VOAL

VOAL

November 13, 2015

Komentet

SHEN NËNË ANGJELINA ARBËRORE (3)- Nga Lutfi ALIA Siena – Itali

 

Familjet fisnike arbërore Arianiti, Muzaka, Kastrioti, Gropa, Bua, Matrenga, Zenevishti etj., ishin të besimit ortodoks dhe një ndër pjestarët e këtyre familjeve ishte i shugruar prift, ose murg, që shërbenin në kishat dhe manastiret ortodokse në trojet e principatave të tyre, madje ndër ata ishin dhe ipeshkëv e Patriark Ekumenik të Kostantinopojës. Jo vetëm burrat, por dhe gratë fisnike arbërore u shquan në ruajtjen e besimit ortodoks, si Mamica Kastrioti e cila rindërtoi kishën e Shen Antonio në Kepin e Rodonit, ku kaloi vitet e fundit të jetës, si dhe ndërtoi manastirin e Shen Kiara i vetmi manastir me murgesha në trojet Arbërore. Edhe Andronika Kastrioti kontribuoi me ndihma për kishat ortodokse, sidomos në kishën e Shen Mehillit, të cilën e frekuentonte shpesh me dhurata. Andronika kishte në pronësi ikonën bizantine Zonja e Jonë e Strehës të Mëkatarëve, të cilën e mbante në dhomën e saj, madje e mori me vehte kur shkoi në Pulja, në Napoli dhe në Valencia. Kjo ikonë e famëshme ruhet në kriptën e Sant’Angeli në manastirin e Trinitetit të Shenjtë të Valencias. Edhe princesha Irena Dushmani, pasi i vranë të fejuarin Lek Zakaria, me ndihmën e françeskanëve të Shkodrës, iku në Sardenja ku u shugrua murgeshë.
Ndër gratë fisnike arbërore, në veçanti u shqua Angjelina Arianiti, e shuguruar murgeshë dhe e shpallur shenjëtore nga kisha ortodokse bizantine: Shen Nënë Angjelina, admirohet dhe nderohet nga besimtarët hungarezë, vllahë, sllovenë, serbë, boshnjakë, rumunë, austriakë, italianë, grekë, kosovar dhe shqiptarë.

Shen Nënë Angjelina, shpirti i shenjtë arbëror.

Shugurimi murgeshë ortodokse e Angjelinës nuk ishte rastësi, por një vokacion shpirtëror me zanafillë në vitet e fëmijërisë. Nëna e Angjelinës, Maria Muzaka Arianiti shkonte shpesh në kishat në trojet e dinastisë Arianiti dhe gjithmonë merrte Angjelinën e vogël, të cilës i kishte mësuar lutjet dhe pjesë nga ungjilli. Këtë edukim fetar, Angjelina e rrëfen në kujtimet e saj: “Nëna na mbronte me besim në fe dhe me forcë në jetë. Gjithmonë më mbante pranë, më mësonte sekretet e jetës, më merrte në kishën e Shen Marisë në Sopot, ku faleshin para ikonës të Zonjës së Papërlyeme, ndërsa në Kaninë frekuentonin Qishë-Bardhën, ku ishte celebruar martesa e motrës time Andronika me Gjergj Kastriotin. Së bashku luteshim, merrnim pjesë në liturgjitë hyjnore dhe në meshat që organizoheshin në këto kisha”.
Në vitet 1456 – 1462 Angjelina jetoi në Durrës. Në vitin 1461, u martua me Stefanin III Brankoviç. Dasma u zhvillua në Durrës dhe martesa u konsakrua në kishën ortodokse Shen Maria të Durrësit. Në mars të vitit 1463, Stefani III, Angjelina me djalin Gjergji që ishte lindur në vitin 1462 në Durrës, emigruan në Venecia, me shpresë se Serenissima do t’i ndihmonte, sepse Stefani III, ishte patric venecian dhe Angjelina, sipas marrëveshjes të Gjergj Arianitit me Dozhën Foskari, ajo dhe familja ishin në mbrojtje të Serenissima. Në Venecia, fillimisht bujtën në kuvendin Shen Françesku i Dezerto, ku me porosi të Selisë së Shenjtë, i vizitoi Ipeshkëvi i Modena Jakopo Antonio della Terra. [Aleksandar Fotic (2008). Famiglia Brankovič. Enciclopedia dell’Impero Ottomano. New York: Pubblicaz.. di Infobase. pp. 93 – 94].
Në Venecia, Stefani dhe Angjelina nuk gjetën përkrahjen që shpresonin. Në këto rrethana, u detyruan të shpërngulen në Friuli, ku u vendosën në kështjellën e Belgradit në jug-perëndim të Udine, në periferi të qytetit Varmo pranë lumit Taliamento, kështjellë të cilën Stefani III dhe e motra Katarina, ia kishin blerë kontit Leonardo i Gorizia. [Aleksandar Fotic. Despina Mara Brankovič and Chilandar: Between the Desired and the Possible. Beograd 2000, pp. 91 – 96]
Në kështjellën e Belgradit u lindën tre femijë: vajza Milica (1464 – 1554; u martua me Bessarab V Negoja, Vojvoda e Vllahisë); djali Jovani (1465 – 1502; u martua me Jelena Jakšič) dhe vajza Maria (u lind më 1466, u martua me baronin Bonifaci III i Monferrato. Maria vdiq më 27 gusht 1495). [Biandrate di San Giorgio, Ragionamento familiare f. 473r-v; Goria 1971; Fasolio 2023, p. 519 sgg].
Djali i madh Gjergj Brankoviči, ishte lindur në Durrës në vitin 1462. Në vitin 1487 u martua me Isabella del Balzo, e bija e Angilberto del Balzo Orsini, duka i Nardò, konti i Ugento dhe Presiçe. Nëna e Isabellës ishte arbëreshia Jelisaveta Milica Spani. Isabella vdiq në vitin 1498. Gjergji e përjetoi me dhimbje humbjen e bashkëshortes, madje kjo ishte arsyeja që e nxiti të dorëzohet murg me emrin Maksim dhe t’i dedikohet jetës manastiriale bashkë me nënën Angjelina. Murgu Maksim ishte dhe metropoliti i Beogradit. Maksimi vdiq më 18 janar 1516 dhe pak vite më pas kisha ortodokse e shpalli shenjëtorë. [Franca Petrucci. Angilberto del Balzo: Dizionario biografico degli Italiani. Volume 36, 1988].
Angjelina me fëmijët jetoi 12 vite në kështjellën e Belgradit. Megjithë premtimet, Republika Oligarkike Veneta nuk e ndihmoi familjen Brankovič, e cila po kalonte situata të vështira ekonomike. Në një dokument të Arkivit të Shtetit të Venecia, përshkruhet skena kur Stefani III Brankoviç u preznatua para dozhës për t’i kërkuar ndihma: “Il 15 maggio 1472, nella magnifica sala del palazzo ducale di Venezia, il doge si apprestava a concludere la mattina delle udienze e fece cenno al valletto affinché introducesse l’ultimo dei postulanti. Si stagliò, nel riquadro della porta altissima la figura di un vecchio ossuto le cui mani, tese in avanti, denotavano il procedere di un cieco. Con voce querula, propria dei vecchi, egli rammentò di essere fin dal 1453 (30 dicembre) «patrizio veneto» ed inginocchiandosi davanti al doge chiese aiuto e sussidio per la propria famiglia. Si seppe poi che il principe veneto aveva dato disposizioni affinché fossero erogati 25 ducati all’anno al cieco ed alla sua famiglia”. “Më 15 maj 1472, në sallën Madhështore të Pallatit Dukal në Venecia, Dozha vendosi ta mbylli udiencën e mëngjezit dhe i bëri shenjë shërbyesit, të ftonte personin e fundit që kishte bërë këkrkesë për takim. Në portën e lartë të sallës spikati figura e një të moshuari trupmadh, me duart e shtrira përpara, si vepron një person i verbër. Me zërin rënkues si i të moshuarve, rikujtoi se nga fundi i vitit 1453 (30 dhjetor) ishte Patric Venecian dhe duke u ulur në gjunjë para Dozhës i kërkoi ndihmë dhe mbështetje financiare për familjen e tij. Më pas u konfirmua se princi venecian i akordoi 25 dukate në vit për të verbërin dhe familjen e tij”. Në vitin 1475, Stefani III, përsëri i kërkoi ndihmë dhe Venediku i dha 20 dukate nga arka e Udines, por më pas Serenissima ia ndërpreu ndihmat. [Archivio di stato di Venezia, Fondo archivistico del Luogotenente della Patria del Friuli, busta 271, registro F, c. 81 t.]
Më 9 tetor 1476, vdiq dhespoti Stefani III Brankoviç. E varrosën provizorisht në kapellën e Shen Maria në kështjellën e Belgrado në Udine. Angjelina, së bashku me fëmijët qëndroi dhe dy vite në kështjellën e Belgradit, por krahas vështirësive ekonomike, iu desh të përballet dhe me armiqësinë e fqinjëve. Rreth kësaj kështjelle banonin gruppe etnie të ndryshme si italianë, gjermanë, sllovenë dhe arbërorë. Në veçanti, banorët italianë kishin krijuar raporte konfliktuale me Angjelinën, sidomos shqetësimet u shtuan pas vdekjes të Stefanit. Herë pas here ata kryenin veprime provokuese dhe megjithë lutjet e Angjelinës, ata vazhdonin ta bezdisnin. Për të shuar këtë konflikt të nxitur nga banorët italianë, konti Leonardo i Goricia i kërkoi Vendikut, të ndërhynte që këta banorë agresivë të ndërprisnin provokimet ndaj fisnikes Angjelina, sepse ata nuk po e kuptonin se po shqetësonin një simbol të dy kombësive, që ishin pushtuar dhe po masakroheshin nga egërsia e ushtrisë të Perandorisë Osmane. [Mario Giovanni Battista Altan. Stefano Brancovic, Despota Di Serbia ed il castello di Belgrado nel Friuli (Sec. XVI), Venezia 1981, pp. 15 – 28].
Pas vdekjes të Stefanit III, gjendja ekonomike e familjes u përkeqësua. E informuar për këtë situatë, Serenissima urdhëroi luogotenencën e Friulit, t’i dorëzoi Angjelinës dhe katër fëmijëve 10 dukate të artë në vit, për tre vite në vazhdim. [Milko Kos, I Brancovic di Serbia e i conti di Gorizia. “Casopis za slovenski jezik, knjizevnost in zgodovino», Izdala «Matica Slovenska» v Ljubijani, 1920, pg. 92 e segg.]
Duke parë se ndihmat e Serenissima ishin të pa mjaftushme dhe të përkohëshme, Angjelina dhe kunata e saj Katarina Brankoviç vendosën ta shesin kështjellën e Belgradit. Së pari i kërkuan kontit Leonardo i Goricia ta riblente, por ai refuzoi. Në këto rrethana u detyruan ta hypotekojnë kështjellën fisnikut bizantin Matteo Spaduxhino, kavalier dhe kont palatin, burri i Endokia, kushërira e Katarinës. Konti Spadaxhino ishte në shërbim të perandorit të Austrisë Frederiko III i Absburgëve. Problemet me këtë kështjellë vazhduan dhe në vitet e më pasme, kështu rezulton se Teodori, i biri i Spadoxhino hoqi dorë nga pronësia, situatë që e shfrytëzoi konti Leonardo i Goricia, i cili në vitin 1494 e shiti kështjellën për 3000 dukate të artë, por në një dokument tjetër të më vonshëm rezulton se e ribleu. [Miotti T, Castelli del Friuli, voI. n°, (Il castello di) Belgrado, Castelli del Friul/~ Gastaldie e giurisdizioni del Friuli centrale, Ed: Del Bianco, Udine, 1979, pg. 54 e sgg]. [Franz Babinger, Le vicende del castello friulano di Belgrado sul finire del medioevo, Atti dell’Accademia di Udine, serie VII”, voI. Ilo (1957-1960), pgg. 247-248].
Në vitin 1478, Angjelina i dërgoi letër dhe i kërkoi ndihmë Perandorit të Austrisë Frederikut III, i cili e ftoi dhe i dhuroi një kështjellë në Dukatin e Stiria, në juglindje të Austrisë, fqinje me Karincia dhe me Slloveninë. Angjelina me fëmijët jetoi rreth 10 vite në Stiria, me mbështetje financiare nga Perandori Frederiku III. Në Stiria, mori dhe arkmortin me lipsanet e bashkëshortit Stefani III Brankovič. Në vitin 1485, Perandori Frederiku III Absburg, ndërmjetësoi te Angjelina për martesën e vajzës Maria, me markezin Bonifacio III i Monferrato, pasardhës i dinastisë Paleologu i Bizantit në Itali, fisnik shumë i pasur. Bonifacio III ishte 61 vjeç, ndërsa Maria 19 vjeçe. Nga kjo martesë, lindën dy djem. Maria jetoi në mirëqenie. Pas vdekjes të Bonifacit III më 1494, bashkë me dajën e vet, Kostantin Arianitin administruan pronat në Monferrato që trashëgoi, por pas dy vite, gjendja shëndetësore e Maries u keqësua dhe në vitin 1496 vdiq. [Lutfi Alia, Kostantin Arianiti Komneni: Issue.com, Mars 2014].
Në Stiria, Angjelina frekuentonte rregullisht kishën Shen Maria e Abacisë Benedektine Admont, aty kreu noviciatin dhe në vitin 1480 u shugurua murgeshë. Në vitin 1485, rezulton një letërkëmbim i murgeshës Angjelina me Hirësinë e tij Nikolla Nefoni II, Patriarku Ekumenik i Kostantinopojës, i cili e kishte të atin arbërore. Angjelina i lutej Patriarkut Nifon, ta ndihmonte për të përballuar gjendjen e vështirë ekonomike. Nefoni II, ndikoi te princi i pasur i Vllahisë Vlad Kalugarul, të mbështeste me ndihma finan-ciare murgeshën Angjelina. Ndihmat e princit, Angjelina i përdori për të hapur disa manastire në Stiria. Nefoni II vdiq në vitin 1508 dhe kisha ortodokse e shpalli shenjëtor në vitin 1517. [Historia politica et patriarchica Costantinopoles, Capitolo X: Patriarca Nipho, (trans. Martin Crusius), 1564, pp. 12].
Në janar të vitit 1486, Angjelina mori një letër nga mbreti i Hungarisë, Mattia Korvino, i cili e ftonte të jetonte në Hungari, por me kusht që të merrnin trashëgimin dinastike dhe djali Gjergji të pranonte dinjitetin e dhespotit të Serbisë, ani se Serbia ende ishte pushtuar nga Perandoria Osmane, por në këtë mënyrë të nxitej populli për të luftuar kundër pushtuesve. Angjelina pranoi ftesën dhe së bashku me dy djemtë, me arkmortin me lipsanet e bashkëshortit Stefani III, nga Stiria shkoi në Vjenë dhe nga aty me anije lundruan në Danub për në Buda dhe vazhduan lundrimin për në distretin e Srem-it në Vojvodina, asi kohe në zotërim të mbretërisë Hungareze. Në shkurt të vitit 1486 u sistemuan në kështjellën e qytezës Kupin (aktualisht Kupinovo), kështjellë që ndodhej në një ishull të lumit Sava. Në Kupinovo Angjelina, tashmë murgeshë, ndërtoi kishën e Shën Luka Apostolo dhe aty vendosi arkmortin me lipsanet e Stefanit III, që u bë objekt i peligrinazheve nga besimtarët ortodoksë hungarezë, vllah, serbë, sllovenë e boshnjakë. Një vit më pas ndërtoi manastirin e Obed dhe manastirin në Sretenje ku shërbeu murgeshë. Pranë kishës të Shen Luka, Angjelina ndërtoi një kishë të vogël, të cilën banorët vendas e quajnë Kisha e Shen Angjelinës, e cila u rikonstruktua në vitin 1858, kishë që funksionoi deri në vitin 1930. Edhe në komunën Zakuti (Gruža) është një kishë tjetër e dedikuar Shen Nënë Angjelinës. [Slobodan Mileusnić, (2000). Santi Serbi. Novi Sad: Prometeo. p 123-125].
Në Srem, në vitin 1498 vdiq Isabella. Gjergji e përjetoi me dhimbje humbjen e bashkëshortes, madje abdikoi titullin e dhespotit dhe atë vit u shugurua murg, sipas rregullave manastiriale mori emrin Maksim dhe shërbeu fillimisht krah nënës Angjelina. Murgu Gjergj Brankoviçi, nga viti 1508 deri në vitin 1516, ishte Metropolitan i kishës ortodokse Hungaro – Vllahe dhe më pas Metropolitan i Beogradit. Në vendin e Gjergjit, titulli dhespot i Serbisë i kaloi Johanit, djalit të dytë. Në një kronikë të Bosnjës, dëshmohet një betejë e madhe e kryengritësve hungarezë, bosnjakë, vllah dhe serbë kundër forcave të Perandorisë Osmane, betejë e udhëhequr nga djali i Angjelinës, dhespoti Johan, i cili në këtë kronikë theksohet si ushtarak i aftë dhe strateg lufte. [Momčilo Spremič. 2004. La famille serbe des Brankovič, considerations et hèraldiques. Istituto per i libri di testo e gli ausili didattici. 41; pp. 441 – 452]
Më 10 dhjetor 1502, dhespoti Johan vdiq dhe e varrosën në kishën e Shën Luka pranë të atit Stefani III. Pas vdekjes të djali Johani, titullin dhespot e mori Ivani, nga familja kroate Berislavić. Në këtë situatë, Angjelina dhe murgu Maksim humbën të drejtat e pronësisë, që i ishin njohur me kusht nga mbreti Mattia Korvino, andaj u detyruan të braktisin Hungarinë dhe shkuan në Vllahi, të ftuar nga e bija Milica dhe dhëndërri Bessarab V Negoja, Vojvoda e Vllahisë. Në Vllahi qëndruan 7 vite, ku Angjelina u impenjua në organizimin e kishës ortodokse vllahe, ku ndërtoi disa kisha dhe manastire.
Duke parë se ajo vetë nuk ishte në gjendje të mbante të gjithë manastiret, i shkruan një letër prekëse Princit Vasili III Ivanovič – Grand Duka i të gjitha Rusive, të cilit i kërkoi të ndihmonte për mbarëvajtjen e këtyre manastireve. Në këtë letër Angjelina i shkruan: “Pushtetit tonë po i vjen fundi, ndërsa i tëndi sa vjen e rritet, prandaj ju kërkoj të marrish përsipër detyrën, për tu kujdesur e për të ndihmuar kishat dhe manastiret e shenjta, të ngritura prej të parëve tuaj të përshpirtshëm dhe nga të parët e mi”. Natyrisht Vasili III Ivanoviç e mirëpriti kërkesën e murgeshës Angjelina dhe i dërgoi ndihma, që i garantuan mbarëvajtjen dhe aktivitetet e kishave dhe të manastireve, që ajo kishte ngritur në Vojvodina dhe në Vllahi, si dhe më pas i përdori në ndërtimin e Lavrës të Krušedolit. [Aleksandar Fotic (2008). Famiglia Brankovič. Enciclopedia dell’Impero Ottomano. New York: Pubblicaz.. di Infobase. pp. 93 – 94].
Në vitin 1509, me ndihmën e nipit Jakšič Nagoya, Angjelina dhe Maksimi u vendosën në trevën e Sirmia në malin Fruška Gora të Vojvodinës, ku në Krušcedol ndërtuan manastirin e murgeshave. Në vitin 1512, në kishën e këtij manastiri u varrosën lipsanet e Stefanit III dhe të Johanit, të cilët ishin kanonizuar shenjëtorë nga kisha ortodokse. Katër vite më pas, në këtë manastir u varros dhe djali Maksim – mitropoliti i Beogradit, i cili vdiq më 8 janar 1516 dhe ai u shpall shenjëtor nga kisha ortodokse. Manastiri i Krušcedol është santuar i rëndësishëm dedikuar Virgjëreshës Maria. Manastiri quhet dhe “Fari shpirtëror” i orto-doksisë. [Momčilo Spremič, 2004. Ascesa interrotta: terre serbe nel tardo Medioevo. Belgrado: Istituto per i libri di testo e gli ausili didattici. p. 335.4].

