VOAL

VOAL

VIDEO – “Jetoi siç deshi vetë, si të ishte dita e fundit”, Gjergj Leka përlotet për mikun e tij: ‘Mësimi’ që na dha Kujtim Prodani

January 7, 2021

Komentet

VIDEO- Intervistë e William Walkerit dhënë Artur Vrekajt për ARB-TV, Uster Masaçusets. Dëshmi e mbijetesës së Kosovës

VIDEO- Intervistë e William Walkerit dhënë Artur Vrekajt për ARB-TV, Uster Masaçusets. Dëshmi e mbijetesës së Kosovës

Intervista- Grajewski: Konfliktet në Ukrainë dhe në Gjirin Persik po ndërthuren gjithnjë e më shumë

Alex Raufoglu

Partneriteti i Rusisë me Iranin është bërë një nga partneritetet strategjike më me ndikim në peizazhin e sotëm gjeopolitik.

Megjithëse Moska dhe Teherani nuk kanë krijuar një aleancë ushtarake formale, bashkëpunimi i tyre në fushat e dronëve, inteligjencës, shmangies së sanksioneve dhe sigurisë së brendshme është thelluar që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Nicole Grajewski, eksperte për marrëdhëniet Rusi-Iran në Universitetin Sciences Po në Paris dhe në Institutin Carnegie, shpjegon se si konfliktet në Ukrainë dhe në Gjirin Persik po ndërthuren gjithnjë e më shumë, si dhe deri në ç’masë Rusia është e gatshme të shkojë për ta mbështetur Iranin.

Radio Evropa e Lirë: Si po ndikon partneriteti gjithnjë e më i ngushtë mes Rusisë dhe Iranit në luftën në Ukrainë dhe në konfliktin e ri në Lindjen e Mesme?

Nicole Grajewski: Ajo që është mjaft e qartë nga lufta aktuale [në Lindjen e Mesme] dhe lufta në Ukrainë, është se sa e ndërthurur është bërë marrëdhënia mes Rusisë dhe Iranit dhe sa shumë është transformuar ajo.

Për shembull, Irani e furnizoi Rusinë me dronët Shahed, të cilët u përdorën gjerësisht në Ukrainë. Në këmbim, Rusia i ofroi Iranit mbështetje të rëndësishme në fushën e imazheve satelitore, e ndoshta edhe ndihmë për identifikimin e objektivave, si dhe trajnim, mbështetje operacionale dhe shkëmbim të të dhënave.

Pra, është krijuar një lloj sinergjie që lindi nga lufta në Ukrainë dhe që tani po reflektohet edhe në konfliktin aktual. Për më tepër, shumë nga kërcënimet me të cilat përballen ukrainasit çdo ditë, janë të njëjtat me të cilat po përballen aktualisht edhe aleatët e Shteteve të Bashkuara në Gjirin Persik.

Gjatë luftës, Ukraina iu drejtua partnerëve të Gjirit për bashkëpunim në mbrojtjen kundër mjeteve ajrore pa pilot dhe dronëve.

Ka shumë lidhje mes këtyre dy luftërave dhe mendoj se është gabim të analizohen veçmas, sepse ato janë të lidhura ngushtë, jo vetëm për shkak të dy aktorëve kryesorë të përfshirë, por edhe përmes teknologjive të njëjta dhe shkëmbimit të burimeve.

Nicole Grajewski

Nicole Grajewski

Radio Evropa e Lirë: Teknologjia iraniane e dronëve dhe raketave ka qenë thelbësore për fushatën ushtarake të Rusisë në Ukrainë. Por, tani kur Irani po përballet me kërcënime në rritje në Gjirin Persik, a po ia kthen Moska këtë mbështetje, apo po i ruan burimet e veta ushtarake për luftën në Ukrainë?

Nicole Grajewski: Nuk është e qartë se çfarë teknologjie ruse është transferuar dhe cilët komponentë kanë përfunduar në dronët iranianë.

Është e qartë se strategjia, taktikat dhe madje edhe mënyrat e operimit të Iranit janë përmirësuar dhe se ato kanë ngjashmëri me mënyrat se si Rusia i ka përdorur këto sisteme në Ukrainë.

Megjithatë, nuk shohim që Rusia t’i ketë transferuar Iranit ndonjë sistem të madh armësh. Rasti i fundit i raportuar ishte ai i gazetës Financial Times për një marrëveshje mbi sistemet portative ruse të mbrojtjes ajrore Verba MANPADS – (një marrëveshje e raportuar në dhjetor të vitit 2025, sipas së cilës Irani do të blinte raketa ruse tokë-ajër).

Që nga fillimi i luftës, nuk ka pasur ndonjë transferim të drejtpërdrejtë të një sistemi të plotë armësh.

Por, duke qenë se Irani ka – ose të paktën ka pasur para luftës – një industri të zhvilluar të mbrojtjes dhe një kompleks të fuqishëm ushtarako-industrial, Rusia mund ta furnizojë me komponentë dhe nënkomponentë që i mundësojnë Iranit t’i përmirësojë gradualisht dronët e tij.

Mësa dimë deri tani, ka disa tregues se kjo po ndodh, megjithëse ende nuk ka prova përfundimtare që identifikojnë saktësisht se cilët komponentë janë transferuar.

Radio Evropa e Lirë: Irani, prej kohësh, është mbështetur te Rusia për sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore dhe luftës elektronike. Duke pasur parasysh kërkesat e luftës në Ukrainë, a ka ende Rusia kapacitet ose vullnet politik për ta forcuar mbrojtjen e Iranit?

Nicole Grajewski: Varet se për çfarë po flasim, sepse Rusia është më e aftë në prodhimin e disa sistemeve sesa të tjerave.

Për shembull, një pjesë e madhe e kapaciteteve mbrojtëse të Iranit në fushën e luftës elektronike, vjen nga Rusia. Ndërkohë, nuk dihet nëse Moska i ka transferuar edhe kapacitete sulmuese të luftës elektronike, të cilat, thjesht, nuk janë bërë publike.

Po ashtu, nuk është e qartë nëse Rusia e ka ndihmuar Iranin që t’i rindërtojë sistemet e radarëve që janë shkatërruar. Edhe kjo është një fushë ku ajo mund të ofrojë mbështetje.

Çështja më e rëndësishme – dhe këtu lidhemi sërish me luftën në Ukrainë – janë sistemet e mbrojtjes ajrore. Rusia gjendet në një pozitë të vështirë për t’ia ofruar Iranit, sepse i duhen edhe për nevojat e veta në Ukrainë. Nga ana tjetër, edhe Iranit i mungojnë burimet financiare për t’i blerë ato.

Megjithatë, Rusia mund ta ndihmojë Iranin në mënyra të tjera, duke ia përmirësuar gradualisht kapacitetet ushtarake. Kjo mund të përfshijë armë të lehta ose komponentë për dronë.

Prandaj, nuk është e saktë të thuhet se Rusia është aq e angazhuar në luftën në Ukrainë sa nuk mund t’i ofrojë Iranit asnjë lloj mbështetjeje. Përkundrazi, ajo ende është në gjendje ta ndihmojë Teheranin në fushat ku ka më shumë nevojë.

Radio Evropa e Lirë: Ju keni argumentuar se, pas zhvillimeve në Siri dhe në Venezuelë, Rusia rrezikon të krijojë përshtypjen se është një aleate që qëndron pranë partnerëve vetëm kur i leverdis. Nëse Irani do të përballej me një krizë ushtarake që do ta rrezikonte vetë ekzistencën e regjimit, a do të ndërhynte Moska, apo do ta linte Teheranin të përballej i vetëm?

Nicole Grajewski: Kjo është një pyetje shumë interesante. Deri tani nuk e kemi parë një situatë të tillë në konfliktin aktual, edhe pse në disa momente dukej se Republika Islamike e Iranit po përballej me një kërcënim ekzistencial.

Irani është shumë ndryshe nga Siria për Rusinë. Ai është kryesisht i pavarur, ka kapacitetet e veta dhe është në gjendje ta sfidojë drejtpërdrejt fuqinë amerikane në mënyra që Siria apo Venezuela nuk mundeshin.

Gjithashtu, Irani ka një organizim ushtarak shumë më të zhvilluar dhe të institucionalizuar, të shtrirë në të gjithë vendin.

Prandaj, deri më tani, nuk kemi parë që Rusia të ketë qenë e domosdoshme në këtë kuptim.

Megjithatë, nëse situata do të arrinte në prag të një lufte civile ose të një kaosi të përhapur, me shembjen e regjimit dhe krijimin e një vakumi të ngjashëm me atë që pamë në Siri, atëherë besoj se Rusia do të përfshihej.

Kjo mund të nënkuptojë dërgimin e forcave speciale ose, ndoshta, të kontraktorëve privatë ushtarakë.

Nuk besoj se do të shihnim një dislokim të madh të ushtrisë ruse apo një fushatë ajrore si ajo në Siri. Ndërhyrja do të ishte shumë më e kufizuar dhe do të përqendrohej në ofrimin e mbështetjes operacionale për ato struktura të Qeverisë iraniane që Rusia do të zgjidhte t’i mbështeste.

Radio Evropa e Lirë: Paqëndrueshmëria në Gjirin Persik i rrit çmimet globale të naftës – gjë që i shkon për shtat ekonomisë ruse të luftës. Në të njëjtën kohë, nafta ruse e shitur me zbritje konkurron drejtpërdrejt me eksportet iraniane në tregjet aziatike. A e pengon kjo konkurrencë energjetike Rusinë dhe Iranin të bëhen aleatë të vërtetë ekonomikë?

Nicole Grajewski: Problemi është se marrëdhëniet ekonomike mes Rusisë dhe Iranit nuk kanë qenë kurrë veçanërisht të forta. Vëllimi i tregtisë mes dy vendeve është, në fakt, relativisht i vogël, megjithëse është rritur ndjeshëm që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Një nga arsyet është se të dyja vendet importojnë dhe eksportojnë pothuajse të njëjtat produkte. Edhe Rusia, edhe Irani janë eksportues të energjisë, prandaj ekonomitë e tyre nuk janë plotësuese në aspektin tregtar.

Konkurrenca në tregun e energjisë është bërë një pikë tensioni për Iranin që nga lufta në Ukrainë. Rusia ka hyrë në tregjet e zeza ku Irani tradicionalisht ka shitur naftën e tij. Ajo është zgjeruar edhe në tregun e të ashtuquajturave ‘rafineri çajnikësh’ në Kinë – rafineri të vogla dhe të pavarura që, prej kohësh, kanë qenë një kanal i rëndësishëm për eksportet iraniane.

Përveç kësaj, Rusia ka marrë edhe një pjesë të kapaciteteve të transportit detar që Irani përdorte më parë, duke zgjeruar flotën e saj të ashtuquajtur ‘në hije’, e cila përdoret për të shmangur sanksionet.

Kjo ka krijuar, padyshim, tensione mes dy vendeve, ndaj mendoj se dimensioni ekonomik ka qenë gjithmonë pjesa më e dobët e marrëdhënies së tyre.

Në të njëjtën kohë, përpjekjet për t’iu shmangur sanksioneve kanë krijuar forma krejtësisht të reja bashkëpunimi. Ky është një nga paradokset që karakterizon marrëdhënien mes Rusisë dhe Iranit.

Radio Evropa e Lirë: Kina blen sasi të mëdha nafte si nga Rusia, ashtu edhe nga Irani. Si ndikon përshkallëzimi i tensioneve në Gjirin Persik në marrëdhëniet e Pekinit me Moskën dhe Teheranin?

Nicole Grajewski: Marrëdhëniet e Kinës me të dyja vendet janë jetike për mbijetesën e tyre. Pekini ka siguruar komponentë të rëndësishëm dhe mbështetje financiare, të cilat e kanë ndihmuar si Rusinë, ashtu edhe Iranin t’i përballojnë konfliktet me të cilat janë përballur.

Por, Kina nuk përfiton nga paqëndrueshmëria në Ngushticën e Hormuzit në të njëjtën mënyrë si mund të përfitojë Rusia.

Pekini ka marrëdhënie të gjera tregtare me monarkitë e Gjirit dhe varet në masë të madhe nga furnizimet me energji që vijnë nga ky rajon.

Prandaj, në disa raste, Kina është treguar më e përmbajtur dhe është përpjekur të gjejë mënyra për t’i ulur tensionet.

Rusia, nga ana tjetër, nuk ka qenë në gjendje ta luajë këtë rol, pjesërisht sepse nuk gëzon më të njëjtin besim në vendet e Gjirit si para fillimit të luftës në Ukrainë.

Mendoj se në vendet e Gjirit, Rusia tashmë perceptohet si shumë më e afërt me Iranin, megjithëse ato ende duan të ruajnë marrëdhënie praktike me Moskën. Pra, situata është mjaft komplekse.

Ndërkohë, Kina krijon edhe një element konkurrence, sepse si Rusia, ashtu edhe Irani duan të ruajnë qasje sa më të favorshme në tregun kinez. Pra, në përgjithësi, Pekini ka mbajtur një qëndrim shumë më të moderuar sa i përket përshkallëzimit të tensioneve.

Radio Evropa e Lirë: Në hulumtimet tuaja të fundit keni argumentuar se Rusia e ndihmon Iranin ta ruajë stabilitetin e sistemit të tij politik gjatë periudhave të trazirave të brendshme. Sa e rëndësishme është ekspertiza ruse në kontrollin e informacionit dhe shtypjen e protestave për mbijetesën e Republikës Islamike?

Nicole Grajewski: Irani ka mësuar shumë nga Rusia, që nga koha e të ashtuquajturave ‘revolucione me ngjyra’ dhe e protestave të brendshme në Rusi, veçanërisht sa u përket metodave të kontrollit autoritar. Po ashtu, ka mësuar shumë edhe nga Kina, sidomos për mënyrën e bllokimit të internetit.

Gjatë valës së fundit të protestave, Irani shkoi shumë më larg se në të kaluarën. Ai zbatoi bllokime shumë më të përzgjedhura të internetit, ndërsa, njëkohësisht, arriti t’i mbante funksionale shërbimet kryesore brenda vendit – diçka që më parë e kishte të vështirë ta bënte.

Kjo bart disa nga karakteristikat e ndihmës ruse ose kineze. Rusia dhe Irani kanë, gjithashtu, marrëveshje bashkëpunimi mes shërbimeve të tyre të sigurisë së brendshme që datojnë rreth vitit 2014, dhe me kalimin e viteve e kanë zgjeruar këtë bashkëpunim.

Marrëveshja për Sigurinë e Informacionit, e nënshkruar në vitin 2021, përfshin dispozita për mbështetje të ndërsjellë dhe shkëmbim të të dhënave në fushën e sigurisë kibernetike. Prandaj, Rusia ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm.

Megjithatë, nuk duhet nënvlerësuar as aparati represiv i vetë Iranit. Ai ka kapacitete të konsiderueshme për të vepruar edhe i vetëm, por është e qartë se ka përfituar nga mbështetja e shteteve të tjera autoritare me mendësi të ngjashme.

Radio Evropa e Lirë: Raportet sugjerojnë se Rusia i ka ndarë Iranit të dhëna satelitore për identifikimin e objektivave ushtarake. Deri ku është e gatshme të shkojë Moska në forcimin e kapaciteteve ushtarake të Iranit, pa rrezikuar një përballje të drejtpërdrejtë me Perëndimin?

Nicole Grajewski: Pjesa më e madhe e mbështetjes që Rusia i ka ofruar Iranit, është bërë nën një mbulesë mohimi të besueshëm. Moska i ka mohuar pretendimet për ndihmë satelitore ose i ka minimizuar ato, duke thënë me ironi se kjo nuk është ndryshe nga mbështetja që Shtetet e Bashkuara i japin Ukrainës.

Rusia nuk ka qenë e gatshme të deklarojë hapur se është e përfshirë në këtë konflikt – gjë që është e kuptueshme duke pasur parasysh marrëdhëniet e saj me shtetet e Gjirit.

Në të njëjtën kohë, retorika e Moskës ndaj monarkive të Gjirit është bërë dukshëm më kritike, veçanërisht për shkak të pranisë së bazave ushtarake amerikane në këto vende – madje më kritike sesa ishte gjatë Luftës 12-ditore.

Nuk do ta përshkruaja Rusinë si pasive. Përkundrazi, ajo po i ofron mbështetje Iranit në mënyra që i lejojnë asaj ta mohojë përfshirjen e drejtpërdrejtë.

