Ky vit shkollor shënon edhe jubileun e Universitetit të Prishtinës me mësim në gjuhën shqipe, të themeluar në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Sa herë që shënojmë këtë ngjarje, e cila shënon hapin e madh përpara në lëvizjen tonë kombëtare, meritat ju shkojnë edhe themeluesve të Universitetit tonë si: Ali Hadri, Mark Krasniqit, Hasan Mekuli, Idriz Ajeti, Drevish Rozhaja, Gazmend Zajmi me bashkëpunëtorë nga radhët e studentëve dhe të profesorëve si Fehmi Agani, i pari nga të njëjtit. Fehmi Agani ishte pjesë e vijës së parë të themelimit, të ngritjes, të zhvillimit dhe të mbijetesës së Universitetit të Prishtinës, deri në frymën e fundit të tij. Universiteti i Prishtinës që nga themelimi, u shndërrua në qendër të lëvizjes sonë kombëtare për të drejta të barabarta deri në çlirimin e Kosovës.
Demonstratat e 68-tës dhe Hapja e Universitetit të Prishtinës shënojnë dy nga ngjarjet kulmore, te kësaj perudhe, ku profesor Fehmi Agani ishte ndër protagonistët kryesorë.
Fehmi Agani,si intelektual humanist i angazhuar, ka bashkëpunuar ngushtë edhe në organizimin e revoltës së studentëve në demonstrata të ’68 – siç rrëfen Ilaz Pireva, një nga organizatorët. Ishin këto demonstrata për të drejta të barabarta të shqiptarëve në ish-RSFJ. Agani u angazhua në artikulimin dhe mbrojtjen e kërkesave të tyre të drejta dhe legjitime për hapjen e Universitetit në gjuhën shqipe. Në funksion të mbrojtjes dhe afirmimit të kërkesave për barazi dhe për hapjen e Universitetit në gjuhën shqipe,boton edhe në revistën Përparimi, Viti XV, N.8, punimin ‘Universitetit dhe krahina’, që shquhet për përmbajtjen kritike, argumentimet e sintezat në mënyrë shkencore, punim që ishte me peshë të veçantë për rrethanat e kohës. Që në fillim të punimit autori thekson se “ Kushtet e reja shoqërore po shtrojnë detyra dhe kërkesa të reja edhe para shkollimit të lartë. Ato kërkojnë ndryshime të caktuara strukturale dhe procesuale të këtij shkollimi, po shtrojnë kërkesa dhe nevoja të reja lidhur me të. Shkollimi i lartë askund…nuk mund t’i injorojë proceset që rrjedhin nga tendencat e shoqërisë bashkëkohore, nuk mund të ketë drejtim dhe zhvillim divergjent me drejtimin dhe ritmin e zhvillimit shoqëror përgjithesisht. Kompletimi dhe konsolidimi i shkollimit të lartë, drejtë të cilit po shkojmë, është rrjedhim logjik i zhvillimit…” Në këtë kohë në fakultetet e Kosovës studionin 10.000 studentë dhe autori shtron pyetjen: a mos duken shumë për Kosovën relativisht të pazhvilluar, prej 1,2 milion banorë. Për tu pergjigjur prerazi: “Jo, kursesi” dhe për të vazhduar se “…kjo nuk është dukuri e vetmuar, por është shprehje e veçantë e një procesi të zhvillimit intenziv të shkollimit të lartë…Me shtatë universitete, pa të Prishtinës që po konstituohet, me mbi 100 fakultete dhe mbi 100 studentë ne 10.000 banorë mesatarisht, Jugosllavia qysh para disa vjetësh zu vendin e tretë në botë përkah numri i studentëve në përpjesëtim me popullsinë…”. Çdo tezë dhe argument i ngritur në mënyrë sistematike në këtë punim, të botuar në një revistë publike, është pararojë e procesit të konstituimit të Universitetit të Prishtinës nga proveniencat hegjemoniste zyrtare të kohës, që humbjen e privilegjeve të tyre, e përjetonin dhe e paraqitnin zëshëm si humbje të barazisë.