Litografi e Manastirit në Krušedol, realizuar në vitin 1775 nga Zaharija Orfelin.
Fotografi aktuale e Manastirit me kishën në qendër, ku janë vendosur lipsanet e Shën Angjelinës, të Shen Stefanit, të Shen Johanit dhe të Shen Maksimit.

Në manastirin e Krušedol, Nëna Angjelin hapi një mencë dhe ndërtoi një fjetore për pelegrinët e shumtë që vizitonin dhe luteshin në kishën e Manastirit. Aty krijoi një bibliotekë të pasur me libra. Në një dokument dioqezian, Ipeshkëvi i Dioqezës të Srem-it, thekson: “Angjelina, nga prindërit kishte marrë edukim arsimor të shkëlqyer, çka e shprehte me dashuri për librat dhe me bibliotekën e pasur që kishte krijuar në Manastirin e Krušedol. Angjelina ishte grua e bukur, e mençur, kurajoze dhe me dashuri të madhe për librat”.
Një ndër veprimtaritë e veçanta të Nënë Angjelinës ishte mbledhja e bimëve mjekësore dhe përgatitja e çajrave të shumtë, që i përdorte për kurimin e të sëmurëve, që frekuentonin manastirin dhe të banorëve të kësaj zone. Me boçet e trëndafilave të egër, të pasura me vitamina C, Angjelina përgatiste një çaj që ua jipte fëmijëve dhe pelegrinëve të sëmurë, ndërsa me gjethet e trëndafilave përgatiste shirupin aromatik dhe të shijshëm, që murgeshat, banorët dhe pelegrinët e quanin “Shirupi i Nënë Angjelinës”. Çdo vit në manastirin e Oreškovica, në nderim të Shen Nënë Angjelinës, tradicionalisht prodhojnë shirup trëndafili dhe çajra të ndryshëm me bimë mjekësore, ndërsa me frutin e trëndafilave (boçia e kuqe) përgatisin marmallata, shirupe, çaj dhe likò me emrin e Shen Nënë Angjlinës. [Svetlana Tomin. Madre Angelina: despota e suora Angelina Branković Santa Madre Angelina. Sremski Karlovci: Diocesi di Srem, 2016, pp. 8 – 14].
Krahas rolit si Badessa – kryemurgesha në organizimin e aktiviteteve në manastire, për lutje, liturgjitë ungjillore dhe meshat me murgeshat, Nënë Angjelina impenjohej personalisht në takimet me besimtarët, madje besimtarët vendas dhe pelegrinët që vinin nga trevat e tjera, insistonin ta takonin të merrnin bekimin nga kryemurgesha. Si murgeshat dhe besimtarët që vizitonin manastiret e saj i drejtoheshin duke e quajtur Nënë Angjelina, e bekuara Nënë, e nderuara Nënë, e adhuruara Nëna e jonë, çka shprehnin nderim, adhurim, dashuri dhe respekt për misionin e saj si murgeshë e përkushtuar.
Në një dorëshkrim të një murg anonim që shërbente në manastirin e Krushedol në shekullin XVI, për krymurgeshën Nënë Angjelina thekson: “Në shërbimet e të adhuruarës Angjelina shpreheshin virtytet e krishtera të jetës së saj askete, mëshirmadhësia, durimi dhe mençuria, përkushtimi i saj si bashkëshorte dhe sakrificat e Nënës, sepse ajo i ishte e përkushtuar tërësisht Zotit”. Në një paragraf tjetër, murgu anonim shkruan: “Nënë Angjelina ishte burrneshë, trime, këmbëngulëse, e papërkulur para vëshirësive, e përkush-tuar besimtarëve që e takonin, e lidhur shpirtërisht më pjestarët e familjes, andaj i mori me vete lipsanet e bashkëshortit Stefani III dhe të djalit Johani dhe i vendosi bashkë në manastirin Krušcedol, ashtu si dikur vepronin rreth Testamentit të Vjetër, me bindjen se lipsanet e tyre do të ndihmonin në shërimin e të sëmurëve, kësisoj do të bënin mrekulli”. [Franz Babinger, Das Ende der Arianiten, Miinchen, bei CB. Beck (Accademia di Scienze lettere e arti di Monaco di Baviera), Wien Verlag 1960 pg. 15].
Gjatë viteve të shërbimit të devotshëm si murgeshë, vetëm rreth Fruška Gora, Nënë Angjelina ngrijti 35 manastire, të cilët shtrihen në një territor 50 km të gjatë e 10 km të gjërë. Në shekujt XV – XVII në këto manastire strehoheshin klerikët dhe banorët e përndjekur nga pushtuesit osmanë. Ndër 10 manastiret në luginën dhe në malin Ovčar, me i preferuari nga besimtarët ishte manastiri i Trinitetit të Shenjtë dhe Anuncionit në Sretenje, sepse aty Nënë Angjelina organizonte festën e ditës të Purifikimit të Virgjëreshës dhe të takimit të Jezu Krishtit me Simonin.

Manastiri i Trinitetit të Shenjtë në malin Ovčar, ku u varros fillimisht kryemurgesha Nënë Angjelina.

Mosha dhe impenjimet intensive në aktivitetet si kryemurgeshë, kishin ndikuar në përkeqësimin e shëndetit të Nënë Angjelinës. Në pranverën e vitit 1520, shkoi në Manastirin Triniteti i Shenjtë në Sretenje, ku kaloi muajt e fundit të jetës, e kujdesur me devocion nga murgeshat.
Më 30 korrik 1520, e adhuruara dhe shumë e dashura Nënë Angjelina ndërroi jetë, u ngjit në amshim, duke lënë pas dhimbje, lot dhe një boshllëk të madh shpitëror për mugeshat, murgjit, priftërinjt dhe për besimtarët e shumtë. Si e kishte lënë porosi, Nënë Angjelinën e varrosën në manastirin e Trinitetit të Shenjtë në Sretenje. Në funeralin e Nënë Angjelinës morën pjesë një numër shumë i madh banorësh dhe besimtarësh nga treva të shumta, të cilët asistuan për t’i bërë nderimet të bekuarës Nënë Angjelina. Një vit më pas, lipsanet e Nënë Angjelinës i transferuan në manastirin e Krushedol, i vendosën krah varrit të Stefanit, Johani dhe Maksimit. Një vit më pas, Kisha Ortodokse e shpalli shenjëtore Shën Nënë Angjelina.

Pjesa IV vijon në numërin e ardhshëm

NAIM FRASHËRI NË LETËRSINË SHQIPE DHE PERSIANE (IRANIANE) – Nga Prof. MA Luan TASHI Prishtinë

 

Letërsia është ndikuar gjithmonë nga zhvillimet historike, politike sociale dhe kulturore. Në hapësirat e Ballkanit, ndërveprimet e para midis popujve nisën përmes gjuhës dhe vazhduan përmes traditave, kulturës dhe letërsisë. Gjatë pesëqind vjet sundimi të Perandorisë Osmane në Ballkan, pothuajse të gjitha gjuhët ballkanike u ndikuan nga turqishtja. Pas pranimit të islamit, përmes turqishtes u përhapën edhe elemente të arabishtes dhe persishtes, të cilat hynë edhe në gjuhën shqipe.

Ndër vendet e Ballkanit, Shqipëria ka pasur gjithmonë një rëndësi të veçantë, që lidhet drejtpërdrejt me marrëdhëniet historike dhe kulturore midis shqiptarëve dhe turqve. Në veprat e para të shkruara në gjuhën shqipe gjatë shekujve XVI dhe XVII, ndikimi i turqishtes është tepër i dukshëm. Gjatë kësaj periudhe, rritja e numrit të fjalëve turke dëshmon gjithashtu zgjerimin e fjalorit shqip. Deri në fillim të shekullit XX, Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Osmane dhe njohja e poezisë, e letërsisë dhe e kulturës persiane, luajti rol të rëndësishëm në përhapjen e persishtes. Duke marrë parasysh praninë letërsisë persiane në kombet e ndryshme, ndikimi i saj mbi poetët e Ballkanit nuk është befasues. Edhe Naim Frashëri, një nga poetët më të rëndësishëm të letërsisë së Shqipërisë, shkruajti dhe botoi në persisht, kësisoj ushtroi ndikim në letërsinë persiane të fund-shekullit XIX.

Orientalistja dhe studijuesja shqiptare Genciana Abazi-Egro (1970-2024) ka konstatuar se ndikimi i parë i turqishtes mbi shqipen ishte kryesisht në nivel leksikor. Ajo vëren se ekzistojnë rreth 4,000 fjalë turke në gjuhën shqipe. Ky fenomen mund të shpjegohet nga fakti që Shqipëria ishte nën ndikimin e adminsitratës osmane, e cila e kishte ndaluar përdorimin e gjuhës shqipe. Fjalët e para turke që hynë në shqip në shekullin XV – XVI lidhen kryesisht me luftën, veshjet dhe pajisjet shtëpiake. Gjatë sundimit Osman në Ballkan, të gjitha gjuhët ballkanike u ndikuan nga turqishtja; megjithatë, nuk ishte i njëjtë për të gjitha gjuhët. Afanasy Matveevich Selishchev (socio-linguist dhe dialektolog rus (1886-1942) thekson se fjalët turke janë më shumë në gjuhët sllave dhe në shqip, më pak në rumunisht dhe në greqisht.

Pas pranimit të islamit, turqishtja u përhap në vendet ballkanike dhe përmes saj në shqip hynë elemente të arabishtes dhe persishtes. Fillimisht kjo ndikoi vetëm gjuhën si shprehje e kulturës së re, duke sjellë koncepte
për shoqëritë ballkanike. Ndërveprimet e hershme gjuhësore më pas u pasuan nga ndikimi kulturor, tradicional dhe letrar, fillimisht me veprat letrare gojore në turqisht, më pas në arabisht dhe persisht.

Ndikimi islamik në letërsinë shqiptare u bë i dukshëm në shekullin XVIII. Zhvillimi i qyteteve shqiptare dhe intensifikimi i aktiviteteve sociale dhe ekonomike krijuan kushtet për formimin e një shtrese të re shoqërore. Me zhvillimin e qyteteve në frymën e civilizimit osman, u ngritën medrese, teqe dhe zavije (vend i mësimit fetar), ndërsa brenda këtij konteksti u formuan përfaqësuesit e parë të kulturës, artit dhe letërsisë. Nevoja kulturore dhe artistike e kësaj shtrese të edukuar në medreset osmane e përbërë nga pjesëtarë të kulturës islame solli lindjen e një letërsie të re, ku veprat e para u shkruan në turqisht nën ndikimin e letërsisë arabe dhe persiane.

Disa nga veprat më të rëndësishme të letërsisë shqiptare u krijuan nga vëllezërit Sami dhe Naim Frashëri, si dhe nga Vaso pashë Shkodrani (turqisht: İşkodralı Vaso Paşa; 1825-1892, i njohur në letërsinë shqipe si Pashko Vasa). Gjatë periudhës osmane, arsimimi dhe përdorimi i gjuhës islame bëhej kryesisht në turqishtja, gjuha e administratës, ndërsa për ata që merreshin me artin, letërsinë dhe kulturën, gjuha e ndjenjave dhe mendimeve ishte persishtja. Osmanët themeluan medrese dhe teqe në qytete të ndryshme të Shqipërisë, ku mësohej gjuha dhe letërsia persiane. Teqet e bektashive shërbenin si vendet ku lexoheshin dhe përjetoheshin veprat klasike të letërsisë islame. Një nga këto teqe, që kontribuoi në zhvillimin e mendimit “tasavvuf” (rrugë shpirtërore drejt afërsisë me Zotin) dhe përhapjen e gjuhës persiane mes shqiptarëve, u themelua në fshatin Frashër të rrethit të Përmetit. Në këtë teqe u formuan figurat më të shquara të letërsisë dhe mendimit shqiptar, përfshirë vëllezërit Dalip, Shahin, Sherif, Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri.

Derisa Shqipëria mbeti pjesë e Perandorisë Osmane deri në fillim të shekullit XX, populli i saj mësonte islamin, poezinë persiane dhe kulturën iraniane kryesisht përmes turqishtes. Kjo ndikoi në përhapjen e gjuhës persiane (farsi) në këto territore dhe bëri që figura të rëndësishme fetare shqiptare, si shehët dhe mësuesit nëpër medreset, të vlerësonin gjuhën dhe kulturën iraniane/persiane. Disa studiues theksojnë se përhapja e kulturës iraniane në Shqipëri u mundësua edhe nga tasavvufi dhe tarikatet Bektaşi, dhe se qendra e tyre në qytete si Shkodër, Korçë, Berat dhe Elbasan ka kontribuar në përhapjen dhe ndikimin e letërsisë persiane.

Naim Frashëri

Naim Frashëri u lind më 25 maj 1846 në fshatin Frashër, në atë kohë Vilajeti i Janinës. Naimi ishte djali i Halit Frashërit, i cili ishte timar bej (zyrtar i lartë që administronte pronën tokësore e dhënë nga sulltani, por jo pronarë i saj) dhe pjesëtar i një familjeje të arsimuar. Nëna e tij, Emine, u lind në familjen me origjinë nga Ilaz Bej Mirahori, 1408-1511 (komandant ushtarak dhe guvernator shqiptar në Perandorinë Osmane, i cili
shërbeu pranë sulltanit Bayezid II), i njohur për shërbimet ndaj fesë islame, veçanërisht ndaj Bektashizmit.

Naim Frashëri ishte vëllai i madh i Samiut, gazetar, leksikograf dhe gjuhëtar i shquar i letërsisë turke pas periudhës së Tanzimatit. Naimi kreu arsimin fillorë në fshatin e tij, në shkollë ku mësohej në gjuhën turke, por
Ai frekuentoi dhe mësimet e arabishtes dhe të persishtes në teqen e Bektashive të fshatit.

Fotografia e Naim Frashërit, në arkivin e muzeut të shkollës së parë shqipe në Korçë.

Pas vdekjes së Halitit, babait të Naimit në vitin 1859 dhe të nënës Emine, dy vite më vonë, vëllai i tij Abdyli u largua për në Janinë për të nisur aktivitetin e tregëtisë. Në vitin 1865, Abdyli mori dhe familjen Frashëri në Janinë, ku Naimi së bashku me vëllanë Samiun kryen arsimin në shkollën “Zosimea” në Janinë, në të njejtën shkollë ku mësuan edhe rilindasit shqiptarë, si: Konstantin Kristoforidhi, Jani Vreto, Ismail Qemali e shumë të tjerë. Gjatë studimeve në Zosimea, vëllezërit Frashëri u njohën me zhvillimet moderne kulturore të Evropës, përfshirë letërsinë franceze, që kishte ndikim të madh mbi ata. Gjatë kësaj periudhe Naimi mësoi greqishten, frëngjishten dhe italishten.

Në Janinë frekuentoi dhe medresenë, ndoqi mësime nga mësues të njohur, si Jakup Efendia, i cili e ndihmoi të zhvillojë njohuritë e tij në arabisht dhe persisht. Në këtë periudhë, Naimi filloi të lexonte poezi nga autorë të shquar të letërsisë persiane, si Hâfız Ahmed Sa’dî (? – 1882) dhe Firdevsî Çelebi (1453-1517), duke thelluar kështu interesin e tij për poezinë.

Pas përfundimit të shkollës së mesme në vitin 1871, së bashku me Samiun, shkuan në Stamboll, ku punuan në “Matbuat Kalemi” (“Matbuat” në turqisht i referohet botimeve të shtypura, si gazeta, revista etj.). Sipas nipit të Naimit, Mid’hat Frashërit (alias: Lumo Skendo; 1880-1949), gjatë qëndrimit në Stamboll, Naimi punoi si mësues i persishtes për një periudhë të shkurtër. Mid’hati shkruan: “Naimi të premteve dhe të dielave nuk shkonte në zyrë. Në ato ditë unë kisha mësime në persisht. Së bashku lexuam të gjithë Gülistân-in, Bûstân-in dhe disa pjesë nga Hafizi.(Gülistân në persishte “Kopshti i trëndafilave” vepër e poetit persian Sa’di Shirazi; Bûstân në persishte “Kopshti” është vepra e Sa‘dit; ndërsa Hâfiz-i ishte poeti i famshëm persian Hafiz Shirazi, i njohur për Divanin e tij, një përmbledhje me gazele dhe poezi mistike, dashurie dhe filozofike).

