangnin komunikimet elektronike dhe drejtuesit e grupit udhëtonin nga Marbella në Barcelonë vetëm për takime të shkurtra ballë për ballë.
Policia thotë se grupi dyshohet se kishte qenë aktiv që prej vitit 2016 dhe emrat e anëtarëve të tij ishin shfaqur në disa hetime të mëparshme.
Përveç 2.7 tonëve kokainë të sekuestruar në Sant Just Desvern dhe Málaga, autoritetet kanë sekuestruar rreth 800 gramë tusi, dy armë zjarri të shkurtra dhe 29 automjete luksoze. Gjithashtu janë ngrirë kripto-asete, produkte financiare dhe pasuri të paluajtshme.
Hetimi nisi vitin e kaluar, pas një informacioni të marrë nga autoritetet kolumbiane për një ngarkesë kokaine që po drejtohej drejt Spanjës.
Në konferencën për shtyp ku u prezantua operacioni, delegati i qeverisë spanjolle në Katalonjë, Carlos Prieto, deklaroi se policia i ka dhënë fund një grupi me “shumë burime dhe shumë kapacitet logjistik”.
“Në Katalonjë nuk ka asgjë jashtë mundësive të policisë”, deklaroi Prieto.
Sipas burimeve policore, grupi ishte bërë i njohur në qarqet kriminale si transportues i besueshëm i drogës. Megjithatë, hetimi nuk ka vendosur lidhje të drejtpërdrejtë mes këtij grupi dhe kokainës që hyn në portin e Barcelonës. bw
BRUKSEL- Komisionerja evropiane për Zgjerimin Marta Kos, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ajo i cilësoi Dhomat e Specializuara si një organ gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm, duke theksuar se vendimet e tyre duhet të respektohen, ndërsa të dënuarit kanë të drejtën e ankimit.
Në fjalën e saj, Kos nënvizoi se procesi lidhet me përgjegjësinë individuale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Ajo u bëri thirrje aktorëve në rajon që të kontribuojnë në shërimin e plagëve të së kaluarës, duke theksuar se pajtimi është i nevojshëm që vendet e rajonit të kapërcejnë ndasitë dhe të ecin përpara drejt një të ardhmeje të përbashkët në Bashkimin Evropian.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një organ gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur. Vendimet e tyre duhet të respektohen dhe të dënuarit kanë të drejtë ankese. Bëhet fjalë për përgjegjësinë individuale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
U bëj thirrje aktorëve në rajon që të ndihmojnë në shërimin e plagëve të së kaluarës. Vetëm përmes pajtimit, vendet e rajonit mund t’i kapërcejnë ndasitë dhe të ecin përpara drejt një të ardhmeje të përbashkët në BE.”, u shpreh Marta Kos./Dosja.al
Situata është tensionuar në Hagë pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Protestuesit shqiptarë, të mbledhur pranë ambienteve të Gjykatës Speciale, kanë reaguar ashpër ndaj aktgjykimit, ndërsa mes tyre dhe policisë holandeze janë shënuar përplasje.
Sipas raportimeve nga vendngjarja, efektivët holandezë janë përplasur me protestuesit dhe kanë ndërhyrë për t’i larguar nga zona pranë gjykatës. Policia ka përdorur edhe topat e ujit për shpërndarjen e turmës.
Më herët, policia holandeze u kishte kërkuar protestuesve të largoheshin nga hyrja e gjykatës dhe të zhvendoseshin në zonën e përcaktuar për protestën, duke paralajmëruar se në rast mosbindjeje do të përdorej forca.
Tensionet vijnë pas vendimit me të cilin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u dënuan me gjithsej 81 vite burgim për krime lufte.
Situata në zonën përreth Gjykatës Speciale vijon të monitorohet nga forcat e policisë holandeze.bw
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shpallur fajtor për krime lufte dhe është dënuar me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Jakup Krasniqi është dënuar po ashtu me 25 vjet, për disa vepra të krimeve të luftës; Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 vjet heqje lirie.
Vendimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.
12:08
Haradinaj bën thirrje për qetësi: Beteja për drejtësi të vazhdojë në shkallën e dytë
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tani deputet i Aleancës, e ka cilësuar si “të papranueshëm” dhe “të padrejtë” aktgjykimin dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa ka bërë thirrje për qetësi dhe për vazhdimin e betejës ligjore në shkallën e dytë.
“Beteja për drejtësi duhet të vazhdojë, duhet të fitohet në shkallën e dytë”, tha Haradinaj përmes një video-mesazhi të shpërndarë në rrjetet social.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos dëmtojnë pronën dhe të mos rrezikojnë jetën e njerëzve si reagim ndaj aktgjykimit.
“Nëse e shkatërrojmë Kosovën, u ndihmojmë armiqve. Do t’i mundim armiqtë të bashkuar”, tha Haradinaj.