Shkëmbimi i imazheve satelitore dhe i të dhënave nuk është i njëjtë me transferimin e armëve. Po ashtu, nuk shohim trupa ruse të dislokuara në terren.

Në vend të kësaj, Rusia po i përmirëson gradualisht kapacitetet ushtarake të Iranit, veçanërisht në fusha si inteligjenca e bazuar në satelitë, ku Teherani ka mangësi të konsiderueshme.

Megjithatë, Moska nuk po përgatitet t’i bashkohet konfliktit si pjesë e një koalicioni ushtarak.

Radio Evropa e Lirë: A po arrijnë sanksionet perëndimore dhe përpjekjet për të izoluar Rusinë dhe Iranin që t’i dobësojnë këto dy vende, apo po e forcojnë partneritetin e tyre strategjik në plan afatgjatë?

Nicole Grajewski: Një gjë është shumë e qartë: pasi vendosen, sanksionet janë shumë të vështira të hiqen, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara. Ka pasur disa përjashtime për Rusinë – për shembull, në sektorin e naftës – të lidhura me zhvillimet që përfshijnë Iranin, por, në përgjithësi, sanksionet mbeten në fuqi.

Irani ka qenë nën një regjim shumë më të gjerë sanksionesh sesa Rusia, por sot të dyja vendet gjenden në një pozitë të ngjashme në arenën ndërkombëtare.

Në një masë, po, dy vendet janë bërë më të izoluara. Por, në të njëjtën kohë, kanë gjetur mënyra të reja për të bashkëpunuar. Bashkëpunimi i tyre për t’iu shmangur sanksioneve është zgjeruar ndjeshëm dhe është bërë një element i rëndësishëm i marrëdhënies mes tyre.

Është e vështirë të thuhet nëse sanksionet i kanë afruar drejtpërdrejt Rusinë dhe Iranin, por është e padiskutueshme se ato kanë krijuar fusha të reja bashkëpunimi.

Në veçanti, Rusia ka mësuar shumë nga përvoja e gjatë e Iranit në gjetjen e mënyrave për t’i anashkaluar dhe shmangur sanksionet.

Përgatiti: Valona Tela

Kongresisti Wilson i kërkon Serbisë t’i ndalë kërcënimet ndaj Kosovës dhe të shkëputet nga Rusia, Kina e Irani (Intervista)

Përfaqësuesi i SHBA-së, Joe Wilson, flet gjatë një seance dëgjimore të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve mbi Kombet e Bashkuara, në Uashington, D.C., SHBA, 22 korrik 2026.

 

Millosh Teodoroviq

Kongresisti amerikan Joe Wilson thotë se Serbia duhet t’i japë fund varësisë nga energjia ruse, të distancohet nga Moska, Pekini dhe Teherani, si dhe të veprojë plotësisht në linjë me institucionet perëndimore.

Në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Wilson rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen e tij për pavarësinë e Kosovës dhe e kritikoi Serbinë për, siç tha, kërcënime të vazhdueshme.

Ai tha se Beogradi duhet përfundimisht t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe NATO-s, por argumentoi se kjo do të kërkonte një shkëputje të qartë nga pushtetet autoritare.

Wilson ka sponsorizuar një rezolutë në Kongresin amerikan që kërkon që Sesioni Vjetor i vitit 2027 i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së të mbahet në Çarlston të Karolinës së Jugut, e jo në Beograd.

Derisa tha se synimi kryesor është të mbahet ky takim në Shtetet e Bashkuara, ai përmendi marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë, Kinën dhe Iranin, si dhe qasjen e saj ndaj Kosovës, si disa nga shqetësimet e tij lidhur me Beogradin si nikoqir i këtij takimi.

Asambleja Parlamentare e OSBE-së thotë se delegacioni amerikan më herët e kishte njoftuar atë se Çarlston nuk mund të organizonte sesionin, dhe se pas kësaj Beogradi u përzgjodh në bazë të procedurave të përcaktuara.

Wilson tha se shqetësimet logjistike që lidhen me ushqimin, stafin dhe përkthimin janë zgjidhur ndërkohë, dhe sugjeroi se Beogradi mund ta organizojë këtë takim në vitin 2028.

Radio Evropa e Lirë: Kongresist Wilson, cili është sipas jush argumenti më i fortë që Beogradi nuk duhet të jetë nikoqir i takimit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në vitin 2027?

Joe Wilson: Një shqetësim që do të kisha për mbajtjen e tij në Beograd, Serbi, është ajo që – për mua, termi që përdor është – ndikimi i tepruar i kriminelit të luftës [presidenti rus Vladimir] Putin në Serbi, gjë që e them me keqardhje. Nuk më gëzon kjo, por në të vërtetë Serbia ende blen naftë dhe gaz nga krimineli i luftës Putin. Kompania shtetërore e naftës, për fat të keq, NIS, është blerë nga krimineli i luftës Putin.

Për më tepër, ekziston një ndikim i tepruar i Partisë Komuniste Kineze sa i përket komunikimeve dhe investimeve të tjera. Dhe pastaj, për ta bërë edhe më të papranueshme, sipas meje, është lidhja me diktaturën në Teheran.

Prandaj, vazhdimisht, Serbia prej vitesh ka treguar një afërsi me diktaturën e Khameinit. Serbia është veçanërisht një vend që duhet të jetë i madh dhe duhet të jetë pjesë e BE-së, duhet të jetë në të vërtetë pjesë e NATO-s.

Sapo jam kthyer nga Sllovenia. Sa emocionuese është të shohësh ish-republikat jugosllave që po ecin kaq mirë. Jam shumë mirënjohës. E di suksesin e Kroacisë dhe me të vërtetë shpresoj për Malin e Zi dhe gjithashtu për Maqedoninë e Veriut. Dhe Kosovën – kam qenë në Prishtinë – dhe pavarësia e saj, për mua, është shumë e rëndësishme. Dhe, për fat të keq, kërcënimet nga Serbia thjesht – në shekullin XXI – nuk duhet të ndodhin.

Një mënyrë për ta bërë këtë është shkëputja e marrëdhënieve dhe ndikimit të kriminelit të luftës Putin në Serbi, shkëputja e ndikimit të Partisë Komuniste Kineze, i cili është kaq tinëzar, dhe ndalimi i çdo lidhjeje me diktaturën në Teheran, synimi i së cilës është vetëm vdekja e Amerikës.

Radio Evropa e Lirë: A keni mbështetje të mjaftueshme në Kongres ose në administratën e Trumpit për ta ndryshuar vendimin për Beogradin dhe samitin e OSBE-së? Por, bazuar në përgjigjen tuaj të mëparshme, duhet t’ju pyes: A keni mbështetje të mjaftueshme për ndryshimin e qasjes amerikane ndaj Serbisë? Dhe duhet të përmend gjithashtu se, 10 ditë më parë, Uashingtoni dhe Beogradi nisën një dialog strategjik.

Joe Wilson: Pikëpamja ime është se ajo që po bëj, para së gjithash, është në favor të mbajtjes së Asamblesë Parlamentare të vitit 2027 në Amerikë. Ky është 98 për qind interesi im.

Por, në të njëjtën kohë, jam i shqetësuar për ndikimin e tepruar të kriminelit të luftës Putin në Serbi. Beogradi duhet të jetë pjesë e qytetërimit modern perëndimor, siç e shohim, siç e pashë unë në Lubjanë.

Radio Evropa e Lirë: A po bëni thirrje jo vetëm për zhvendosjen e takimit të OSBE-së nga Beogradi, por edhe që SHBA-ja të rishqyrtojë marrëdhënien e saj më të gjerë politike, ushtarake ose ekonomike me Serbinë?

Joe Wilson: Serbia, ne e dimë se çfarë vendi historik është dhe sa pozitiv mund të jetë dhe duhet të jetë.

Edhe gjatë Luftës së Ftohtë, atje ekzistonte një nivel pavarësie nga Moska. Kjo pavarësi duhet të forcohet, jo të lejohet të vazhdojë kjo gjendje, në mënyrë që, sido që të jetë e mundur, të arrihet. Duhet të ketë afrim të plotë me Bashkimin Evropian dhe me NATO-n.

Është koha për t’i ndërprerë marrëdhëniet me diktaturat e Pekinit, Moskës dhe Teheranit. Bota po ndryshon. Ne e shohim këtë. Diktatorët janë në arrati. Assadi është zhvendosur nga Siria në Moskë. Maduro është në burg në Nju Jork. Khameini ka vdekur. Ai është me 40 mijë njerëzit që vrau më herët këtë vit.

Tani është koha që Serbia të jetë pjesë e qytetërimit perëndimor, sepse qytetërimi perëndimor do të triumfojë.

Radio Evropa e Lirë: Por, Beogradi ka ndërmarrë disa hapa – Serbia është në proces negociatash me Rusinë për ndalimin e importit të naftës ruse dhe gjithashtu Beogradi është në komunikim me Uashingtonin për këtë çështje. A mendoni se kjo është shenjë e mirë? A është e mjaftueshme?

Joe Wilson: Jo, jo, jo. Negociatat nuk mjaftojnë. Ata mund të veprojnë në mënyrë të njëanshme. Nuk kanë nevojë të marrin leje nga Donald Trump.

Në të vërtetë, Hungaria po ndërmerr çdo hap për të ndaluar blerjen e naftës dhe gazit. Falë Zotit. E dimë se Bullgaria në fakt po heq ndikimin e kompanive ruse të naftës atje – Lukoil.

Dhe kështu, vazhdimisht, vendet po tregojnë mospajtimin e tyre ndaj vrasjeve masive që po kryhen nga krimineli i luftës Putin. Dhe mënyra për ta ndalur këtë është të mos financohet krimineli i luftës Putin.

Dhe kjo nuk vlen vetëm për Serbinë, por edhe për Indinë. Jam shumë mirënjohës që presidenti Trump po punon me Indinë për të ndryshuar blerjet e saj nga Rusia.

Kjo është një përpjekje globale dhe Serbia nuk duhet të negociojë. Serbia thjesht duhet ta bëjë këtë, sepse është gjëja e duhur për të promovuar lirinë dhe demokracinë në botë.

Radio Evropa e Lirë: A besoni se rezoluta e propozuar nga 41 kolegë tuaj mund të jetë arsye për ndryshimin e vendimit, ose për një qasje tjetër të Departamentit të Shtetit ndaj Serbisë? Çfarë mund të presim më pas dhe çfarë nëse rezoluta nuk ka sukses?

Joe Wilson: Po theksoj përsëri se sa e rëndësishme do të ishte që Asambleja Parlamentare të mbahej në Shtetet e Bashkuara.

Gjithashtu, sa e rëndësishme do të ishte kjo si një nderim për senatorin e ndjerë Lindsey Graham, i cili ishte një mbështetës i madh i popullit të Ukrainës, një mbështetës i madh i popullit të Izraelit dhe, vazhdimisht, një mbështetës i madh i popullit të Tajvanit dhe pavarësisë së tij.

Prandaj, ajo që duhet të bëjmë është që unë do të vazhdoj të përpiqem t’i promovoj Shtetet e Bashkuara si vendin e duhur për Asamblenë Parlamentare të OSBE-së në vitin 2027.

Unë nuk jam kundër asnjë vendi tjetër, por shpresoj që çdo vend që do të jetë nikoqir të jetë një vend që do të zvogëlojë çdo ndikim të kriminelit të luftës Putin, çdo ndikim të Partisë Komuniste Kineze dhe çdo ndikim të mullave në Teheran, të cilët kanë planifikuar vdekjen e Amerikës.

Radio Evropa e Lirë: REL kërkoi një koment nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së. Ata thanë se delegacioni amerikan i kishte informuar në korrik se Çarlston nuk mund ta organizonte më sesionin e vitit 2027 dhe se më pas Beogradi u zgjodh sipas procedurave të përcaktuara. Çfarë ka ndryshuar që nga ai vendim?

Joe Wilson: Lajmi i mirë është se kishte shqetësime për kapacitetet e furnizimit me ushqim në Çarlston. Në rregull. Por ne jemi një nga liderët e kuzhinës në Amerikën e Veriut. Ne kemi shpikur karkaleca me miell misri, dhe kështu kemi shërbime ushqimi të nivelit botëror.

Dhe kështu, ne arritëm ta zgjidhim këtë çështje. Pastaj u ngrit, në mënyrë legjitime, çështja e stafit. Dhe më pas zbulova – dhe isha shumë mirënjohës që mësova në Hagë – se stafi përbëhet nga vullnetarë të papaguar.

Në Çarlston ka shumë, shumë vullnetarë që do të donin të merrnin pjesë. Shumë prej tyre janë studentë në Citadel, Kolegjin Ushtarak të Karolinës së Jugut. Ka gjithashtu një numër studentësh ndërkombëtarë atje që do të mund të punonin si vullnetarë.

Dhe pranë qendrës së kongreseve ndodhet Kolegji i Çarlstonit, me 11 mijë studentë. Pastaj më thanë se kishim problem me sigurimin e përkthyesve. Por natyrisht, Çarlston është një qytet ndërkombëtar dhe përkthyesit mund të sigurohen lehtësisht.

Dhe më pas mësova se, në fakt, OSBE-ja siguron përkthyesit. Pra, çdo çështje që është ngritur në mënyrë legjitime – jam shumë mirënjohës që çdo çështje mund të adresohet – tregon se, në të vërtetë, Shtetet e Bashkuara janë vendi i duhur për Asamblenë Parlamentare të OSBE-së në vitin 2027.

Radio Evropa e Lirë: Pozita ndërkombëtare e Beogradit përcaktohet nga “politika e balancimit” e Aleksandar Vuçiqit. Nëse përgjigjja për takimin e OSBE-së vitin e ardhshëm në Beograd është në fakt “jo”, çfarë mendoni? A keni frikë nga reagimi i ardhshëm i Beogradit, duke pasur parasysh se në Ballkan gjithçka është e lidhur dhe gjithçka mund të shkaktojë dëme në marrëdhëniet rajonale?

Joe Wilson: Në të vërtetë, unë do ta shihja këtë si adresim të çështjeve brenda Shteteve të Bashkuara që janë zgjidhur, dhe më pas Beogradi mund të jetë nikoqir në vitin 2028.

Por, thelbi është se Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të përgatitura për të qenë nikoqire. I jap shumë merita presidentit Donald Trump. Ai vërtet e ka bashkuar Evropën për t’iu kundërvënë kriminelit të luftës Putin dhe për të mbështetur Ukrainën.

Jam shumë mirënjohës që një ditë të ketë zgjedhje të drejta dhe të lira në Republikën e Gjeorgjisë, sepse ne e dimë që presidenti, duke punuar me Putinin, i manipuloi zgjedhjet në Tbilisi.

Nuk është diçka unike që puna me Putinin po përpiqet të zhbëjë ndikimin. Ne e dimë se kishte ndikim të tepruar në Moldavi, por, falë Zotit, populli i Moldavisë u ngrit; ndikim të tepruar në Rumani dhe, përsëri, populli i Rumanisë veproi për të ruajtur pavarësinë e tij.

Por kjo varet nga populli i Serbisë që të përcaktojë qeverinë e vet, në mënyrë të drejtë dhe të lirë. Por unë dua që ata të jenë në anën fituese të historisë, që është liria dhe demokracia, jo totalitarizmi, siç dëshmohet nga krimineli i luftës Putin ose Partia Komuniste Kineze.

Flet e moshuara që u tërhoq zvarrë para Parlamentit: E njoh që fëmijë Edi Ramën! Më mori pronën dhe…

Një pensioniste, e cila tha se për më shumë se 20 vjet endet në dyert e gjykatave për çështjen e pronave të familjes së saj, doli në protestën e zhvilluar para Parlamentit, ndërsa brenda po mbahet seanca e fundit plenare.

Në një lidhje direkte për Kafe Shqeto, në Syri Tv, ajo deklaroi se kishte vendosur të protestonte për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke ngritur akuza për padrejtësi lidhur me pronat dhe duke bërë deklarata të forta ndaj kreut të qeverisë.

Protestuesja tha se disponon dokumente që, sipas saj, vërtetojnë pronësinë mbi tokat për të cilat pretendon se janë marrë pa të drejtë.

Intervista:

Gazetarja: Po tani në këtë protestë që bëhet tani, për çfarë arsye keni ardhur?