Në atë periudhë, Naimi përgatiti një gramatikë e gjuhës persiane për studentët turq, e cila ishte vepra e tij e parë, libri i gramatikës persiane “Kavâʻid-i Fârsiyye ber-Tarz-ı Nevîn” (Rregullat e persishtes sipas metodës së re), e botuar në Stamboll në vitin 1871.

Gjatë qëndrimit në Stamboll, Naimi u sëmur nga tuberkulozi dhe vendosi të kthehej në Shqipëri, duke punuar një periudhë si funksionar admistrate në Berat, ndërsa gjatë viteve 1874-1877, nëpunës në doganën e Sarandës.

Naimi kishte adaptuar mbesën Asije. Pas vdekjes së prindërve, Asija u rrit nën kujdesin e xhaxhait të saj Naim Frashërit; kjo rrethanë shpjegon pse ajo njihej si “vajza e madhe e Naimit” Në kontekstin e jetës së Asije Frashërit, vajzës së Sherif Frashërit, vëllait të të familjes Frashëri, është e rëndësishme të theksohet se në vitin 1878, Murad Bej Toptani (1866‑1918) atdhetar, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet dhe skulptor, u njoh me Asijen, e cila në atë periudhë studionte në Liceun “Notre Dame de Sion” në Stamboll. Më vonë, Asija do të bëhej bashkëshortja e Murad Bej Toptanit dhe kjo është rrethana pse Muradi konsiderohej si dhëndri i Naim Frashërit, poetit të shquar shqiptar.

Gjatë qëndrimit në Janinë, në vitin 1873, Naimi filloi të shkruante poezitë e tij të para në persisht. Këto poezi u mblodhën më vonë në një revistë të quajtur Tahayyülât (Ëndrrat), e cila u botua në Stamboll në vitin 1885. Gjatë periudhës 1879-1881, jetoi përsëri në Janinë, por për shkak të intensifikimit të veprimtarisë politike dhe lëvizjeve të grupeve nacionaliste greke, Naimi dhe familja e tij në fillim të vitit 1882 u zhvendosën në Stamboll.

Për shkak të aftësive të tij të shprehjes në fushën e letërsisë dhe përkthimeve, u caktua si anëtar i Encümen-i Teftiş ve Mu’ayene (Këshilli i Inspektimit dhe i Shqyrtimit) pranë Ministrisë Osmane të Arsimit dhe më vonë u emërua kryetar i këtij komiteti.

Naimi vdiq në Stamboll në vitin 1897 dhe u varros në varrezat e Teqes së Bektashinjëve të Merdivenköy (lagje në rrethin e Kadikoj në Stamboll). Më 1937 eshtrat e tij u sollën në Shqipëri dhe u rivarrosën në Kryegjy-shatën Bektashiane në Tiranë. Më 10 qershor 1978 eshtrat e tij dhe të vëllezërve u rivarrosën në Kodrat e Liqenit në Tiranë. Data e saktë e vdekjes ka qenë subjekt diskutimi. Bursalı Mehmed Tahir Beu (shkrimtar, studiues, ushtarak dhe deputet turk, i njohur për veprat e tij biografike dhe bibliografike; 1861-1925), vdekjen e Naimit e caktoi në vitin 1897, ndërsa Muhammed Aruç në Encyclopaedia Islamica, datën e vdekjes e ka regjistruar 19 nëntor 1900. Studiues perëndimorë, shqiptarë dhe iraniane konfirmojnë vdekjen e Naimit në vitin 1900.

Veprat e Naim Frashërit

Naim Frashëri ishte një nga poetët më kryesorë të Shqipërisë dhe veprat e tij pasqyrojnë përpjekjen për të bashkuar traditën sufiste me filozofinë perëndimore [tasavvufin (sufizëm – tradita shpirtërore dhe mistike brenda Islamit) që synon pastrimin e shpirtit, afrimin me Zotin dhe jetesën e brendshme shpirtërore]. Poezitë e tij reflektojnë ndikimin e Bektashizmit, si dhe idetë e tij nacionaliste për Shqipërinë, duke shërbyer si themel i ideologjisë së tij shpirtërore dhe artistike. Bursalı Mehmed Tahir Beu e përshkruan Naimin si poet të lindur me talent të jashtëzakonshëm.

Naim shkroi në shqip, turqisht dhe farsi/persisht. Veprat e tij në shqip u botuan kryesisht nga shoqëria shqiptare Drita në Bukuresht. Shumica e tyre ishin abetare dhe tekste për nxënësit e shkollave fillore, duke përfshirë përralla në stilin e La Fontaine (Jean de La Fontaine; 1621-1695), vepra mësimore për historinë e popujve dhe shteteve të ndryshme, si dhe përvoja etike dhe morale për fëmijët, të shkruara në formë proze dhe poezie.

Në vitin 1886, Naimi shkroi një vepër poetike prej 450 vargjesh mbi blegtorinë dhe bujqësinë, ndërsa në vitin 1890 botoi një përbledhje poetike të titulluar Lulet e Verës, duke shprehur identitetin kombëtar shqiptar, dhe modernizoi lirikën shqipe. Po ashtu, shkroi një kronikë poetike për Skenderbeun midis viteve 1890-1895, si dhe Qerbelaja (Kerbelâ, i referohet qytetit në Irak, i njohur kryesisht për Betejën e Karbalës, shpesh lidhet me sakrificën, martirizimin, tek myslimanët shiitë), një poemë epike mbi historinë islame.

Përveç kësaj, Naimi përktheu nga greqishtja në shqip Iliadën e Homerit dhe botoi katër libra të përkthyera në gjuhën greke: “Ύμνος στην Ελευθερία” Himni i Lirisë, Bagëti e Bujqësi, fragmente të Divanit, Katër Stinët;

Në vitin 1886 botoi një libër në Bukuresht, dhe më 1895 një në Stamboll.

Shkrimet e tij në shqip, si poezi ashtu edhe prozë, rritën vlerën e gjuhës shqipe në kulturën kombëtare dhe sot vazhdojnë të përdoren si baza e mësimit të letërsisë në shkollat shqipe. Naimi është themeluesi i formës së “gazelit” (formë poetike tradicionale lindore) në letërsinë shqipe, një formë që ai e përdori për herë të parë në veprën e tij mbi blegtorinë dhe bujqësinë. Poezitë e tij përmbajnë reflektime filozofike mbi unitetin e ekzistencës, pasigurinë dhe frikën, duke u kombinuar me romantizmin evropian, dhe duke u dhënë gazeleve një dimension universal dhe njerëzor. Në Lulet e Verës, ai trajton jetën dhe vdekjen, kalimin e kohës dhe kujtimet, si dhe dashurinë dhe përkushtimin ndaj krijuesit të botës, duke i kombinuar me filozofi. Poezia epike, përfshirë Historia e Skënderbeut dhe Qerbelaja prej 9.000 vargjesh, shpreh themelin e letërsisë epike shqipe.

⦁ Kavâʻid-i Fârsiyye ber-Tarz-ı Nevîn (Rregullat e persishtes sipas mënyrës së re)
Ky është një libër gramatikorë persian, i shkruar me shpjegime në turqisht për studentët turq, dhe është vepra e parë e Naim Frashërit. Libri u botua në Stamboll në vitin 1871 nga Shtëpia Botuese Şirket-i Mürettibiye Matbaası (Shtypshkronja e Kompanisë Mürettibiye). Libri Kavâʻid-i Fârsiyye ber-Tarz-ı Nevîn është libri i parë
modern persian i gramatikës i shkruar në stil perëndimor.

Libri përbëhet nga gjithsej 65 faqe. Në faqen e parë, autori ka shënuar si ʻan-aʻzâ-yı Encümen-i Ma’ârif (anëtar i Komitetit të Arsimit). Libri fillon me një hyrje të shkurtër dhe përfshin dy seksione kryesore dhe gjashtë kapituj. Për shkak se Naimi kritikonte sistemin e mësimit të persishtes në institucionet osmane, ai përdori këtë libër si bazë për të krijuar një metodologji të re të mësimit të persishtes.

⦁ İhtirâât ve Keşfiyyât (Zbulime dhe shpikje)
Libri İhtirâât ve Keşfiyyât (Zbulime dhe shpikje) në kopertinë Naimi është i nënshkruar si M. Naʻîm (turqisht: Mehmed Naîm Frâşirî). Libri u botua në vitin 1881 në Stamboll, në Shtëpinë Botuese “Mihran Matbaası”. Vepra përbëhet nga një hyrje dhe një përfundim dhe ka gjithsej 76 faqe.

Në hyrje, Naimi kritikon librat e mëparshëm për mënyrën se si ata trajtojnë historinë e njerëzimit, duke theksuar se informacioni i dhënë është i pjesshëm dhe jo i mjaftueshëm: “Ashtu siç është e panjohur gjatësia e kohës që ka kaluar nga paraqitja e njeriut e deri në fillimin e epokave historike të regjistruara, po ashtu edhe gjendjet e këtyre kohërave, më parë, vetëm deri diku mund të kuptoheshin prej miteve të popujve të lashtë dhe prej disa librave dhe poezive që sillnin rrëfime të natyrës legjendare; megjithatë, ato ende ndodheshin brenda një errësire plot dyshime.

Në pjesën hyrëse, autori paraqet njëzet e dy vargje të marrë nga prologu i Shahnamasë (persisht: Şehnâme) së Abul-Kasim Firdevsî (një prej veprave më të rëndësishme të letërsisë persiane dhe një nga poemat epike më të mëdha në botë), të cilat rrëfejnë shfaqjen e parë të njerëzimit. Në këtë mënyrë, referencat e para lidhur me njerëzimin në İhtirâât ve Keşfiyyât (Zbulime dhe shpikje) burojnë nga mitologjia persiane, konkretisht nga epopeja Shahname. Kjo na lejon të kuptojmë se edhe Naïmi besonte se njeriu i parë është shfaqur fillimisht në malet e Iranit. Pra, Shahnameja e Firdevsît përfaqëson pikën epistemologjike të Naimit për të kuptuar origjinën e njerëzimit, duke treguar influencën e thellë të literaturës persiane mbi mendimin e tij historik dhe filozofik.

⦁ Fusûl-i Erba’a (Katër stinët)

Vepra Fusûl-i Erba’a (Katër stinët) përshkruan dashurinë e dy të rinjve, të cilët ndihen dhe veprojnë sipas ndryshimeve të stinëve të vitit, ka gjithsej 127 faqe. Libri u botua në vitin 1883 në Stamboll, në Shtëpinë Botuese Mihran Matbaası. Në faqen e parë, autori është shënuar si M. Naʻîm (turqisht: Mehmed Naîm Frâşirî), ndërsa mbi ballinë gjendet shprehja: “Fransızcadan ma’h̬ ūz̠ dur” (Është marrë nga frëngjishtja). Ky shënim ka nxitur diskutime mbi origjinën e romanit. Nëse vepra është përkthim, si ndodh në rastin e përkthimit të Iliadës së Homerit, autori origjinal mund të mos jetë përmendur. Megjithatë, ekziston mundësia që Naimi të ketë marrë temën dhe personazhet nga një vepër e letërsisë franceze.

Sipas studiuesit Nasho Jorgaqi (1931-2022), analiza e ideve të përmbajtjes sugjeron se ky roman është një krijim origjinal i Naim Frashërit. Në këtë kontekst, edhe profesoresha dhe albanologia Agnija Desnickaja (1912-1982) nga Universiteti i Leningradit, e njohur për studimet e saj mbi gjuhën shqipe dhe letërsinë shqiptare, ka konkluduar se vepra nuk është përkthim, por një krijim origjinal i autorit, bazuar në tiparet e kompozicionit dhe stilit. Romani ka strukturë të shkurtër dhe ndahet në katër seksione kryesore, secili i ndarë më tej në nënkapituj. Sejcilit seksion i është dhënë emri i stinës përkatëse në arabisht. Seksioni i parë, rabî’ (pranvera), përmban 25 nënkapituj të shkurtër; seksioni i dytë, sayf (vera), ka 38 nënkapituj; seksioni i tretë, harif (vjeshta), përbëhet nga 24 nënkapituj; ndërsa seksi i katërt, şita (dimri), ka 13 nënkapituj të shkurtër.
Fusûl-i Erba’a (Katër stinët) është një roman liriko-narrativ i kushtuar dashurisë. Ai nuk ka një rrëfim kronologjik të ngjarjeve, por vendos dashurinë e dy të rinjve në kontekstin e natyrës dhe stinëve të ndryshme. Personazhet janë një vajzë dhe një djalë të paemërtuar, dhe dashuria e tyre paraqitet kryesisht përmes shëtitjeve në natyrë përgjatë katër stinëve të vitit. Gjendja psikologjike e personazheve paraqitet në harmoni të plotë me natyrën, e cila shërben si dëshmi e dashurisë.

Motivi kryesor i romanit pasqyron traditën e poezisë lindore: dashuria midis zogut (zakonisht bylbylit) dhe trëndafilit. Flora e pasur dhe lule të ndryshme si trëndafili, karafili, zambaku, jasemini dhe borziloku, përdoren për të theksuar stinët dhe tiparet karakteristike të natyrës. Përveç kësaj, perceptimi poetik i jetës reflekton mentalitetin dhe kulturën e kohës dhe vendit ku jetonte Naim Frashëri, duke përfshirë elementë të identitetit dhe estetikës lokale.

⦁ Farsça Eserleri “Hayaller” (Vepra persisht “Imagjinime”)
Në poezinë e tij në gjuhën persiane, Naim Frashëri frymëzohet nga klasikët e mëdhenj të Farsit (gjuhës persiane), si Ferîdüddîn Attâr-i Nişâbûrî, Mevlânâ Celâleddîn-i Belhî dhe Şeyh Saʻdî-i Şîrâzî. Bukuria e poezive të tij nuk qëndron vetëm në faktin që ato dëgjohen në një gjuhë të huaj, por edhe në mjeshtërinë e përdorimit të figurave të Farsit, shprehjeve dhe detajeve që shfaqen në tekst. Poezia e tij karakterizohet nga thjeshtësia dhe rrjedhshmëria; nuk ka lëvdata të vetvetes, servilizëm, ekzagjerim apo paragjykim. Në vend të kësaj, ka qëllim, mësimin dhe urtësinë.

Një nga veprat e tij kryesore në këtë gjuhë persiane është Tahayyülât (imagjinime), një koleksion poetik i botuar në vitin 1885 në Stamboll, në Shtëpinë Botuese Mihran Matbaası. Vepra përbëhet nga 24 poezi, të shkruara të gjitha në formën e Mesnevî-së (formë e veçantë poetike në letërsinë orientale, veçanërisht në literaturën persiane, osmane dhe turke), ku ndikimi i dukshëm i Mesnevî-së së Mevlânâ-s është i pranishëm. Çdo poezi ka një titull dhe në pjesën e poshtme, vitin e shkrimit. Në total, Tahayyülât përmban 501 vargje.

Nga pikëpamja e stilit dhe të figurës letrare, vargjet e Naim-it nuk janë të pasura në metafora komplekse, por përmbajnë figura me natyrë kryesisht emocionale; megjithatë, herë pas here shfaqen elemente të pasura të personaliteteve letrare. Tahayyülât shpreh një kombinim të filozofisë islame dhe misticizmit sufist, duke reflektuar ndjenjat njerëzore dhe trajtuar tema të tilla si jeta dhe vdekja, bukuria dhe dashuria, misteri i universit, fuqia hyjnore dhe natyra njerëzore.

Konferenca ndërkombëtare e mbajtur në Teheran në nderim të poetit shqiptar Naim Frashëri

Posteri i konferencës ndërkombëtare dedikuar Naim Frashërit (4 mars 2017).

Në datën 4 mars 2017, në Teheran u organizua Konferencë ndërkombëtare kushtuar mendimtarit dhe poetit shqiptar Naim Frashëri, me temën “Studimi i mendimit të Naim Frashërit”. Ky aktivitet akademik përbën një moment të rëndësishëm në afirmimin e figurës së Naim Frashërit në arenën ndërkombëtare, duke nxjerrë në pah jo vetëm dimensionin e tij kombëtar, por edhe lidhjet e tij me kulturën dhe letërsinë persiane.
Konferenca u mbajt në sallën e konferencave “Shehid Motahari” në Tarbiat Modares University në Teheran. Organizatorët theksuan rëndësinë e këtij aktiviteti, duke evidentuar kontributin e Naim Frashërit si poet, dijetar dhe njohës i literaturës persiane. Përmes kësaj konference, studiuesit patën mundësinë të shqyrtonin dimens-ionin “persoiranologjik” të veprës së tij, duke analizuar aftësitë e tij në gjuhën persiane, ndikimin e kulturës iraniane mbi krijimtarinë e tij, si dhe rolin e tij në afirmimin e identitetit kombëtar shqiptar.

Qëllimi kryesor i konferencës ishte promovimi i dijes për Naim Frashërin jo vetëm brenda botës shqiptare, por edhe për publikun iranian dhe akademik ndërkombëtar. Përmes referimeve dhe punimeve shkencore të prezantuara, u bë e mundur një pasqyrë e thelluar e mendimit dhe veprës së Naimit, duke evidentuar ndikimet historike, kulturore dhe gjuhësore që formësuan krijimtarinë e tij letrare. Konferenca përfshiu gjithashtu botime të veçanta dhe aktet shkencore të lidhura me Naim Frashërin, të cilat ofruan një burim të vlefshëm për studime të mëtejshme në fushën e albanologjisë dhe iranologjisë.

Ky aktivitet shërben si një mjet për fuqizimin e lidhjeve ndërkulturore, duke evidentuar përputhjet dhe dialogun ndërmjet dy traditave letrare dhe intelektuale, atë shqiptare dhe iraniane. Konferenca theksoi se Naim Frashëri, përtej kontekstit kombëtar, mund të shihet si një figurë e dialogut kulturor ndërkombëtar dhe si një urë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit.

Konferenca ndërkombëtare e mbajtur në Teheran në nderim të Naim Frashërit, përbën një shembull të rëndësishëm të përpjekjeve për afirmimin ndërkombëtar të personaliteteve tona kombëtare. Kjo konferencë pasqyron rëndësinë e bashkëpunimit akademik, promovimin e trashëgimisë kulturore dhe rolin e studimeve letrare si instrument për të forcuar dialogun ndërkombëtar.

