BLOG
Një njeri pa etikë është një kafshë e egër, e zgidhur që lëviz e lirë në këtë botë, thotë Albert Camus. Deduksioni i Camus e shpall në mënyrë deklarative rrezikshmërinë e kësaj kategorie në shoqërinë njerëzore. Imagjinoni një ujk për shembull që bredh jashtë kafazit të Zooparkut ose Kopështit Zoologjik. Dhe ndodh që me ujq të tillë krokodile apo hiena të ndeshemi edhe në Facebook.
Për të garantuar mbarëvajtje sipas etikës të komunikimit njerëzor po ju ofroj disa këshilla:
1.Hiqni nga lista e miqve ata që ju kërkojnë të harxhoni kohën tuaj për ta dhe ata vetë harxhojnë për ju kohën kur ju kërkojnë t’ju dedikoheni atyre.
2.Nëse konstatoni se miqtë tuaj shajnë miqtë e përbashkët, hiqini nga lista, ose konsideroini të hequr, sepse ashtu si shajnë miqtë tuaj të përbashkët, ashtu ju shajnë edhe ju.
3.Hiqni nga lista e miqve kush bën komente me kuptim të dyfishtë në murin tuaj. Ndaj tyre toleranca zero. Është sikur t’ju vinë në shtëpi, t’ju pinë kafenë e t’ju hedhin vickla. A do t’i pranonit ? Kurrë jo!
4.Asnjëherë mos hiqni dorë nga mirësjellja, por mos u tregoni kurrë të mirësjellshëm me ata që ju kanë zhgënjyer deri në dy herë. Mos ua jepni shansin që t’ju zhgënjejnë për herën e tretë. Hiqini nga lista e miqve.
5.Mos u bëni të ndjeshëm dhe mos u shqetësoni kur merrni vesh se njerëz të dështuar por me një post shtetëror apo status social ju marrin nëpër gojë, mos harxhoni kohë për ta sepse ata vlejnë shumë më pak se një qese me mbeturina që posa e kemi hedhur në kazanin e plehrave.
6.Mos provokoni njeri, respektoni bindjet dhe mendimin e tyre, përkatësinë e tyre fetare, mos u tallni me hallet e të tjerëve as me dobësitë e tyre, por mos lejoni që t’ju provokojnë, hiqni dorë prej kortezisë kur ju dalin përpara njerëz të tillë. Përplasuani derën në fytyrë. Ose ju mjafton vetëm një lëvizje: hiqini nga lista e miqve.
7.Mos harxhoni kohë me njerëz që e keni vërtetuar se janë hipokritë, koha është e shenjtë, harxhojeni vetëm për ata që e meritojnë. Hipokritët fshehin fytyrën e përçudnuar të një shpirti monstrumn. As hija e tyre nuk meriton të ketë vend në qiellin e ditës tuaj.
8.Ndodhin keqkuptime, prandaj është toleranca, por gjithmonë reciproke, sepse gabimet janë njerëzore. Ndodh që edhe njerëzit e liq të bëhen të mirë, por mos harro kurrë se koha është flori.
9.Seicili prej nesh jep kontributi e vet me mirësjelljen, solidaritetin, mbështetjen si model i Galateos të komunikimit në Facebook, ky model ka ndikim shumë pozitiv tek kush do që të ndryshojë për të mirë.
10.Model që ndryshon dhe ka ndikim për mirë është edhe kur ne nuk pranojmë përqasjen negative të palës tjetër, kur nuk e pranojmë arrogancën, hipokrizinë, dyfytyrësinë, provokimet, rrenën.
11.Edhe kur e heq nga lista e miqve është një mënyrë që inkurajon vlerat. Sepse të paktën tregon se ekziston etaloni i drejtësisë në komunikimin njerëzor.
12.Kërkoni ndjesë dhe falni, por gjithmonë duke u ruajtur sensi i masës nga keqpërdorimi dhe keqpërdoruesat.
Përfundimi: Nëse respektojmë këtë etikë komunikimi, është e sigurt se kemi garantuar mbarëvajtjen e ditës tonë. Në fund të fundit, prej ditëve përbëhet jeta jonë që e kemi dhuratë nga Zoti e duke mbajtur të pastër higjenën e komunikimit ndërnjerëzor, papastërtitë automatikisht i kemi izoluar në karantinë.
Është bukur ta jetosh jetën pastër. Ashtu si na e kanë mësuar gjyshet tona, që kanë qenë zëdhënëset e Zotit e të së Mirës në Tokë: “Atë që nuk do të ta bëjnë të tjerët, mos ua bëj të tjerëve”
Komentet