Protestuesja: Në këtë protestë… sepse kam vuajtur 20 vjet e ca. Ai ka 14 vjet, a 12 vjet në qeveri, po kam 20 vjet që endem nëpër gjykata. Unë jam… nuk dua ta them që jam një ndër të pasurit e Shqipërisë, nga gjyshi im, jo nga unë. Dhe është pushkatuar në vitin 1945 nga Enver Hoxha. Dhe dal në këtë…  dhe do ta sqaroj më poshtë… për kryeministrin tonë të iki një orë e më parë. Një orë e më parë se do ia çjerr maskën shumë keq.

Gazetarja: Keni pasur padrejtësi me pronat?

Protestuesja: Tjetra, do filloj nga fillimi pastaj do flas për këto dokumentat. Edi Rama si kryeministër, kur shan babain e vet ai, që ne s’e dimë të vërtetën se si është, unë e kam patur komshi. Dhe jam rritur me Edi Ramën. Në një shkallë te pallati 15-katësh, shkalla e parë, afër Gjykatës së Tiranës. Dhe e njoh se çfarë biçimi është. Kur shan një fëmijë babain e vet dhe nënën e vet, ai është skizofren. Ai është i degjeneruar. Sado i keq të jetë prindi, sado i keq të jetë prindi, nuk shahet. Mund ta shash në familjen tënde, po jo në të gjithë botën.

Gazetarja: Për t’u ndalur… ndjesë, për t’u ndalur te sjellja e policisë… të fokusohemi te protesta që po bëhet aktualisht. Si e komentoni duke qenë se ka pasur dhe të tjerë protestues që janë tërhequr zvarrë, po mes tyre ishte dhe…

Protestuesja: Shiko, ka policë të mirë po ka dhe policë të këqij. S’mund t’i futim të gjithë në një thes. Unë për veten time, si Zhanetë, kapelën e oficerit dhe kapelën e policisë unë e çmoj shumë. Pavarësisht se e kanë veshur edhe njerëz që s’e meritojnë atë kapele. Po kështu i intereson Edi Ramës, që të futi dhe njerëz të tillë që të vënë kapelën me yllin e partizanëve në kokë, duke u tallur. Edhe tashi del e flet e dërdëllis sikur ai do partizanët, sikur ai do popullin, sikur ai bën për popullin. Ai bën vetëm për xhepin e vet. Tjetra, unë kam 20 vjet, ja ku i kam dokumentat këtu, që vërtetojnë pronat e mia. Shumë pak solla. Asnjë të pestën nuk solla. Ja ku je Edi Rama këtu ti! Në vitin 2014, në Maliq të Korçës, me Engjëll Kolanecin, me kunatën… kunati i Pranvera Hoxhës, Kolaneci, kanë shkuar në Maliq dhe më kanë marrë atë truall dhe e kanë bërë landfillin, në 2014. Dhe kanë shkuar drejtpërdrejt Edi Rama dhe kryetari i bashkisë në darkë, të Korçës. Kanë ngrënë darkë se u bë landfilli, tokën time ia dha atij.

Gazetarja: Nuk keni dëmshpërblim për këtë?

Protestuesja: Jo, atë… jo Edi Rama tokën time… që e ka vrarë daja jot… edhe Enver Hoxha gjyshin tim… Jo tokën time s’e merr dot! Ajo tokë do merret o me gjak, o me dhunë! Se është e imja, i kam me dokumenta origjinale. Ja ku është… ky Peleshi, Leshi, s’e di… unë i…

Hovenier për REL-in: Kosova rrezikon ta humbasë besimin e Uashingtonit nëse nuk vepron

Valona Tela

 

Kosova nuk mund të ecë përpara me prioritetet e saj kryesore pa institucione të qëndrueshme, thotë ish-ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai paralajmëron se ngërçi politik po e dëmton pozitën e Kosovës në raport me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë.

Hovenier thotë se pezullimi i Dialogut Strategjik me Uashingtonin është tashmë një pasojë konkrete për Kosovën.

Sipas tij, Prishtina duhet të veprojë më shpejt në çështjet e energjisë dhe të komunitetit serb, nëse synon ta rikthejë marrëdhënien me administratën e presidentit Donald Trump.

Ai thekson se vëmendja e Uashingtonit “nuk është e pafundme”.

“Prandaj, mendoj se është e rëndësishme të shfrytëzohen mundësitë që ofrohen dhe të mos shpenzohet shumë kohë duke u menduar apo reflektuar, por, përkundrazi, të përpiqesh të gjesh fusha të përbashkëta bashkëpunimi dhe përparimi”, thotë Hovenier.

Radio Evropa e Lirë: Ambasador Hovenier, Kosova po përballet sërish me vështirësi për të krijuar institucione funksionale. Kush e mban përgjegjësinë më të madhe për ngërçin aktual?

Jeffrey Hovenier: Është e vështirë për mua të them se kush mban përgjegjësinë më të madhe për ngërçin aktual. Ajo që do të theksoja është se sa i dëmshëm është ky ngërç për qytetarët e Kosovës.

Kosova nuk mund të ecë përpara me prioritetet e saj më të rëndësishme strategjike për aq kohë sa qeveriset nga një qeveri në detyrë ose përballet me kërcënimin e zgjedhjeve të reja.

Prandaj, mendoj se ka shumë përgjegjësi për situatën aktuale.

Po të isha ende ambasador i SHBA-së në Kosovë, do të bëja gjithçka për t’i inkurajuar të gjithë liderët politikë – qoftë nga Vetëvendosje, PDK, LDK, AAK apo partitë e tjera – që të gjenin një rrugëdalje, për të mirën e vendit dhe të qytetarëve.

Ata duhet të krijojnë një qeveri të re, të zgjedhin presidentin dhe t’u ofrojnë Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë një bashkëbisedues të besueshëm dhe legjitim.

Radio Evropa e Lirë: Po thoni se është e nevojshme ndërhyrja ndërkombëtare?

Jeffrey Hovenier: Shpresoj që jo. Kosova është një demokraci e konsoliduar. Kanë kaluar shumë vite që nga shpallja e pavarësisë, por kjo është një provë për klasën politike: a mund t’i lërë mënjanë interesat e ngushta partiake dhe të veprojë në të mirë të qytetarëve të Kosovës? Unë besoj se po.

I njoh ende mjaft mirë politikanët e Kosovës dhe besoj se janë të aftë ta bëjnë këtë. Tani është e rëndësishme që ta bëjnë.

“Përgjegjësia duhet të ndahet”

Radio Evropa e Lirë: Si e vlerësoni refuzimin ose hezitimin e disa partive opozitare për t’u bërë pjesë e Qeverisë së ardhshme? A mbajnë edhe ato përgjegjësi për krizën, apo përgjegjësia kryesore mbetet mbi fituesen e zgjedhjeve?

Jeffrey Hovenier: Nuk e di nëse dua të hyj në atë se kush, sipas meje, mban përgjegjësinë më të madhe, sepse mendoj se përgjegjësia duhet të ndahet. Por, ajo që dua të theksoj sërish është se Kosova, në këtë moment, po paguan një çmim që nuk do të duhej domosdoshmërisht ta paguante.

Të gjithë qytetarët e vendit do të ishin në një pozitë më të mirë nëse politikanët do t’i linin mënjanë disa nga dallimet e tyre të brendshme dhe do të gjenin një rrugë të përbashkët përpara, në të mirë të vendit.

Radio Evropa e Lirë: E dimë se Kosova ka mbajtur tri palë zgjedhje në një vit e gjysmë. A mendoni se problemi është bërë tani strukturor, apo do të zgjidhin ndonjë gjë zgjedhjet e reja nëse ato do të mbaheshin?

Jeffrey Hovenier: Është gjithmonë e vështirë të parashikosh zgjedhjet paraprakisht, por, siç e thatë edhe ju, janë mbajtur tri palë zgjedhje dhe ky proces i pamundësisë për të formuar një qeveri të qëndrueshme ose për të zgjedhur një president, vazhdon.

Kjo ndikon negativisht në aftësinë e Kosovës për të avancuar objektivat e saj strategjike, siç janë ripozicionimi dhe përmirësimi i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, avancimi i aspiratës për të çuar përpara procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, anëtarësimi në Këshillin e Evropës, përfaqësimi i interesave të saj në dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera të rëndësishme, si zhvillimi i ekonomisë.

Prandaj, e vetmja gjë që mund të them është se partnerët më të rëndësishëm të Kosovës duan të shohin një bashkëbisedues të besueshëm dhe të qëndrueshëm.

Tri zgjedhje brenda 18 muajsh, kërcënimi i zgjedhjeve të tjera dhe pamundësia për të formuar një qeveri nuk e ndihmojnë Kosovën në arritjen e atyre që, sipas meje, duhet të jenë prioritetet e saj më të larta për të mirën e qytetarëve të Kosovës.

“Marrëdhënia me administratën Trump nuk është në nivelin e dëshiruar”

Radio Evropa e Lirë: Cilat mendoni se duhet të jenë prioritetet e Kosovës?

Jeffrey Hovenier: Le të flasim për disa prej tyre. Nuk është sekret se marrëdhënia me administratën [e presidentit amerikan, Donald] Trump nuk është në nivelin e dëshiruar.

Treguesi më i qartë për këtë është fakti se Dialogu Strategjik me Serbinë do të nisë më 17 korrik në Uashington dhe ministri i Jashtëm [i Serbisë, Marko] Gjuriq do të jetë atje për t’u takuar me zëvendëssekretarin e Shtetit, [Christopher] Landau.

Ndërkohë, nuk ka pasur asnjë lëvizje për Dialogun Strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës që nga pezullimi i tij në shtator të vitit të kaluar, për shkak të dallimeve lidhur me disa zgjedhje politike të bëra nga kryeministri i atëhershëm në detyrë, Albin Kurti. Kjo është diçka që, sipas meje, Kosova duhet ta adresojë.

Mendoj se Kosova dëshiron ta pozicionojë veten si një partnere e fortë e Shteteve të Bashkuara. Këtë e kam dëgjuar nga të gjithë liderët politikë dhe të gjithë e kanë deklaruar publikisht – edhe pasi unë jam larguar nga Kosova.

Por, për ta bërë këtë, duhet të kesh një qeveri. Duhet të kesh politika qeveritare. Duhet të kesh komunikim dhe angazhim. Dhe besoj se të gjithë ata që janë aktualisht në qeveri, do të thoshin se po i bëjnë këto gjëra.

Megjithatë, situata është ndryshe kur ekziston kërcënimi i zgjedhjeve të tjera, kur nuk është zgjedhur ende presidenti ose kur qeveria vazhdon të jetë në detyrë. Për të ecur përpara duhen politika qeveritare.

Një element tjetër është se Qeveria amerikane – kjo administratë amerikane, administrata Trump – ka qenë mjaft e qartë për dëshirën e saj që Kosova të përfshihet në nismat amerikane për energjinë në Ballkanin Perëndimor, dhe veçanërisht në disa prej kornizave të krijuara për gazin e lëngshëm natyror (LNG).

Kjo tani është bërë një çështje politike në Kosovë. E kuptoj këtë. Por, po flas si një vëzhgues i jashtëm. Nuk përfaqësoj më Qeverinë e Shteteve të Bashkuara. Nëse Qeveria e Kosovës dëshiron të ndërtojë një marrëdhënie më të ngushtë me administratën aktuale amerikane, atëherë – me shumë gjasë – është në interesin e saj të gjejë një mënyrë për t’iu përgjigjur disa prej kërkesave dhe diskutimeve që vijnë nga Uashingtoni.

Dialogu Strategjik është një mënyrë për ta bërë këtë, por nuk është e vetmja. Megjithatë, edhe për të duhet të kesh një qeveri funksionale, që të mund të ketë politika për energjinë dhe të marrë vendime përfundimtare. Ky është një grup prioritetesh.

Tani le të flasim për prioritetin evropian. Besoj se të gjithë pajtohemi se e ardhmja e Kosovës është në Evropë. Të gjithë presim që një ditë Kosova të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe tashmë ka ardhur koha që ky proces të ecë përpara.

Por, si mund ta bësh këtë me Bashkimin Evropian, kur nuk ke një qeveri të konsoliduar dhe vazhdon të funksionosh me institucione në detyrë? Është shumë e vështirë. Si mund të hartosh politika qeveritare për t’iu përgjigjur kërkesave të BE-së, nëse nuk ke një qeveri të plotë? Si mund t’i adresosh fushat që Bashkimi Evropian i identifikon si prioritare në raportet e tij vjetore të progresit?

Këto janë prioritetet për të cilat po flas. Dhe, në fund, është dialogu Kosovë-Serbi. Për mirë apo për keq, ai nuk do të zhduket. Bashkimi Evropian e lehtëson dialogun, por ai mbetet mekanizmi për të arritur një lloj pranimi reciprok.

Shtetet e Bashkuara, nën administratën Biden dhe të gjitha administratat e mëparshme, kanë besuar se ky proces duhet të përfundojë me njohje reciproke. Por, si mund të ecet përpara në këtë proces dhe si mund të arrihet një gjendje më e mirë në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, nëse jo përmes këtij dialogu?

Përshtypja ime është se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ka mbetur kryesisht i ngrirë. Jo për shkak të mungesës së dëshirës nga ana e BE-së, por për shkak të veprimeve të Serbisë, ndryshimeve të qeverive dhe zgjedhjeve në Kosovë. Ka pasur shumë pak përparim dhe kjo, sërish, ndikon negativisht te qytetarët e Kosovës.

Këto janë prioritetet, por ka edhe një tjetër: rritja dhe zhvillimi ekonomik. Qoftë kur flasim për energjinë, vendet e punës apo investimet, të gjitha janë më të lehta kur ke një qeveri të konsoliduar, për të cilën njerëzit e dinë se do të qëndrojë për një kohë. Një qeveri me politika të qarta që tërheqin investime, që e bëjnë vendin tërheqës për investitorët dhe që u japin siguri atyre që duan të investojnë ose të krijojnë vende pune në Kosovë.

Sepse, ata duhet të ndihen të sigurt për stabilitetin e vendit. Në fund të fundit, Kosova është një demokraci e konsoliduar.

Tani, nuk po flasim për një situatë si ajo e viteve ’90. Asgjë e ngjashme me atë. Por, njerëzit e biznesit nuk e pëlqejnë pasigurinë.

Mjafton të shihni deklaratat e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe atë që ajo kërkon: parashikueshmëri, transparencë dhe mënyra për të ndihmuar në tërheqjen e investimeve dhe për ta çuar përpara rritjen ekonomike.

Prandaj, mendoj se këto janë prioritete reale për cilëndo qeveri që do të dalë nga ky proces dhe shpresoj që ajo të jetë në gjendje t’i adresojë ato sa më shpejt.

Radio Evropa e Lirë: Në një intervistë të kohëve të fundit keni thënë se reputacioni i Kosovës në Uashington ka pësuar një “goditje të rëndë”. Me çfarë pasojash konkrete mund të përballet Kosova nëse ky reputacion nuk rikthehet së shpejti?

Jeffrey Hovenier: Siç e thashë, këtë javë nis Dialogu Strategjik me Serbinë, ndërsa, aktualisht, nuk ka një dialog të tillë me Kosovën.

Kjo për mua është për keqardhje, edhe një paraqitje jo e saktë e realitetit të rajonit.

Kosova duhet të jetë në tryezë me Shtetet e Bashkuara, po aq sa edhe Serbia, dhe ne do të kishim një agjendë ndryshe me Kosovën nga ajo që do të kemi me Serbinë.

Me Serbinë do të flasim për investimet ruse dhe energjinë ruse. Shpresoj se do të flasim edhe për disa elemente të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Shpresoj se do të flasim pak edhe për Kosovën dhe për kërcënimet e bëra, përfshirë ato nga një ministre së fundmi, të cilat janë krejtësisht në kundërshtim me mënyrën se si qeveritë demokratike dhe moderne të shekullit XXI duhet të flasin për fqinjët e tyre.

Me Kosovën, biseda jonë do të duhej të përqendrohej pikërisht te prioritetet. Si t’i konsolidojmë arritjet demokratike? Si ta avancojmë rritjen dhe zhvillimin ekonomik, në mënyrë që Kosova të vazhdojë të jetë burim stabiliteti në rajon? Si të punojmë së bashku?

Por, natyrisht, me administratën Trump do të kishte edhe një bisedë me karakter transaksional, që do të përfshinte LNG-në dhe çështje të tjera të energjisë.

Prandaj, fakti që kjo bisedë nuk po zhvillohet në këtë mënyrë të strukturuar përmes Dialogut Strategjik, është tashmë një pasojë për Kosovën.