Në këtë kuadër, Naim Frashëri nuk është vetëm një poet kombëtar, por edhe një figurë e njohur në kontekstin e letërsisë dhe kulturës globale.

Portreti i Naim Frashërit në pullet postare dhe nderimi i tij në Iran.

Në vitin 1997, Republika Islamike e Iranit publikoi një pullë postare përkujtimore, ku portreti i Naim Frashërit u vendos si simbol i respektit për poetin dhe dijetarin shqiptar. Në këtë pullë lexohen fjalët: “Naim Frashëri Albanian Muslim. Persian Speaking Poet” (Naim Frashëri, mysliman shqiptar. Poet që flet persisht), duke evidentuar jo vetëm identitetin kombëtar dhe fetar të Naimit, por edhe njohuritë e tij në letërsinë persiane.

Pulla postale me portretin e Naim Frashërit dhe në sfond xhamia e Ethem Beut e Tiranës

Pulla postale e emetuar në vitin 1997 në Iran.

Ky akt filatelik ka rëndësi të dyfishtë: për një pjesë të gjerë të publikut iranian, ai prezanton portretin e Naim Frashërit si poet dhe shkrimtar që shkruajti në persisht, si shprehet në deçiturën e pullës, por është dhe një urë lidhëse midis kulturave, ndërsa për studiuesit shqiptarë dhe ndërkombëtarë, ky nderim shërben si një dëshmi e njohjes ndërkombëtare të vlerës letrare të poetit.
Përveç pullës postare, portreti i Naim Frashërit, në Iran është përdorur në zarfe, në kartolina, madje dhe në vula
postale, duke e bërë figurën e tij të pranishme jo vetëm në botën akademike, por edhe në jetën e përditshme të qytetarëve iranianë.

Zarfi me pullën me portretin e Naim Frashërit dhe me vulën postale me portretin e Naimit.

Kjo përbën një shembull të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore dhe memorjes kolektive, ku letërsia dhe filatelia bashkohen për të promovuar identitetin dhe arritjet e Naim Frashërit si një personaliteti ndërkombëtar.

Referencat:
⦁ Abazi-Egro, Genciana, Studies On Meaning and Word Changes in World and Turkey (Journal of Turkish Studies, 2009)
⦁ Annemarie Schimmel, A Two-Colored Brocade: The Imagery of Persian Poetry (University of North Carolina, 1993)
⦁ Clayer, Nathalie, Aux origines du nationalisme albanais (Karthala, Paris 2007)
⦁ Eqrem Çabej, Studime për Letërsinë Shqipe (Tiranë: Rilindja, 1981)
⦁ İnalcık, Halil, The Ottoman Empire: The Classical Age 1300-1600 (Phoenix Press, London 2001)
⦁ Kastrati, Jup, Naim Frashëri: Jeta dhe Vepra (Akademia e Shkencave, Tiranë 1985)
⦁ Domi, Mahir, Gjuha Shqipe dhe Historia e Saj (Universiteti i Tiranës, 1959)
⦁ Frashëri, Mid’hat (Lumo Skendo), Naim Frashërit vjershëtori dhe edukatori kombëtar (Dukagjini, Pejë, 1996)
⦁ Ismajli, Rexhep, Orientalizmat në gjuhën shqipe, (Studime Albanologjike 1996)
⦁ Selishchev, Afanasy Matveevich, Turkish Loanwords in Balkan Languages (Moscow: Nauka, 1971)
⦁ Stavro Skendi, The Albanian National Awakening (Princeton University, 1967)

Nëna e Shpat Kasapit: Ju falënderoj nga zemra

Nëna e Shpat Kasapit flet mes dhimbjes dhe lotëve për humbjen e të birit!

Nëna e këngëtarit të ndjerë, Shpat Kasapi, ka folur publikisht pas ndarjes së tij të parakohshme nga jeta, duke dhënë një mesazh të thellë e emocional që ka prekur të gjithë të pranishmit.

“Faleminderit që organizuat këtë eveniment për nder të humbjes së madhe të shpirtit tim, të gjysmës time, Shpatit”, u shpreh ajo.

E ëma e artistit tha se dhimbja është e papërshkrueshme, por njëkohësisht ndjen krenari për djalin që rriti.

“Jam shumë krenare dhe e lumtur që pata lindur një djalë që nuk paska qenë vetëm i imi. Paska qenë i të gjithëve juve, e paskeni dashur të gjithë. Ju falënderoj nga zemra”.

Ajo shtoi se në vitin e fundit Shpati nuk ka qenë i qetë, një shqetësim që e ka prekur gjithë familjen.

“Le të prehet në paqe, sepse këtë vit nuk ka qenë i qetë dhe kjo ishte një parandjenjë për të gjithë ne”. Nëna e këngëtarit kërkoi vetëm lutje për fëmijët e tjerë që i kanë mbetur: “Lus Zotin të më ruajë fëmijët e tjerë, sepse kam edhe dritat e tjera të syve”. Mes lotëve dhe dhimbjes, ajo e përfundoi fjalimin me një lutje të fundit për të birin: “Le të prehet në paqe dhe në parajsë, në lulen e xhenetit”.

MAGNETOFONI Tregim nga Dino Buzzati (16 tetor 1906- 28 janar 1972) Perktheu Saimir Kadiu

Ai i pat thënë asaj (me zë fare të ulët), i qe përgjëruar, mos bëj zhurmë, të lutem, magnetofoni po regjistron nga radioja, mos qit zë, ti e di që unë kam merak, po regjistroj “Mbretin Artur” të Parselit, një gjë e mrekullueshme, një kryevepër. Po ajo kërma, si për inat, sillu lart e poshtë, ec e përpiq takat, vetëm e vetëm që atij t’i hipnin xhindët, pastaj kollitej (enkas) dhe më pas ia shkrepte gazit me vete dhe ndizte shkrepsen paf-puf, për të bërë sa më shumë zhurmë. E ndërkaq Parseli, Moxarti, Bahu, Palestrina, mjeshtrit e muzikës së përkryer, qiellore shkonin dëm. Ajo maskaresha, grerëza, tartabiqja, brenga e vazhdueshme e jetës… Kështu nuk shtyhej më.

Tani, pas kaq vitesh, ai ka vënë e po dëgjon atë të shkretë shirit, ka vënë bobinën me mjeshtërit, me majat, me Parselin, Moxartin, Bahun, Palestrinën.

Ajo nuk është më aty, ka ikur. Ajo e ka braktisur. Ajo e gjeti zgjidhjen, e la. Ai nuk e ka idenë se ku ka përfunduar ajo.

Ja tani Parseli, Moxarti, Bahu, Palestrina tingëllojnë si pa shije, të vjen për të vjellë, katrahurë, të mallkuarit…

Ja, ja ai trokthi lart e poshtë, ja trokitja e takave, ja të qeshurat (e dyta sidomos), ja kruajtja e fytit, kolla. Kjo po, kjo është muzikë qiellore.

Ai ka vënë veshin e dëgjon. Nën dritën e abazhurit është ulur e dëgjon. Si i ngurosur në kolltuk, katandisur keq e më keq, ai dëgjon. Pa lëvizur as edhe muskujt më të vegjël të gjymtyrëve, ai rri me veshin nga magnetofoni: ja zhurmat, ja pëshpëshet, ja kolla! Këta tinguj të adhuruar, madhështorë. Që nuk i ka më, që nuk do t’i ketë kurrë më.

 

Bertolt Brechti në Amerikë, një njeri pa atdhe, pa dokumente që kërkonte strehim dhe punë

VOAL- Nga libri i gazetarit të madh italian Enzo Biagi “Tregim i një shekulli- burrat dhe gratë protagonistë të Shekullit XX” (1999), po sjelim shënime për shkrimtarin Bretolt Brecht:

Edhe ai, kur u strehua në SHBA, gjeti hidhërim dhe mosbesim. “Si shkruhet emri juaj?”- e pyesnin. Ishte praktikisht një i panjohur: një njeri pa atdhe, pa dokumente, që kërkonte strehim dhe punë.

Edhe Brechti e kuptoi se regjimi komunist në BRSS ishte një diktaturë jo e proletaritatit por kundër proletariatit, e konsideroi gjithsesi të nevojshëm për të pajtuar interesat e ndryshme të punëtorëve dhe të fshatarëve.

Brechti shkruante:
“Mos kini iluzione, zotërinj,/ vetëm nëse bën keq, njeriu jeton.”
“Paqja nuk është gjë tjetër veçse një armëpushim.”
“Komunizmi është një gjë e lehtë që është e vështirë të realizohet.”
“Të japësh mësim pa nxënës dhe të shkruash pa lexues është e vështirë.”

Në raftet e Bibliotekës së Brechtit ishte një “Kapital” i Marksit, por brenda ballinave ishte një roman i shkrimtarit amerikan Wallace. S.B.

MBIJETESA SHPIRTËRORE DHE REFLEKTIMI I “SOKRATIT” RUS- Përjetim nga DR. EDUARD A. SKUFI, ATHINE

 

 

 

Të papriturën e ndesha duke shfletuar një libër të vogël, të asokohe, “Feja opium për popullin”. Atë e shoqëroi buzëqeshja ime sarkastike, që shpejt u kthye në një ndjenjë habije, kur atje gjeta të fshehur bukurinë e një kartoline plot ngjyra , me urimin e krishtlindjeve të vitit 1966, (dy të kundërta në një alegori), që përfundonte me mbishkrimin Petro D. Emër që me ngacmimin emocional, më zbriti aq kujtime dhe që më lindi kristalizimin e narrativës të këtij tregimi…

Më tepër se shtatë dekada pas, ikona e tij mbetej e gjallë, dinamike dhe akoma më inspiron. Modest dhe mëndjendritur, fisnik e i pa përkulur, bamirës me imazhin e “Baron de Montesquieu”, që i kishte mbetur vetëm bosalina dhe bastuni nga vitet aristokratike, se pasuritë i ishin tjetërsuar. E njojta një ditë vjeshte, në moshën time afro gjashtë vjeçare, kur i çova në shtëpi një pjatancë me një gjellë të preferuar, që mamaja ja kishte gatuar. Atë veç lidhjeve miqësore me familjen tonë e bashkonte dhe një lidhje fisnore, pasi e shoqja Llamba Xhimitiku, ishte tezja e nënës time. Mezi e mbaja pjatancën e servicios, pasi njërën dorën ma kishin lidhur me fasho, për të mos ta përdorur. Ai më hapi derën dhe mbeti çuditur. Unë më çapkënllëkun tim, nuk e lashë të më pyeste. Jam mëngjarash dhe mamaja do të ma korrigjojë, por babi nuk është dakort.“Ah, ‘mancino’, tha xha Petri në aksantin italian. “Dhe unë

 

 

Kartolina e Krishtlindjes

 

kështu jam, gabim që mamaja insiston ta ndryshojë”. Pasi më përkëdheli, më mori për dore dhe më çoji në kopshtin e tij të pemëve. Aty ishte një kombinim ngjyrash prej lulesh e pemësh me fruta të freskëta, nën tingujtë e sinfonisë së zogjëve. “Merr çfare të duash. Ky është kopshti i Edenit dhe unë mbeta me pasionin e Minçurinit plak”, tha duke qeshur, por nuk përtoi të mi spjegonte ato. Mandej vazhdoi “ tashmë jetën time e kam ndarë midis këtij kopshti, leximit dhe ndihmesës time fetare”… Ishte kaq i dashur dhe miqësor, me një fytyrë të qeshur dhe mollëzat e kuqe, sa shpesh më ngjante me portretin e Santa Claus, në një version më elegant. Mbasi u futëm në shtëpi, ai mori një libër voluminoz nga ato, që mesa dukej lexonte shpesh dhe më tha: “Bëje mik dhe ai kur nuk do të tradhëtojë. Gjithçka një ditë humbet vetëm dija përjeton. Ky, këtu ka një veçanti, se është libri i Zotit, “Ungjilli”, të mëson e të drejton në mirësi dhe të pregatit për gjithë sfidat e jetës. Ai që quhet Zot është një madhështi, që ndahet brenda secilit prej nesh, fillimisht si ikonë, pasi përsosja spirituale fitohet gradualisht”. Unë e dëgjoja i përqëndruar duke admiruar vlerën e fjalëve të tij. Xha Petri hapi një kuti të vogël arturinash, nxorri prej saj një medaljon të vogël floriri me figurën e Shën Marisë, me zinxhir dhe ma vari në qafë. ”Paç shëndet dhe fat”, shqiptoi, duke më bërë kryqin. Me ndjenjën e befasisë dhe kënaqësisë u largova.

… Një të shtunë shkuam me maman në kishën e Shën Todrit për të asistuar në liturgjinë e mbrëmjes. Ambjenti mes ikonave dhe lutjeve me zë të ulët, të prehnin. Tek vendi pranë psaltit, Q. Bezhani, qëndronte i fiksuar xha Petri si epitrop, (emisar të dy familjeve fisnike), pranë tij ishte i shquari Dr.K.Kauri, i përkulur mbi dy duartë, më tej ishte Vasillaq infermieri dhe Nadiri kryeinfermier në spital ( të cilët i njihja nga përvoja shëndetësore). Mamaja i salutoi para se të zinim vend. Unë pas pak e pyeta maman me zë të ulët, se kurioziteti nuk më linte,“Ti me ke thënë se Nadiri është myslyman, pse vjen në kishë”?. Mamaja më përkëdheli në kokë duke më pëshpëritur, se më vonë do të ma spjegonte. Me kalimin e kohës kuptova se kjo ishte shprehje e respektit dhe tolerancës fetare…Në përfundim të shërbesës hyn me zhurmë një grup njerëzish mesa duket në nevojë, që kërkonin ndihmë për të jetuar. Xha Petri u ngrit shpejt i vendosi në rrjesht me qetësi, duke i ndarë secilit naforë, meshë dhe nga një shishe të vogël me vaj ulliri, gjithashtu të miturve u mbushi dorën me të holla dhe nga një trastë me rroba. Një vogëlush topolak, i mbetur pa gjë po qante. Xha Petri e mori në krahë dhe pasi e përqafoi e afroi tek ikona e Shën Marisë, duke i vënë dhuratën në dorë. Në kohën që po largoheshim mamaja më tha “ Xha Petri është njeri i veçantë, bamirës dhe me një shpirt të madh. Ai shërben në kishë pa pagesë, dhe me kursimet e kishës dhe të tijat ndihmojnë të vobegtit, të sëmurët dhe jetimët e “shtëpisë së fëmijës”. Një mbrëmje në shtëpinë tonë, ai duke biseduar me baban, bëri një “sinoptikë të aktualitetit” mes shprehjeve figurative, si “mëkati i ndershmërisë morale” dhe “Krishti që tashmë nuk flet”, mandej nxorri nga xhepi i zhilesë orën prej floriri “ U bë vonë, tha, më duhet të iki”. “Prit, e ndërpreu mamaja, “do të shoqëroj unë bashkë me Edin, sepse kam për ju dy vazo me reçel të freskët dhe disa kupa krem karamel”. Mbasi përshëndeti babanë dhe falenderoi mamanë, u larguam sëbashku. Për një çast ai ndaloi, dhe ju lut mamasë të më mbante atë mbrëmje në shtëpinë e tij, pasi kishte blerë një pulë të freskët dhe donte të më kënaqte. Mamaja më pa në sy, unë e aprovova me shikimin tim. Atë mbrëmje nuk mund ta harroj…Ishte si një vizitë në një muze kulture. Kur u futëm në dhomë, nënë Llamba nën dritën e kandilit dhe një qetësie sugjestive, bënte lutjen para ikonostasios. Unë shikoja zjarrin në sobën e madhe italiane pranë, që shkëlqente nga bardhësia e emalimit dhe refleksi i tij në mur përzihej me ato të kandilit. Më tutje një radio e madhe Philips me gramafon sipër, mbuluar nga një çentro dhe pranë saj kristaliera me kristale dhe servicio. Mbi të një pikturë e madhe klasike, me motiv biblik. Në qoshen tjetër të dhomës si një etyd teatral, qëndronte një kukull e bukur me kryq në qafë, e cila shikimin e kishte drejtuar në buzëqeshjen sardonike të buratinos, të varur në spango. Mua ajo figurë mes një kënaqësie më ngjalli trishtim, pasi shikoja simbolikën e dëshirës së tyre për një fëmijë, që aq shumë ju mungonte. Mendimin ma preu, dora e Xha Petrit që më drejtoi në një shkallë druri spiral, për tu ngjitur në dhomën e sipërme. Këtu është pasuria ime më tha ai me zë të ulët, duke më treguar bibliotekën e mobiluar, të mbyllur me xham. Po këto fotografi kaq të bukura?. E pyeta me kuriozitet. Në njerën kemi dalë në Piazza San Pietro, Romë, ndërsa tjetra në Akropoli, Athinë. Mbasi u ulëm ai filloi të më prezantoi me shumë libra me vlerë në gjuhë të ndryshme. Nga prononcimi kur lexonte titujtë, ndjeva aksantin italian,francez dhe grek, gjuhë që ai i zotëronte. Mes tingujsh të mekët e të ndrojtur shqiptoi: ”Tani je më i rritur, duhet të kuptosh se sot jetojmë versionin e Davidit me Goliatin, për të cilët të kam folur. Në këtë “vetërrethim”, aleati ynë është e vërteta, ku forcën njerëzore e gjejmë në frymëzimin nga dija dhe besimin tek zoti “. Mandej u ulëm në tavolinë për të shijuar darkën, ai çdo moment gjente diçka për të komentuar si rreth “savoir vivre” dhe mes aforizmave të mënçura, duke më transmetuar mesazhin e të vërtetës së jetës…

Mbas pak kohësh atij i kishte rënë në fytyrë një hije trishtimi, pasi shëndeti i thica Llambës po rëndohej. Lëvizjet e saj ishin kufizuar, si shkak i osteoartritit, po ashtu shikimi ishte pakësuar, si pasojë e glaukomës dhe degjeneracionit makular, megjithë mjekimet e këshilluara. Kështu ju referua enciklopedisë italiane të Treccanit, ku rekomandohej lëngu i degëve të rrushit, të cilat përmbanin lëndë antioksidante dhe përmirësonin shikimin. Ndërkaq zgjidhjen e gjeti tek pjergulla e rrushit të shtëpisë tonë.