11:59
Rama reagon pas aktgjykimit të Speciales: “Marre”
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Rama publikoi në rrjetet sociale një fotografi me vetëm një fjalë: “Marre”, duke shprehur, siç duket, kundërshtimin e tij ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara.
Reagimi i tij erdhi pak pasi trupi gjykues i shpalli katër ish-krerët e UÇK-së penalisht përgjegjës për krime lufte dhe u shqiptoi dënime me burgim.
11:51
Konjufca: Vendim i padrejtë dhe i pamerituar
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, e ka cilësuar aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së si “të trishtueshëm”.
“Është një vendim vërtet i trishtueshëm, i padrejtë, i pamerituar për katërshen udhëheqëse të UÇK-së”, tha Konjufca pas shpalljes së aktgjykimit në Hagë.
11:49
Mbyllet seanca në Hagë
Pas shpalljes së aktgjykimit dhe dënimeve ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, seanca në Dhomat e Specializuara në Hagë është mbyllur.
Aktgjykimi i shpallur sot është i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë ta apelojnë atë. rel
Pas urdhrit të tretë të policisë, situata u qetësua dhe thirrjet ndaj efektivëve u ndalën.
HAGA- Qytetarët shqiptarë janë mbledhur para ambienteve të Dhomave të Specializuara, ndërsa seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të nis për pak orë. Kjo situatë është shoqëruar me tensione, pasi pas grumbullimit të tyre ka ndërhyrë policia, e cila u ka kërkuar të shpërndahen.
Efektivët paralajmëruan se nëse urdhri nuk zbatohej, do të përdornin forcën për t’i larguar. Pas kësaj, qytetarët nisën të fyenin policët holandezë, duke sjellë përplasje verbale. Pas urdhrit të tretë të policisë, situata u qetësua dhe thirrjet ndaj efektivëve u ndalën.
Mbështetësit shprehen në solidaritet me Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë që prej nëntorit 2020. Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati iu drejtua protestuesve me një apel për qetësi.
“S’kemi punë me policinë holandeze”, tha ai duke u kërkuar të pranishmëve të shmangin çdo përplasje me autoritetet./Dosja.al
Bashkimi Europian u ka bërë thirrje të gjitha shteteve dhe palëve që të respektojnë vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës për katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Thirrja nga Brukseli vjen pak ditë para shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë në Hagë dhe në ditën kur në Prishtinë pritet të zhvillohet një marsh paqësor në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së. Në një përgjigje për “Express”, BE ka theksuar se pret që vendimi i gjykatës të respektohet, duke nënvizuar njëkohësisht mbështetjen e saj për Dhomat e Specializuara si një institucion gjyqësor të pavarur. “Në prag të shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë në çështjen e Prokurorit të Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, u bëjmë thirrje të gjitha shteteve dhe palëve që të respektojnë procedurat gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe vendimin”, thuhet në përgjigjen e BE-së.
Brukseli rikujton se Dhomat e Specializuara të Kosovës u krijuan përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015, ndërsa procedurat u zhvendosën në Hagë me synimin për të garantuar procese gjyqësore të pavarura, të paanshme dhe të drejta lidhur me pretendimet për krime të rënda të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
BE: Procesi nuk përfundon me vendimin e 16 shtatorit
Bashkimi Europian ka bërë të qartë se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përbën fundin e procesit gjyqësor. Sipas Brukselit, vendimi mund të ankimohet si nga mbrojtja, ashtu edhe nga Prokuroria e Specializuar. “Ashtu si në të gjitha procedurat e tjera gjyqësore, ndaj aktgjykimeve të shkallës së parë mund të ushtrohet ankesë si nga mbrojtja, ashtu edhe nga prokuroria”, thekson BE-ja. Në përfundim, Brukseli vlerëson se puna e Dhomave të Specializuara është e rëndësishme për promovimin e llogaridhënies dhe për njohjen e përvojave të viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
Ndërkohë, në Prishtinë pritet të zhvillohet sot, nga ora 14:00, një marsh paqësor në mbështetje të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit. Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje të qytetarëve nga e gjithë Kosova, ndërsa kërkesa kryesore është drejtësia për katër ish-krerët e UÇK-së. Procesi gjyqësor në Hagë është shoqëruar gjatë gjithë kohës me kritika nga Kosova, ku Gjykata Speciale është akuzuar nga kundërshtarët e saj për njëanshmëri. Aktakuza ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së përmban 10 pika, prej të cilave gjashtë lidhen me krime kundër njerëzimit dhe katër me krime lufte. Në fillim të këtij viti, Prokuroria e Specializuar kishte kërkuar dënime me nga 45 vjet burgim për të akuzuarit.