Do të thosha gjithashtu se, aktualisht, keni njerëz të mirë që shërbejnë si ministra në detyrë, por është ndryshe kur keni një qeveri të plotë.

Për shembull, është më e lehtë për ministrin e Ekonomisë të jetë në kontakt me homologët e tij amerikanë kur ata e dinë se ai person do të vazhdojë të jetë ministër edhe për disa vite. E njëjta vlen edhe për ministrin e Jashtëm dhe të tjerët.

Këto janë pasojat për të cilat po flas.

Mendoj se nuk është sekret që disa njerëz brenda administratës Trump janë ndier të sfiduar nga disa prej zgjedhjeve që ka bërë herë pas here kryeministri në detyrë, Kurti. Kjo është arsyeja pse Dialogu Strategjik u pezullua.

Por, ai ka një mundësi të madhe për ta ripozicionuar këtë marrëdhënie dhe për të ecur përpara në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara.

Dy gjëra për Kosovën

Radio Evropa e Lirë: Atëherë, bazuar në përvojën tuaj, çfarë hapash konkretë duhet të ndërmarrë Kosova që të fillojë Dialogu Strategjik? Çfarë standardesh duhet të shohë Uashingtoni?

Jeffrey Hovenier: Nuk mund të flas në emër të administratës Trump dhe as nuk do të doja ta bëja këtë. Nuk jam pjesë e diskutimeve të tyre, prandaj mund vetëm të spekuloj.

Besoj se ata do të donin të shihnin, ndoshta, dy gjëra.

E para, do të donin të shihnin një përgjigje ndaj dëshirës së tyre që Kosova të përfshihet në infrastrukturën më të gjerë rajonale të energjisë, e në veçanti në projektet që lidhen me LNG-në.

Besoj se administrata Trump e ka bërë të qartë se ky është një prioritet i saj, prandaj mendoj se, nëse po përpiqesh të ndërtosh një marrëdhënie të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, do të ishte gjë e mençur t’i përgjigjeshe pozitivisht kësaj.

Gjëja tjetër që do të thosha është se kjo nuk është vetëm një çështje e administratës Trump. Është një çështje që ka ekzistuar edhe në administratat e tjera amerikane ku kam punuar.

Mendoj se, herë pas here, kemi pasur pikëpamje të ndryshme me disa përfaqësues të Qeverisë aktuale të Kosovës, si dhe me Qeverinë Kurti në të kaluarën, lidhur me mënyrën më të mirë për t’i trajtuar çështjet shumë të ndjeshme të komuniteteve joshumicë, veçanërisht komunitetit serb në Kosovë, si dhe çështjen shumë të vështirë të garantimit që Serbia të mos ushtrojë sovranitet jashtë kufijve të saj.

Kosova është një shtet sovran dhe duhet të jetë përgjegjëse për administrimin e shtetit të saj sovran brenda kufijve të vet. Por, njëkohësisht, duhet të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të komunitetit serb në Kosovë dhe të gjejë mënyra që Serbia të ushtrojë të drejtën që i jep Plani i Ahtisaarit për ta mbështetur atë komunitet, pa e cenuar sovranitetin e Kosovës.

Këto janë çështje shumë, shumë të vështira. Janë çështje shumë, shumë të ndjeshme. Por, mendoj se aty u ndërpre Dialogu Strategjik, ose më saktë, aty u bazua vendimi që Qeveria amerikane mori vjeshtën e kaluar. Ai lidhej posaçërisht me veprimet e ndërmarra nga autoritetet e Kosovës në këto çështje të ndjeshme, pa pasur, nga këndvështrimi amerikan, konsultime të mjaftueshme ose përpjekje për të gjetur mënyra për të ecur përpara, që do të ishin më pak shqetësuese për komunitetin etnik serb.

Prandaj, mendoj se Kosovës do t’i duhet gjithashtu të gjejë mënyra për t’i treguar Uashingtonit se Qeveria e Kosovës e kupton se kjo është një çështje e rëndësishme dhe e ndjeshme; se Kosova nuk do të heqë dorë nga sovraniteti i saj, dhe as nuk duhet ta bëjë këtë, por se do të punojë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për të gjetur një rrugë të përbashkët përpara në trajtimin e këtyre çështjeve.

Mendoj se këto janë dy çështjet kryesore.

“Kosova rrezikon ta humbasë besimin”

Radio Evropa e Lirë: A do ta humbë Kosova besimin nëse dështon të veprojë?

Jeffrey Hovenier: Mendoj se po. Sërish, nuk mund të flas në emër të kësaj administrate, por nga gjithçka që shoh, ajo është mjaft transaksionale dhe hapësira e saj e vëmendjes nuk është shumë e madhe.

Prandaj, mendoj se është e rëndësishme të shfrytëzohen mundësitë që ofrohen dhe të mos shpenzohet shumë kohë duke u menduar apo reflektuar, por, përkundrazi, të përpiqesh të gjesh fusha të përbashkëta bashkëpunimi dhe përparimi.

Radio Evropa e Lirë: Folëm për projektet e LNG-së. A mendoni se Kosova është në rrezik ta humbasë këtë mundësi strategjike të energjisë me Shtetet e Bashkuara?

Jeffrey Hovenier: Këtë e kam të vështirë ta them dhe nuk jam ekspert i këtyre çështjeve. Ekspertët që merren me to, shohin se administrata Trump po sjell ndryshime në infrastrukturën energjetike të Ballkanit Perëndimor.

Unë vetëm do të vë në dukje se, sa kuptoj unë, të gjithë fqinjët e Kosovës tashmë janë pjesë e një mirëkuptimi me Shtetet e Bashkuara që përfshin LNG-në amerikane si një element të infrastrukturës energjetike të rajonit.

Prandaj, është e vështirë të kuptohet pse Kosova do të ishte një rast kaq i ndryshëm, saqë kjo të mos kishte kuptim për të, nëse ka kuptim për Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Kroacinë dhe vendet e tjera të rajonit.

Sërish, nuk kam ekspertizë në këtë fushë, por po shoh edhe sinjalet politike, dhe ato janë gjithashtu shumë të qarta nga Uashingtoni.

Radio Evropa e Lirë: Mund të jetë e vështirë të thuhet, por pse heziton Kurti sipas jush?

Jeffrey Hovenier: Kam shumë respekt për kryeministrin Kurti. Megjithatë, gjatë viteve që kam punuar me të, kam mësuar të mos përpiqem kurrë t’i shpjegoj vendimet që ai merr, sepse ai mendon në mënyrën e vet, shumë unike dhe shumë të thellë. Prandaj, mendoj se kjo pyetje do të ishte më mirë t’i bëhej atij.

Këshilla ime për të, po të isha ende atje, do të ishte: përfundoje procesin tënd të të menduarit dhe kthehu me ide, sepse vëmendja e Uashingtonit nuk është e pafundme dhe ata po presin një përgjigje pozitive.

Mendoj se do të ishte në interesin tuaj të gjeni një mënyrë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara në këtë çështje, të paktën me administratën Trump.

Intervista- Mocioni brenda LDK-së dhe negociatat me LVV-në: Lutfi Haziri flet për dy proceset

Bekim Bislimi

Ndërsa brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës po zhvillohet një proces që mund të çojë në thirrjen e Kuvendit të partisë, udhëheqja e saj është angazhuar edhe në bisedime me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se këto janë dy procese të ndara dhe se partia do të punojë që zhvillimet e brendshme të mos ndikojnë në negociatat politike.

Ai flet për kushtet e LDK-së për një marrëveshje me LVV-në, duke theksuar se ajo duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe të mbulojë njëkohësisht formimin e institucioneve, zgjedhjen e presidentit dhe dakordimin për prioritetet kryesore shtetërore.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Haziri, zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dorëzuan të mërkurën nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të partisë. Çfarë nënkupton kjo dhe a lidhet me nismën e raportuar brenda partisë për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku?

Lutfi Haziri: Po, keni të drejtë. Sot, porceduralisht, sipas normave të brendshme të statutit të LDK-së, është dorëzuar një e treta e nënshkrimeve, me mocion, me kërkesa politike ndaj LDK-së. Kjo është në binarin e parë.

Unë jam nga ata që nuk besoj se kërkesat politike zgjidhen me peticione, me nënshkrime apo edhe mocione. Por, meqë kjo është çështje që e rregullon [statuti i LDK-së], kjo e drejtë është shfrytëzuar nga kolegët tanë që janë përfaqësues të votuesve të LDK-së.

Besoj shumë që tash do të trajtohet proceduralisht dhe sekretariati i LDK-së, pas verifikimit [të nënshkrimeve] ia dorëzon rekomandimin final kryetarit të LDK-së.

Në binarin e dytë, derisa është kryetar i LDK-së Lumir Abdixhiku, ai e ruan të drejtën e përfaqësimit të të gjitha autorizimeve që i jep Kuvendi i LDK-së dhe statuti i LDK-së. Pra, është i mbrojtur. Ky është mendimi im, sepse ende nuk kemi pasur hapësirë dhe mundësi që ta diskutojmë këtë çështje në forume më të gjera dhe më të larta.

Radio Evropa e Lirë: A ndërlidhet kjo kërkesë vetëm me shkarkimin e zotit Abdixhiku apo edhe me çështje tjera?

Lutfi Haziri: Kërkesa për votëbesim të zotit Abdixhiku ka kaluar në skanim në Kuvend [të LDK-së] më 31 janar. Tani është procedurë gati se e njëjtë, por që lidhet me kërkesën për shkarkimin e kryetarit të LDK-së, si pjesë e mocionit të kërkuar nga kolegët e LDK-së.

Radio Evropa e Lirë: Si është, në fakt, gjendja brenda LDK-së sot?

Lutfi Haziri: Situatat paszgjedhore të ballafaqojnë me rezultatin. Rezultati të ballafaqon me kërkesa politike. Kjo është kulturë e LDK-së.

Zhvillimet e fundit – edhe para zgjedhjeve natyrisht, por edhe pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, por edhe atyre të 28 dhjetorit – e kanë çuar LDK-në në një proces, të cilin unë e kam quajtur bashkim në dallime politike.

Kërkesat politike janë të tilla, por ne duhet të vazhdojmë ta ruajmë dhe ta zhvillojmë kulturën tonë politike të bashkëpunimit. Edhe në dallime. Është vlerë. Dialogu i brendshëm në LDK është i zhvilluar. Kërkesat politike duhet të trajtohen dhe të zgjidhen vetëm me bashkëpunim politik.

Format tjera mund të jenë statutore, mund të jenë ligjore, mund të jenë të çfarëdo natyre, por kërkesat politike zgjidhen vetëm me bashkëpunim politik e jo në forma të tjera.

Në këtë rrafsh, unë kam besim se mekanizmat politikë të LDK-së janë të pjekur, janë të zhvilluar dhe çdo proces politik do të ballafaqohet me durim, me bashkëpunim dhe në fund me rezultat të përbashkët politik.

Për ne është e rëndësishme rikthimi i madh dhe gjetja e rrugës për rikthim të madh nuk është e lehtë. Asnjëherë nuk kemi thënë që është e lehtë, as sot nuk besojmë që është e lehtë, por besojmë në vlerat politike që i kemi trashëguar si LDK.

Radio Evropa e Lirë: A mund të ndikojnë këto zhvillime brenda LDK-së në negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje për një marrëveshje të mundshme për formimin e institucioneve?

Lutfi Haziri: Mendoj që çdo proces politik e ka efektin e vet. Por, do të punojmë shumë që t’i mbyllim efektet negative, meqë shumica e madhe e njerëzve në LDK e ruajnë bashkëpunimin si vlerë politike, të cilën ne e shohim si pozicionin tonë të fortë.

Po rikthehem në fillim të asaj që e thashë. Lidershipi i LDK-së dhe kryetari i saj janë përballë dy kërkesave, në dy binarë politikë – dy procese të ndara që kanë ndikim në njëri-tjetrin.

Një është kërkesa e kolegëve tanë për mocion në Kuvend të LDK-së dhe dy është kërkesa për bashkëpunim që ka ardhur nga lideri i LVV-së për ndërtimin e institucioneve, pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Të dyja do të trajtohen, të dyja do të marrin përgjigje dhe unë besoj që efektet negative do të minimizohen.

Radio Evropa e Lirë: Ku kanë arritur bisedimet mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e institucioneve?

Lutfi Haziri: Takimi i parë u zhvillua me ftesë të zotit [Albin] Kurti [kreut të Vetëvendosjes]. LDK-ja u përfaqësua në këto bisedime nga kryetari i saj, Lumir Abdixhiku. Deri tani është mbajtur vetëm ai takim. Gjithçka tjetër mbetet një proces i hapur.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë kërkesat kryesore të LDK-së në këto bisedime? A janë ato të panegociueshme apo ka hapësirë për kompromis?

Lutfi Haziri: Kërkesat tona janë parimore. Ato nuk kanë të bëjnë me emra të përveçëm apo me pozita të caktuara politike. Ne kemi thënë se çështja e presidentit dhe përgjegjësitë e tjera institucionale duhet të jenë pjesë e një marrëveshjeje të përgjithshme. Pra, ose merremi vesh për të gjitha në një pako, ose nuk merremi vesh për asgjë. Ky është parimi ynë kryesor.

Parimi i dytë lidhet me proceset e rëndësishme politike që e presin Kosovën, si në planin e brendshëm – zhvillimi ekonomik dhe projektet infrastrukturore – ashtu edhe në politikën e jashtme, përfshirë rrugën drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Për këto çështje duhet të ketë dakordim paraprak.

Vetëm pas kësaj vjen ndarja e përgjegjësive institucionale. LDK-ja më nuk lidhet as për emra të përvetshëm, as për pozita të caktuara, por për agjendën e Republikës dhe për interesin e përgjithshëm – në parimin e bashkëpunimit institucional.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë nënkuptoni kur thoni se nuk ndërlidheni me emra të përveçëm dhe se duhet të ketë marrëveshje “për të gjitha ose për asgjë”?

Lutfi Haziri: Në Kosovë është krijuar perceptimi se gjithçka sillet rreth emrave të përveçëm, pozitave politike apo ndarjes së pushtetit. LDK-ja, përmes mënyrës se si ka vepruar ndër vite – duke bashkëqeverisur me parti të ndryshme, por edhe duke qëndruar për një kohë të gjatë në opozitë – ka dëshmuar se synimi ynë nuk është ndarja e posteve.

Ne jemi të interesuar të ndërtojmë një agjendë për Republikën dhe t’i japim vendit institucione funksionale, kredibile, me integritet, në shërbim të zhvillimit të Kosovës.

Natyrisht, në fund të procesit gjithçka përkthehet në emra. Lista e deputetëve përbëhet nga emra dhe edhe përgjegjësitë institucionale u takojnë njerëzve konkretë. Por, ne besojmë se fillimisht duhet të dakordohemi për interesin e përgjithshëm, pra për agjendën.

Më pas, pikërisht ajo agjendë dhe proceset politike do të përcaktojnë edhe emrat dhe marrëveshjet politike që mund të dalin nga bisedimet mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Radio Evropa e Lirë: A po synohet bashkëqeverisje apo jo?

Lutfi Haziri: Natyrisht. Bashkëpunimi për t’i dhënë vendit institucione funksionale nënkupton edhe bashkëqeverisje. Pra, bëhet fjalë për një marrëveshje klasike, të ngjashme me ato që LDK-ja ka arritur në të kaluarën me parti të ndryshme politike, me të cilat kemi pasur si përvoja bashkëpunimi, ashtu edhe rivaliteti politik.

Kjo nënkupton se agjenda dhe interesi i Republikës përcaktojnë rolin dhe përgjegjësinë politike që secili merr për një mandat të caktuar.

Ne duhet ta thyejmë këtë rreth vicioz. LDK-ja ka vullnet politik për ta bërë këtë. Prej gati dy vjetësh, Kosova po sillet në vend, pa bërë përparim, ndërsa rajoni dhe bota kanë ndryshuar ndjeshëm. Dy luftëra të mëdha kanë ndikuar në këtë pjesë të botës dhe pasojat e tyre i ndiejmë edhe ne.

Ndërkohë, politika e Kosovës vazhdon të merret me vetveten dhe të bëjë me gisht, të gjejë fajtor brenda nesh, të adresojë fajin brenda nesh… pa ndonjë arsye të madhe.