Me fillimin e pranverës kur gjithçka lulëzonte, priste hardhinë në vendet ku shpërthenin sythet, e hapte atë dhe vendoste atje nga një shishe të vogël, të cilën e lidhte me spango dhe lëngu i hardhisë pikonte në shishe. Fillimisht u çudita, por kur dola mjek e ndesha në një revistë të huaj mjekësore faktin se, lëngu i rrushit përmbante flavonoide dhe polifenole me vlera, si resveratroli dhe proanthocyanidina, me veti të veçanta antioksiduese dhe antinflamatore. Një të djelë në vazhdim, xha Petri erdhi me një tufë trëndafilash në dorë, të freskëta dhe plot aromë, por në fytyrë i ishte shuar buzëqeshja. Mbasi ja dha mamasë, tha mes dhimbjes: ” Ma rrëmbyen dhe kopshtin, strehën romantike të meditimit dhe takimit me natyrën. Këto trëndafila janë kujtimi që mbeti. I preva të gjitha lulet dhe ja u ndava miqëve të mi. Të përballosh emocionet e një drame në vazhdim me të cilën ndeshesh, këtë ta ofron vetëm efekti psikoterapeutik i besimit tek Zoti”. Mamaja e prekur, duke marr trëndafilat, i ledhatoi duartë dhe e përqafoi: “Bëj kurajo, erdhën kohë të vështira”, i tha. Ai mes lotësh pëshpëriti ”Vlerat, ata nuk mund ti fitojnë me një identitet fiktiv virtual dhe antihuman “ dhe u bë gati të ikte. “ Prit pak, e ndaloi mamaja. Kam një vazo me gliko nga nerënxa, që ty të pëlqen “. “Helmin që ndjej nuk ka mjet ta ëmbëlsoj”, mori bastunin , vuri në kokë borsalinon dhe diçka mërmëriti duke u larguar …

Në prag të krishtlindjeve të vitit 1966, ishim mbledhur në sallon dhe po stolisnim pemën e vitit të ri. Motra na shoqëronte me tingujtë magjepsës të violinës, ndërsa mamaja pregatiste kulluret dhe një kek me gështenja dhe fruta. Në atë moment u dëgjua trokitja e bastunin të xha Petrit. Ngjiti ngadalë shkallët, na përshëndeti, mandej u ul në kolltukun pranë. Kur po vendosnim kartolinat në pemë, ai brofi në këmbë, “Kam dhe unë një kartolinë të bukur, urimi për pemën”, tha dhe bashkë me të na dha dhe një borsetë me fruta. Ishte ajo kartolinë që mua më frymëzoi!…Ne vazhdonim të stolisnim pemën me drita, topat prej qelqi dhe shirita plot ngjyra. Babai na pruri dhe “kartolinën e filozofit”, një kujtim i tij nga Ancona, që kurrë nuk harronte ta vinte në pemë. Ajo ishte një kartolinë me skicën e filozofit në meditim, mes librave dhe diçiturës domethënëse:”Dubito,Ergo Cogito..Ergo Sum”, (Dyshoj, prandaj mendoj, prandaj ekzistoj). “Ti respektojmë ne, se këtu ato “mëndje të mënçura” i eleminuan”, ndërhyri xha Petri, dhe duke shijuar çajin e malit shtoi:“Më mbeten të gjalla impresionet nga libri “Arti filozofik” i G.Gentiles, ku mund të kuptosh vlerësimin e atyre mendjeve, në një ekspoze të filizofisë helene, romane deri në atë ruse. Mua më tërhoqi vëmendjen figura e filozofit rus N.Fyodorov, që e quajtën “Sokrati Rus”, ndërsa italianet e pagëzuan ”Sant’Agostino moderno”. Me një empati patetike, ai i dha filozofisë dhe shkencës, një vend krah religionit dhe artit, duke patur si objeksion “ringjalljen e mendjeve të ndritura, duke i dhënë pavdekësinë, me sugjerimin mbi studimet genetike dhe ato të teknologjisë moderne për rikrijimin e tyre”… ( aludimi i klonimit dhe inteligjencës artificiale një shekull më parë?!). Babai i menduar ndërhyri: “E kam hasur dhe unë në filozofinë e Fiorentino-s, mbi imazhet radikale. Konceptimi i tij është quajtur “Botëkuptimi i mijëvjeçarit të tretë”. Eshtë kuriozitet se Fyodorovi, një “futurolog” aq besimtar, nuk pranonte të bënte as fotografi, bile nje skicë e portretit të tij që trashëgohet, është realizuar fshehurazi, nga piktori dhe miku i tij, L.Pasternak …

“Mos harroni të vendosni në majë të pemës, ëngjëllin me yllin në duar, tha me mllef xha Petri, besoj se do të jetë dhe hera e fundit. Pasi qytetin e mbushën me pankartat “Feja opium per popullin”,

 

Skica e Nikolla Fydorov

që dominojnë mbi stolitë e vitit të ri. Kjo nuk është rastësi, por një parathënie e dramës së madhe që troket”, përfundoi retorikën me një psheretimë. Ndërsa u ngrit për tu larguar, babai dhe mamaja e ftuan bashkë me thica Llambën, që të festonim sëbashku krishtlindjet. Ai u largua mendueshëm dhe pa fjalë. Duke ndjekur siluetën e tij, në silogjizëm mendoja, se dimensionet e tij ishin sinonim i forcës universale të dashurisë njerëzore, megjithë pamundësinë…fizike. Nuk kaloi shumë kohë dhe parashikimi i xha Petrit morri jetë. Shkurti 1967, shkurti që zgjati netët e me dhimbje i mbushi jetët, ku lufta kunder fesë u kurorëzua, me mbylljen e kishave dhe gjithë objekteve të kultit. Njerëzit mes pikëllimit, mbetën të çoroditur, pa zot, se koha krijoi “Zotin e ri”, të mitizuar në prezantim “jetik”. Ajo surprizë ateiste ishte një persekutim shpirtëror i pafund, veçanërisht për shërbëtorët e zotit. Xha Petri erdhi tek ne papritur, qysh në mëngjez. Ngjante si një skulpturë e ftohtë, e zbehtë, veshur me mantelin e zisë e të dëshpërimit, i pa fjalë, u ul në divan dhe qante me ngashërim. Mandej shtrëngoi dhëmbët dhe gërmat i kërcisnin në gojë “ Më vranë biomën fetare, rikryqëzuan Krishtin, por nuk munden të ma shkulin adhurimin hyjnor. Për mua kjo ishte “colpo di grazia”! Nuk është rasti që ata vazhdimisht kanë zgjedhur shkurtin për terror, në shkurt 1947 gjatë reformës agrare arrestuan dhe torturuan ish kryeplakun e Nartës, patriotin Nako Qirko, në shkurt të 1951 ekzekutuan 22 intelektualë, mes tyre dhe ekselenten S.Kasimati me mizaskenën e trilluar, në 15 shkurt 1959, “ekzekutuan” kirurgjikisht, vajzën tonë, juristen dhe avokaten e parë shqiptare, Erifili Bezhanin, për mendimet demokratike. Kështu ndodh kur asgjë nuk njeh “masë” dhe mohoen vlerat, por e ardhmja do ta rivendosi vullnetin e zotit”… Ishte një skenë morti, ku fjalët mungonin, fliste zemra…Por ai nuk mund ta mbante peshën e asaj dhimbjeje dhe vazhdoi… “Edhe mjeshtri i psikanalizës S.Freud e mohoi fillimisht zotin, veç kur kanceri e pushtoi dhe dhimbjet ju bënë të padurueshme megjithë përdorimin e morfinës, zgjodhi euthanasinë dhe në çastet e fundit, si në pendim belbëzoi: ”Feja i shërben progresit kulturor dhe vetëanalizës psikologjike”… Ndërkaq ai u ngrit dhe largua ngadalë, si hije e zvaritur. Profili i tij intelektual, i përkiste një bote, që nuk kishte asgjë të përbashkët me atë realitet. …Ditët në vazhdim, ishin për të netë pa hënë, por ai mbeti krenar në një mbijetesë shpirtërore, skllav i ideve humanitare dhe filantropike, principe që i bëri kode të jetës. Nuk mund ta ndante besimin fetar nga vetja, ndërkaq vazhdoi me përkushtim, zbatimin e riteve fetare. Por ishte e vështirë të përballonte në atë moshë emocione aq të forta, në një sizmikë pafund. E tretën brenga dhe dhimbja, që në një moment e morën me vete dhe zemra e tradhëtoi. Kështu të dy, njeri pas tjetrit, si një shpirt i ndarë në dy trupa, ditën e Pashkës, bashkë me “ringjalljen” e krijuesit, mbyllën sytë dhe u larguan nga jeta, por mbetën në zemrat e njerëzve. …Agimi i pranverës së vitit 1990, pranverë dhe në shpirtrat tona, solli rilindjen e fesë. Ishte “dita e shpirtrave “, në prag të pashkës. Sëbashku me mamanë shkuam në varreza, për ritualin përkujtimor të babait. Duke u larguar në një kthinë, midis varreve në mermer dhe dedikime, vërejta një varr të braktisur. Ishte një varr i thjeshtë, pa mermer, pa kushtim, vetëm me një cope betoni në krye dhe një bordurë përreth, ku emrat i mbulonte bari i egër i rritur dhe hidhrat. Ju afrova nga kurioziteti dhe për një çast mbeta i ngrirë, pa frymë, kur lexova emrat e mbuluara nga pluhuri dhe balta: PETRO dhe LLAMBRINI DOGA. Mu rrënqeth trupi, befasia ma çau zemrën. Mamaja u afrua spontanisht dhe e emocionuar shpërtheu në vaj: “Xha Petri, dëgjon, u hapën kishat, gëzohu. Doli fjala jote”…Duke e pastruar nga bari, ngritën kokën dy lulëkuqe të fshehura, pranë tyre ndezëm qirinjtë. Fshimë me kujdes, me një shami emrat e skalitura mbi beton. U përkulëm me respekt duke bërë kryqin dhe u larguam, por kujtimet na kthenin pas. Nuk mund të harroja frazën që më citoi një ditë duke biseduar: “Ka kohë për të folur dhe kohë për të heshtur”!… …Njerëz si ai, me shpirt human dhe histori bamirësie meritojnë vëmëndje të veçantë, mirënjohje dhe një audiencë përkujtimi.

Prill 2025

Mesazhe universale nga “Flladi i Orientit”! Poezia perse si urë kulturore, nga lindja te lexuesi shqiptar- Nga SEJDO HARKA

 

Shpata është e verbër, kur sytë janë të mbyllur-

(T.Saffazadeh)

Lexon poezitë moderne perse, të shqipëruara me mjeshtëri nga poeti dhe përkthyesi i mirënjohur, Perikli Jorgoni dhe nuk mund të qëndrosh indiferent për vlerat universale, që vijnë nga thellësitë e Orientit. Edhe pse ato vërshojnë nga kohëra dhe vise të largëta të botës, bëhen shpejt pjesë e trurit dhe e mendjes, e shpirtit dhe e zemrës së lexuesit shqiptar. Universaliteti dhe kohezioni shpirtëror e psikologjik e bën “Simurgun” poetik iranian, që jo vetëm të shëtisë në të katër anët e botës, por edhe të depërtojë thellë në zemrat e të gjithë njerëzimit. Poezia moderne perse, duke qenë e hapur, jo vetëm ndaj letërsisë së vjetër dhe asaj klasike iraniane, por dhe asaj europiane, ka krijuar një stil vjershërimi të pëlqyeshëm edhe nga bota perëndimore.

DY MAJAT E POEZISË PERSE

Dy nga majat kryesore të poezisë moderne perse janë poeti dhe piktori i madh, Sorhab Sepehri (1928-1980) dhe poetja e përkthyesja e rrallë, Tahereh Saffazadeh (1936-2008). Me penën e tyre të rrallë, ata kanë krijuar dhe përçuar bukurinë dhe ngrohtësinë e papërsëritshme të flladit të Orientit. Janë 8 vëllime poetike, që e kanë bërë të njohur poetin iranian S. Sepehri. Por ai, që s’e fshin kurrë nga kujtesa e mijëra e mijëra lexuesve të botës, është vëllimi me titull “Gjurmët e ujit”. Poezitë e këtij vëllimi janë sintezë e biografisë dhe shpirtit poetik të autorit, aq sa shumë lexues, figurën e tij e identifikojnë me brendinë e kësaj poezie. Sorhab Sepehrin, poeti Xhevahir Spahiu e ka thirrur me epitetin “Simurgu” poetik i qiejve të sotëm iranianë, sepse është ky “zog i mendjes” dhe i zemrës, që i ka rrëmbyer “buzëqeshjen e hutuar” dhe me të në mendje, “fluturon larg” drejt lartësive të pafund.

Fantazia poetike e Sepehrit e ka burimin te shushurimat dhe freskia e ujit të pastër, te bukuria e luleve të brishta, te “trokëllimat e kuajve të shpejtë”, te “virgjëria” e vetmisë së rrallë, te vrapi i kujtimeve fëminore, te ëmbëlsia e tingujve të barit, që “këndon” nën kosë. Në filozofinë poetike të këtij vjershëtari të madh, ndërthuret koncepsioni metafizik me atë materialist. Thelbi i filozofisë së tij, për raportin ndërmjet trupit dhe shpirtit, është sentenca filozofike e Rumiut: “Trupi është shtrati i lumit, ndërsa shpirti, rrjedha që rend”. Thelbi i këtij botëkuptimi metafizik, i ka rrënjët tek misticizmi budist.

FORCA E MESAZHEVE

Poezitë e tij e marrin bukurinë dhe forcën e mesazheve nga dielli dhe drita, nga uji dhe dashuria. Drita në poezinë e tij “vërshon si lumë lartësish”, nga një burim i padukshëm, që është frymëzimi. Prandaj ai i “sharton sytë me diellin, zemrën me dashurinë, hijet me ujin dhe degët me erën”. Uji, në poezinë e S.Seperhit është bërë simbol i jetës dhe freskisë, i pastërtisë shpirtërore dhe kthjelltësisë së mendimit e veprimit. Prandaj, ai i bën thirrje njerëzimit, që të mos e “bëj pis rrëkenë”, sepse “ndoshta, një pëllumb më tej po pi ujë”. Uji e tremb vdekjen, por e ripërtërin jetën. Poeti e ndjen veten përherë mes dritës dhe luleve, mes diellit dhe ujërave, mbi lumenj dhe ura, mbi dallgë dhe furtuna. Mes tyre, ai ekzaltohet, kur sheh” një tren, që transporton dritë e drejtësi” dhe dëshpërohet thellë, kur sheh një plehaxhi, që lutet për lëkurën e pjeprit”(45). Kudo që shkela, deklaron ai poetikisht, pashë ujë dhe tokë, drejtësi dhe padrejtësi, urrejtje dhe dashuri. Si njohës i thellë i realitetit të djeshëm dhe të sotëm, ai ka mundur ta pasqyrojë qartë thelbin konfliktual të shoqërisë njerëzore. -Unë, deklaron ai poetikisht, nuk kam parë dy plepa armiq”. E kundërta ndodh me njerëzit. Ata bëhen armiq me njeri-tjetrin, edhe “për ngjyrën e lëngut të supës”. Poetin e tronditin “makinat e blinduara, kur ato shkelin mbi ëndrrat e fëmijëve”. Objekt i poezive më të bukura të S.Seperhit janë bërë dukuri thelbësore të ekzistencës njerëzore, si jeta dhe vdekja, liria dhe skllavëria, urrejtja dhe dashuria. Vargjet, për këto dukuri, shpesh janë përkufizime poetike e sentenca filozofike, me vlera universale, kohore dhe hapësinore.

JETA DHE VDEKJA

Për poetin S.Seperh, “jeta dhe vdekja” mbartin flatra të gjera” dhe “burojnë nga përmasat e dashurisë”(57). Jeta është “fiku i parë i zi në gojën e athët të verës”, “fëshfërima e sirenës së trenit”, “lulja e shumuar në përjetësi”, “përsëritje e jetës së lagur, që noton në pellgun e së tashmes”(59). Jeta dhe vdekja janë vazhdim i njëratjetrës. Vdekja nuk është “fundi i pëllumbave”, prandaj më poshtë shkruan: “Le të mos i frikësohemi vdekjes”, sepse ajo “banon në klimën e këndshme të mendjes” dhe “këndon në laringun e skuqur të fytit”(62). Një nga poezitë më të bukura të poetit të madh iranian S.Sepeheri është ajo me titull “Shtegtari”. Në këtë poezi ai shpreh mendimin poetiko-filozofik, se “bukuria është dashuri dhe dashuria është jetë e mrekulli”. Të dashurosh, do të thotë “të udhëtosh drejt ndriçimit të vetmisë”. Dora e dashurisë është “…si grepi i vogël i minutave,/Dashuria dhe minutat flenë mbi dritën” (70). Uni poetik i Sepeherit përçon te lexuesit mesazhe të forta morale dhe shpirtërore, filozofike dhe shoqërore, për pastërtinë shpirtërore dhe bukurinë, për lirinë dhe skllavërinë, për humanizmin dhe egërsinë, për dritën dhe errësirën, për urrejtjen dhe dashurinë, për turbullirën dhe kthjelltësinë. Në poezinë “Një mesazh në udhë” ai shkruan: “Unë do të hedh çdo fëlliqësi nga buzët, /unë do të shemb çdo mur nga themelet, /unë do t’u them hajdutëve: “Ka arritur një karvan i ngarkuar me buzëqeshje”. Duke e ndjerë veten misionar të shoqërisë ai tërë jetën ka luftuar “të grisë retë”, “të shartojë sytë me diellin dhe zemrën me dashurinë”, hijet me ujin dhe degën me erën”(95).