Dhomat e Specializuara u formuan në vitin 2015 dhe nisën të funksionojnë gjatë viteve 2016–2017, pas ndryshimeve kushtetuese dhe marrëveshjeve për zhvendosjen e procedurave në Holandë. Krijimi i tyre erdhi pas presionit të fortë ndërkombëtar, përfshirë edhe atë të Shteteve të Bashkuara. Gjatë vizitës së tij në Kosovë në dhjetor 2015, ish-Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, kishte kërkuar krijimin e një gjykate që do të trajtonte akuzat e lidhura me konfliktin në Kosovë. Pak muaj më herët, në korrik 2015, edhe Ndihmës-Sekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, kishte paralajmëruar se nëse Kosova nuk do ta krijonte vetë këtë mekanizëm gjyqësor, atëherë komuniteti ndërkombëtar do ta bënte në vend të saj. bw
Ndahet nga jeta në moshen 78-vjeçare Emma Bonino, një nga figurat më të shquara dhe më luftarake të politikës italiane dhe evropiane. Gjatë gjithë jetës së saj, ajo u shqua për angazhimin e palodhur në mbrojtjen e të drejtave të grave, lirive civile dhe çështjeve kryesore ndërkombëtare.
Për dekada me radhë, Bonino u bë simbol i betejave sociale, e njohur gjerësisht për protestat, rezistencën dhe grevat e saj të urisë. Karriera e saj shtrihej nga aktivizmi i hershëm për të drejtat e njeriut e deri te pozicionet më të larta drejtuese në diplomacinë dhe institucionet e shtetit Italian.
Përveç angazhimit politik, ajo mbeti gjithmonë besnike parimit të autonomisë personale. Në një intervistë për revistën Vanity Fair, ku kishte folur për konceptin e saj mbi jetën dhe vdekjen, Bonino kishte nëvizuar rëndësinë e të drejtës për të vendosur vetë:
“Nuk mendoj kurrë për vdekjen. Por sigurisht që kam bërë testamentin biologjik dhe e di se, kur të vijë momenti, dua të vendos vetë. E lirë deri në fund,” — ishte shprehur ajo.
Emma Bonino do të kujtohet si një nga zërat më të fortë të reformizmit, e cila i kushtoi jetën mbrojtjes së lirive individuale, barazisë gjinore dhe shtetit të së drejtës. bw
Më shumë se 100 eurodeputetë nga të gjitha grupet kryesore politike iu kanë dërguar një letër të përbashkët udhëheqësve më të lartë të Bashkimit Evropian, duke i kërkuar rihapjen e menjëhershme të bisedimeve për përdorimin e aseteve të ngrira ruse në ndihmë të Ukrainës.
Nisma vjen në një moment kritik kur Kievi raporton një mungesë të menjëhershme prej 23 miliardë eurosh në fondet e mbrojtjes, ndërsa kostoja e shkatërrimeve nga agresioni rus përllogaritet se i kalon 600 miliardë eurot. Megjithëse BE-ja miratoi më parë një kredi mbështetëse prej 90 miliardë eurosh, eurodeputetët paralajmërojnë se kjo paketë është e pamjaftueshme, ndërsa vendet anëtare ngurrojnë të alokojnë para shtesë nga buxhetet e tyre kombëtare.
Plani i mëparshëm i Komisionit Evropian për kthimin e mbi 200 miliardë eurove të ngrira në kredi për Ukrainën dështoi gjatë samitit të Brukselit, për shkak të rreziqeve ligjore. Vendet si Belgjika ku ndodhet depozituesi kryesor Euroclear nën drejtimin e kryeministrit Bart De Wever — si dhe Italia, Bullgaria e Malta, shprehën frikën se mund të përballeshin me me padi financiare nga Banka Qendrore e Rusisë.
Për të zhbllokuar situatën, eurodeputetët propozojnë një zgjidhje të re teknike:
Krijimi i një instrumenti komunitar: Fondet ruse të kalojnë në një strukturë të posaçme të BE-së, e cila do të merrte përsipër të gjitha detyrimet e mundshme ligjore ndaj Rusisë.
Mbrojtja e shteteve anëtare: Kjo skemë eliminon rrezikun e padive direkte ndaj vendeve si Belgjika, duke garantuar financim të vazhdueshëm për mbrojtjen e Ukrainës.
Letra e iniciuar nga eurodeputetët Karin Karlsbro, Nathalie Loiseau dhe Petras Auštrevičius mban firmën e përfaqësuesve nga PPE, Renew Europe, Socialdemokratët, të Gjelbrit, ECR dhe E Majta. Dokumenti i është dërguar Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Shefes së Politikës së Jashtme Kaja Kallas, Komisionerit Valdis Dombrovskis, Presidentit të Këshillit António Costa dhe Kryeministrit irlandez Micheál Martin, me mesazhin e qartë se Moska duhet të paguajë vetë për dëmet e luftës që ka nisur. bw
Komentet