Kuvendi i Shqipërisë gjatë seancës së sotme plenare miratoi ndryshimet në kodin zgjedhor duke përmbyllur procesin e reformës zgjedhore, si dhe miratoi vendimet për organet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve(KQZ), transmeton Anadolu Agency(AA).
Sipas njoftimit nga Kuvendi i Shqipërisë, deputetët e shumicës parlamentare u shprehën se ndryshimet në kodin zgjedhor reflektojnë më së miri kërkesat e zgjedhësve për mundësi të tjera, përveç votimit të logos partiake, duke iu referuar përfshirjes së listave të hapura për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e ardhshme.
Sipas ndryshimeve në Kodin zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen më 25 prill të vitit 2021, do të aplikohet sistemi i votimit me lista të hapura, ku votuesve u jepet mundësia të zgjedhin partinë dhe kandidatin për deputet.
Kuvendi gjithashtu ka vendosur që pragu zgjedhor në shkallë vendi të jetë 1 për qind dhe koalicionet të jenë me listë unike dhe në një sigël të vetme.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, gjatë fjalës në seancën parlamentare tha se miratimi sot i ndryshimeve në kodin zgjedhor dhe i institucioneve të administrimit të zgjedhjeve do të ndikojë në mënyrë kapilare dhe pozitive në proceset zgjedhore të ardhshme në Shqipëri.
“Me këto ndryshime, Kuvendi iu afrua maksimalisht, natyrisht aq sa e kishte të mundur, alternativave të forcave politike për ndërtimin legjislacionit e infrastrukturës zgjedhore që u shërbejnë zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kryesorja është se plotësuam pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë, të cilët i kanë artikuluar qartë kërkesat për rregulla zgjedhore që nuk deformojnë e anashkalojnë, por garantojnë vullnetin e tyre”, u shpreh kryeparlamenatri Ruçi, sipas njoftimit të Kuvendit të Shqipërisë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalës në seancë tha se listat janë të hapura. “Sa i përket listave, çdokush që do të hyjë në listë ka mundësinë të zgjidhet, por patjetër për t’u zgjedhur duhet të marrë votat. Pa vota apo me 100 vota nuk ka. Partia Socialiste është një familje që ka rregulla”, u shpreh kryeministri Rama.
Ndryshimet në kodin zgjedhor janë kundërshtuar nga kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, i cili në një reagim në rrjetet sociale shkruan se akti i sotëm është antikushtetues dhe sipas tij “godet rëndë integrimin evropian të vendit”.
Lidhur me projektvendimet për organet e reja të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi u zgjodh Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve dhe Lealba Pelinku u zgjodh nënkomisionere. Anëtarë të Komisionit Rregullator u zgjodhën Ilirjana Nano, Dritan Çaka, Arenc Çela, Muharrem Cakaj dhe Helga Vuka. Anëtarë të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve u zgjodhën Ilirjan Rusmajli, Elvin Lako, Koli Bele, Elvis Çefa dhe Ledjo Braho.
Komentet