TAHEREH SAFFAZADEH DHE GROTESKU POETIK

Poezia moderne perse nuk mund të kuptohet pa emrin e poetes dhe përkthyeses së rrallë, Tahereh Saffarzadeh. Figura e saj lartësohet, jo vetëm brenda hartës së poezisë iraniane, por dhe të asaj botërore. Origjinaliteti dhe vetëdija, imagjinata dhe kthjelltësia, guximi dhe çiltërsia, vetëdija shoqërore dhe mjeshtëria e rrallë vjershëruese, e bëjnë atë të papërsëritshme. Problematika e krijimtarisë së saj është, sa e gjerë, aq dhe e larmishme. Objekt i poezive të saj janë bërë: jeta dhe vdekja, dashuria dhe urrejtja, e kaluara dhe e tashmja, historia dhe e ardhshmja. Zotin dhe lirinë, poezinë dhe dashurinë, ajo i koncepton hallkat e përjetshme të ekzistencës së saj. Për të, njeriu duhet të jetë i lirë, jo vetëm nga të tjerët, por edhe nga vetvetja, sepse, sipas saj: “Skllavi i vetvetes është skllav i të tjerëve”. Nëpërmjet humorit, ironisë dhe sarkazmës, ajo godet despotët dhe ambiciozët, egoistët dhe frikacakët, mburravecët dhe përtacët, lakmitarët e parasë dhe të seksit, qeveritarët dhe pseudo-intelektualët. Me groteskun e saj të mprehtë, ajo fshikullon, jo vetëm plagët e shoqërisë së kaluar, por dhe asaj të sotshme. T. Saffarzadeh dëshpërohet thellë, kur vë re se edhe njerëzit e sotshëm, ashtu si dhe të djeshmit, vuajnë nga disa plagë të pashërueshme, si varfëria dhe padija, shtypja dhe padrejtësia, mungesa e lirisë dhe egërsia, kur sheh se si pushtetarëve të sotëm u “rriten kthetrat”, ashtu si dhe sulltanëve të djeshëm.

“UDHËTIM NË MIJËVJEÇAR”

Nëpërmjet vargjeve të poemës “Udhëtim në mijëvjeçar”, ajo shpreh protestën e saj qytetare, kur sheh se edhe njeriu i shoqërisë moderne “përulet para padronëve për të marrë një monedhë. Atë e trishton fakti që edhe në kohërat moderne “çmimi i mallrave rritet, ndërsa çmimi i gjakut bëhet gjithnjë e më i lirë”. Është kjo arsyeja, që siç shkruan ajo: “Vajtimi dhe mjerimi i njerëzimit,/rri varur si një vëth në veshin e botës”. Shkaktarët e vërtetë të varfërisë dhe urrejtjes janë “fytyrat e dhjamosura të zengjinëve, që kanë ngjyrën e njerëzve të vdekur”(120). Prandaj, ajo rend kudo në botë, “të blejë në tregun e zi pak dashuri”, për të shëruar urrejtjen dhe varfërinë, shtypjen dhe egërsinë. Në poezitë e saj bashkëjetojnë mistikja me realen, e zakonshmja me të jashtëzakonshmen, tonet e ulëta me ato të larta. Edhe për poeten Saffarzadeh, trupi i njeriut është i përkohshëm, ndërsa shpirti është i përjetshëm. Për të, “babai është qielli”, “nëna është toka”, ndërsa “unë”, shkruan ajo, “jam horizonti(137). Kur sheh se “Dikush fle nën thundrën e tiranëve”, “rëmon muret e natës”, që t’i gremisë për t’ia lënë vendin ditës, sepse ajo, “s’lejon askënd, që të ngrejë një mur të gurtë, mes saj dhe diellit”. Janë të shumta vargjet e saj, që kanë peshën e sentencave të bukura filozofike me vlera universale, si: “Shpata është e verbër, kur sytë janë të mbyllur”, “Skllavi i vetvetes është skllavi i të tjerëve”(221). Dritën dhe duart e pastra i gjen te “duart e gjetheve” dhe te dishepulli i Profetit Muhamet, i cili sipas saj, nuk ka as lëkurë, as ngjyrë, por frymë dhe shpirt të bardhë(240). Në poezinë moderne perse, lexuesi gjen edhe magjinë e fjalës edhe melodinë e simfonisë më të bukur, edhe vrullin e shpirtit, edhe mrekullinë, edhe vargun e gdhendur, edhe ëmbëlsinë, edhe freskinë e flladit të ngrohtë të Orientit, edhe bukurinë. Është kjo arsyeja, që mesazhet e poezisë moderne perse, janë bërë pjesë e shpirtit të njerëzimit të botës së të gjitha kohërave.

/Gazeta Panorama

ROMANI „ë“ nga Jehonë Kicaj – SHTËPIA BOTUESE„WALLSTEIN” GÖTTINGEN, 2025 – QASJE DHE MBRESA Nga Seveme Fetiqi

Kështu fillon romani „ë“ i autores Jehonë Kicaj, i cili roman u nominua për librin më të mirë të vitit 2025 (DEUTSCHE BUCHPREIS) në mes gjashtë romanave të tjerë.

Pas leximit të romanit „ë“ të Jehonë Kicaj që u botua 2025 nga Shtëpia Botuese gjermane „WALLSTEIN“ në Göttingen të Gjermanisë, prita një kohë të gjatë, që ndoshta dikush nga kritikët letrar shqiptarë të cilët jetojnë në Gjermani, të shkruajnë diç rreth këtij romanit, i cili ka zgjuar interesim të hatashëm në qarqet e letërsisë gjermane si dhe ka arritur suksese deri aty sa edhe është nominuar në mesin e gjashtë romaneve më të mirë të vitit 2025 për çmimin „Deutsche Buchpreis 2025“ (Çmimin e Librit Gjerman 2025). Mirëpo, deri më tani, përveç mikut Driton Gashi, askush nuk reagoi për këtë sukses të madh të një shkrimtareje që rrënjët i ka në Kosovë, gjegjësisht në Suharekë dhe se romani i saj është një vepër që në gjuhën gjermane shtjellon kohën e para luftës, gjatë luftës së Kosovës në veten e parë.

Narracioni dhe rrëfimi i personazhit në veten e parë për ndjenjat e saj si fëmijë mërgimtarësh është një pasqyrim i shumë fëmijëve shqiptarë që atëbotë e kishin fatin të migrojnë në Gjermani duke i bartur dhembjet e mëdha në zemrat e tyre të vogla dhe aq sa kishin mundësi të integrohen në çerdhet dhe shkollat gjermane. Sa i vështirë dhe i dhimbshëm ishte ai fillim.

Në këtë roman autorja në mënyrë profesionale me shprehjet e saj gjuhësore dhe gramatikore ia arrinë që lexuesin ta përvetësojë sa që lexuesi nuk mund të ndahet nga ky roman derisa ta përfundojë atë. Parasëgjithash ky roman dhe ky tregim është një pasqyrim i vuajtjeve të shumë familjeve që e humbën atdheun, familjarët, vatrat e veta dhe shpresat se ende një ditë do t´i gjejnë familjarët e zhdukur.

Me një titull jo të zakonshëm, autorja e titullon librin me zanoren „ ë“ të alfabetit shqip. Si edhe ka shkruar edhe një kritike letrare, gazetare dhe shkrimtare gjermane Ronya Ottmann „ Ky roman rrëfen për një heshtje që thehet në copëza, por mbetet e shurdhët. Romani „ë“ është një roman kujtimesh dhe harresash në shuarje për luftën. Gjatë leximit jam pyetur disa herë mbase gjuha paska sy. Kjo gjuhë e mrekulluar, çuditërisht e dhimbshme dhe e qartë i sheh gjërat dhe të sheh edhe ty. Ka shumëçka për të folur për këtë libër, por së pari ju këshilloj ta lexoni“

Romani si në heshtje pa ndonjë imponim të caktuar ndahet në tri pjesë: 1.në atë të ndjenjave personale të personazhit paemër, në tentim të gjurmimeve të fakteve qoftë përmes familjes, qoftë përmes dokumentarëve të ndryshëm si dhe rrëfimi i ndjenjave të fëmijërisë së vet protagonistes por edhe qoftë nga tregimet e familjarëve; 2.në atë të bisedave emocionuese me shokun Eliasin si dhe 3. përmes kontrollimeve të nofullave te mjeku ortoped i dhëmbëve gjegjësisht të nofullave. Këto tri pjesë gërshetohen në mes vete dhe krijojnë një tërësi narrative emocionuese që e bëjnë këtë roman të veçantë. Pasi që protagonistja pa emër e këtij romani, në mënyrë të paimponuar por me një dhembje të madhe i rrëfen ditët e para të kaluara në çerdhe në mesin e fëmijëve që flasin gjermanisht, kurse ajo hesht, përjeton dhembjen në heshtje dhe i gravuron të gjitha në kujtimet dhe në zemrën e saj të brishtë prej fëmije. Më emocionuese është ai çasti kur mësuesja kërkon nga nxënësit ta sjellin nga një foto nga koha kur ata ishin foshnje dhe protagonistja e sjellë foton e saj kur ishte katër vjeçe. Të gjithë nxënësit qeshin me foton e saj. Mësuesja ia spjegon se është dashur ta sjellë një foto nga foshnjëria e saj dhe ajo nuk e din t´ia spjegojë se secila foto e foshnjërisë së saj është djegur nga lufta në shtëpinë e djegur nga e cila ka migruar me familje në Gjermani. Një dhimbje, një arsyetim, një rrëfim, një gjë që një fëmijë s´mund ta spjegojë, mbetet heshtje në fyt, një kafshatë që nuk kapërdihet dhe e cila mbetet enigmë vetëm në një zanore „ë“ dhe që me kohën kjo zanore shndërrohet në problem të nofullave, të cilat ky fëmijë nga shtypjet e ndjenjave dhe të pathënave çdo natë në gjumë i shtrëngon ato, derisa i shkakton vetes pezmatim të nofullave, i cili pezmatim edhe pas shumë vitesh shndërrohet në sëmundje kronike të nofullave të saj dhe nuk shërohet edhe pas çdo tentimi të shërimit me protezat speciale të natës.

Bisedat me Eliasin, shokun e saj, janë biseda kryesisht rrëfime të saj të cilat ajo i shfaqë nga çdo skenë, ndodhi, ngjarje të tmerrshme, vrasjet, helmimet, lufta e pamëshirshme, vdekja e familjarëve në luftë, përjetimet e familjes së saj në Gjermani gjatë luftës dhe të gjitha ndodhitë që kanë ndodhur prej viteve 92 e deri pas luftës. Dhe, Eliasi është një shok i saj i ngushtë që i përjeton dhe bashkëndjen me personazhin.

Në kërkim të gjyshit të saj i cili gjendej në mesin e zhdukurëve gjatë luftës, ajo merrë pjesë në një ligjeratë që mbante zonja Korner, e cila përmes NATO-s kishte qenë disa hërë në varrmihjen e varrezave masive në Kosovë dhe spjegonte skena të trishtueshme të zbulimit dhe identifikimit të eshtrave sipas ADN-it të tyre. Edhe kjo pjesë e rrëfyer nga këto ligjërata mund të merrët si pjesa e katërtë që zgjon interesim të madh te lexuesi. Me qëllim, nuk do të kisha hy në spjegimin më të gjërë të situatave shumë interesante që përbën ky roman, sepse shpresoj se shumë shpejt ky roman i autores Jehona Kicaj, do të përkthehet në gjuhën shqipe, në gjuhën amtare të saj. Atëherë shpresoj se lexuesit shqiptarë do të binden se sa vlerë ka sjellur ky roman jo vetëm në letërsinë gjermane, por edhe në letërsinë tonë shqipe. Parasëgjithash vlera e këtij romani qëndron në atë se në gjuhën origjinale gjermane është shkruar një monument i vërtetë i luftës së Kosovës, një temë dhe një rrëfim që shumë qarqe intelektuale dhe letrare gjermane kanë qenë pak të informuara ose nuk kanë qenë fare të informuara për kohën para lufte, apartheidin që kanë ushtruar serbët, vrasjet, helmimet, perjashtimi nga puna i të gjithë punëtorëve, si dhe gjatë luftës së fundit në Kosovë, ndjekja e mbi pesëqind mijë njerëzve nga vatrat e tyre si dhe katrahurat, vrasjet, masakrimet, deportimi i shqiptarëve të masakruar në Serbi, djegëja e shtëpiave e shumë e shumë tmerre tjera, të cilat në këtë roman janë përshkruar, janë shkruar me emocione të larta dhe me fakte, janë shkruar me një gjuhë të rrjedhshme, me tregime të strukturuara në fjali gjuhësore të përsosura.

Ky roman ka zgjuar një interesim të madh në tërë Gjermaninë dhe nuk ndalon që t´i pushtojë skenat letrare kudo në këtë shtet, nuk ndalon edhe pas disa muajsh që ta zgjojë kurreshtjen dhe interesimin e lexuesve gjerman të çdo moshe, e sidomos të të rinjve nga prindërit mërgimtarë shqiptarë që janë rritur e shkolluar në Gjermani. Mirëpo, vazhdon interesimi edhe te kritikët letrar gjerman që e vlerësojnë këtë vepër me të gjitha atributet e një romani të suksesshëm, edhepse ky libër është romani i parë i Jehona Kicaj.

Shpresoj se edhe kritika letrare shqiptare do të merret më me interesim me çasjen e këtij romani që mendoj se është një libër – ambasador i letërsisë shqipe i shkruar në gjuhën gjermane.

Ne jemi të mësuar të krenohemi me yjet të cilët rrënjët i kanë në Kosovë si Majlinda Kelmendi, Dua Lipa, Rita Ora, Mira Murati e të tjerë të cilët me sukses i zotërojnë skenat botërore. Unë pa dyshim them se ka lindur edhe një yll shqiptar në letërsi i cili na përfaqëson tash e tutje edhe në letërsinë gjermane dhe i cili yll ka pas sukses t’ i tejkalojë kufinjt e Kosovës duke rrëfyer të vërtetën e saj. Për këto suksese do të flitet edhe shumë gjatë.

Mua më mbetet që shkrimtares së re Jehonë Kicaj t´i uroj edhe shumë suksese tjera e besoj se do t´ia arrijë herën tjetër të jetë fituese e çmimit të parë në mesin e gjashtë romaneve të nominuar për çmimin DEUTSCHE BUCHPREIS. Te ne shqiptarët themi se fituesi i dytë gjithmonë është i pari. Për ne shqiptarët ky roman është vlerë dhe ne presim edhe shumë romane tjera nga Jehona jonë, krenaria e Kosovës.

JETËSHKRIMI

Jehonë Kicaj është e lindur në vitin 1991 në Suharekë, Kosovë. Pas mërgimit me familjen e saj në Göttingen të Gjermanisë aty rritet dhe shkollohet. Ka studjuar Filozofinë dhe Germanistikën me temën Shkencat Letrare Gjermane në Hannover. Pas publikimeve dhe botimeve shkencore, në vitin 2020 fillon të botojë edhe shkrime letrare dhe lirike. Është bashkëautore e Antologjisë „Und so blieb man eben für immer-Gastarbeiter:innen und ihre Kinder“ ( „Dhe kështu mbetën gjithmonë – mysafirë-punëtorë dhe fëmijët e tyre“):

Romani „ë“ është romani i saj i parë.

 

 

Tri poezi nga RUZHDI GOLE

.
E PËRVEÇME
1.
Një mëmë e re më fanitet ende …
.
Mua më bëhet sikur ajo shkund
përhera një qilim fluturues,
afër meje përqark meje
shkund dimrat syborë
me vetulla të ngrira
dallgët e jugut
me kësulë
gulçesh.
.
Shpendët e tezgjahut gjithandej
sikur fluturojnë nga ai qilim
i madh, akoma më i vjetër,
bishti i tyre vetëtimthi
shkund nga çatia
qiellore re, re, re
unë shkund
zënka huqe
nga një
pemë
tjetër.
2.
Fluturakët çmerit’ shpup’risin krahët
gjer në kupë të këtij qielli me fe
shplarë epik …ky qiell
hiç hakmarrës
qilim fluturues
për tek ne
përvëlues
hirtë.
.
I vogëlth atëhere, ndrojtur çapkën
i sinqertë plot hile qysh atëhere
mua lart më fluturonin duart,
.
përhera, guxoj t’kqyr qiellin
më duket sikur sot një
ëndërr e re fluturuese
zbret q’andej të më
mbuloj më shpejt
sytë e dëborës
brigje gulçet
s’më mbulon dot
është tjetër qilim
janë të tjerë
shpendë
nga vise
që s’më njohim mua.
.
Zonjë më fanitet…mëma ime…
.
VEÇMAS
1.
Si mund
të dhembshurohem
qeshur ende i përlotur ?
.
Dikur,
një grua e re
nuse e padukshme
një mëmë dhembshurie buzëve
shkundtte th’rrimet e saj jetënatës
brenga huqe brenga sa pafajshëm.
.
Shorti i saj i hidhur dehej natë,
kur vinte në shtëpi lëkundej
andej-këndej k’putur degët,
degët e krahëve, sytë gjak
të ishte ati im … njësoj
tjetër at nga të tjerët?
2.
Kjo grua e thinjur, e pathinjur
dikur nuse e padukshme
tani jeton shumë larg
larg afër mëma ime
e perëndishme,
.
Fjala e saj buiste lutje,
veç lutje … për hir
të fëmijve.
.
Ndërsa deg’këputuri
tani veç parafytyrim
ati im ka qenë
.
dikur
ka qenë ati im …
.
VEÇ … SËBASHKU
.
Përsëmbari, përsëprapthi
rrallë i ndatë ngatërresat,
veç qeshët, së bashku
veç ndonjë çasti
i jetuat brengat.
.
Për hit t’asaj që duhej
ju përtëriheshit
me ngut
për pasardhësit tuaj,
.
rrallë bashkë
i përcjollët humbjet
përveçëm ndjetë gjithçka
harlisje pak, shumë këputje…
.
Në botën e përtejmë aty
mbështetur jeni
shpinë – shpinë
.
A shiheni sy ndër sy ?
.
Veç e veç qeshni … sëbashku..?!.

Intervista- Pandeli Koçi: Te “Naim Frashëri” u botuan veprat që i dhanë Kadaresë famë ndërkombëtare dhe e çuan drejt kandidimit për Çmimin Nobel në Letërsi para vitit 1990

Gazeta Nacional

 

Flet për gazetën “Nacional”, Pandeli Koçi, ish-redaktor i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”

Pandeli Koçi : Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, vendi ku u botuan veprat që i dhanë Kadaresë famë ndërkombëtare dhe e çuan drejt kandidimit për Çmimin Nobel në Letërsi para vitit 1990.

