Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka iniciuar nisjen e takimeve me liderët e institucioneve dhe partive politike në kuadër të përpjekjeve për tejkalimin e krizës politike të krijuar me bllokadën e punës së Kuvendit.
Ajo u ka drejtuar ftesa të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend që të diskutojnë për gjetjen e një zgjidhjeje.
Përmes një deklarate të cilën e ka lexuar para medieve, Jahjaga ka njoftuar se do të shfrytëzojë autoritetin kushtetues që ka, për garantimin e funksionimit të institucioneve demokratike në vend.
Ajo i ka cilësuar të papranueshme veprimet e dhunshme në institucione, duke paralajmëruar se ato rrezikojnë të lëndojnë konsensusin demokratik në Republikën e Kosovës.
“Tashmë ftesat subjekteve politike si të koalicionit qeveritar ashtu edhe partive opozitare u janë dërguar, fillimisht për takime të ndara në zyrën time, dhe përfundimisht – në mirëbesim – në tryezë të përbashkët”.
“Shpresoj që kjo iniciativë e imja të ndihmojë që shqetësimet t’i adresojmë me pjekuri politike dhe duke dëshmuar angazhimin tonë që të jetësojmë përkushtimin tonë për një demokraci parlamentare që fuqizon institucionet, forcon besimin e qytetarëve në perspektiven e vendit të tyre dhe krijon pajtimin bazik për rrugën tonë përpara”, ka deklaruar Jahjaga.
Nismës së presidentes, përfaqësuesit e partive politike i janë përgjigjur pozitivisht, ndonëse vërehen dallime të mëdha rreth pozicioneve për tejkalimin e gjendjes.
Partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma për Kosovën, ndonëse kishin ftesa që të shkonin ndaras në takim, kanë kumtuar se do të shkojnë në Presidencë nesër si opozitë e bashkuar.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se dialogu ndërpartiak i ndërmjetësuar nga presidentja mund të ketë sukses vetëm nëse kryeministri Isa Mustafa i tërheq nënshkrimet nga marrëveshja me Serbinë për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe ajo me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.
Në çdo rrethanë tjetër, ai ka thënë se opozita nuk do të tërhiqet dhe do të mbajë të bllokuar Kuvendin.
“Dalja nga kjo situatë politike në të cilën jemi është shumë qartë dhe kjo nuk është çështje e diskutimit. Pra, nëse ka reflektim nga ana e kryeministrit apo nga ana e qeverisë dhe nëse ata e thonë se do të tërhiqen nga marrëveshjet atëherë mbase edhe mund t’i diskutojmë modalitetet e tërheqjet”.
“Mirëpo me këtë insistim që marrëveshjet do të zbatohen gjithsesi, me këtë zotim edhe një herë me një darkë jo formale, siç u quajt ajo me Vuçiqin, ku është thënë se Kosova do t’i zbatojë marrëveshjet, mendoj se nuk ka se çfarë të diskutohet”, ka thënë Ymeri.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka marrë të hënën miratimin e Kryesisë së Kuvendit që të mos caktohet data e vazhdimit të seancës së ndërprerë të Kuvendit, në mënyrë që t’i jepet rast presidentes që të gjejë një zgjidhje eventuale.
Për këtë arsye, ai dhe kryesia kanë shtyrë takimin e planifikuar të hënën, për ditën e martë.
Nismës së presidentes, i ka dhënë mbështetje edhe Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar.
Raportet ndërmjet forcave politike në opozitë dhe atyre në pushtet kanë pësuar tensionim më të madh që prej arritjes së marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe.
Marrëveshja është arritur më 25 gusht, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas opozitës, kjo marrëveshje e defunksionalizon shtetin dhe i hap rrugë ndarjes së Kosovës.
Po ashtu, tri partitë opozitare vazhdojnë të kërkojnë tërheqjen edhe të nënshkrimit nga marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.
Tërheqja e nënshkrimeve, nga kryeministri Isa Mustafa dhe Qeveria e Kosovës janë cilësuar të papranueshme.
Komentet