Shteti duhet të jetë funksional dhe t’u shërbejë qytetarëve dhe Republikës, jo ideologjive apo agjendave partiake.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë duhet të ndodhë që të zgjidhet çështja e konsolidimit të institucioneve? Dhe, sa i dëmshëm është bllokimi institucional, jo vetëm për qytetarët, por edhe për pozitën ndërkombëtare të Kosovës? Cilat janë pasojat?

Lutfi Haziri: Kur flas për agjendë politike, e kam fjalën për një agjendë shtetërore, jo për një agjendë të ngushtë partiake. Agjenda për Republikën duhet t’i bashkojë partitë politike rreth një konsensusi sa më të gjerë.

Kjo do të thotë se edhe partitë që mbesin në opozitë – përfshirë LDK-në nëse mbetet në opozitë – nuk duhet ta përjashtojnë bashkëpunimin për procese me rëndësi shtetërore, si integrimi euroatlantik apo reformat e domosdoshme të brendshme.

Sa i përket pjesës së dytë… Kemi pasur tri palë zgjedhje dhe tri herë kemi dështuar t’i zbatojmë rezultatet e tyre. Kjo krijon pakënaqësi te qytetarët, të cilët kanë votuar për një mandat katërvjeçar, e jo për institucione që zgjasin vetëm tre, katër apo pesë muaj.

Ka edhe një kosto të madhe financiare. Vetëm nga buxheti i shtetit janë shpenzuar mbi 36 milionë euro, pa llogaritur shpenzimet e partive politike. Kosova nuk e ka komoditetin që çdo krizë politike ta zgjidhë me zgjedhje të reja ose duke pritur vendime nga Gjykata Kushtetuese, e cila shpesh nuk ka dhënë një zgjidhje të drejtpërdrejtë për këto situata.

Në planin e brendshëm, vendi ka stagnuar. Çdo sektor është në pritje. Administrata publike nuk mund të funksionojë normalisht pa institucione të plota dhe pa një agjendë të qartë shtetërore. Zyrtarët kryejnë vetëm detyrat e përditshme, por nuk kanë hapësirë të marrin vendime apo të çojnë përpara procese të rëndësishme. Administrata nuk funksionon me kapacitet të plotë.

Si pasojë, asnjë proces i madh në Kosovë nuk mund të ndodhë. Aplikimi i Kosovës për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian vazhdon të mbetet i pahapur, ndërkohë që vende si Shqipëria, Mali i Zi, madje edhe Ukraina, e cila është në luftë, po bëjnë përparim në procesin e integrimit evropian.

Kosova po perceptohet si një vend që prodhon vazhdimisht lajme të këqija dhe u shkakton shqetësime partnerëve të saj. Nuk mund të vazhdojmë me këtë situatë.

Duhet ta thyejmë këtë rreth vicioz dhe ta ndryshojmë këtë imazh, ku paaftësia e klasës politike për të zbatuar rezultatin e zgjedhjeve, është shndërruar në problemin kryesor të Republikës. E, pastaj, janë edhe shumë probleme të tjera që janë grumbulluar gjatë viteve të fundit.

Radio Evropa e Lirë: E përmendët nevojën për konsensus mes partive. A shihni ndonjë shenjë se një konsensus i tillë mund të arrihet?

Lutfi Haziri: Për momentin, në Kosovë nuk ka konsensus për asnjë proces të rëndësishëm politik. Përjashtim bëjnë rastet kur LDK-ja, në mënyrë të njëanshme, ka mbështetur ratifikimin e marrëveshjeve financiare ndërkombëtare në Kuvend gjatë pesë vjetëve të fundit. Në disa raste është bashkuar edhe PDK-ja, në disa të tjera edhe AAK-ja, por kjo ka qenë një përpjekje e jona për të mos lejuar bllokimin e proceseve të rëndësishme për vendin.

Në çështjen e dialogut me Serbinë nuk ka pasur dialog mes partisë së parë, pra Qeverisë, dhe partive të tjera, përfshirë LDK-në. E njëjta situatë ka qenë edhe në procesin e integrimit evropian. Nuk është ndërtuar dialog me opozitën, nuk ka dialog me sindikatat, ndërsa dialogu social-ekonomik, praktikisht, është lënë mënjanë.

Pra, mungojnë mekanizmat e dialogut të brendshëm – politik, institucional dhe shoqëror – që do të mundësonin ndërtimin e një konsensusi të gjerë për proceset më të rëndësishme të vendit. Ka ardhur koha t’i jepet fund kësaj logjike dhe kësaj mënyre të të vepruarit.

Dialogu është e vetmja rrugë për partitë politike. LDK-ja ka përvojë në këtë drejtim. Kur kemi bashkëpunuar, kemi ndërtuar institucione, kemi çuar përpara procese dhe kemi realizuar objektiva të rëndësishme për vendin. Edhe periudhat më të vështira i kemi përballuar së bashku dhe besoj se edhe sfidat e sotme mund të përballohen në të njëjtën mënyrë.

Por, nuk është vetëm vullnet politik. Unë do të thosha se është frymë kushtetuese. Ne kemi vendosur, e kemi ndërtuar këtë frymë kushtetuese dhe në germën e saj – nëse duan juristët ta shohin – e gjejnë. Bashkëpunimi është kërkesë.

Radio Evropa e Lirë: A nuk ka arsye të mjaftueshme për t’u ngutur me formimin e institucioneve?

Lutfi Haziri: Për dallim nga tri herët e kaluara, kësaj radhe Lëvizja Vetëvendosje i ka nisur takimet para konstituimit të Kuvendit të Republikës. Nuk kemi parë veprime të njëanshme apo përpjekje që rezultati i zgjedhjeve të zbatohet vetëm duke u mbështetur te numrat.

Ky ndryshim, sado i vogël të duket, mund të ketë peshë të madhe në tejkalimin e problemeve që i kemi hasur në tri proceset e kaluara. Besoj se ka mundësi të ndërtohet një marrëveshje më gjithëpërfshirëse, e cila do t’i japë stabilitet procesit të konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit.

Një marrëveshje e tillë do t’u jepte siguri qytetarëve dhe institucioneve se kësaj radhe nuk do të përsëritet dështimi.

“Evropa të jetë më shumë kritike ndaj qeverisë”/ 44 ditë revoltë për dorëheqjen e Ramës, Neomalësorja për median holandeze: Protestat do të rriten edhe më shumë!

“Shqipëria ka qenë  trazuar, shkak është “Revolucioni Flamingo”. Deri tani, dhjetëra mijëra shqiptarë kanë dalë në rrugë për më shumë se 40 ditë, ku maksimumi i pjesëmarrësve në shesh ka qenë 250,000 qytetarë”.

Kështu shkruan gazeta hollandeze “de Volkskrant”, për të cilën deputetja tashmë e pavarur Marjana Koçeku ka dhënë një intervistë në lidhje me protestat dhe revoltën qytetare që vijojnë prej 44 ditësh në Shqipëri.

Sipas medias holandeze, protestat mbështeten edhe nga deputetja Marjana Koçeku, e cila u largua nga grupi parlamentar i PS pas shpërthimit të protestave në vend.

INTERVISTA:

Pse vendosët të largoheni nga partia?

Largimi im ishte një grumbullim pakënaqësie. U bëra aktiviste në moshë të re dhe hyra në politikë sepse shpresoja të bëja një ndryshim në çështje të rëndësishme si mjedisi, ekologjia dhe turizmi i qëndrueshëm. Por shpejt u bë e qartë se zëri im kritik nuk u vlerësua nga udhëheqja e partisë sime. Më anashkaluan plotësisht temat që më prekin shumë, siç është ndotja e lumit Drin, nga vij unë. Kur dolën në dritë skandalet e mëdha mjedisore, kuptova se duhej të mbështesja politika që në fakt shkatërrojnë mjedisin. Ky ishte kufiri im moral.

Nuk kishit qenë anëtar i Partisë Socialiste për shumë kohë; a nuk mund ta kishit parashikuar këtë?

Rama më kontaktoi pasi e isha në podcastin e tij ku fola për problemet me të cilat po përballej rajoni im: një problem i madh me mbeturinat, një mungesë totale të rrugëve dhe energjisë elektrike të mirë, sepse qeveria e tij dhe të gjitha qeveritë para saj thjesht na kishin harruar.

Nuk ka qenë kurrë ëndrra ime të bëhesha politikane. Gjithmonë kam qenë një kundërshtare e ashpër e pushtetit dhe kam protestuar kundër tyre që nga ditët e mia studentore. Kur u bashkova me Partinë Socialiste, ata përreth meje ishin kundër meje. Por e shihja këtë si detyrën time morale, pjesërisht sepse përfaqësimi politik ishte mjaft i paimagjinueshëm për një grua të re nga një rajon i izoluar dhe patriarkal.

Për më tepër, shumë të rinj hynë në parlament atë vit. Sinqerisht mendova: ndoshta ky është momenti ynë.

Protestat vazhdojnë, edhe për sa kohë?

Pres që ata vetëm të rriten. Elita jonë politike e ka humbur plotësisht kontaktin me realitetin dhe nuk ka asnjë ide se çfarë kalojnë njerëzit në jetën e tyre të përditshme. Protestuesit me të drejtë po kërkojnë ndryshim. Këto protesta kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, demokracinë e vërtetë dhe refuzimin për ta lënë vendin tonë të plaçkitet. Ne do t’i përmbahemi fort idealeve tona.

Në një letër të hapur drejtuar Ramës, ju i kërkuat atij të jepte dorëheqjen. Çfarë duhet të ndodhë për të ndryshuar sistemin politik?

Kjo kërkon shumë më tepër sesa vetëm largimin e një njeriu. Ligji aktual zgjedhor mbron rendin e vendosur, i cili është thelbësisht i kalbur dhe i shërben vetëm interesave të një grupi shumë të vogël. Ne kemi nevojë për njerëz në parlament që janë aty për shkak të kompetencave të tyre, jo për shkak të besnikërisë së tyre të verbër ndaj një udhëheqësi partie.

Rezervati natyror Vjosa-Narta, ku amerikani Jared Kushner dëshiron të ndërtojë një vendpushim luksoz.

Partive të reja politike duhet t’u jepet një shans i drejtë. Kam respekt të madh për partitë e pakta të reja kritike që hynë së fundmi në parlament nëpërmjet zgjedhjeve dhe tani po mbështesin protestat. Një diversitet më i madh politik do ta bëjë demokracinë tonë më të shëndetshme, më autentike dhe më të gjallë.

Por ndryshimi i madh do të duhet të vijë nga poshtë. Qytetarët shqiptarë, dhe veçanërisht diaspora jonë, aktualisht po tregojnë një angazhim shumë më të madh ndaj ndryshimeve demokratike sesa e gjithë elita politike. Sistemi duhet të ndryshojë dhe të fillojë të funksionojë për qytetarët; nuk ka rrugë tjetër.

Në letrën drejtuar Ramës, ju shkruat edhe për një paralajmërim që ai ju kishte dhënë.

“Nuk dua të them shumë për këtë, por ai më dërgoi një mesazh se do të përfundoj vetëm, pa besimin e popullsisë apo të mbështetësve të mi në male. Përgjigja ime ndaj tij ishte e thjeshtë: Jam mësuar të qëndroj vetëm. E vetmja gjë që ka vërtet rëndësi për mua tani është se e kam mbyllur derën pas meje dhe jam e lirë. Për fat të mirë, nëna ime nuk ka rrjete sociale, kështu që nuk sheh asnjë nga agresionet dhe ngjyrimet politike që janë përhapur rreth meje që nga largimi im.”

Kohët e fundit udhëtuat për në Bruksel për një takim me anëtarë të Parlamentit Europian. Çfarë prisni prej tyre?

Evropa duhet të jetë shumë më kritike ndaj qeverisë shqiptare. Procesi i anëtarësimit nuk duhet të jetë një strategji thjesht gjeopolitike apo një çështje burokratike e plotësimit të kritereve. BE-ja aktualisht po flet vetëm me Kryeministrin dhe elitën politike, por duhet të angazhohet edhe në dialog me popullsinë dhe shoqërinë civile shqiptare. Rreth 92 përqind e shqiptarëve janë pro-evropianë sepse besojmë në vlerat evropiane si drejtësia, transparenca dhe sundimi i ligjit, por kjo nuk do të thotë që ne mbështesim qeverinë tonë.

A po flasim këtu me udhëheqësin e ardhshëm të Shqipërisë?

Ambicia ime është më e madhe se kurrë, por tani për tani e gjej më të rëndësishme t’i përkushtohem vendit tim si anëtar i pavarur i Parlamentit. Në fund të fundit, koha do të tregojë se kush mbijeton dhe kush jo. Por një gjë është e sigurt: ky nuk është fundi. bw

Intervista- Hodges: Ngërçi politik e bën Kosovën më të cenueshme ndaj ndikimeve të jashtme

Valona Tela

Kosova mbetet e cenueshme ndaj ndikimeve të jashtme për aq kohë sa nuk arrin të dalë nga ngërçi politik dhe të ndërtojë institucione të qëndrueshme, vlerëson ish-komandanti i Ushtrisë amerikane në Evropë, Ben Hodges.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se Rusia nuk ka interes ta shohë Kosovën si një shtet të fortë e të integruar në strukturat euroatlantike, ndërsa thekson se prania e KFOR-it mbetet një “spirancë e stabilitetit”.

Hodges flet edhe për transformimin e synuar të NATO-s pas samitit në Ankara, rritjen e rolit të Evropës në mbrojtje, kërcënimet hibride nga Rusia dhe mënyrën se si inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e reja do ta ndryshojnë përgatitjen e Aleancës për konfliktet e së ardhmes.

Radio Evropa e Lirë: Gjeneral Hodges, cili mendoni se ishte mesazhi më i rëndësishëm strategjik që doli nga samiti i NATO-s në Ankara?

Ben Hodges: Mesazhi më i rëndësishëm është gjithmonë uniteti i aleancës.

Natyrisht, shumë shqetësohen se presidenti [i SHBA-së, Donald] Trump do të vijë dhe do ta prishë këtë unitet. Në fillim, ai e bëri disi, duke rikthyer çështjen e Grenlandës, duke kritikuar Spanjën dhe gjëra të ngjashme. Por, në fund të samitit, tha se salla ishte e mbushur me dashuri dhe se aty kishte njerëz vërtet të mirë.

Mendoj se është e rëndësishme që samiti përfundoi me një ton të tillë dhe që ai u largua me një qasje shumë më pozitive.

Prandaj, ruajtja e unitetit të aleancës mbetet gjithmonë prioriteti kryesor në samite të tilla.

Së dyti, ishte shumë me rëndësi edhe demonstrimi i investimeve evropiane në mbrojtje, si dhe i Kanadasë. Të gjitha njoftimet e bëra gjatë ditëve të fundit flasin për para dhe kapacitete reale ushtarake. Ky ishte një zhvillim shumë pozitiv.

Dhe, në fund, mbështetja për Ukrainën. Jo vetëm toni i deklaratave, por edhe njoftimi për t’i dhënë Ukrainës licencë për të prodhuar interceptorët Patriot, raketat PAC-3.

Do të shohim nëse kjo do të realizohet. Shpresoj që po, edhe pse mbetem skeptik, sepse presidenti Trump nuk ka qenë vazhdimisht mbështetës i fortë i Ukrainës. Por, shpresoj që këtë herë të bëhet fjalë për një angazhim të vërtetë.

Një NATO më e bashkuar, me një Evropë më të fortë

Radio Evropa e Lirë: Deklarata flet për një Evropë më të fortë brenda një NATO-je më të fortë. Në aspektin praktik, a sinjalizon kjo një ndarje të re të përgjegjësive ndërmjet Evropës dhe Shteteve të Bashkuara?

Ben Hodges: Po, e sinjalizon një gjë të tillë dhe unë nuk kam problem me këtë, për aq kohë sa Shtetet e Bashkuara nuk ia kthejnë shpinën Evropës.

Parandalimi bërthamor është, natyrisht, shumë i rëndësishëm. Por, ai duhet të plotësohet edhe nga një prani konvencionale amerikane, qoftë përmes fuqisë ajrore, detare dhe tokësore apo shkëmbimit të inteligjencës. Pra, nuk mund të jetë thjesht: ‘Ju i keni armët bërthamore, ne po largohemi’. Kjo nuk do të ishte e dobishme.

Megjithatë, transferimi i një pjese më të madhe të përgjegjësive për parandalimin konvencional tek aleatët evropianë, ka kuptim.