Një dëshmi e rrallë mbi filtrat redaktorialë dhe ideologjikë, mekanizmat botues përmes censurës dhe vetëcensurës, si dhe mënyrën se si u botuan në “Naim Frashëri”  veprat që e bënë Kadarenë figurë botërore të letërsisë.

Intervistoi:  Mujë Buçpapaj

Hyrje

Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” ka qenë institucioni qendror i jetës letrare shqiptare për më shumë se katër dekada të regjimit totalitar, një laborator kulturor ku u formësuan autorët më përfaqësues të letërsisë së realizmit socialist. Aty botuan veprat e tyre poetët dhe prozatorët më të rëndësishëm të epokës, aty u zbatuan standardet redaktoriale të realizmit socialist, por edhe u përballën kufizimet ideologjike të kohës, censura dhe vetëcensura. Pikërisht në këtë institucion u publikuan për herë të parë edhe veprat më të famshme të Ismail Kadaresë, ato që e shndërruan në një emër të njohur ndërkombëtarisht dhe që i hapën rrugën kandidimit të tij për Çmimin Nobel për Letërsi, ende para vitit 1990.

Në këtë intervistë të veçantë, Pandeli Koçi (Sazan Goliku),  redaktor, shkrimtar dhe dëshmitar i drejtpërdrejtë i procesit të botimit në Shqipërinë socialiste, rrëfen nga brenda funksionimin e “Naim Frashërit”: marrëdhëniet me autorët, rolin e kritikës, mekanizmat e përzgjedhjes, censurën e heshtur, por edhe pasionin e njerëzve të librit për të mbrojtur vlerën artistike. Ai ndalet te bashkëpunimet me autorët e rinj, te kontaktet e para me shkrimtarët shqiptarë të  Kosovës, te figurat kryesore të redaksive dhe, natyrisht, te vendi që zinte Kadare në këtë univers botues.

Intervista sjell jo vetëm kujtime personale, por edhe një panoramë të çmuar të historisë së botimit shqiptar, një dëshmi për rolin e librit në kushte të vështira të kufizimeve ideologjike, për përgjegjësinë e redaktorit dhe për nevojën, sot, që shteti të mbështesë kulturën e shkruar,  sidomos librin shkencor, me karakter edukues dhe kombëtar.

  1. Fillimet dhe përvoja redaktoriale

Pyetje: Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” ka qenë e vetmja ndërmarrje botuese te ne që trajtonte e botonte letërsi artistike shqipe të traditës dhe bashkëkohore, si dhe letërsi të huaj artistike  Keni punuar aty nga viti 1959 deri më 1980. Si do ta përshkruanit në tërësi këtë përvojë shumëvjeçare redaktoriale dhe njerëzore?

Përgjigje: Kam qënë redaktor në redaksinë e poezisë, dramës dhe kritikës letrare. Në atë kohë shef redaksie ka qenë studiuesi i letërsisë Dhimitër Fullani, drejtor i institucionit ka qenë shkrimtari i mirënjohur Ali Abdihoxha (i cili më vonë u zëvendësua nga një që kishte studiuar për historinë bashkëkohëse) dhe nëndrejtor ka qenë shkrimtari e përkthyesi Alqi  Kristo (i cili u zëvëndësua me një punonjës partie). Marrëdhëniet e mia me ta kanë qanë qenë korrekte. Ata nuk ndërhynin në vlerësimin e punës sonë, por ishin të gatshëm të diskutonin në frymë partie, por edhe të bënin vërejtje për pjesë të strukturës së shkrimeve dhe të mos  pranonin prerë ato shkrime që u dukeshin të papërshtatshme dhe të gabuara. Edhe mes kolegëve ka pasur një frymë mirësjelljeje dhe mosndërhyrje në materialet që redaktonte secili. Praktika e botimit ka qenë e përcaktuar zyrtarisht, por edhe sot mendoj se ajo ndikonte realisht për të përcaktuar vlerat  ideore e artistike, duke shmangur dorëshkrimet e dobëta, mediokre dhe natyrisht ato që preknin normat ideologjike e politike të Partisë së Punës. Marrëdhëniet me autorët, që kishin sjell dorëshkrimet, ishin dashamirëse, por dhe konfliktuoze me ndonjë autor që nuk ishte i bindur për argumentet që i ishin bërë kur i kthehej dorëshkrimi si i pabotueshëm ose i bëheshin vërejtje serioze. Kishte dhe nga ata që ankoheshin deri në KQ të Partisë.

Pyetje: Si redaktor i ri në fillimet tuaja, si e kujtoni takimin e parë me drejtuesit e redaksisë dhe me drejtorin e atëhershëm, shkrimtarin e njohur Ali Abdihoxha, autorin e romanit Një vjeshtë me stuhiTri ngjyrat e kohës, Kronika e një nate etj. që ishin përfshirë edhe në programet shkollore të kohës?

Përgjigje: Ç’është e vërteta redaktorët takoheshin rrallë për problem pune me drejtorin, se lidhjet i kishin me shefat përkatës të redaksive. Unë nuk druhesha ta takoja drejtorin dhe diskutonim për letërsinë, madje dhe për veprat e tij. Muajt e parë të punës redaktova përmbledhjen me shkrime letrare e publicistike të LANÇ-it, të përgatitur nga dy gazetarë ushtarakë dhe, duke qenë se shumica shkruheshin dhe shtypeshin në kushtet e ilegalitetit dhe me të folme nga të gjitha krahinat e vendit plus gabimeve teknike, bëra një punë të kujdesshme dhe të vështirë tekstologjike. Nga vitet1967 nuk viheshin më emrat e redaktorëve pas frontespisit të librave. Shkova te drejtori dhe i kërkova që të vihej në libër emri im si redaktor. Drejtori pyeti “lart” dhe të nesërmen më tha se u rregullua ajo punë…Dhe vijoi për të gjithë. Më ka ardhur keq që në varrimin e këtij shkrimtari me emër dhe njeriu të mirë dhe korrekt nuk u dha asnjë njoftim dhe për homazh shkuan vetëm tre shkrimtarë.

Pyetje: Pas një periudhe të shkurtër në redaksinë e letërsisë për fëmijë, ju kaluat në redaksinë e poezisë, dramës dhe kritikës letrare, nën drejtimin e Dhimitër Fullanit. Si e përjetuat këtë etapë të re profesionale?

Përgjigje: Që nga viti 1961 kisha nisur të botoja recensione e kritika letrare në organet e shtypit, kisha njëfarë përvoje në fushën e letrave. Isha i vetëdijshëm që në vlerësimin e veprave letrare e artistike është i pashmangshëm subjektiviteti që kushtëzohet nga shijet vetjake dhe niveli teorik e kulturor i vlerësuesit, prandaj si redaktor përpiqesha të isha sa më i hapur me autorët dhe të kisha parasysh mendimet e recensuesve e të kritikës letrare. Për të parë dhe ecurinë krijuese të autorit që redaktoja, lexoja edhe librat e mëparshëm të tij. Nuk e di, po shefi i redaksisë Dhimitri më jepte për redaktim kryesisht  dorëshkrimet e autorëve të rinj që i kishin sjellë për herë të parë. Shumë nga këta autorë u bënë poetë të shquar si Anton (Ndoc) Papleka, Sadik Bejko, Ndoc Gjetja, Xhevahir Spahiu, Skënder Buçpapaj, Hamit Aliaj, Stefan Martiko e shumë e shumë të tjerë, që të më falin, se nuk është vendi t’i përmend këtu. Unë gëzohesha si për vete kur botoja një libër të një poeti vërtetë të talentuar. Më habiti një herë Dhimitri kur  në prani të një poeti tha: “Ne punojmë si mbi gjëmba”.

  1. Filtrat redaktorialë dhe censura ideologjike

Pyetje: Brezi i ri i lexuesve dhe studentëve nuk ka një ide të qartë mbi filtrat redaktorialë dhe censurën ideologjike që përcaktonin fatin e një libri nga dorëshkrimi deri te botimi. Si funksiononte në praktikë ky proces redaktimi dhe miratimi?

Përgjigje: Ju përmendni termin censurë. Zyrtarisht te ne nuk ka ekzistuar, por ajo ka vepruar realisht. Formimi shkollor ideoestetik, propaganda  e vazhdueshme në libra, gazeta, radio e televizion etj. kishin gdhendur në konceptet e shijet e njerëzve kriteret e normat dogmatike, të ideologjizuara e të politizuara. Edhe shkrimtarët e artistët në një mënyrë ose në një tjetër, në një shkallë ose në një tjetër zbatonin ideologjinë e Partisë, kriteret dhe normat e realimit socialist. Vetëm kështu mund të botonin. Pra, vetëcensura ishte te vetë autorët. Redaktorët përveç vlerave artistike të teksteve shikonin me konsekuencë ndonjë “shkarje” të mundshme. Edhe kritika letrare nuk të falte. “Nxirja e realitetit socialist”, “Psikologjizmi i sëmurë, farmalizmi, hermetizmi quheshin ndikime borgjezo-revizioniste, pra “shfaqje të huaja armiqësore”. Këto kufizime çuan në një pjesë të krijimeve letrare, si në poezi retorizmin e skajshëm e të njëanshëm, në prozë, dhe sidomos në dramaturgji, në skematizëm të hapur. Por edhe në këto kushte letërsia shqipe vazhdonte të zhvillohej si sasi e cilësi dhe të krijonte vepra me vlera artistike të nivelit të lartë. Këto janë pasuri kombëtare kudo e kurdo janë krijuar dhe nuk mund të nxihen dhe të hidhen poshtë gjithçka që u krijua edhe në kohën e totalitarizmit socialist.

Pyetje: Praktika e dy deri në tre të recencave për çdo dorëshkrim ishte një rregull institucional i kohës. Si realizohej ajo në të vërtetë? A ishte vërtet një kritikë “e fshehtë”, që autori nuk e mësonte, por që shpesh përcaktonte nëse një libër botohej apo jo?

Përgjigje: Nuk di të ketë pasur ndonjë rregull të shkruar ose të pashkruar, aq më tepër “i fshehtë” që autorit nuk i jepej recensioni. Të paktën mua nuk më është sugjeruar një gjë e tillë dhe mes qindra recensionesh nuk ia kam fshehur ndonjë autori. Përgjigjen me shkrim për dorëshkrimin që ishte i pabotueshëm ose i ripunueshm e hartonte redaktori përkatës dhe e nënshkruante shefi i redaksisë.

Pyetje: Si i njoftonit autorët kur recensat ishin refuzuese dhe kërkohej rishikim i dorëshkrimit? Çfarë nënkuptonte në atë kohë udhëzimi që një libër “duhej pasuruar me tematikën e klasës punëtore dhe të jetës socialiste”?

Përgjigje: Kishte ndonjë redaktor që, për ta pasuruar librin  nga ana tematike, ia kërkonte autorit që të sillte poezi të reja, por unë, mesa më kujtohet, nuk kam pasur një rast të tillë. Kur në dorëshkrim kishte poezi me tema nga klasa punëtore ose nga fshatarsia punonjëse, por ishin artistikisht të dobëta, ato nuk botoheshin.

Pyetje: Po marrëdhëniet me Bilal Xhaferrin, një autor me “biografi të keqe” sipas standardeve të kohës, si ishin? Si reflektohej kjo në qëndrimin institucional ndaj tij?

Përgjigje: Bilalin e kam njohur, madje  më vinte edhe në shtëpi dhe unë i shkoja  në  në dhomën e hotelit “Çajupi” me dritaren nga bulevardi, ku ai shkruante romanin e tij historik “Krastakraus” që në Prishtinë u botua më vonë me titullin “”Berati ra”. Më lexonte fragmente nga romani. Ai ishte një talent i rrallë. Edhe pse kishte “biografi të keqe”(babain e pushkatuar), atij ju lejua të botonte, së pari në gazetën “Zëri i Rinisë”, ku ishte kryeredaktor Dhimitër Verli, dashamirës i autorëve të rinjve me prirje liberale; pastaj Bilali botoi një libër me tregime dhe një me poezi, që u pritën mirë nga lexuesit.

Pyetje: Si i kujtoni sot shkrimtarët dhe poetët e asaj kohe, si edhe kolegët tuaj në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”? P.sh., çfarë mund të na thoni për marrëdhëniet  me Safo Markon?

Përgjigje: Kam pasur shoqëri e miqësi me shumë poetë,  prozatorë dhe kolegë si  Faik Ballanca, Agim Mato, Sadik Bejko, Xhevahir Spahiu, Perikli Jorgoni, Hiqmet Meçaj, Rinush Idrizi, Kiço Blushi, Sulejman Mato, Nasi Lera, Koço Kosta, Tatjana Buda, Iskra Tato, Adriatik Kallulli, Odise Grillo dhe shumë të tjerë, me të cilët kam kujtime të bukura. Safo Marko ka punuar në Shtëpinë Botuese. Ajo ka qenë piktore me individualitet të spikatur me ilustrimet për fëmijë, në skicat e librave dhe në pllakatet e ndryshme. Si redaktorë bashkëpunonim me të për librat që çonim për shtyp.

Pyetje: Ju keni qenë ndër të parët që botuat librin e Skënder Buçpapajt “Zogu i bjeshkës” dhe poetët e rinj të Tropojës në fillim të viteve 1970, kur ata ishin rreth të njëzetave. Si u pritën poezitë e tyre në atë periudhë?

Përgjigje: Me poezitë e tyre poetët e rinj të Tropojës, ose më sakt të Malësisë së Gjakovës, bën të lulëzojë kopshti poetik i asaj treve me lule shumëngjyrëse dhe tinguj bjeshke. Freskia e motiveve që sollën, sa lirike aq dhe epike, janë shprehje të talentit të trashëguar ndër breza në ato male madhështore. Dhe lexuesit e poezisë i vlerësuan si lule të frekëta dhe risi poetike. Skënderi hyri në poezinë shqipe me një talent dhe pjekuri të pazakontë për moshën e tij të re. E mbaj mend edhe sot kur erdhi në redaksi: një djalë 18-vjeçar, i druajtur dhe shtatlartë, që e solli librin me poezi në një fletore shkolle, por me një shkrim shumë të qartë. Ai ishte së bashku me shkrimtaren Besa Bajraktari, e cila ishte kujdesur shumë për Skënderin, të cilin e kishte pasur nxënës në shkollën 8-vjeçare në Tpla të Tropojës.

Pyetje: Ju jeni, gjithashtu,  i pari që përzgjodhët dhe botuat poetët shqiptarë nga Kosova, duke filluar nga vitet 1970. Si zhvillohej procesi i përgatitjes dhe përzgjedhjes së tyre për botim? Çfarë vështirësish kishit në këtë drejtim?

Përgjigje: Një koniunkturë e përshtatshme politike ne vitin 1970 bëri të çahej muri pa kuptim që nuk lejonte botimin e letërsisë shqipe të krahut verilindor e lindor. Librat vinin nga “Rilindja”, por ato ishin të mbyllura në Bibliotekën Kombëtare dhe mund t’i lexoje vetëm me autorizime të posaçme. Unë mora një autorizim nga Shtëpia Botuese dhe Ministria e Kulturës dhe nisa punën, po jashtë orarit zyrtar, në sallën shkencore të Bibliotekës deri më nëntë të natës. Përgatita së pari antologjinë “Për ty” me poezi kryesisht të shquar Esad Mekulit pastaj antologjinë “E di një fjalë prej gur”. Vazhdova të përgatitja libra të poetëve Enver Gjergjeku, Azem Shkreli, Rrahman Dedaj, Ali Podrimja, Fahredin Gunga, Qerim Ujkani, Jusuf Gërvalla, Abdulaziz Islami dhe shumë poetë të tjerë të rinj, në ate kohë, si Edi Shukriu, Agim Vinca, Flora Brovina. Gjithashtu, botova edhe vepra në prozë e dramaturgji, si nga Mehmet Kraja, Jusuf Buxhovi, Ekrem Kryeziu, Josip Rela etj. Ishte një frymëmarrje e re për lexuesit tanë. Edhe gazeta “Drita” dhe revista “Nëntori” botonin herëpashere nga letërsia e Kosovës, por në shtyp e RTSH fare pak u bëhej jehon këtyre librave.

III. Kadare dhe roli i “Naim Frashërit”

Pyetje: Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” është institucioni ku u botuan veprat më të rëndësishme të Ismail Kadaresë deri në vitin 1990: Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Kështjella, Kronikë në gur, Dimri i madh, Prilli i thyer, Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave, e të tjera. Si e vlerësoni mendimin e diskutueshem se pas viteve 1990, Kadare nuk arriti  të shkruajë romane të fuqisë artistike të atyre të mëparshme?

Përgjigje: Që në periudhën e totalitarizmit socialist ka pasur “mendime” të skajshme për veprat e Kadaresë dhe vazhdojnë edhe sot. Po janë thjesht mendime empirike e vulgare të njërit e tjetrit. Për të gjykuar e vlerësuar artin dhe diapazonin e gjerë të krijimtarisë letrare të Kadaresë, tashmë të ndarë nga jeta, le t’ua lemë kritikës letrare brenda e jashtë vendit dhe studiuesve profesionistë të historisë së letërsisë.

Vlerësimi i shpërndarë shpesh në publik se pas viteve 1990 autori nuk ka prodhuar më vepra të rangut artistik të periudhës pararendëse tek “Naim Frashëri”, mendoj se është një formulim reduktues dhe i njëanshëm. Në dekadat pas rënies së sistemit socialist, Kadare ka krijuar një pjesë të konsiderueshme të opusit të tij, ku vërehet një thellim i tematikave të kujtesës historike, i ndërgjegjes qytetare dhe i refleksioneve mbi identitetin evropian të kulturës shqiptare. Shumë prej këtyre veprave janë pritur me vlerësime pozitive nga kritika ndërkombëtare dhe kanë gjetur një hapësirë të gjerë përkthimesh në gjuhët më të rëndësishme të botës.