Këto teza antishqiptare do të shprehen në gazetën ditore “Politika’, Beograd, e afërt me qarqet zyrtare serbe, që në faqen e parë do botojë shkrimin se shqiptarëve “Ju morem pushkët e ju dhamë topat” – dihet se çka na kanë dhënë: pushtim e vrasje masive deri në gjenocid, e shfarosje të mbi 720 fshatrave në Serbi, asimilimin e dhunshëm e konvertimin në serb, që të arrijnë të mbijetojnë të një pjese të konsiderueshme të shqiptarëve, sa që sot konsiderohet se 1/3 e qytetarëve në Serbi nuk munden të jenë serb pa qenë njëherë shqiptar; apo 50 %, pra gjysma e malazezeve në Mal të Zi e dinë prejardhjen e tyre shqiptare (Stipe Shuvar, Ligjeratë, Universiteti i Zagrebit, 1981). E të mos përmendim asimilimin masiv në boshnjak në Pazarin e ri apo në Maqedoni. Punimi i botuar i Fehmi Aganit është mbrojtje edhe ndaj paragjykimeve të nivelit mamutian të deputetit maqedonas, të proviniences hegjemoniste, Llazar Kolishevski, thënë në Parlament në Beograd, se: ’Në Prishtinë po ngritet një universitet mamutian’. Ndërsa ne kishim numrin më të vogël të studentëve për kokë banori, përkundër moshës më të re të banorëve, në krahasimi me të gjitha kombet e tjera. Mësimi po ashtu, në fakultete zhvillohej në dy gjuhë: në gjuhën shqipe përkatësisht në atë serbokroate.
Në këto kushte, thekson Agani, shkollimi universitar nuk është një privilegje shoqërore, por shprehje e nevojës së shoqerisë; se shkollimi universitar medoemos bëhet masiv e në mësimi perspektivë edhe shkollimi për të gjithë, në funksion të sigurimit të kuadrove e të lidhjes me jetën ekonomike e shoqërore.
Një mision po kaq i rëndësishëm i qendrës univerzitare, thekson Agani, është funksioni i saj kultural dhe shkencor, në ngritjen e kuadrove te popullsisë shqiptare, që përbën shumicën, “…në at nivel që të munden në mënyrë kompetente e të barabartë, ‘të rrëfejnë – rrëfimin e vet” si do të kishte thënë Kerlezha, për të gjitha aspektet e jetës së tyre, të kaluar e të sotme”.
Në mjediset shumë kombëtare universiteti duhet të realizojë “me forcën e kuadrove dhe të argumenteve të tij tolerancën e plotë dhe barazinë, jo deklarative, por krijuese dhe të vërtetë. Pa këtë barazi, që është edhe barazi e gjuhëve dhe e shkrimeve si edhe barazi kadrovike dhe kërkimore, as mund të bëhet fjalë për ngritjen dhe zhvillimin e frytshëm te qendrave univerzitare…” Por, kompletimi dhe konsolidimi i qendrës universitare, nënvizon Agani, duhet të marr formën e vet të caktuar institucionale, dhe konkludon: “Universiteti është pikërisht kjo formë.”
Konstituimi i Universitetit të Prishtinës – “për hir të afirmimit të rezultateve të arritura dhe të mundësive të sotme e të ardhshme…, për hir të organizimit më të mirë, të drejtimit më të mirë, e më racional të mundësive tona mësimore e shkencore, që nuk janë aq të mëdha…për të eliminuar ca lidhje të vjetruara,të tejkaluara nga zhvillimi ynë shoqëror i gjertanishëm…sepse,çdo eliminim i lidhjeve të tejkaluara, qoftë edhe kur ato përkujtojnë relacione të dikurshme të sub-dhe supa ordinimit, vetëm hapin rrugën për relacione të reja…ne mes te institucioneve të shkollimit të lartë të qendrave të ndryshme”, për kontakte, komunikim dhe bashkëpunim më të shëndoshë – konkludon Agani në mënyrën më racionale dhe më të vendosur të mundshme për kohën, kur çdo fjalë e ‘papërshtatshme’ për sistemin gjykohej nga politika si vepër armiqësore, e për çdo vepër armiqësore rrezikohej edhe jeta.