Dhe, nuk duhet harruar Kanadaja, e cila shpesh lihet disi në hije në këto diskutime. Ajo është duke rritur kontributin e saj në aleancë, dhe kjo është e nevojshme për shkak të pozitës së saj gjeografike dhe cilësisë së burrave dhe grave në forcat e saj të armatosura. Edhe Kanadaja është një pjesë e rëndësishme e këtij ndryshimi.

Radio Evropa e Lirë: Pra, aleatët evropianë pritet të marrin përgjegjësi më të mëdha për mbrojtjen, duke vazhduar njëkohësisht të bashkëpunojnë ngushtë me Uashingtonin. Sa i rëndësishëm është ky ndryshim për të ardhmen e sigurisë transatlantike?

Ben Hodges: Gjëja më rëndësishme është angazhimi i vazhdueshëm i të 32 vendeve anëtare të Aleancës ndaj mbrojtjes kolektive. Kjo është gjëja më e rëndësishme.

Gjithmonë do të ketë dinamika mes aleatëve, mosmarrëveshje apo tensione për arsye të ndryshme. Ashtu siç ndodh edhe brenda Bashkimit Evropian, ku ka debate për migracionin, politikat financiare, vizat apo çështje të tjera. Kjo është e natyrshme.

Por, përkushtimi i të gjitha vendeve ndaj njëra-tjetrës për mbrojtjen kolektive, është themeli i Aleancës.

Dhe, natyrisht, mënyra më e mirë për t’i mbrojtur vendet e NATO-s nga një sulm i mundshëm rus, është të sigurohet që Ukraina të ketë sukses. Prandaj, mbështetja për Ukrainën mbetet një pjesë thelbësore e mbrojtjes dhe sigurisë së përgjithshme të Aleancës.

Lufta e së ardhmes: Dronë dhe inteligjencë artificiale

Radio Evropa e Lirë: NATO-ja po i kushton gjithnjë e më shumë rëndësi inteligjencës artificiale, kapaciteteve kibernetike, mbrojtjes raketore, sistemeve pa ekuipazh… Sa shumë po e ndryshon kjo mënyrën se si Aleanca përgatitet për konfliktet e së ardhmes?

Ben Hodges: Mendoj se Nisma për Parandalimin në Krahun Lindor është një nga qasjet më moderne ndaj parandalimit dhe mbrojtjes. Ajo nuk i zëvendëson elementet tradicionale, si forcat tokësore, pengesat apo minat, por i plotëson ato.

Përgjatë gjithë krahut lindor të NATO-s, nga veriu i Finlandës deri në Detin e Zi, po ndërtohet një sistem i integruar. Nuk do ta quaja “mur”, sepse nuk e përshkruan saktë, por është një kombinim i të gjitha kapaciteteve që i përmendët, të lidhura në një rrjet, që rrit ndjeshëm shpejtësinë me të cilën komandantët identifikojnë kërcënimet, marrin vendime dhe reagojnë ndaj tyre.

Kjo është një përshtatje e rëndësishme dhe një hap përpara në përdorimin e teknologjive të reja.

Mendoj se një pjesë e madhe e kësaj është nxitur nga ajo që kemi parë në Ukrainë. Atje është krijuar një lloj “zone e vdekjes” që shtrihet në një pjesë të madhe të territorit, ku forcat ruse, deri tani, nuk kanë arritur të depërtojnë, për shkak të mbikëqyrjes së vazhdueshme dhe aftësisë për të goditur me mijëra dronë.

Besoj se Aleanca ka mësuar nga kjo përvojë dhe po i zbaton këto mësime duke i kombinuar me kapacitete të tjera. Ky është një zhvillim pozitiv.

Megjithatë, vazhdon të ekzistojë një mangësi e madhe në mbrojtjen ajrore dhe raketore. Ne ende nuk jemi të përgatitur ta mbrojmë gjithë infrastrukturën tonë kritike të transportit nga sulmet – të ngjashme me ato që Ukraina përjeton pothuajse çdo natë.

Dhe, do të shtoja edhe një gjë: Aleanca ende nuk ka gjetur një përgjigje të qartë, ashtu si edhe shtetet individuale, për mënyrën se si duhet të përballet me operacionet ruse në të ashtuquajturën “zonë gri”.

Bëhet fjalë për përdorimin e taktikave hibride – dronëve, atentateve, sabotimeve, dezinformimit – të gjitha të projektuara për të frikësuar shoqëritë evropiane, në mënyrë që qeveritë e tyre ta ndalin mbështetjen për Ukrainën.

Prandaj, duhet të gjejmë mënyra për t’i imponuar pasoja Rusisë, edhe kur shumica e këtyre veprimeve nuk mund t’i atribuohen drejtpërdrejt asaj dhe mbeten nën pragun e Nenit 5 të NATO-s.

Kjo është një sfidë të cilën ende nuk e kemi zgjidhur.

Pse NATO duhet t’i përgjigjet më fort Rusisë?

Radio Evropa e Lirë: Po pse nuk ka ende përgjigje ndaj këtyre kërcënimeve?

Ben Hodges: Mendoj se këtu çdo shtet përballet me sfidat e veta – ka kuadrin e vet ligjor dhe konsideratat e veta politike të brendshme, të cilat duhet t’i zgjidhë.

Për shembull, kujtoni rastin kur rreth 12 dronë hynë në territorin e Polonisë disa muaj më parë. Askush nuk e mohoi se ishin rusë, por cili ishte reagimi? U ngritën në ajër avionë F-35 dhe F-16.

Por, kjo nuk ishte përgjigjja e duhur.

Nga ana tjetër, nuk dëshiron të rrëzosh dronë mbi qytetet tua kur nuk je në një gjendje lufte në kuptimin tradicional. Nëse e rrëzon një dron, mbetjet e tij do të bien diku.

Pastaj, ka edhe mosmarrëveshje institucionale. Për shembull, këtu në Gjermani shtrohet pyetja: kush është përgjegjës? A është çështje për policinë? Për ushtrinë? Kush e kontrollon hapësirën ajrore mbi aeroportin e Frankfurtit apo të Berlinit? Këto janë çështje të cilat ende duhet të zgjidhen.

Mendoj se ekziston prirja që këto incidente të trajtohen si raste të zbatimit të ligjit, pra si vepra penale. Kjo nënkupton se duhet të mblidhen prova të pakundërshtueshme dhe të vërtetohet, sikurse në gjykatë, se përgjegjës është ky apo ai.

Natyrisht, rusët e dinë këtë. Prandaj, nuk do të dërgojnë një ushtar me uniformë dhe flamur rus në krah. Ata përdorin njerëz që i paguajnë ose i sponsorizojnë për t’i kryer këto veprime.

E njëjta gjë vlen edhe për të ashtuquajturën “flotë në hije”. Ajo është pjesë e së njëjtës strategji. Tashmë e dimë se këto anije jo vetëm që transportojnë naftë dhe gaz rus ilegalisht në Detin Baltik dhe Detin e Zi, por disa prej tyre janë përdorur edhe si platforma për lëshimin e dronëve, për shembull kundër Danimarkës.

Prandaj, duhet ta pranojmë realitetin se Rusia është në luftë me ne, edhe nëse ne nuk e konsiderojmë veten në luftë me Rusinë.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë mesazhi i dërgon Rusisë mungesa e një përgjegjeje kuptimplotë?

Ben Hodges: Ajo kërkon vullnet politik, guxim politik, por edhe zgjidhje praktike.

Natyrisht, kjo është më e ndërlikuar kur je pjesë e vendeve demokratike, që përpiqen të veprojnë në përputhje me ligjin dhe të drejtën ndërkombëtare. Duhet të gjenden mënyra për të reaguar brenda këtij kuadri.

Unë besoj se kjo është e mundur. Ekzistojnë baza ligjore që mund të përdoren, por kërkohet punë serioze nga qeveritë.

Rreziku është se, nëse nuk gjejmë mënyrën për t’iu përgjigjur këtyre veprimeve, Rusia do të vazhdojë t’i shtyjë kufijtë gjithnjë e më tej, derisa një ditë mund të ndërmarrë edhe një sulm të kufizuar ndaj një vendi të NATO-s.

Për shembull, mund të sulmojë një zonë si Daugavpils në Letoni dhe pastaj të pyesë: ‘Mirë NATO, çfarë do të bëni tani? A do të hyni në luftë bërthamore për Daugavpilsin?’

Nëse përgjigjja do të ishte ‘jo’, atëherë besueshmëria e Nenit 5 dhe e vetë Aleancës do të dëmtohej rëndë.

Ku mbetet Kosova në transformimin e Aleancës?

Radio Evropa e Lirë: Folëm për transformimin e NATO-s. Në këtë kontekst, ku mbeten partnerët e Aleancës, si Kosova? A mund të krijojnë teknologjitë e reja më shumë mundësi për bashkëpunim, apo rrezikojnë ta zgjerojnë hendekun mes vendeve anëtare dhe partnerëve?

Ben Hodges: Mendoj se edhe vendet më të vogla të NATO-s, të Bashkimit Evropian, apo shtete të tjera evropiane si Kosova, kanë shumë për të ofruar. Ato kanë të rinj të talentuar dhe me aftësi të mira në teknologji.

Prandaj, jo çdo vend duhet të ketë avionë F-35 apo aeroplanmbajtëse. Çdo shtet mund të kontribuojë me kapacitetet që ka, përfshirë edhe në fushën e inteligjencës dhe ndërgjegjësimit për situatën – pra, të kuptuarit se çfarë po ndodh në terren.

Jam mjaft i bindur se Aleanca do të vazhdojë të punojë për të gjetur mënyra se si t’i integrojë më mirë vendet më të vogla me ato më të mëdha.

Nuk është e dëshirueshme që gjithçka të mbështetet vetëm në kapacitetet e Shteteve të Bashkuara. Pikërisht për këtë ka paralajmëruar prej kohësh presidenti [i Francës, Emmanuel] Macron, duke theksuar rrezikun e mbështetjes së tepërt te SHBA-ja.

Sepse, nëse krijohet një situatë ku administrata amerikane nuk perceptohet si plotësisht e besueshme, ose nëse çdo gjë trajtohet vetëm si një transaksion, atëherë pjesa tjetër e Aleancës bëhet më e cenueshme.

Radio Evropa e Lirë: Ballkani Perëndimor nuk përmendet në deklaratën e samitit të NATO-s, megjithëse rajoni vazhdon të përballet me çështje të pazgjidhura dhe rreziqe të sigurisë – nga veriu i Kosovës deri te Bosnje dhe Hercegovina dhe Republika Sërpska. A mendoni se NATO-ja e sheh ende këtë rajon si një prioritet strategjik? Dhe çfarë duhet të bëjë Aleanca për të parandaluar që këto kriza të menaxhuara të shndërrohen në konflikte të hapura?

Ben Hodges: Po, mendoj se kjo është një situatë sfiduese dhe me shumë dimensione. Nuk e di saktësisht se ku renditet Ballkani Perëndimor në listën e prioriteteve të Aleancës apo si e vlerëson NATO-ja rajonin.

Megjithatë, nuk do t’i jepja ndonjë kuptim të veçantë faktit që Ballkani Perëndimor nuk u përmend në deklaratën e publikuar pas samitit. Në fund të fundit, samiti përbëhej nga një darkë, një takim i përbashkët dhe disa bisedime dypalëshe që u zhvilluan paralelisht.

Samitin e ardhshëm pritet ta organizojë Shqipëria. Tani ekziston një ide që vitin e ardhshëm të mos mbahet, kështu që, nëse kjo ndodh, Shqipëria do të ishte mikpritëse në vitin 2028.

Kjo do të ishte një mundësi për ta kthyer vëmendjen te Ballkani, ashtu siç organizimi i samitit nga Turqia ndihmoi që fokusi të vihej te Deti i Zi dhe te roli i Turqisë.

Mendoj se NATO-ja ka përgjegjësi në këtë rajon, sepse aty ka vende anëtare të Aleancës, ndërsa edhe Bashkimi Evropian ka interesa. Por, sinqerisht, nuk mund të them se ku renditet Ballkani Perëndimor në listën e prioriteteve.

Radio Evropa e Lirë: Kosova po përballet sërish me vështirësi për të formuar institucione të qëndrueshme pas zgjedhjeve të përsëritura. Nga këndvështrimi i NATO-s dhe i sigurisë, sa i dëmshëm është ky ngërç politik për një vend që synon të shihet si një partner i besueshëm i Perëndimit?

Ben Hodges: Natyrisht, një situatë e tillë e mban Kosovën të cenueshme ndaj ndikimeve të jashtme.

Rusia nuk ka asnjë interes që Kosova të bëhet një shtet i fortë, liberal-demokratik, i integruar në Bashkimin Evropian, në NATO apo në struktura të ngjashme.

Prandaj, për sa kohë që Kosova nuk arrin ta zgjidhë këtë situatë, ajo do të mbetet e pambrojtur ndaj atyre që synojnë ta ruajnë status quo-në dhe të vazhdojnë ta destabilizojnë vendin.

Radio Evropa e Lirë: Mendoni në kërcënime për sigurinë…

Ben Hodges: Po, por edhe duke nxitur vazhdimisht ndasitë e vjetra dhe duke minuar besimin e qytetarëve tek institucionet dhe proceset demokratike.

Radio Evropa e Lirë: Teksa Evropa merr një rol më të madh në mbrojtje, a duhet të presë Kosova ndonjë ndryshim në misionin e NATO-s, KFOR?

Ben Hodges: Nuk e di. Unë shpresoj që misioni i KFOR-it të vazhdojë. Mendoj se ta kam përmendur edhe në një bisedë të mëparshme që kemi pasur: njëherë, një zyrtar i lartë i Kosovës dhe një zyrtar i lartë i Serbisë më thanë të njëjtën gjë: ‘Ju lutem, mos e tërhiqni KFOR-in, sepse ai është e vetmja spirancë e stabilitetit’.

Kjo ka ndodhur disa vite më parë, por ajo bisedë më ka mbetur në mendje. Tregon se nuk është e nevojshme të ketë një numër të madh trupash në terren; vetë prania e KFOR-it shërben si një pikë stabiliteti.

Radio Evropa e Lirë: Sa e rëndësishme është prania amerikane në Kosovë?

Ben Hodges: Mendoj se prania e Shteteve të Bashkuara në Kosovë është e rëndësishme, sepse është edhe në interes të vetë SHBA-së që Evropa të jetë e qëndrueshme dhe e sigurt. Vetëm kështu ajo mund të jetë edhe e begatë, pasi Evropa është partneri më i madh tregtar i Amerikës.

Prandaj, paqëndrueshmëria në Ballkanin Perëndimor kontribuon në paqëndrueshmërinë edhe në pjesë të tjera të Evropës dhe krijon dobësi që Rusia do të përpiqet t’i shfrytëzojë.

Kështu do ta formuloja unë rëndësinë e pranisë amerikane në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Dhe, përtej samitit, çfarë duhet të bëjë Kosova tani për të mbetur partnere e rëndësishme dhe e dobishme për NATO-n?

Ben Hodges: Të vazhdojë të punojë për përmbushjen e kushteve që kërkohen për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ky është drejtimi ku duhet të ecë. Mendoj se kjo do ta plotësonte edhe synimin për ta bërë Kosovën një partnere më të vlefshme për NATO-n, nëse kjo është në interesin e saj.

Të Gjelbrit Evropiane krah protestës- “Test për demokracinë”, Vula Tsetsi për “News24”: Rama duhet të marrë seriozisht situatën, s’mund të mbyllet kapitulli 27 pa zgjidhur…

Bashkëkryetarja e të Gjelbërve Evropianë Vula Tsetsi, i bën thirrje kryeministrit Edi Rama që të dëgjojë kërkesat e protestuesve që kanë dalë në rrugë. E shoqëruar nga eurodeputetë në vizitën e saj në Shqipëri, Tsetsi thekson mbështetjen e saj për protestën qytetare në Shqipëri.

Në një intervistë dhënë për “News 24”, ajo thekson se protesta është një test për demokracinë dhe sundimin e ligjit në Shqipëri. Sipas saj, Komisioni Evropian duhet të jetë shumë i qartë në qëndrimet mbi çfarë po ndodh në Shqipëri.