Nga ana tjetër është një fakt i njohur dhe i dokumentuar se Ismail Kadare i botoi të gjitha veprat e tij të famshme,  fillimisht në gjuhën shqipe dhe në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, institucion ky shtetëror,  që pavarësisht kufizimeve të forta të kohës, deri në vitin 1990 u bë një nga qendrat më të rëndësishme të prodhimit kulturor në vend. Vepra të tilla që e bënë Kadarenë të famshëm në botë,  si Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Kështjella, Kronikë në gur, Dimri i madh, Prilli i thyer dhe Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave etj., u botuan pikërisht në këtë institucion dhe sot përbëjnë bërthamën e kanonit letrar të autorit, duke u konsideruar ndër arritjet më përfaqësuese të letërsisë bashkëkohore shqiptare. Pas botimit nga Naim Frashëri, këto vepra u botuan jashtë vendit, kryesisht në Francë e në vende të tjera. Kadare u nominua për Çmimin Nobël në letërsi në fund të viteve 1980 kur regjimi komunist nuk kishte rënë akoma dhe kur Kadare kishte botues të parë në gjuhën shqipe Shtëpinë Botuese Naim Frashëri, Tiranë.

Me vjen keq që dekadat  fundit nuk përmendet fare ky fakt dhe ngjan sikur Kadarenë e zbuloi ndonjë shtepi botuese pas vitit 1990, çfarë nuk është e vertetë. Suksesi nderkombëtar i Ismail Kadaresë fillon  tek “Naim Frashëri”  me librat e tij më përfaqësuese.

  1. IV. Trashëgimia dhe reflektimet mbi librin sot

Pyetje: Si e vlerësoni sot rolin historik të shtëpisë botuese “Naim Frashëri” në afirmimin e letërsisë shqipe te realizmit socilast dhe të autorëve tanë më përfaqësues në arenën ndërkombëtare, përfshirë Ismail Kadarenë? Mendoni se shteti shqiptar duhej ta kishte ruajtur këtë institucion publik? Përse?

Përgjigje: Duke mos mohuar rolin historik të shtëpisë botuese “Naim Frashëri” për botimin e letërsisë shqipe dhe asaj botërore në gjuhën shqipe, nuk mund të flasim në ditët e sotme për nostalgji, kur kanë ndodhur ndryshime rrënjësore në strukturën e superstrukturën e shtetit. Unë nuk di të ketë ndërmarrje  botuese shtetërore në vendet kapitaliste perëndimore.

Fakti që “Naim Frashëri” u mbyll tregoi se ajo, si ndërmarrje botuese, nuk mund ta përballonte ekonominë e tregut. Por, duke parë se nga tregu i librit po zhduken librat shkencorë, historikë, studimorë që kërkojnë shumë shpenzime, monografitë e rëndësishme për figurat kombëtare, librat me karakter edukues kombëtar dhe veprat që përbëjnë trashëgiminë tonë kulturore, duhet kërkuar që të mbahet gjallë një ent botues publik, pluralist dhe i bazuar në parime shkencore e të pavarura. Është e domosdoshme të ruhet letërsia kombëtare për interes kombëtar, sidomos në një treg të mbushur me libra spekulativë dhe ç’edukues, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë, ku fryma e komercialitetit po ndikon në varfërimin e bibliotekës kombëtare të librit. Në Panairin e fundit të Librit, Tirana 2025, 80% e titujve të rinj ishin nga letërsia e huaj.

Pyetje: Sot nuk ekziston më censura ideologjike, por nuk ka redakator, por letërsia përballet me pengesa të tjera: mungesë fondesh, kosto të larta botimi, shpërndarje të dobët dhe një treg librash të rrënuar. Një autor shpesh nuk arrin të botojë më shumë se pesëdhjetë kopje të librit të tij. Mendoni se shteti duhet të ndërhyjë për ta mbështetur autorin dhe librin shqiptar?

Përgjigje: Natyrisht, është e domosdoshme! Shteti duhet t’i ndihmojë vlerat  kombëtare, siç është letërsia artistike. Por duhet të gjejë rrugët e mënyrat e frytshme, më mirë se deri tash, për të mos rënë pre e burokracisë shtetërore dhe e interesave të klaneve korruptuese  brenda dhe jashtë pushtetit.

Pyetje: Për fund, çfarë do të dëshironit të shtonit si mesazh për brezat e rinj të shkrimtarëve e të redaktorëve të letërsisë?

Përgjigje: Mos ta lëshojnë penën nga dora! Përherë u kam përsëritur autorëve të rinj një thënie sa paradoksale aq dhe të dobishme të Maksim Gorkit: “Dora mëson kokën”. Një redaktor i mirë duhet të jetë kritik i mprehtë dhe i ditur që të kuptojë dhe të depërtojë në shpirtin e veprës e të shkrimtarit. Kujdes! Një kritik ose një redaktor tendencios ose keqdashës mund ta “varros” një talent të ri e të vërtetë.

Në Ulqin u përurua libri i shkrimtares nga Pazari i ri i zn. Amina Nuraj “Unë bija e atdheut”- Nga Neki Lulaj

Një libër i rrallë me plotë trishtime

“”Unë Bija e Atdheut “e autores Amina Nuraj

Nën patron atin e Lidhjes Demokratike të Malit të Zi dhe Këshillit kombëtar të shqiptarëve ,në Galerinë e qendrës kulturore në Ulqin me mode rimin e shkëlqyer nga znj. Ardita Rama drejtoreshë e bibliotekës u përurua libri i shkrimtares nga Pazari i ri i zn. Amina Nuraj “Unë bija e atdheut”.

Moderatorja në fillim të këtij manifestimi kulturor përshëndeti të gjithë të pranishmit në këtë eveniment kulturor e në veçanti Kryetarin e Lidhjes Demokratike për Malin e Zi zt. Saubih Mehmetin, Kryetarin e Këshillit kombëtar të shqiptareve në Malin e Zi zt.Faik Nika, Konsullin e Republikës të Kosovës në Malin e Zi si dhe mysafirët tjerë të ardhur nga mërgata,Kosova ,Shqipëria, Kraja,Sanxhaku..!

Në vazhdim fjalën ja kaloi regeruesot të librit pishtarit të arsimit shkrimtarit dhe poetit zt. Ali Gjeçbritaj , i cili kishte bërë një analizë të thukët për këtë mbrëmje letrare duke theksuar se ky libër ngërthen në vehte ngjarje të vërteta tejët tronditese nga një shtypje e egër qe u behët shwiptarëve të pa mbrojtur në Ssnxhak dhe në Pazarine ri, ku znj. Nuraj me tërë forcën e shpirtit dhe britmat e zërit të saj vjen nga hapësira si zë i vetmuar por me një këmbëngulësi të pa parë titanike .

Kjo klithmë zëri vjen në ruajtjen e çenjës identitetit kombëtar shqiptar. Duke bërë një rezistencë stoike e cila venë në rrezik vëthen e saj rrethin e ngushte familjar dhe shumë shqiptar në Sanxhak e me rrethin qe mendojnë si kjo. Në Pazarin e ri dhe në Sanxhak ,qe një shekull e në vazhdimësi zhvillohet një gjenocid një aparteid i pa parë nga regjimi fashizoid i Serbisë. Te cilën nuk e dinë askush, me përjashtim të atyre shqiptarëve qe jetojnë stjr dhe qe nuk kanë guxim të deklarohen shqiptar e qe jetojnë si në Geto në Pazarin e ri e në Sanxhak me rrethinë. Referuesi Ali Gjeçbritaj,në vazhdim të rezymesë referimit mbi librin në fjalë tha ky libër nuk është i dobishëm vetëm të lexohet por të studiohet me përpi kmeri të mësohet më shumë për fatin e shqiptarëve atje të cilët sipas autores se librit bëjnë një rezistencë të heshtur ngërthyer nga ankthi e friga.Libri “Unë bija e atdheut “përmban gjithsejte 191 faqe i cili është edhe libër autobiografik por ka edhe një histori të dhimbshme familjare i ilustrua edhe me shumë fotografi përsonazhesh.

Autorja e librit është e lindur me 25 prill 1997 në Pazarin e ri dhe rrjedhë nga një familje me tradita të forta shqiptare. Nga libri siç pohon referuesi Ali Gjeçbritaj ,mësova se si ruhët më fanatizëm identiteti kombëtar me çka e përgëzoi autoren në fjalë për bujarin dhe trimërinë e saj. Dhe krejt në fund të fjalës se tij tha lus lexuesin e mirëfillte qe ta lexon me përkushtim në mënyrë qe të vjelë nga ky libër edhe shumë gjera interesante qe nuk i thashë unë.

Në vazhdim drejtoresha e bibliotekës së Ulqinit znj. Ardita Rama, pra të pranishmit lexojë një tregim nga shumë tregime qe përmbante libri me titull :Mësuesi me sy të shtrembër, i cili ishte shumë interesant dhe ngërthente ne vetvete një ngjarje rren qethëse të vet autores e cila tregon identitetin e vet dhe të Flamurit shqiptar. Gjatë këtij leximi rren qethës shumë pati emocioe çka nuk na munguan as lotët nëpër faqe.

Qe të ndyshohët sado kjo atmosferë e rendë rren qethëse u ftua poeti shkrimtari nga Kosova-Gjermania Neki Lulaj, me një Poezi, i cili në fillim të fjalës se tij tha :”Përgëzoj autoren e librit znj. Amina Nuraj një herët Kryetare e këshillit kombëtar në Sanxhak , duke u shprehur se ky libër po Përurohet në muajin nëntor, në Nëntorin e 117 -të te Kongresit të Manastirit në 113 vjetorin e Shpalljes se Mëvetësisë se Shqipërisë dhe pakë muaj më vonë në 18 vjetorin e Pavarësisë të Kosovës, andaj qëndro krenare dhe e pa thyeshme”. Pastaj lexoi Poezinë : Më shumë se një lutje ,e cila nga të pranishmit u mirëprit me duartrokitje fren etike.

Në vazhdim të përurimit u shfaq një Dokumentar autor Marin Mema ‘gjiruar në pjesët e banuara me shqiptar në Pazarin e ri dhe në Sanxhak me rrethinë me fjalime të ndryshme dhe intervista. Ku mes tjerash një shqiptar thot mos na harroni dhe çdo iniciativë a nismë qe mirët nga Kosova ose Shqipëria duhet përshëndet duhet bëjnë më shumë për ne Prishtina dhe Tirana, nëse na ka harruar Zoti këto dy qendra nuk është dashtë të na harrojnë.
E një qytetar tjetër shqiptar shprehët kështu:
“Ëj mos na harroni
Se ne jemi djegur
Për Shqipëri…

Pas këtij Dokumentari sa interesant aq edhe nostalgjik ,fjala ju dha autores së librit : Amina Nuraj, „Unë bija e atdheut“ , e cila më shumë emocione evokoj kujtimet dhe përjetimet e saja rrënqethese dhe të ndryshme e mes tjerash ajo tha ” Në moshën 11 vjeçare për herë të parë kur kam vizituar Mitrovicën dhe jam befasuar me mikpritjen qe kam përjetuar në atje ,sepse ne rrethin ku jetoja për shqiparët më kanë thënë krejt diçka tjetër „Duke i klasifituar si njerëz te egër qe jetojnë nëpër pemë“ dhe qe nga ai moment në botë time shpirtërore lindi një Diell i vonuar,nga ajo vizitë tek unë çdo gjë ka ndryshuar qe nga ai moment unë kam gjykuar dhe menduar dhe kënduar vetëm shqip këtë punë e bejë edhe sotë e gjithë jetën.”

Kur jam shprehë në shkollë Mësuasi na tha të gjithë nxënesit le ta prekin flamurin e tyre e une u përgjegja se Flamuri me Shqiponjë është i imi. Nga ai moment unë kam patur shumë probleme edhe më mësuesin në klasë edhe me bashkëmoshataret në shkollë, isha e përbuzur.

Mësuesi me tha ne e kemi flamurin e Serbisë kure unë i thash jo Unë jam shqiptare kam flamurin me shqiponjë!.Punët u thelluan aq shumë dhe kështu kjo ngjarje mori përmasa të mdha .Drejtor ati i shkollës me bëri verejtje mue dhe u bëri vërejtje edhe prindërve te mi. Familja fillimisht nuk me ka përkrahur. Në moshën 16 vjeçare jam arrestuar nga milicija serbe për një poezi qe ja kam kushtua Adem Jasharit ,të cilët më kërcënonin duke me thënë:“ Kush të paguan ty?“ Angazhimin tim nuk e kam ndalë në asnjë moment dhe atë nuk do ta ndalë kurrë !.Nëpër breza dhe faqet e historisë ne shqipttarët ne Sanxhak,kemi qenë familje e përndjekur te torturuar dhe persekutuar.

Rinia e Sanxhakut është e ndrydhur si Misri nën Mokrën e mullirit ,ose si  kokrrat e ullirit kur lëshojnë lëng.

Tani më rinia e Sanxhakut dhe Pazarit te ri është edhe duke u vetëdijesuar dhe të gjithë bashkë duhet dalë me çdo çmim nga kjo gjendje e rendë e këtij gjenocidi dhe ketyre ndrydhjeve shpirtërore. E besoni ne vuajmë më shumë se Çamët e çmerisë. Ju lutëm juve , mësoni për Historinë e Sanxhakut do të tmerroheni se, nëpër çfarë katrahurash kalon populli shqiptar. Ta dini edhe këtë ,se në Sanxhak janë asimiluar 380 mijë shqiptar. Dhimbja është e madhe e ne nuk do të ndalemi kurrë në kërkim të drejtave tona dhe te drejtat tona të vendosën aty ku e kane vendin. Pas 100 vitesh e kam hapur Këshillin kombëtar shqiptar në Sanxhak Kryetare e keti asosacioni jam unë,tha në fund të fjalës përmbyllëse znj. Amina Nuraj.

Ne foto ::Ardita Rama,Amina Nuraj dhe Ali Gjeçbritaj.

Ne foto Neki Lulaj dhe Amina Nuraj

Ne foto Neki Lulaj duke recituar,Ardita Rama Amina Nura dhe Ali Gjeçbritj

Shkrimtari Neki Lulaj dhe Kryetari i LD.për Mal të Zi zt.Saubih Mehmeti.

Pse jepen çmime në Panairin e Librit, kur Juria nuk paska kohë për t’i lexuar të gjithë librat?!- Nga BUJAR HUDHRI

ExLibris

Sa herë vjen e-maili nga sekretaria e shoqatës tonë të botuesve për të dërguar sa më shpejt librat për konkursin e panairit të radhës, më trishton shumë.

Duhej të ishte gëzim, në fakt, për mua si botues i Onufrit, ku prej 33 vjetësh, kemi krijuar katalogun e shkrimtarëve më të mirë të letërsisë shqipe.

Po përse ndodh kjo?
Sepse e di se çfarë gëzimi është për një krijues shiptar, jo aq për shpërblimin modest financiar, se sa vlerësimin moral përballë lexuesve dhe kolegëve. Apo për krijuesit e rinj, që me aq padurim mbase e presin një çmim në ngjarje të tilla të festës së librit.

Fatkeqësisht, prej vitesh e di që ky konkurs është një farsë, për të mos thënë, një tallje vlerësimet librave të tyre. Pse? Sepse me afatin e shkurtër që Juria ka në dispozicion, kurrë nuk do të mundet t’i lexojë të gjithë librat!

E kam biseduar shpesh me kolegët e mi, madje, para shumë vjetësh kam shkruar një editorial. Meqenëse është po ajo gjendje, në mos më keq, po e ribotoj pikërisht në këtë kohë pas panairit.

Panairi i librit mund të japë vetëm çmimin e karrierës. Jo si deri sot

Prej disa vjetësh kryesia e shoqatës së botuesve jep ditën e fundit të panairit disa çmime: për librin më të mirë nga letërsia shqipe, përkthimin më të mirë, letërsinë për fëmijë..
Por cila është procedura e dhënies së çmimeve.? Cili libër mund të fitojë çmimin e vitit? Për këtë po sjell në vëmendjen e lexuesit udhëzimet që vijnë nga sekretaria e shoqatës. Ja, tekstualisht: “E drejta për konkurim u jepet vetëm botuesve që janë pjesëmarrës në panair. Do të përfshihen në konkurs të gjitha botimet pas Panairit të 20 të Librit (domethënë dhjetor 2017-nëntor 2018). Data e botimit duhet të vërtetohet nëse është e fundvitit 2017.”

Pyetja e parë, që del natyrshëm, është: si mund ta vërtetosh që ky libër është botuar në fund të vitit 2017?! Në të gjithë kohërat, në të gjitha gjuhët shënohet vetëm viti i botimit. Nuk ka një shenjë apo symbol tjetër që ta saktësojë ditën e javës, apo muajin e vitit kur del një libër. Sepse libri nuk është gazetë, apo jo?

Problemi tjetër që duket i pamundur të zgjidhet është se deri kur pranohen më librat për konkurim. Ja njoftimi që vjen nga kryesia e botuesve:

“Lutemi që të gjithë të interesuarit (pjesëmarrës në Panair) të dorëzojnë deri në datën 31 tetor nga një kopje të librit/librave që ata propozojnë për çmim. Libri duhet të jetë botuar detyrimisht brenda kësaj date. Libri ose librat që do konkurrojnë për çmim duhet të dorëzohen në sekretarinë e Panairit brenda kësaj date nga Botuesi, Autori apo Përkthyesi. Gjithashtu mund të dorëzohen libra edhe në formë elektronike apo dorëshkrim, por me kusht që të dorëzohet në formë librore deri më datë 31 tetor 2018.”

Pyetja që mund të shtrohet në këtë rast është thjeshtë. Nëse ditën e 31 tetorit vijnë 10 apo 20 apo kushedi se sa romane në dorëshkrim, a do t’i lexojë dot juria e përbërë prej katër vetash? A ka mundësi reale që t’i lexojë juria një për një, për të gjetur fituesin e merituar? Absolutisht që jo. A e di juria dhe kryesia e botuesve? Sigurisht që po. Dhe kjo histori e çuditshme vazhdon prej vitesh. Pra, librat nuk lexohen, por çmime jepen. Po si, në ç’mënyrë? Me çfarë ndërgjegje profesionale? Do të fitonte shumë libri shqip, nëse këto çmime, tani e tutje, të mos jepeshin më. I vetmi çmim që mund të jepet dhe është në nderin e Panairit të Librit të Tiranës, ky është vetëm një dhe quhet Çmimi i Karrierës për Autorine Letërsisë Shqipe.


Send this to a friend