Kërkesat më të zëshme për themelimin e universitetit të Prishtinës vinin pikërisht nga Profesor Fehmi Agani me disa nga kolegët e tij si Gazmend Zajmi, Ali Hadri, Mark Krasniqi,Hasan Mekuli, Dervish Rozhaja etj. Ishin këta profesorë që i dhanë emër gjeneratës së vet të studimeve në Beograd, që ishin kalitur në kushte të pabarabarta të trajtimit, dhe kishin arritur zgjidhjen se vetëm duke qenë më të mirët e gjeneratës, munden të barazohen me ‘ata’, prej të cilëve cilësoheshin si “ata. Ishte Profesor Gazmend Zajmi plot vetëbesim, që në atë kohë përmendet se e dinte jo vetëm Leksikonin e Vujaklise, se fliste qartë e rrjedhshëm në gjuhën serbokroate, angleze e franceze si në gjuhën amtare, që shkruante poezi e kompozonte në gjuhën e Betovenit si Noli ynë; Ishte Profesor Mark Krasniqi që për suksesin e treguar gjatë studimeve, e kishin zgjedhur asistent ne këtë Univerzitet- të cilin e braktisi për tu kthyer në Prishtinë; Ishte Profesor Hasan Mekuli, qe me sharmin e tij kur dialogonte a ligjëronte, letërsinë botërore, por edhe letërsinë jugosllave, studiuesit e shkrimtarët e Jugosllavisë i linte me gojë hapur; Ishte Dervish Rozhaja, nga doktorët më të rinjë në ish-Jugoslavi, që shkuarja e tij në provime gjatë studimeve në Universitetin e Beogradit, ishte ngjarje e shënuar, që i mrekullonte të gjithë me përgjigjet e thella dhe profesionale – që i vlerësonin madje edhe profesorët që nuk mund ta shihnin në sy, për shkak të përkatsisë së tij kombëtare. Ndërsa amfiteatrot e mëdha nuk i zinin studentët e të gjitha fakulteteve, nga kureshtja për pergjigjet e tij. Ishte Profesor Agani, i cili në vitet e tetëdhjeta përmendej me respekt, për dijen dhe mençurinë, për zotrimin e dialogut e për thellsitë e sintezave të tij.
Që në vitet e tetëdhjeta, Profesor Nikolla Qingo, Univerziteti i Shkupit, shok gjenerate i Fehmiut në studime të rregullta në Beograd si dhe në studime postdipomike, deklaron publikisht para disa studentëve të vet shqiptar, se po të kishte Kosova tre-katër veta si Fehmi Agani pavarësinë e ka të sigurtë. Njohësit e mirë të Profesor Fehmiut , si Profesor Qingo, maqedonas me prejardhje shqiptare, e ka parashikuar dhe e ka thënë një të vërtetë.
Prej mesit të viteve të shtatëdhjeta kur kam filluar bashkëpunimin dhe miqësinë e vazhdueshme me Profesor Aganin, për çka ndihem i privilegjuar dhe krenar, Profesor Agani ka qenë poashtu në ballë të çdo lëvizjeje intelektuale, politike dhe shoqërore për mbrojtjen dhe çlirimin e vendit.
Profesor Agani, në takimet sy me sy me Sali Çekajn, prijësin, bashkëpunëtorin e çmuar dhe mikun e vet, në Shtutgart, në Maj/Qershor të vitit 1991, i kanë vënë themelet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Deri në takime është shoqëruar nga një ish-student i besushem i Profesor Aganit dhe Sali Çekajt.
Autoriteti integrues i Profesor Aganit, thjeshtësia e tij deri në madhështi, urtësia deri në vendosmëri për flijim në interes të së mirës e kundër të keqes, për liri e kundër çdo barbarie, do ti mungojë njerëzores dhe Republikës sonë çdo ditë e më shumë.
Komentet