Në këndvështrimin e saj, sundimi i ligjit është thelbësor për procesin e integrimit evropian. Vula Tstetsi nënvizon se “liria e medias është një termometër i demokracisë”

Intervista Vula Tsetsi, Bashkëkryetare e të Gjelbërve Evropianë

 

Zonja Tsetsi, prej 4 javësh në Tiranë po zhvillohen protesta qytetare që kanë tërhequr edhe vëmendjen ndërkombëtare. Si e shihni ju këtë mobilizim popullor, a do ta ndiqni nga afër? Çfarë mesazhi mendoni se po përcjell ai?

Vula Tsetsi: Si bashkë-kryetare e të Gjelbërve Evropianë, së bashku me disa eurodeputetë të Partisë së të Gjelbërve erdhëm në Shqipëri për të marrë pjesë në protestë. Ne besoj se ky është një sinjal shumë i rëndësishëm për demokracinë dhe përgjegjësisë. Qytetarët kanë dalë në rrugë sepse duan të mbrojnë natyrën, por duan të mbrojnë zbatimin e ligjit. Prandaj, për ne çfarë po ndodh në rajon së bashku me zbatimin e ligjit, është e njëjta gjë. Kësisoj ne erdhëm të dëgjojmë, erdhëm të kuptojmë dhe ne erdhëm me qëllimin që të kthehemi në Bruksel për të bërë ndërhyrjet tona në nivele të ndryshme.

Protesta në Shqipëri lindi si reagim kundër projektit në Zvërnec, por kaloi shumë shpejt në kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë. A e shihni këtë si një krizë më të gjerë të besimit ndaj institucioneve?

Vula Tsetsi: Sigurisht që ky është një moment krize dhe të mungesës së besimit. Ne, sigurisht nuk jemi këtu për të gjykuar proceset demokratike dhe kryeministrin e zgjedhur. Por ne jemi këtu për të bërë një thirrje vërtetë të qartë, se çfarë po ndodh në rrugë pas 30 vitesh, duhet marrë shumë seriozisht nga Edi Rama, por gjithashtu edhe nga Komisioni Evropian. Prandaj është shumë e rëndësishme jo thjesht të thuhet se nuk është problemi im, ndërhyrje të huaja, ata duan të shkatërrojnë vendin tim, sipas kryeministrit. Por duhet përpjekje të kuptojë se përse qytetarët kanë dalë në rrugë dhe përse ata janë shumë të zhgënjyer. Nga ajo që kemi kuptuar deri tani, vërtetë nuk ka konsultim publik, nuk ka transparencë, nuk ka përgjegjësi. Prandaj ky është një moment që kryeministri të dëgjojë gjithë këta njerëz që kanë dalë në rrugë dhe të përpiqet të ndërtojë përsëri besim.

Parlamenti Evropian ka shprehur shqetësime për zhvillimet në zonat e mbrojtura natyrore në Shqipëri, për të cilin është shprehur shqetësim edhe në rezolutën e fundit të tij për Shqipërinë. A mendoni se projekti i Zvërnecit është në përputhje me standardet europiane të mbrojtjes së mjedisit dhe Kapitullin 27 të negociatave?

Vula Tsetsi: Sigurisht po flasim për një zonë që është vërtetë e mbrojtur. Është një parajsë për flamingot dhe po ashtu është një parajsë për zogjtë. Është një zonë që qartësisht duhet të mbrohet. Nuk ka asnjë mënyrë për të mbyllur asnjë kapitull, kapitullin 27, pa zgjidhur këtë çështje. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se është e lehtë të thuhet, le të vazhdojmë punën si zakonisht dhe pastaj të flasim për rishikimin e ligjit të 2024-ës dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. Unë mendoj se kjo situatë me protestën ka shkaktuar shumë vëmendje jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Bashkimin Evropian dhe përtej. Pra ky është një test për demokracinë dhe zbatimin e ligjit. Kështu që unë nuk mendoj se do të përfundoj pa pasoja të qarta, sa i takon Kapitullit 27, por edhe sa i takon perspektivës e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Sa të rëndësishme janë transparenca dhe dialogu me qytetarët në raste të tilla, për një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian? 

Vula Tsetsi: Në jemi shumë në favor të së ardhmes së Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në jemi shumë në favor për dëgjimin e zërit të qytetarëve që kërkojnë reforma. Sa i takon perspektivës evropiane reformat janë të nevojshme dhe për pasojë nuk duhet të injorohen. Ne i marrim ato shumë shumë seriozisht. Gjithashtu dua të them si parti politike evropiane, ne i bëjmë një thirrje jo vetëm kryeministrit Rama, por edhe familjes së tij politike, Socialdemokratëve, të cilës ai i përket, si anëtar i asociuar, ata duhet ta ndihmojnë të kuptojë se demokracia dhe përgjegjësia nuk është “a la carte” – sipas zgjedhjes, por është në zemër të vlerave të integrimit evropian.

Pas 30 ditësh protestë e qendresë popullore, cili duhet të jetë sipas jush reagimi i kryeministrit Rama dhe qeverisë? A jeni njohur me reagimet e deritanishme të tij dhe nëse po, si i vlerësoni ato?

Ne kemi ndjekur me shumë vëmendje nga afër çfarë qeveria ka thënë. Ne kemi ndjekur nga afër se si ka reaguar Komisioni Evropian. Mendoj se kryeministri Rama është pozicionuar shumë në mbrojtje, por gjithashtu jo transparent mbi ekzakt se çfarë po ndodh. Kjo krijon një mungesë besimi të madhe tek qytetarët dhe jam e bindur se ky mobilizim do të vazhdojë nëse kjo mungesë besimi do të vijojë të ekzistojë. Gjithashtu po ndjekim shumë nga afër faktin se Komisioni Evropian është i druajtur, është i heshtur me idenë “le të shohim”. Jo, Komisioni Evropian është roja e traktateve. Komisioni Evropian duhet të jetë shumë i qartë se çfarë po ndodh në këtë vend, sa i takon zonave të ndjeshme ekologjike, nuk pranohet. Prandaj do të jetë një vonesë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Pra nuk është “punë si zakonisht”.

Shqipëria ka hapur kapituj të negociatave me Bashkimin Europian. Si e vlerësoni ritmin e deritanishëm të procesit dhe a do të pësojë ngecje në kushtet e protestës që është paralajmëruar se nuk do të ndalojë pa largimin e Ramës?

Dua të përsëris se për ne, perspektiva e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian. Vendi juaj është vendi me besimin më të madh kur flitet për projektin evropian. Më shumë se 90% e qytetarëve duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Kjo është unike në Ballkan. Prandaj zëri i popullit nuk mund të injorohet. Nuk mund të injorohet këtu, nuk të injorohet në Bruksel.

Në procesin e anëtarësimit në BE, sfida në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sundim i ligjit dhe pavarësia e sistemit të drejtësisë, mbeten sfidat kryesore. Sa shqetësuese janë për Bashkimin Europian raportimet e vazhdueshme për korrupsionin, klimën e vështirë për biznesin dhe mungesën e kontrollit e balancës së pushteteve në Shqipëri?

Mendoj se i takon eurodeputetëve tanë të shkojnë më thellë çështjes së korrupsionit. Ajo që ka rëndësi është se ka një hetim të pavarur dhe mendoj se kjo pavarësi është shumë e rëndësishme në këtë vend, sepse të gjitha problemet duhet të nxirren në dritë. Dua të them se Po, ka disa fusha ku është bërë përparim. Por mendoj se kur flitet për besim, kur flitet për transparencë, kur flitet për përgjegjësi, ka ende shumë për të bërë.

Në Shqipëri udhëheq një qeveri, 2 ish-zëvendëskryeministrat e së cilës akuzohen dhe hetohen për korrupsion, pastrim parash, shumë kryetarë bashkish dhe zyrtarë të tjerë po ashtu. A ka shqetësim në Parlamentin Evropian për një situatë të tillë?

Sigurisht që ka dhe në raporte të ndryshme janë ngritur këto çështje dhe dua të them se është e rëndësishme që Zëvendëskryeministrat dhe zyrtarë të tjerë politikë janë përgjegjës. Prandaj çdo gjë që do të sjellë hapje, përfshirë këtu edhe heqjen e imunitetit është e rëndësishme, sepse nëse dikush nuk ka probleme duhet të jetë tërësisht i hapur për tu gjykuar. Mendoj se është një sinjal vërtetë i rëndësishëm. Është një sinjal shqetësues, por një sinjal i rëndësishëm që këto probleme potenciale duhet të vihen në dritë. Prandaj le të kthehemi tek protestat në rrugë. Nuk janë vetëm për mjedisin. Këto janë për demokracinë dhe janë për zbatimin e ligjit.

Parlamenti Evropian jo pak herë ka ngritur shqetësime edhe për lirinë e medias. Ju po jepni intervistë në një televizion të rëndësishëm informativ dhe kritik me qeverinë, i cili 1 vit më parë u mbyll arbitrarisht dhe gazetarët u nxorën me dhunë nga mjediset e punës. Si e vlerësoni këtë zhvillim?

Liria e medias është një termometër i demokracisë. Nuk ka mundësi të kesh një shtet dhe qeveri demokratike pa hapësirë ​​frymëmarrjeje pa një media të lirë. Prandaj është e papranueshme që ka pasur presione dhe se ka pasur mënyra për të mbyllur ose për të frikësuar gazetarët. Ju kemi probleme me paditë, që është vërtetë një problem, sepse njerëzit kanë frikë se në qoftë se flasin hapur, do të jenë subjekt i organeve të drejtësisë dhe nuk do të kenë mundësi të paguajnë të gjitha paratë për të ndjekur çështjen e tyre. Është në detyrën e institucioneve, Komisionit Evropian që të ndjekin nga shumë afër se çfarë po ndodh në vend, sepse pa liri të medias nuk ka demokraci dhe nuk ka anëtarësim në Bashkimin Evropian.

A mendoni se çështjet e lirisë së medias mund të ndikojnë në ecurinë e integrimit evropian?

Sigurisht që Po! Sikundër shpjegova më herët, media është termometër i demokracisë. Nuk ka asnjë mënyrë të injorohet se në qoftë se media nuk është e lirë, populli nuk është i lirë dhe qytetarët nuk janë të mirë informuar. Prandaj kjo rrezikon të krijojë më shumë presion. Dhe Komisioni Europian nuk mund të heqë dorë nga kjo dhe nuk do të heqin dorë, sepse është pjesë e kritereve të Kopenhagës, është pjesë e kapitujve negociues kur flitet për demokracinë dhe përgjegjësinë. Ata duhet të bëjnë presion për përmirësime.

Pas kësaj vizite në Shqipëri dhe takimeve që do zhvilloni, cfarë mesazhi do përcillni në Parlamentin Evropian?

Për ne, si familje politike është e rëndësishme të dëgjojmë dhe të kuptojmë se çfarë po ndodh këtu. Tu tregojmë qytetarëve që jemi afër tyre dhe se shpresojmë vërtetë që Shqipëria do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Mesazhi im për kryeministrin Rama se duhet të dëgjojë se çfarë po ndodh në mënyrë që të puojë së bashku me qytetarët dhe jo kundër qytetarëve. Mesazhi im drejtuar familjes politike të cilës i përkas, socialdemokratëve, është se ata duhet të bëjnë vërtetë presion që kjo situatë të mos vazhdojë kështu dhe se ka një hapësirë ​​frymëmarrjeje dhe se duhet mbrojtje të natyrës në këtë vend. Sa na takon ne, ju mund të mbështeteni tek ne, sepse ky “Revolucion i Flamingove” është një moment demokracie. Është thirrja e këtyre njerëzve, të cilët thonë: “kemi nevojë për ndihmën tuaj”. Mendoj se sa i takon institucioneve evropiane dhe eurodeputetëve tanë, të paktën s ana takon ne, keni mbështetjen tonë 100%.

Intervista- Kryeministri i ri hungarez: Fundi i një regjimi vjen kur njerëzit nuk kanë më frikë prej tij, madje fillojnë të qeshin me të

HUNGARI- Kryeministri i ri i Hungarisë, Peter Magyar, ka deklaruar në një intervistë për revistën gjermane Der Spiegel se fundi i epokës së Viktor Orbánit erdhi në momentin kur qytetarët nuk kishin më frikë nga pushteti dhe filluan ta sfidonin hapur atë. Gjatë intervistës, ai tregon se dy vite më parë nuk kishte asnjë ambicie për tu përfshirë në politikë. Por më pas, ish-anëtari i partisë Fidesz tha se u shkëput nga sistemi i ndërtuar nga Orbán dhe nisi angazhimin publik pas një interviste që tërhoqi miliona shikues.

Sipas Magyarit, pas 16 vitesh qeverisjeje të Orbánit, qytetarët u lodhën nga propaganda, korrupsioni dhe mungesa e transparencës. Magyar vlerësoi se propaganda funksionon vetëm kur përmban një pjesë të së vërtetës, ndërsa pretendimet e qeverisë së mëparshme nuk bindën më votuesit. Ai nënvizon se populli e votoi për të bërë një shkëputje të plotë nga e kaluara.

-Ju e nisët rrugëtimin dy vjet më parë si një figurë e panjohur politike dhe tani keni arritur të mposhtni Viktor Orbán, kreun më jetëgjatë në BE, një lider që e rrënoi demokracinë në vendin e tij. A pati një moment të vetëm kur menduat: Kjo mund të funksionojë?

Në fakt, unë s’kisha ndërmend të hyja në politikë. Dikur isha anëtar i partisë së Orbánit Fidesz, por më pas u shkëputa nga sistemi. Në shkurt 2024 dhashë një intervistë për median online Partizán.

Ajo u pa nga gati 3 milionë njerëz, gjë që më befasoi vërtet. Një muaj më vonë organizova një protestë kundër korrupsionit dhe klientelizmit. Erdhën 50 mijë vetë. Tre javë më pas ishin 200 mijë. Ndoshta ai ishte momenti.

-Megjithatë njerëzit e Orbán kontrollonin pjesën më të madhe të mediave dhe aparatin shtetëror…

Unë kam qenë gjithmonë shumë mosbesues nëse mund të fitohej përballë një regjimi të tillë, aq më tepër me një shumicë si ajo që arritëm. Por u bëra vërtet optimist vetëm në gjysmën e dytë të vitit 2025.

-Si e shpjegoni që pas 16 vitesh klima ndryshoi papritur kundër sistemit?

Arsyet janë të shumta. Hungarezët janë shumë të durueshëm, por e duan lirinë. Kishte shumë gënjeshtra, shumë korrupsion, shumë propagandë. Dhe pas kaq vitesh, dolëm ne, një forcë jashtë sistemit, që donte sinqerisht të fitonte dhe që tha: Do të punojmë me ndershmëri dhe transparencë, do të mbrojmë qytetarët tanë.

-Orbán i fitoi zgjedhjet e mëparshme me slogane shumë polarizuese kundër Brukselit apo emigrantëve. Së fundmi, ai përmendi edhe një kërcënim të pretenduar nga Ukraina. Pse votuesit nuk i besuan më këto narrativa?

Njerëzit mësohen me propagandën e vazhdueshme dhe në fund e kuptojnë. Propaganda funksionon vetëm kur përmban një grimcë të së vërtetës. Ne arritëm të tregojmë se pretendimet e Orbán nuk kishin bazë reale.

Fundi i një regjimi vjen kur njerëzit nuk kanë më frikë prej tij, madje kur fillojnë të qeshin me të. Pikërisht kjo ndodhi edhe në Hungari. Motoja ime që në fillim ishte: “Mos kini frikë!”. Edhe dy vjet më parë thosha se pushteti i Orbánit dukej shumë më i fortë sesa ishte në të vërtetë.

-Çfarë mësimesh mund të nxjerrin demokratët në vende të tjera nga suksesi juaj në përballjen me autokratët?

Nuk besoj se ekziston një recetë universale. Ne thjesht punuam me ndershmëri dhe shumë përkushtim. Politika ka të bëjë me njerëzit. Që votuesit të të besojnë, duhet të shkosh tek ata, t’i shikosh në sy dhe t’i dëgjosh.

Gjatë fushatës vizitova mbi 700 qytete e fshatra. Në disa vende shkova 5 ose 6 herë. Isha më shumë në rrugë sesa në shtëpi. Të tjerët menduan se mjaftonin rrjetet sociale dhe televizioni. Por kjo nuk është e mjaftueshme.

-Si po reagon tani aparati i pushtetit i poshtëruar? Orbán në thelb e kishte kapur shtetin; besnikët e tij ndodhen në çdo hallkë të pushtetit…

Vendi ynë ishte një shtet i marrë peng. Ka ende shumë besnikë të tij në sistem. Për shembull në Këshillin e Mediave. Por edhe presidenti i Gjykatës së Lartë dhe prokurori i përgjithshëm janë njerëz të Orbánit. Pra sigurisht që kemi hasur rezistencë.

Por këtë e prisnim. Këta njerëz duhet të largohen. Ata e tradhtuan shtetin e së drejtës, demokracinë dhe popullin hungarez. Askush prej tyre nuk reagoi kur gjyqtarë, gazetarë, artistë apo qytetarë të thjeshtë u fyen dhe ndaj tyre u shpif.

As kur Orbáni i quajti kritikët e sistemit “parazitë” që duhej të shtypeshin. Njerëzit nuk votuan për një ndryshim të thjeshtë qeverie, por për një ndryshim sistemi.

-Ju keni kërkuar që një sërë figurash të fuqishme besnike të Orbánit të japin dorëheqjen vullnetarisht, madje edhe presidenti Tamás Sulyok…

U përpoqëm të ishim shumë korrektë. Ai mund të largohej me dinjitet. Nuk e bëri këtë, me gjasë nën presionin e Orbánit. Ata po përpiqen të pengojnë ndryshimin e sistemit, ndoshta për të mos lejuar zbardhjen e krimeve: mashtrime dhe përvetësime me vlerë miliardash. Është ironike të shohësh ata që për 16 vjet dobësuan shtetin e së drejtës, tani të pretendojnë se po e mbrojnë atë. Ne kemi një shumicë të paprecedentë, mbi dy të tretat, dhe mund të ndryshojmë kushtetutën. Populli na votoi për të bërë një shkëputje të plotë nga e kaluara. Na duhen njerëz dhe rregulla të reja, si dhe rikthimi i balancave dhe kontrollit institucional.

-A ekziston rreziku që, me një shumicë kaq të madhe, të bini në tundimin e qeverisjes autoritare?

Unë kam propozuar kufizimin e mandatit të kryeministrit në tetë vjet dhe kjo vlen edhe për mua. Do të ndërmarrim hapa të tjerë për të parandaluar abuzimet me pushtetin si ato të 16 viteve të fundit.

-A keni frikë se do të vazhdojë polarizimi i shoqërisë?

Ne duam të ribashkojmë kombin. Nuk ishte një betejë “hungarez kundër hungarezit”, por sistemi i Orbánit kundër popullit. Duhet të përballemi me të kaluarën, por ata që janë përgjegjës duhet së pari të kërkojnë falje dhe të mbajnë përgjegjësi. As Orbáni nuk e ka bërë këtë.

Ai nuk po merr pjesë në parlament. Nuk dëshiron përballje me popullin. Kur të përfundojë fushata publike e urrejtjes dhe propagandës, do të jetë më e lehtë të bashkohemi. Shpresoj që në tetor të festojmë 70-vjetorin e Revolucionit të vitit 1956 në një vend më të bashkuar.

-Orbán është kritikuar për politikat e tij pro-ruse. A do të mbështesë Hungaria dërgimin e ndihmave për Kievin?

Ne duam marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinje. Në çdo vend fqinj ka pakica hungareze. Mbi 100 mijë hungarezë jetojnë vetëm në Ukrainë. Për shembull, ata nuk lejohen të përdorin gjuhën e tyre në administratë apo kopshte.

Jemi në negociata për këtë çështje. Nëse garantohet mbrojtja e pakicave, dhe unë jam optimist, do të takohem me presidentin Volodymyr Zelensky dhe do të hapim një kapitull të ri me Ukrainën. Por nuk do të dërgojmë armë apo trupa.

-A do të mbështesni paketat e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë?

Nëse ka konsensus në Bashkimin Evropian, sigurisht që do t’i mbështesim sanksionet. Ashtu siç bëri edhe Orbán në fund të fundit, pavarësisht retorikës së tij të brendshme.

Analiza e Radio France: “Revolucioni i Flamingove” po sfidon Ramën. Mobilizimi i parë i madh qytetar kundër gjithë kastës politike

Analizë e Radio France mbi situatën në Shqipëri me një intervistë të një eksperti | Çfarë po ndodh aktualisht në Shqipëri? Kush po proteston, kundër çfarë, dhe që kur kanë nisur këto protesta?

Miguel Roán, ekspert i Ballkanit perëndimor:

Shqipëria po përballet me mobilizime qytetare prej pak më shumë se një jave kundër një mega-projekti të zhvillimit urban të planifikuar në gadishullin e Zvërnecit, i cili përfshin ishullin e Sazanit dhe lagunën e Nartës, pranë Vlorës. Kjo është një nga zonat më të vyera të vendit në aspektin ekologjik, e lidhur me deltën e lumit Vjosa, që konsiderohet si lumi i fundit i egër i madh në Evropë. Këto mobilizime janë pagëzuar si “Revolucioni i Flamingove”, si referencë ndaj shpendëve që popullojnë lagunën.

Megjithatë, kjo lëvizje shkon përtej çështjes mjedisore. Bëhet fjalë për mobilizimin e parë të madh qytetar dhe të pavarur në Shqipërinë bashkëkohore: jopartiak, transversal, i udhëhequr nga të rinjtë, kuadro, banorë vendas dhe organizata ekologjike. Kjo lëvizje po kundërshton si partinë e kryeministrit Edi Rama, ashtu edhe atë të opozitës. Shkëndija që ndezi protestën ishte mbërritja e ekskavatorëve, kur rojet e një kompanie private sigurimi ushtruan dhunë ndaj liderëve të protestës në praninë pasive të policisë.

Flitet për Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trump, dhe Ivanka Trump, vajzën e tij. Cili është saktësisht roli i tyre dhe pse ky projekt ngjall aq shumë reagime, përtej shkatërrimit të ekosistemeve që denoncojnë OJQ-të?

Ivanka Trump dhe Jared Kushner janë në krye të kësaj iniciative. Jared Kushner ka pranuar se bëhet fjalë për një investim masiv që kalon vlerën e një miliard eurove për të ndërtuar një kompleks turistik luksoz në ishullin e Sazanit dhe në bregdetin përballë tij. Pjesëmarrja e tyre i jep që në fillim një dimension ndërkombëtar këtij konflikti. Kritikët vlerësojnë se bëhet fjalë për një operacion politik për të mbështetur figura që janë në shënjestër të drejtësisë sepse ekziston edhe një problem i madh pronësie. Prej një dekade, ka pasur konflikte të shumta mbi pronësinë e këtyre tokave, që në të kaluarën u përkisnin për përdorim popullatave lokale. Këta banorë papritmas e gjejnë tani veten të privuar nga hapësirat që i shfrytëzonin historikisht me të drejtë.

Në çfarë mënyre qeveria e Edi Ramës i ndryshoi rregullat për t’i dhënë dritën jeshile këtij projekti të kontestuar?

Kjo zonë gëzonte statusin e “peizazhit të mbrojtur” që nga viti 2004 dhe mbrohej nga një ligj për zonat e mbrojtura që nga viti 2017. Një ligj i ri, i cili hyri në fuqi në vitin 2024 dhe që fillimisht ishte konceptuar për të plotësuar kriteret evropiane, integroi disa klauzola toleruese për motive të “interesit ekonomik”. Për shumë qytetarë, ky projekt simbolizon problemet strukturore që po e gërryejnë Shqipërinë prej vitesh. Edi Rama e ka ndërtuar strategjinë e tij mbi tërheqjen e ethshme të investitorëve të huaj dhe mbi aleancat diplomatike të drejtpërdrejta me figura si Donald Trump, Benjamin Netanyahu apo Giorgia Meloni, pa asnjë kompleks ideologjik, megjithëse ai vetë drejton një parti të qendrës së majtë. Dhuna e ushtruar në terren ka njollosur seriozisht imazhin e tij si një lider modern, duke shpërfaqur një udhëheqës që përqendron pushtetin dhe mban lidhje të dyshimta me afaristë të vënë nën akuzë nga drejtësia.

Gjatë marshimeve, njerëzit thërrasin se “Shqipëria nuk është në shitje”. Çfarë tregon kjo për modelin e zhvillimit ekonomik të vendit?

Kjo është një çështje shumë ambivalente, nuk është aq e thjeshtë. Turizmi në Shqipëri ka dy anë të medaljes. Nga njëra anë, kontributi ekonomik është i pamohueshëm. Trafiku në aeroportin e Tiranës është shumëfishuar me 200 herë gjatë viteve të fundit, duke e rreshtuar vendin ndër destinacionet kryesore. Kjo hapje ndërkombëtare ka qenë pozitive për një shoqëri thellësisht të traumatizuar që kaloi nga diktatura e Enver Hoxhës në një tranzicion brutal drejt ekonomisë së tregut, me një shoqëri sot të minuar nga emigracioni masiv i të rinjve. Megjithatë, ky model zhvillimi ka rënë në anarki. Bregdeti është betonizuar me nxitim, shpesh pa leje ndërtimi dhe pa studime të ndikimit në mjedis. Janë krijuar zona turistike të mbyllura, krejtësisht të paarritshme për vetë shqiptarët, qoftë sepse janë privatizuar, qoftë sepse janë jashtëzakonisht të shtrenjta.

Ky projekt në Shqipëri ngjan me një tjetër projekt për një kompleks luksoz të udhëhequr nga Jared Kushner në Beograd të Serbisë, i cili gjithashtu ka ngjallur protesta të ashpra. Pse ekziston ky interes i madh për Ballkanin vitet e fundit?

Ata gjejnë atje hapësira thjesht “transaksionale” dhe një mjedis ku interesat ekonomike private dhe pushteti politik gërshetohen pa pasur kundërpesha të vërteta, as nga drejtësia , as nga opozita apo nga mediat sepse pushteti në fuqi kontrollon thuajse gjithshka. Ballkani ofron hapësira të mëdha natyrore ende të egra, me çmime të tokës dhe kosto të fuqisë punëtore shumë të ulëta.
Familja Trump tentoi të njëjtën gjë në Beograd, duke kërkuar të shndërronte ish-Shtabin e Përgjithshëm të ushtrisë të bombarduar nga NATO në vitin 1999 – një vend me ngarkesë të fortë emocionale për serbët – në një hotel luksoz. Ky projekt sot është i bllokuar, por ai ilustron mungesën totale të ndonjë filtri moral kur bëhet fjalë për të bërë biznes, si dhe ndërthurjen e plotë mes funksioneve diplomatike të Jared Kushner dhe interesave të tij private.

A është ky projekt simptomë e një shkarjeje që po ndodh dhe gjetiu në Ballkan?

Absolutisht, kjo nuk është një specifikë vetëm shqiptare. Në Kosovë, Serbi, Bosnjë apo Maqedoninë e Veriut, përqendrimi i pushtetit ka pësuar rritje eksponenciale gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, ndërsa treguesit e demokracisë dhe lirisë së shtypit kanë rënë. Për dhjetë vjet, procesi i zgjerimit evropian mbeti i ngrirë, duke u dhënë mundësi liderëve si Edi Rama të grumbullojnë një pushtet të pamasë pa asnjë kontroll të jashtëm.

Sa i përket Shteteve të Bashkuara, marrëdhënia e tyre me rajonin tashmë është thjesht transaksionale: motivet që lidhen me demokratizimin janë fshirë, ndërsa sjelljet autoritare tolerohen për sa kohë që ato lejojnë ruajtjen e lidhjeve ekskluzive të biznesit. Ironia më e madhe është se prokuroria antikorrupsion (SPAK) që u desh të ndërhynte në këtë çështje, u krijua dhe u financua fillimisht pikërisht nga Uashingtoni dhe Brukseli.

A mund ta detyrojë ky mobilizim Edi Ramën të tërhiqet?

Lëshimet që ai mund të bëjë janë të mundshme, por Edi Rama ka investuar një kapital politik tepër të madh për t’u tërhequr vërtet pas. Protestat janë domethënëse, por për momentin nuk kanë një volum kritik të mjaftueshëm për të kërcënuar qeverinë e tij të bjerë. Nga ana tjetër, ato nuk mund të përvetësohen nga asnjë parti opozitare. Ky është i njëjti problem si në Serbi: një mobilizim i madh popullor, por me një vështirësi të madhe për t’u përkthyer në një forcë politike të aftë për të rivalizuar pushtetin në fuqi. Kjo krizë nxjerr në dritë përçarjen totale që ekziston në Ballkan mes klasës politike dhe shoqërisë civile, si dhe paaftësinë e kësaj të fundit për t’u strukturuar në mbrojtje të interesit të përgjithshëm.

Intervista- Zeka: Gazi nga SHBA-ja, vendimtar për sigurinë kombëtare të Kosovës

Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane.

 

Nadije Ahmeti

Në kohën kur Shtetet e Bashkuara po rrisin praninë e tyre energjetike në Ballkanin Perëndimor, në Kosovë është rikthyer debati për furnizimin me gaz të lëngshëm natyror nga SHBA-ja.

Diskutimi vjen mes përpjekjeve të Uashingtonit për t’i diversifikuar burimet energjetike në rajon dhe nevojës së Kosovës për të siguruar stabilitet afatgjatë në sektorin e energjisë.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka prezantuar tashmë një dokument, i cili trajton çështjen e gazit të lëngshëm natyror nga SHBA-ja në Evropë dhe potencialin e tij për Kosovën.

Drejtori ekzekutiv i kësaj ode, Arian Zeka, vlerëson në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se gazi amerikan mund të luajë rol kyç në forcimin e sigurisë energjetike të Kosovës, duke theksuar se siguria energjetike sot është e barasvlershme me sigurinë kombëtare.

*Intervistën e plotë me zotin Zeka mund ta shikoni në videon më poshtë:

Në kontekstin e zhvillimeve globale, përfshirë konfliktet, çrregullimet në zinxhirët e furnizimit dhe luhatjet e çmimeve, ai thotë se është e domosdoshme që Kosova t’i kthehet seriozisht çështjes së gazit.

Një alternativë e tillë, sipas tij, do ta ndihmonte vendin të ulë varësinë nga importi i energjisë elektrike dhe të sigurojë stabilitet më të madh në çmimet e rrymës.

Por, Zeka e konsideron shqetësuese mungesën e një qëndrimi të qartë institucional për përfshirjen e Kosovës në rrjetet rajonale të gazit.

“Gjithçka varet nga vullneti politik. Ndoshta jemi pak mbrapa në aspektin e legjislacionit ose të infrastrukturës ligjore. Financimi mund të sigurohet lehtë për këtë projekt. Prandaj, mungesa e qartë e një zotimi të Qeverisë, se Kosova do të bëhet pjesë e një infrastrukture të tillë, është pak paradoksale”, thotë Zeka.

Ai thekson se nga investitorët amerikanë ka interes dhe gatishmëri konkrete për të investuar në sektorin energjetik në Kosovë.

Ambasada amerikane në Prishtinë, përmes një postimi në Facebook më 28 maj, theksoi se “Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për të bashkëpunuar me Kosovën në avancimin e zgjidhjeve energjetike të sigurta dhe të diversifikuara, si dhe për të tërhequr investime të ardhshme”.

Në vitin 2021, Kosova hoqi dorë nga projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit, i financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e SHBA-së.

Atëkohë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se “nevojiten më shumë informacione për të qenë të sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin energjetik”.

Por, në Samitin Trans-Atlantik për Sigurinë e Gazit, të mbajtur në shkurt në Uashington, Rizvanolli, tani ministre në detyrë, shprehu gatishmërinë e Kosovës për t’u furnizuar me gaz natyror nga SHBA-ja, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si vendimtar për ndërtimin e një sektori të sigurt energjetik.

Në fillim të këtij muaji, Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Ekonomisë me pyetje lidhur me planet konkrete për lidhjen me rrjetin rajonal të gazit, ndërtimin e infrastrukturës përkatëse dhe bisedimet me palën amerikane, por nuk ka marrë përgjigje.

Gjatë javëve të fundit, SHBA-ja dhe kompani amerikane kanë nënshkruar marrëveshje miliardëshe me disa vende të Ballkanit Perëndimor për projekte energjetike në rajon.

Kosova, megjithatë, ka mbetur jashtë kësaj vale investimesh.

I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Energjisë, Joshua Volz, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se sistemi energjetik i Kosovës ka nevojë urgjente për modernizim – çfarë krijon mundësi të mëdha për industrinë amerikane që të investojë.

Megjithatë, ai ka theksuar se projektet e mëdha do të varen nga vetë Kosova, përkatësisht përmirësimi i mjedisit biznesor dhe rregullator në vend.


Send this to a friend